Gafat e qeverisë me pronën në gjykatën e Strasburgut

0
57

Njazi Muka, 20.08.2010

Me këtë shkrim, dëshiroj që sot të sensibilizoj mediat, duke kritikuar publikisht kërkesën që ka bërë Shteti Shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, që kjo Gjykatë të mos shqyrtojë ankesat e pronarëve shqiptarë, sepse shteti nuk ka para të paguajë. Turp më të madh, faqe Evropës, nuk ka.

Nëse Qeveria nuk ka para të paguaj pse nuk i kthen çdo pronari pronën e tij, por miraton ligje që në titull dhe me një apo dy nene tee kthejë pronën dhe me shumë nene të tjera e pengon kthimin e pronës.

Pse qeveria ka bërë ligj që pronën e një pronari ia legalizon një shtetasi tjetër thjesht sepse ai ka pasur guximin të shkeli ligjin, duke ndërtuar pa leje në tokën që duhet t’i kthehet pronarit të shpronësuar?

A nuk është turp që politikanët ne pronarëve na quajnë ish-pronarë, kur edhe diktatori Enver na quajti të shpronësuar ?

Duke vazhduar me Qeverinë Berisha dhe Strasburgun është për t’u habitur se si kjo gafë e pa precedent e Qeverisë demokratike, që kërkon t’i vejë kufi Gjykatës së të Drejtave të Njeriut (e bërë nëpërmjet Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe e transmetuar prej Avokatit të Shtetit), nuk është bërë në masën e duhur, objekt debati deri në zgjidhje të problemit prej medias si pushtet i katërt.

A nuk duhet kritikuar me plot gojë pse Qeveria i kërkon Strasburgut këtë “budallallëk” që praktikisht është maskim i strategjisë së Ramiz Alisë për të përvetësuar pronat e shtetit dhe të pronarëve sipas platformës së Katovicës.

Megjithëse prej 19 vjetësh të shpallur zyrtarisht Shtet demokratik që zbaton Deklaratën e Helsinkit dhe Liritë e të drejtat e njeriut pronat e qytetarëve shqiptarë që u emërtuan “Pronë e shtetit” nga diktatura e Enver Hoxhës, po vidhen nga pushtetarët e të dy krahëve dhe kjo periudhë po quhet edhe nga perëndimorët periudha e tranzicionit .

A nuk ju çudit naiviteti i ambasadorëve të KE, OSBE , Bankës Botërore dhe gjithë institucioneve të tjera për faktin se ata janë në dijeni se prej 19 vjetësh pronat e shtetëzuara, në vend që të kthehen në origjinë , vazhdojnë të mbahen në dorën dhe nën arbitraritetin e shtetit dhe as nuk ju janë kthyer fizikisht të zotëve dhe as nuk ju është kompensuar.

Ata e kuptojë se legalizimi me ligjet që ka miratuar qeveria i shërben qeveritarëve dhe jo parimeve demokratike dhe përsëri nuk bëjnë asnjë veprim për të detyruar qeveritarët për të zbatuar të drejtat themelore të njeriut dhe për ta ndalur këtë hajdutëri që bëhet në emër të demokracisë

Si ka mundësi që pas 19 vjetësh akoma nuk ka mbaruar kthimi fizik i pronave por bëhet me nxitim legalizimi i pushtimeve dhe i ndërtimeve të paligjshme.

A nuk quhet kjo rumpalla apo çmenduria e shtetit me pronat tona. Mos vallë nuk paska një gazetë, televizor, analist politik ta bëjë objekt debati deri në zgjidhjen përfundimtare këtë qëndrim absurd të Qeverisë.

A mund të quhet e majtë partia socialiste kur të gjithë drejtuesit e saj, përfshi edhe sot Edi Ramën, heshtin ndaj kërkesave të drejta të familjeve të shpronësuar që shteti t’ju kthejë me ligj pronat e grabitura nga komunizmi, dhe mos t’i shtyjë pronarët në vetëgjyqësi dhe gjakderdhje për të çliruar pronat e të parëve të tyre, prona që as pushtimi turk dhe as pushtimi nazist nuk jua tjetërsoi. A mund të quhen opozitarë dhe shqiptarë këta drejtues të PS kur heshtin për problemin e mos respektimit të drejtës së pronës.

Unë jam dakord me udhëzimin që ju ka dhënë Kryetari i Shoqatës Kombëtare, z. Rrapo Hajredin Danushi, që të gjithë të shpronësuarit që kanë marrë vendime kthimi apo kompensimi që nuk po zbatohen, ti drejtohen Strasburgut, pasi gjykatat shqiptare janë të komanduara nga politika dhe nga paraja.

Strasburgu për ne të shpronësuarit mbetet drita jeshile, vendimet e të cilës do na japin të drejtën tonë . Po ashtu vendimet e Strasburgut gjithnjë e më shumë do të tregojnë se sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk është i aftë të japi drejtësi si për shkak të ligjit dhe për shkak të “Maliqit”

Pronarët shqiptarë kanë filluar ta kërkojnë por duhet të shtohen kërkesat për arin e grabitur nga regjimi i Enverit, fakt për të cilin Kuvendi i Shqipërisë, për turp po vazhdon të heshti. Janë 320 ton ar detyrim i shteti për t’ua kthyer pronarëve.

Shoqata Pronësi me Drejtësi që në fillim të veprimtarisë së saj ka insistuar se zgjidhja e drejtë është kthimi fizik dhe jo kompensimi dhe që kompensimi duhet vetëm për prona që janë tjetërsuar për nevoja publike.

Kanë kaluar 19 vjet që po shtyhem ne gënjeshtra dhe demagogji. Vetë kryeministri Sali Berisha ka deklaruar: me pronat kemi gabuar, por prona do të shkojë tek i zoti. Kur mor zoti Sali, kur ? Edhe sa kohë ky popull që vuajti 45 vjet komunizëm, duhet të vuaj postkomunizëm që qenka më i keq se komunizmi i Moskës.

Unë shikoj se të gjithë politikanët e pas vitit 1991 deri më sot, drejtuesit e periudhës së tranzicionit postkomunist do të jenë të gjithë të dënuar nga historia, se si të shpronësuarit edhe të përndjekurit që vuajtën nga Enver Hoxha e Ramiz Alia, nuk i kanë fituar të drejtat e tyre sipas detyrimeve kushtetuese dhe konventës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut .

Mungojë mjetet informative por me ligjet që ka miratuar ky Kuvend i quajtur i Shqipërisë (të dy partitë PD – PS) prona nuk i është kthyer të zotit por atë e kanë përvetësuar pushtetarët; pronarët po vriten me njëri tjetrin. Deri tani shifra e krimeve ka shkuar 6000, të zhdukur, të vrarë brenda familjes apo me njeri tjetrin.

Sllavokomunizmi vrau 6000 qytetarë të pafajshëm dhe po aq ka vrarë edhe postkomunizmi por krimet e tranzicionit po vazhdojnë dhe historia do të ju ndëshkojë. Kur do të vijë dita që ju që jeni sot drejtues të Qeverisë dhe të Shtetit të zbatoni Kushtetutën? Unë dhe populli im, po vazhdojmë të vuajmë nga mos respektimi i të drejtave themelore të njeriut sepse presidentët, kryeministrat dhe deputetët e pas vitit 1991 i janë nënshtruar dhe kanë bërë ligje siç ju intereson mafies postkomuniste.

Nëse Kuvendi do vazhdojë të miratojë ligje, duke spekuluar me mekanizmin e shumicës 71 vota, duke vazhduar ta shkelë të drejtën e pronës dhe që pronari të vazhdojë të sorollatet dhe mos ti kthehet fizikisht prona që duhet t’i ishte kthyer që në vitin 1991, Kushtetuta, për të cilën ju jeni betuar se do ta zbatoni, do mbes me vlerën e një paçavureje. Unë në moshën, përvojën dhe vuajtjet që kam kaluar, i drejtohem politikanëve me thirrjen: mos turpëroni veten tuaj.

Ju drejtohem ambasadorit të KE zotit Helmuth Lohan : ju lutem mos gjeni justifikime formale dhe mos lejoni këtë qëndrim në dukje naiv ndaj shkeljes së të drejtës së pronës dhe rumpallës së pronës që prej 19 vjetësh vazhdon nën ombrellën tuaj, prandaj është koha të themi: Poshtë komunizmi dhe korrupsioni i pushtetarëve në Shqipëri.