BUROKRACIA E POLITIZUAR ËSHTË E RREZIKSHME

0
61

Mustafa Nano

Zululand
I ngacmuar nga letra që i dërgoja kryeredaktorit të “Shqipit” lidhur me atë nëpunësin luftarak të administratës publike, Dritan Hila e mbyll kështu komentin e tij të dy ditëve më parë: “Nuk është e drejtë, që kundërshtari (i M. Nanos) të jetë i ushqyer dy herë, të ketë patkonj në doreza dhe të godasë poshtë rripit”. Duket qartë nga kjo frazë (por edhe nga gjithë shkrimi), se Hila ka veçuar nga letra “dramën time personale” përballë një sulmi të padrejtë e të shpërpjestimuar, dhe në këtë kuptim, shkrimin e tij e marr edhe si një shenjë solidariteti.

Megjithëse në reagimin tim nuk arrita (e nuk doja) t’i shmangja tonet e ngjyrat e një marazi personal, çështja në fjalë nuk është hiç personale. Nëse s’e kam bërë të qartë herën e parë, po e bëj tani. Në planin personal nuk do të kisha asnjë motivim për ta thënë timen në një rrethanë të tillë. Dhe e vërteta është, se “turfullimi” im i drejtohej më së pari gazetës ku shkruaj.

Por ka një arsye tjetër, që më nxiti të marr penën në dorë. Ai robi i LSI-së është dhe nëpunës i administratës publike. Dhe çështja nuk është që “ai lëshohet mbi mua”; çështja është se ai ka kurajën të bëjë beteja publike në mbrojtje të qeverisë e kundër kundërshtarëve të saj. Kjo, sipas meje, është një gjë e rëndë, e rrezikshme, e papranueshme, e pafalshme.

Në çdo vend normal, një njeri i tillë do ishte shkarkuar qysh të nesërmen nga puna, e nuk do të ishte çudi që pas kësaj, të hapej një debat i madh publik e politik mbi qasjen e sjelljen partizane të administratës publike. Askush nuk mund të tolerojë në ndonjë vend tjetër, së pari që një nëpunës të deklarojë faqe botës se “është në atë punë për merita partiake dhe se vijon ta ketë xhan, shpirt, e zemër partinë e tij”, e së dyti që i njëjti nëpunës të ketë guximin t’i vërsulet publikisht kryetarit të një partie opozitare, dhe një gazetari, që nuk ha në një çanak me qeverinë.

Siç shihet, problemi është me rëndësi publike. Nuk ka të bëjë fare me një gazetar të sulmuar; ka të bëjë me shtetin. Nuk ka të bëjë fare me një rrugaç; ka të bëjë me mijëra rrugaçë, që janë shpërblyer me poste në administratë në këmbim të kontributeve e shërbimeve të llojllojshme në favor të një partie. Nuk ka të bëjë vetëm me LSI-në, s’ka gjë se kjo e fundit është një parti e ngritur ekskluzivisht mbi klientelizmin; ka të bëjë edhe me dy partitë e mëdha, të cilat, sa kohë janë në opozitë, i mbajnë militantët e tyre me shpresën se pushteti do t’i nxjerrë nga hallet e shumta dhe me të ardhur në pushtet, i hapin katërkanatash për ta dyert e administratës. Kemi të bëjmë me një atentat që i bëhet aspiratës për një shtet serioz e efektiv të së drejtës, i cili nuk mund të kuptohet pa një administratë e burokraci të ngritur mbi kritere meritokratike.