Home Artikuj E pabesueshme! Berisha ka thënë sot: “Ndonjëherë më ndodh që heshtja më...

E pabesueshme! Berisha ka thënë sot: “Ndonjëherë më ndodh që heshtja më pushton”

0
105

TemA, 14 Korrik 2012

Kryeministri Sali Berisha sipas sajtit online të Këshillit të Ministrave ka dalë sot në një konferencë për shtyp me gazetarët. Kush dëshiron t’i lexojë të plota pyetje-përgjigjet e Kryeministrit me gazetarët mund të klikojë në http://www.km.gov.al/?fq=brenda&m=news&lid=16707. Do gjeni pyetje të shkurtra e përgjigje të gjata, nga të cilat shkëputëm pohimet e mëposhtme. Flet Berisha:

“….Nuk kam mundur të gjendem para jush, me gjithë dëshirën që kam pasur. Duhet ta dini se ndonjëherë më ndodh që heshtja më pushton, më urdhëron e më thotë ‘do flas unë, mos fol ti’.”

“….Përsa i përket regjistrimit (e ka fjalën për akuzat që përgjon të tjerët), duhet të them se ky është një sindrom i tmerrshëm obsesiv i Edi Ramës, i cili çdo mëngjes, kur shkon në zyrë, kthen përmbys kolltukët. A mund të udhëhiqet një parti nga obsesione të tilla?!”

“….Ata, të cilët mendojnë se Kryeministri i vendit nuk mund të flasë për historinë e vendit të tij, janë qesharakë, për të mos thënë më shumë. Ata, të cilët duan ta shohin historinë me gjyzlykët e hoxhizmit, harrojnë se ato janë me syzet e falsifikimit. Një mik i imi më thoshte se kisha të drejtë, por po të shkruante këto, ku do të shkonin ato mijëra faqe që kishte shkruar më pare? I përgjigjem: i shkruaj prapë, kush të pengon. Së dyti, i sponsorizon shoqja Nexhmije, e cila vazhdon me angazhim e përkushtim të madh të mbrojë aktet barbare e mizorinë e saj e të shoqit të saj….”

“… Gjatë periudhës së dialogut për presidentin, u ula me zotin Rama dhe zotin Ruçi. Në mënyrë të papritur, kur, sapo zoti Shpëtim Idrizi përmendi emrin e Fatos Nanos, Gramoz Ruçi kërcen e më thotë mua pse nuk isha dakord me Nanon. I them se qëndrimin tim e kam bërë publik, se zoti Nano është lider historik i së majtës dhe po të jetë për këtë, votoja një figurë historike të së djathtës e nuk mund të votoja figurë të së majtës. Ti, i them zoti Ruçi, para një jave drekove 4 orë me zotin Nano….”

(në këtë copëzën e fundit bën përshtypje diçka që nuk e has vetëm tek Berisha. E keni vënë re që politikanët e Tiranës kur ‘shpalosin’ për publikun ‘informacionet sekrete’ se X-i prej tyre ka qenë për drekë ose për darkë me Y-in, nuk harrojnë kurrë të theksojnë sa orë kanë qëndruar bashkë? “Drekove 4 orë”, “Qëndroi 2 orë n’kafe me ambasadorin”, “7 orët e darkës në Lalz” etj, etj. Me sa duket, kjo çështja e orëve qenka një e dhënë me rëndësi të madhe në këto punë)

http://respublica.al/artikuj/2012/07/14/e-pabesueshme-berisha-ka-thene-sot-ndonjehere-me-ndodh-qe-heshtja-me-pushton