S’kanë më drojë; bëjnë ç’u do qejfi

0
49

Mustafa Nano/ ResPublica.al

Një. Kryeministri shkon përuron me pompë të madhe një qendër tregëtare të ngritur nga biznesmenët e tij; mobilizoi gjithë shtetin për këtë ngjarje (edhe ndonjë shtet tjetër, duhet thënë; ambasadori amerikan u pa aty pranë me gërshërë në dorë); braktisi dhe diskutimin për projekt-buxhetin bash për këtë punë.

Dy. Kryeparlamentarja çon dhëndërrin në Paris, në ambasadë, që ai të ketë mundësi të rrijë afër të dashurës, vajzës së kryeparlamentares, që është gjithashtu në Paris.

Tre. Kryeministri sërish emëron nipin e vet në polici; nipi i vet u kap në një moment, teksa nxirrte e përdorte armën në qytet; me atë rast hiqet nga policia; por s’kalon pak kohë, dhe çohet polic në Romë, pjesë e stafit diplomatik atje.

Katër. Lulzim Basha e ka shndërruar bashkinë e Tiranës në një ndërmarrje private; kunati i tij, për të cilin kujtonim se ish thjesht një personazh folklorik e fantomatik i rubrikës satirike të Mero Bazes, nuk është as foklorik, as fantomatik; sot na del që ai është një alamet persoanzhi real; media raporton se paratë e bashkisë të caktuara për dekorin urban janë fituar në një tender nga një kompani e një mikut të kunatit, dhe e një vajze që ka udhëhequr fushatën elektorale të Bashës.

Këto janë disa nga bëmat abuzive e korruptive, që bëhen në mënyrë arrogante nga pushtetarët e sotëm. I bëjnë aq hapur, sa duket sikur duan të na thonë: kush pjerdh për ju? Dhe të mendosh se sa më sipër janë bëma minore; janë një hiç krahasuar me Gërdecin, me 21 janarin, me korrupsionin në rrugën Durës-Kukës, etj.