Si do t’i menaxhojnë Berisha dhe Rama pakënaqësitë ndaj Kodit?

0
50

Nga Mero Baze, 13 Korrik 2012

Shihet qartë që Kodi Elektoral nuk ndryshoi dhe dy forcat më të mëdha politike në vend gjenden sërish përballë një problemi si në vitin 2009 për të menaxhuar pakënaqësitë e partive të vogla nga sistemi. Ndryshe nga viti 2009, kur efektet e sistemit perceptoheshin, por nuk ishin shumë të provuara, tanimë janë shumë të qarta disa rregulla. Partia e parë e koalicionit mbledh gjithë votat e partive të vogla që janë larg pragut të një deputeti. Partia e dytë e koalicionit përfiton më shumë se çdo parti tjetër e koalicionit pas saj, duke u bërë diskriminuese për partitë shumë afër saj. Dhe së treti, më shumë se garë mes të majtës dhe së djathtës, sistemi imponon një garë mes pushtetit dhe opozitës, pasi kështu jemi më afër rezultatit real.

Në vitin 2009 Berisha e menaxhoi më mirë situatën. Ai futi 17 parti në koalicion, disa thuajse të papërfillshme, por që patën rëndësinë e tyre, dhe qetësoi partitë kryesore të koalicionit se do t’i ndihmonte ato duke toleruar një lloj favorizimi në qarqe të caktuara. Kështu Mediut iu premtua ndihmë në Fier, Durrës dhe Tiranë, partisë çame në Fier, legalistëve në Dibër e kështu me radhë, por në fund u pa se asgjë nuk funksionoi si duhet. Mediu hyri deputet falë votave të Dashnor Bajazatit në Kavajë, i cili duke keqkuptuar sistemin, dhe duke harruar që të parin në çdo qark kishte kryetarin, mori aq vota sa bëri të mundur daljen e Mediut në Tiranë. Po ashtu Tahiri në Vlorë, që doli nga koalicioni, u favorizua dukshëm dhe nga një lloj pakti i heshtur i Idrizit, që atëherë ishte në anën e PS, në procesin e numërimit të votave duke e favorizuar atë. Të tjerët dështuan.

Brenda koalicionit socialist, përveç Vangjel Dules në Vlorë, nuk mundi të dalë dot asnjë tjetër. Humbi Milo, Gjinushi, G 99 dhe çdo subjekt tjetër, edhe pse në shkallë republike ata siguruan vota sa për një ose më shumë deputetë. Pra, tani jemi në situatën e qartë kur partitë e vogla e dinë dhe e njohin padrejtësinë që bëhet ndaj tyre dhe koalicionin më të gjerë do ta formojë ai lider që do të dijë t’i kompensojë dhe të krijojë besim tek partnerët se do t’i çojë në fitore, që të kenë çfarë të ndajnë.

Problemet e Berishës me aleatët

Berisha do të ketë probleme serioze me aleatet për shkak të LSI.

LSI, e cila është dukshëm partia e dytë e koalicionit qeveritar, për shkak të favorizimit që i bën sistemi partisë së dytë në raport me partitë e tjera të vogla, mund të dyfishojë rezultatin në mandate për të njëjtat vota sa kishte në vitin 2009, duke konkurruar brenda koalicionit. Kjo do të ulë numrin e deputetëve të PD-së dhe do të lërë jashtë parlamentit republikanë, çamët, legalistët, ballistët etj.

Ajo që Berisha po bën për t’i qetësuar tani është retorika e tij se do ta marrë pushtetin me çdo kusht. Kjo retorikë i bën të besojnë aleatët e tij se do të ndajnë tortën e pushtetit duke harruar atë të parlamentit. Kështu tenderi i parë publik që ai po bën për të vetët është se ajo parti që do t’i sjellë 16 mijë vota, do të jetë në qeveri. Të tjerët sipas peshës po ashtu do të shpërndahen në pushtet. Kjo është e vetmja armë e Berishës për të vendosur qetësi në kampin e vet dhe për këtë ka dy favore.

E para, që të gjithë besojnë se ai i vjedh votat dhe fiton me çdo kusht, qoftë dhe me “pallë” siç thotë Olldashi, dhe e dyta, të gjithë e dinë që ai nuk pyet për PD dhe nuk ka probleme me autoritetin brenda saj. Këto janë dy përparësi të mëdha për të qenë bindës dhe për ta mbajtur të bashkuar koalicionin, edhe pse shumë prej tyre e kuptojnë se nuk do të jenë pjesë e parlamentit. I vetmi që mund të ketë një problem psikologjik për këtë çështje është Mediu, i cili mund të rishkojë në gjykatë për Gërdecin, por dhe duke qenë deputet, imuniteti mund të hiqet, kështu që atë vetëm kryeprokurori i ri dhe Bujar Nishani mund ta shpëtojnë nga drejtësia. Dhe duket se e ka marrë këtë premtim.

Përveç këtyre dy rrethanave lehtësuese, Berisha nuk ka asnjë përparësi në koalicion. Bilancin qeveritar e ka skandaloz, aferat koruptive i ka më të mëdha se stoqet e skrapit që shet përditë dhe imazhin si një lider autoritar antidemokrat e ka përforcuar në mënyrë të shkëlqyer.

Në këtë risk ai duhet të llogarisë dhe faktin që shumë mandate të Ilir Metës, të marra në fakt për shkak të sistemit, mund të kthehen në vdekjeprurëse për të nëse mbetet në opozitë, pasi siç të gjithë e presim, Ilir Meta nuk rri dot në opozitë dhe do t’i vërë votat e tij në dispozicion të pushtetit të ri. Ky do të jetë një deformim i madh për të, por dhe një ndëshkim që e meriton.

Problemet e Ramës me koalicionin

Edi Rama e ka më të vështirë se Berisha të vendosë rregull në koalicionin e tij për shkak se ai nuk ka dy tiparet negative të Berishës, që në këtë rast janë eficente. E para, nuk ka shumë fuqi të sakrifikojë pushtetin e PS për aleatët, dhe e dyta, nuk ka fuqi të bindë njerëzit se fiton me çdo kusht, qoftë dhe me forcë. Edhe pse këto në thelb janë cilësi pozitive për një lider normal, duke konkurruar me Berishën si përfaqësues regjimi të kthehen në problem. Për këtë ai duhet realisht të shmangë retorikën për PS dhe të marrë staturën e liderit të koalicionit duke krijuar një klimë besimi të ndërsjellët. Në këto momente pakënaqësish të mëdha, duket si një mision i pamundur, por unë besoj se çdo gjë mund të arrihet nëse vendosen disa objektiva të qarta.

Objektivi i parë i qartë është që Edi Rama të jetë kandidat i padiskutueshëm për kryeministër i Shqipërisë, si kandidat i koalicionit. Kjo i jep atij mandatin dhe fuqinë që nuk e ka si kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, ku përveç njerëzve aktivë dhe me vlera, ka plot nëpunës politikë dhe ngatërrestarë që mezi presin të humbasë Partia Socialiste që ai të mos bëhet kryeministër. Kjo pikë e autoritetit të Edi Ramës si kandidat i padiskutueshëm për kryeministër duhet të zëvendësojë staturën e tij si kryetar i Partisë Socialiste. Vetëm kjo mund të ridimensionojë marrëdhëniet e tij me aleatët dhe mund të shmangë barrierat ideologjike për koalicionin.

Siç thashë më lart, sistemi imponon koalicione mbi parimin pozitë- opozitë dhe jo e majtë- e djathtë. Çdo parti që ka objektiv rrëzimin e Berishës duhet të jetë nën një sigël, nën siglën e ‘Aleancës kundër regjimit’. Vetëm kjo mund të shtojë diferencën dhe mund të nxisë aktorë të tjerë nga shoqëria civile apo të pakënaqur të qeverisë të përfshihen brenda saj. Nëse Partia Socialiste do të tentojë që të shkoj në zgjedhje si një koalicion i majtë për të mundur të “djathtën”, do të dështojë dhe do të shkojë në zgjedhje e shpartalluar dhe pa frymëzim. Berisha duhet larguar nga pushteti si regjim dhe ndarja duhet të jetë pozitë-opozitë.

Vetëm kështu ky sistem mund të bëhet paksa më i drejtë se sa është në të vërtetë. Nga ana tjetër Rama duhet të përdorë çdo marrëveshje legale formale, por dhe fuqinë e kryeministrit të ardhshëm për të negociuar kriteret për ndarjen e pushtetit në të ardhmen. Pikërisht këtu dhe tani është rasti të shfaqë dhe dimensionin e tij si një lider, të cilit mund t’i besohet drejtimi i Shqipërisë. Berisha, duke qenë i dashuruar me pushtetin e vet dhe duke mos i dhënë llogari askujt, është eficent në marrëveshjet për ndarjen e pushtetit pasi i intereson vetëm vetja dhe partnerët që i sigurojnë pushtet.

Nëse Ilir Meta i kërkoi dhjetë për qind të pushtetit, ai i dha 20, dhe nëse partive me një mandat u jep ministri, do të thotë se nuk mërzitet për mënyrën si ndan tortën. Por Rama nuk duhet ta mbështesë fuqinë për të ndërtuar koalicionin tek autoriteti i tij në PS, por tek statura e kryeministrit të ardhshëm, i cili duhet të jetë i drejtë me kontributin real të çdo partneri në koalicion gjatë fushatës dhe në rezultatin final. Në thelb ai duhet të aplikojë korrektimin kombëtar brenda koalicionit si një mënyrë për t’i dhënë të gjithëve atë që u takon dhe këtë mund ta formalizojë dhe me marrëveshje të shkruara paraelektorale.

Nga ana tjetër koalicioni nuk ka për tu ndërtuar në një ditë. Do të ketë plot mllefe dhe pakënaqësi, por dhe meskinitete dhe delire që të nervozojnë. E rëndësishme është që opozita të jetë e qartë se çdokush që dëshiron të ikë Berisha, të futet në një koalicion. Ajo që është e qartë është se Rama ka mbështetje të padiskutueshme nga elektorati socialist dhe një simpati në rritje nga brezi i ri. E vetmja mënyrë që ta mbash të bashkuar opozitën është ta vendosësh përballë alternativës për të luftuar Berishën.

Partnerët e Ramës në koalicion janë një mekanizëm i vlefshëm për të pasuruar gjeografinë elektorale të opozitës dhe për të thithur çdo votë opozitare të çfarëdo ngjyre, përveç asaj rozë. Një koalicion pa tabu, pa përjashtuar askënd, që është kundër Berishës dhe nën autoritetin e një kandidati për kryeministër, mund të funksionojë. Fakti që në opozitë ka plotë zëra të pakënaqur, por dhe shantazhistë e delirantë, mund të bëhet i vlefshëm vetëm nëse të gjithë i përfshin në një sigël dhe rrit arsyet përse njerëzit duhet të votojnë këtë koalicion duke konkurruar autoritetin dhe despotizmin e Berishës me larminë, individualitetet dhe lirinë e frymës opozitare. Kështu është e sigurt se do të shkohet deri aty ku tani duket e vështirë, tek aleanca me parti të qendrës dhe të djathta, me ish të persekutuar dhe partitë të pakënaqura nga koalicioni i Berishës. Është një betejë që fitohet duke menduar të gjithë ikjen e Berishës dhe jo pazarin me të.