Veton Surroi
Kryeministri i Kosovës dhe ministri i tij i Jashtëm ndërmarrin hapa të pamenduar dhe kokë më vete
1. Brenda një jave, politika e jashtme e Kosovës ka bërë së paku dy gjeste që e kualifikojnë si joserioze, për të mos përdorur shprehje më të rëndë.
Ministri i Jashtëm, fillimisht, shkoi në New York dhe nga sekretari i përgjithshëm kërkoi që ta ndërrojë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit me një tjetër, ku do të njihej realiteti i ri i Kosovës së pavarur. Disa ditë më pas, kryeministri i vendit përkrahu ministrin e tij të Jashtëm në përpjekjet për të sjellë një Rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit dhe po ashtu ofroi një kontribut shtesë për politikën e jashtme të Kosovës, duke shpallur se mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë i ka ardhur fundi.
Logjika fillestare dhe vetëm kaq – pra fillestare, është në anën e kryeministrit dhe ministrit të tij të Jashtëm. Është e vërtetë se Rezoluta 1244 tashmë është bërë bajate (për një shtet të pavarur si ne) dhe është po ashtu e vërtetë se një ditë duhet t’i vijë fundi mbikëqyrjes së pavarësisë. Por, përtej këtyre tezave fillestare, çdo gjë është e ndërlikuar dhe e gabuar, madje e gabuar deri në strategji.
2. Së pari fillojmë me Rezolutën. Çdokush që di fare pak nga funksionimi i Këshillit të Sigurimit do të kuptojë se Rezolutat në praktikë iniciohen dhe dakordohen mes, kryesisht, anëtareve të përhershme të KS. Në momentin kur mbërrin në duart e sekretarit të përgjithshëm, drafti i Rezolutës tashmë është pothuajse i dakorduar mes shteteve me fuqi vetoje. Gabimi numër një i ministrit të z. Thaçi është taktik: Ban Ki Moon ka pak fuqi praktike inicimi të një Rezolute të re për Kosovën, siç ia kërkoi ministri. Ndikimi i tij politik te fuqitë e mëdha, madje, është edhe më i vogël. Një ministër kosovar nuk kërkon Rezoluta prej sekretarit të përgjithshëm, madje publikisht, por te shtetet anëtare të përhershme që e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës.
Gabimi numër dy është po ashtu taktik. Në momentin kur në OKB zhvillohet një konflikt mes Serbisë dhe Perëndimit, lidhur me Draft Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme pas mendimit këshilldhënës të GJND-së, në debat futet iniciativa kosovare (në New York nuk dinë se iniciativat e ministrit të z. Thaçi dhe të vet z. Thaçi bëhen kokë më vete) për një Rezolutë të re, por tashmë në Këshill të Sigurimit. Në një debat për mollët, pala kosovare insiston që të bisedohet për dardha.
Gabimi numër tre është më i madh, ai strategjik. Zhvillimi i çështjes së Kosovës prej vendosjes së Rezolutës 1244 deri te shpallja e pavarësisë ka qenë një proces i mundimshëm, i cili u përpoq që, duke respektuar formulimet (shumëkuptimëshe) të Rezolutës 1244, të bëjë të panevojshëm veton e disa prej fuqive të mëdha (në radhë të parë të Rusisë).
Kur Rekomandimet e presidentit Ahtisaari nuk morën përkrahjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u cilësua nga përkrahësit e pavarësisë së Kosovës se Rezoluta 1244 linte mjaft hapësirë për të shpallur e përkrahur pavarësinë e Kosovës, pa nevojën e bekimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me mendimin e vet jashtëzakonisht të qartë këshilldhënës, konfirmoi legalitetin e këtij interpretimi, pra se shpallja e pavarësisë u bë brenda kontekstit formal të Rezolutës 1244.
Me këtë mendim u konsumua vlera politike e Rezolutës 1244, ndërsa me njohjen e pavarësisë nga shtetet që e kanë njohur u konsumua edhe një pjesë e dukshme e vlerës juridike të Rezolutës. Të insistosh që për Kosovën të sajohet një Rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në emër të zëvendësimit të asaj 1244, është të rihapësh debatin, në po këtë Këshill të Sigurimit lidhur me validitetin e pavarësisë së Kosovës, një debat me po ato shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës apo janë kërcënuar se do të vënë veto po qe se Rezoluta e pavarësisë vihet në KS.
Do të ishte e kuptueshme që Serbia të kërkonte Rezolutë të re të KS të OKB (siç kërkon debat, edhe të kotë si të herave të kaluara, sa here që i bie në mend). Nuk është e kuptueshme që me dorën e vet Kosova ta kthejë çështjen e pavarësisë së saj në KS, qoftë edhe në formën gati komike që e bën tani.
3. Kryeministri, pas përkrahjes që i dha gabimit të ministrit të tij, bëri vet gabimin e radhës, gati duke shpallur në formë uniliterale se i kishte ardhur fundi pavarësisë së mbikëqyrur.
Mbikëqyrja e pavarësisë ka qenë një domosdoshmëri e pranuar në procesin negociator të udhëhequr nga presidenti Ahtisaari, për t’i bindur shtetet që nuk ishin gjithaq të bindura për pavarësinë e Kosovës, që t’i bashkohen listës së shteteve që e përkrahnin. Kështu, mbikëqyrja e pavarësisë, është në fakt një partneritet mes Kosovës dhe përkrahësve të saj në Perëndim.
Në këtë partneritet, Kosova fiton përkrahjen amerikane dhe europiane në këmbim të fuqive ekzekutive që duhet të korrigjojnë veprimet eventuale të gabuara të institucioneve kosovare. Ky partneritet është tashmë para obligimeve shumë më të mëdha seç ishin pandehur fillimisht: nevojën e vendosjes së një sistemi ligjor dhe doganor në tërë territorin e vendit dhe nevojën e dekriminalizimit të politikës kosovare, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit dhe krimit politik.
Gabaimi i kryeministrit nuk qëndron në kërkesën që të përfundojë mbikëqyrja e pavarësisë. Gabimi i tij konsiston në mungesën e një marrëveshjeje të re me partnerët ndërkombëtarë për këtë. E, marrëveshja e re duhej të definonte se me çfarë kutesh do të matej përmbushja e objektivave të përbashkët kosovarë dhe ndërkombëtarë (për shembull në luftën kundër krimit e korrupsionit, apo në vendosjen e sovranitetit të vendit), dhe rrjedhimisht korniza kohore për përmbushjen e tyre.
Duke kërkuar fundin e tanishëm të pavarësisë së mbikëqyrur, kryeministri shkon ndesh me një disponim shumë të thelluar, serioz dhe të matur, të qytetarëve të Kosovës që kërkojnë më shumë ndërhyrje të pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Më shumë ndërhyrje në vendosjen e rendit dhe ligjit në Veri të vendit. Më shumë ndërhyrje në luftën kundër korrupsionit të vet qeverisë së tij, e cila e ka ngritur në formë të paprecedentë shpërdorimin e parasë publike. Dhe, në fund, më shumë ndërhyrje në organizimin e zgjedhjeve parlamentare për vitin e ardhshëm, për shkak të rritjes, po ashtu të paprecedencë, të vjedhjes së votës.
4. Qeveria duhet urgjentisht të korrigjojë veten në këtë segment (ka shumë për të bërë edhe në segmente të tjera të jetës). Korrigjimi fillestar do bëhej nëse, pos gabimeve, hiqet dorë edhe nga mbrojtja e mëtejme e tyre, posaçërisht me arrogancën e pushtetit e mungesën e argumenteve.