Çmimi i një provokimi

0
36

Preç Zogaj, 20.08.2010

Nuk ka ende asnjë reagim as nga Kryeministri Berisha, as nga Ministri i Jashtëm Meta në lidhje me incidentin e fundit të qeverisë shqiptare me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Incidenti pa precedent në marrëdhëniet dypalëshe ilustron shkallën e përkeqësimit të këtyre marrëdhënieve deri në humbjen e respektit formal në komunikim dhe është një sinjal alarmi për gjithë opinionin e gjerë proamerikanist në Shqipëri.

Ta ripërmbledhim me pak fjalë: Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, i ankohet Sekretares se Shtetit Hilari Klinton për qëndrimet publike të ambasadorit amerikan Uidhers.

Meta kërkon distancimin e Departamentit të Shtetit nga ambasadori për të proklamuar paskëtaj me zë të lartë atë që qeveria “Berisha” e thotë prej kohësh me zë të ulët se Uidhers flet në kokë të vet.

Është një lojë fati kjo e ministrit shqiptar. Me dy rreshta letër kërkon të asgjësojë gjithë shpresën për drejtësi që opozitës dhe opinionit publik shqiptar i ka ardhur dhe i vjen gjithnjë nga Uashingtoni.

Pala amerikane nuk mjaftohet të kthejë përgjigje në të njëjtat kanale nga ka marrë letrën, por vendos ta publikojë përgjigjen në formën e një lajmi. Përgjigja është një shuplakë për letërshkruesin: qëndrimet e ambasadorit Uidhers kanë qenë dhe janë qëndrimet zyrtare të SHBA-së.

Më shumë se mbështetja që Departamenti i Shtetit i jep ambasadorit të vet, Tiranës i djeg fakti që përgjigja i jepet medias për publikim. Kjo nuk është dëgjuar më parë. Do të thotë se Departamenti i Shtetit është provokuar nga letra e zyrtarit të lartë të qeverisë së Tiranës dhe nuk mund ta mbajë për vete këtë provokim.

Do të mjaftonte kaq sa u tha më sipër për të ringritur akoma më fort shqetësimin se ç’po ndodh me marrëdhëniet e qeverisë “Berisha-Meta” me administratën “Obama-Klinton”. Ku po shkojmë ? Por nuk mbaron këtu. Meta thërret tërë mediat vendase dhe përgënjeshtron lajmin për letrën e tij kundër ambasadorit Uidhers. Kësaj radhe pala amerikane kundërpërgjigjet flakë për flakë me publikimin e faksimiles së përgjigjes që ka marrë Meta nga Departamenti i Shtetit.

Mesazhi për Metën dhe Tiranën zyrtare është i qartë: Nuk ka heshtje në Uashington për provokimet dhe gënjeshtrat tuaja në lidhje me ne!
Megjithëse është kapur në një gënjeshtër të pastër, Meta nuk ka gjetur mënyrën të shpjegohet me publikun për çfarë ka ndodhur.

Me sa duket, ndërsa nuk i del llogaria të zbatojë në rastin konkret parimin e xhunglës “mbrojtja më e mirë është sulmi”, ka menduar se mbrojtja më e mirë është heshtja, derisa të harrohet edhe kjo çudi. Mirëpo ai ka detyrimin të shpjegohet, të sqarohet, të pranojë gabimin, të kërkojë falje apo diçka të ngjashme, sepse është Ministër i Jashtëm i Shqipërisë .

Tri janë mundësitë: ose e ka shkruar letrën dhe ka menduar deri në fund se amerikanët nuk do ta shesin, edhe pse po u kërkonte të shisnin Uidhersin. Ose e ka marrë me mend se reagimi amerikan do të ishte ky që ishte, por ka plotësuar si vartës një kërkesë apo porosi të kryeministri Berisha. Ose letrën e ka shkruar dikush tjetër në emër të tij dhe tani ai mendon që përmes heshtjes të shpëtojë çfarë mund të shpëtohet nga nderi i humbur i qeverisë.

Në të gjitha rastet, Meta ka marrë përsipër një barrë të madhe dhe askush nuk e beson pas kësaj kur flet për marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA-në apo për raporte shumë të mira me ambasadorin Uidhers. Nga tre variantet e përmendura më sipër mendoj se varianti më afër se vërtetës është i dyti. Nuk mund të shkruhet një letër kundër ambasadorit amerikan pa marrë minimumi miratimin e kryeministrit. Posti që mban e implikon kryetarin e qeverisë në këtë skandal.

Edhe po të jetë dorëjashtë, gjë që do të ishte një çudi. Ministrit i Jashtëm nuk është i përjashtuar nga përgjegjësia edhe po të ketë ofruar vetëm dorën për të firmosur letrën. Përveçse ministër, ai është në të njëjtën kohë këshilltari kryesor i kryeministrit për çështje të politikës së jashtme. Ai ka në dorë edhe mjetin e dorëheqjes për të kundërshtuar e ndaluar veprime që cenojnë çfarë nuk duhet të cenohet. Politikani nuk është rrogëtar.

Pse po flasim këtu për mungesë përgjegjësie nga dy zyrtarët më të lartë të qeverisë? A nuk mund të vështrohet historia edhe nga ana tjetër e medaljes si një përpjekje e pasuksesshme për të vënë në vend një pretendim, që në mos qoftë i drejtë, nuk është kriminal? Po, historia mund të shihet edhe kështu, nëse zyrtarët shqiptarë na e shpjegojnë kështu.

Por, kur shohim Ilir Metën duke u përgënjeshtruar nga amerikanët si përgënjeshtrues i amerikanëve, nuk mund të mos kuptojmë se pala shqiptare nuk luan pastër por si dikush që hedh gurin e kërkon të fshehë dorën. Incidentin në fjalë e shpjegon mirë shprehja popullore “shkon të kërkosh brirë dhe lë edhe veshët”. Kjo është. Por, megjithëse ka brenda çmimin që paguan kurdoherë naiviteti dhe kryelartësia boshe, kjo histori nuk është thjesht shprehje naiviteti.

Siç theksuam më lart, SHBA janë provokuar nga letra e Metës, përndryshe vështirë se do të kishin reaguar siç reaguan. Ku qëndron provokimi?

Është e pakuptimtë se si Ministri i Jashtëm kërkon distancimin e qeverisë amerikane nga një ambasador që po ikën dhe, me sa dimë, do të dalë në pension. Një ankesë e tillë është e padobishme në pikëpamje praktike- bëri ç’bëri, ambasadori po ikën tani, nuk do të jetë më. Ankesa çalon edhe në pikëpamje etike: ç duhet të bëjë një qeveri me një funksionar që po mbyll karrierën?

Të gjitha këto i kupton çdo njeri me inteligjencë mesatare. Por, goditja nga Tirana nuk është thjesht për t’i bërë keq apo për të marrë hak ndaj ambasadorit Uidhers. Goditja ka synime më të gjera, ajo është e llogaritur, sado që pa laps të trashë; ajo është si një trokitje e guximshme dhe e rrezikshme në kështjellë për të marrë shumë ose për të humbur shumë- varet si do ta shohë punën i zoti i kështjellës.

Tirana nuk e ka më hallin te ambasadori që po ikën, por te ambasadori që po vjen. Duke paditur djalin te babai,siç thotë populli, edhe pse kjo është me zarar, Tirana kërkon të ndikojë kornizën e re ku duhet të veprojë ambasadori i ri. I riu nuk duhet të bëjë si paraardhësi i tij.

Domethënë i riu nuk duhet të ndihet për projektligjet dhe aktet e vlerësuara si antikushtetuese, antiligjore apo antidemokratike. Mendoj se pala amerikane ka parë në letrën e Metës diçka akoma më thelbësore: ka parë kundërshtimin e qeverisë shqiptare ndaj qëndrimeve amerikane për zhvillimet demokratike në Shqipëri.

Pala jonë, si me thënë, ka dashur t’i bjerë pragut të dëgjojë dera. Se nuk beson njeri që nuk ditka ministri i jashtëm në emër të kujt flet ambasadori i SHBA-së.

Ja, pra: me letrën kundër ambasadorit në ikje Uidhers, Tirana zyrtare i ka kërkuar Departamentit të Shtetit të ndryshojë politikën dhe qëndrimet ndaj saj, duke mbyllur, pse jo, një sy e një vesh, ose dy sytë e dy veshët për disa ngjarje dhe çështje pikante, që ngërthejnë tjetërsimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Dashje pa dashje SHBA janë ftuar të lënë mënjanë në rastin ne Shqipërisë misionin e tyre historik në mbrojtje të demokracisë, pra të bëhen me heshtjen e tyre bashkëpërgjegjës në cenimin e lirive dhe të drejtave në vendin tonë.

Ky është thelbi provokues i letrës, që ka çuar në publikimin e pashembullt të përgjigjes nga marrësi. Përgjigja dhe publikimi i saj janë shprehje e refuzimit të SHBA-së për atë që u kërkohet dhe njëkohësisht e vendosmërisë së tyre për të ndihmuar Shqipërinë e shqiptarët në rrugën e lirisë dhe demokracisë.

Guximi i qeverisë së Tiranës për të provokuar në këtë nivel nuk ka justifikim, por mund të shpjegohet ndoshta me ndonjë monedhë shkëmbimi që Tirana mendon se ka në dorë për t’u bërë presion të tërthortë amerikanëve.

“Na lëshoni këtu, që të lëshojmë atje”! Po të jetë e vërtetë kjo, do të ishte thjesht një mendjelehtësi e kohëve të shkuara. Shqipëria nuk ka asnjë arsye të luajë kështu me një vend kaq të dashur e kaq të madh si SHBA. Por duhet ta themi ndërkohë se Shqipëria, domethënë qeveria e saj, nuk ka ndonjë gjë në dorë për të bërë pazar për interesat e pushtetit të saj në kurriz të demokracisë.

Karta e kërcënimit me destabilizim të rajonit, e përdorur herë pas herë në vitet e shkuara nga disa politikanë shqiptarë këndej dhe andej kufirit, nuk vlen më. Karta tjetër e kërcënimit me ndryshim të aleancave, duke u orientuar me përparësi drejt regjimeve autoritariste të Lindjes së sotme, siç kanë bërë tradicionalisht qeveritë shqiptare që nuk përballojnë dot demokracinë, nuk është e lehtë të përdoret sepse do të ndeshte në kundërshtimin e gjerë të popullit dhe kombit të orientuar nga perëndimi.

Proamerikanizmi është një ndjenjë përbashkuese e kombit shqiptar, e krahasueshme për nga pesha dhe forca me gjuhën. Asnjë forcë politike dhe asnjë politikan serioz shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nuk mund të zgjedhë, pa u distancuar nga populli, një kurs politik që bien ndesh me këtë ndjenjë.

Marrëdhëniet dypalëshe me Rusinë apo me Turqinë janë të rëndësishme për politikën e hapur që ndjek Shqipëria, por ato nuk mund t’u mbivendosen dhe ca më pak të zëvendësojnë partneritetin strategjik me SHBA, të themeluar në vlerat universale të demokracisë dhe kontributin madhor të SHBA-së për pavarësinë dhe prosperitetin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Ajo që ngushëllon paksa në këtë histori është fakti se zyrtarët shqiptarë gjithsesi kërkojnë dorën e SHBA-së edhe kur duan të realizojnë synime që nuk përkojnë me filozofinë perëndimore të shtetit të së drejtës. Kjo do të thotë se megjithëse SHBA po bëhet më modeste në raport me botën, ajo mbetet busulla e demokracisë. Edhe për ne. Nuk ia dalim pa Amerikën. Është fat që nuk ia dalim.