Periferi
Nga: ALBA MALLTEZI
Do të përpiqem të bëj këtë shkrim me logjikën e Fatos Lubonjës. Me atë logjikë që më shumë se një herë, në shkrime, debate televizive, e përkufizon “News24” si “instrument të opozitës”. Nuk është një përkufizim lubonjist në fakt: shumë vite më parë, Sali Berisha, i bezdisur vetëm nga fakti që “Gazeta Shqiptare” (e të njëjtit grup editorial Edisud s.p.a, ku unë kam shkruar dhe shkruaj) publikonte lajme për liderin e burgosur të opozitës, Fatos Nano, për kronikën e zezë, apo kontrabandën e karburanteve drejt ish Jugosllavisë, vendosi të na shpallte: “vegla të Fatos Nanos”, e më pas “tradhëtarë”, “mafiozë”; të shpallte kryeredaktorë “non grata”, të tentonte të vendoste kryeredaktorë përmes puçeve diplomatike e të tjera manovra berishiane të njohura tashmë.
Që atëherë, megjithëse të gjithë të rinj në redaksi e pa shumë eksperiencë, kuptuam se përballë nuk kishim njeri demokrat dhe dashamirës të lirisë së mediave dhe, Berisha i viteve te fundit nuk ka ndryshuar, pervec metodave të reja që aplikon. Por, në raport me shtypin, individë të tillë si Enver Hoxha dikur, apo Sali Berisha, Fatos Nano, Edi Rama, Ilir Meta… krijohen sepse gjejnë një terren pjellor. Logjika se kush është kundër Berishës automatikisht është pro kundërshtarëve të tij, është ndër më qesharaket dhe për ta përhapur ndihmon edhe Lubonja. Ky i fundit, shpesh është përpjekur të analizojë ekzistencën e mediave shqiptare si rrjedhojë e qëllimeve të pronarëve për të bërë biznes me atë apo këtë politikan, majtas djathtas apo të dy bashkë. Eshtë realisht i tillë rasti i Klanit, zgjedhja e lirë që TV Klan ka bërë, ku Fatos Lubonja militon sot dhe nga ku teorizon se gazetarët hanë dajak jo sepse kritikojnë Berishën, por se kanë prishur pazare me të. Në rastin e Mero Bazes, Lubonja nuk tha hapur se “Mero Baze hëngri dru nga Berisha sepse paguhet nga Edi Rama”, por nëse ecën me logjikën e tij kjo paskërka qenë arsyeja.
Në respekt të kronikës, gjendja aktuale në median shqiptare është kjo: Fatos Lubonja flet nga televizioni Klan që përmes pronarit të tij Aleksandër Frangaj është përfituesi i vetëm i parave të reklamave publike dhe mbledhësi i të gjitha reklamave të privatëve që shkojnë në një TV që e dinë mik të Sali Berishës dhe pronarin e tij sekser me të drejta të plota në afera rrugësh, ndërtimesh e pronash apo mediash. TV Klan është përfituesi më i madh i ambjenteve, të ligjshme e të paligjshme mbi të cilat ndërtohet me leje apo pa leje, si Kinostudio, palestra e aneksit të stadiumit Qemal Stafa ku po ndërtohet një pallat gjigand sot, apo dhe përfituesi, vetëm në emër të Sali Berishës, licensash televizionesh. Të gjitha këto nuk i sheh aspak Lubonja, gazetari i gjysmëtëvërtetave, në rolin e pjesëmarrësit ne emisonin e Blendi Fevziut, shembulli më i keq në gazetarinë shqiptare të aferave pushtet-media-biznes.
Lubonja e kishte një shans real kur mori një post si Kryetar i Keshillit Drejtues të RTVSH, por që në vend t’i përvishej punës e ta ndryshonte ashtu siç ai e mendon një media publike të lirë, dha dorëheqjen duke i dhuruar RTVSH-në Berishës. Sot RTVSH është rezultat edhe i punës së pabërë të Lubonjës dhe ai nuk e pranoi atë post, sepse të punosh përditë për të ndryshuar një realitet konkret është gjithnjë më e vështirë se të flasësh ulur nga studiot televizive. E në këto studio, në logjikën manipuluese të Lubonjës, media shqiptare (të gjithë në një thes) bën lojën e atij që paguan, por FAKTET tregojnë se Lubonja flet e ndoshta paguhet ne TV Klan, TV e privilegjuar nga Berisha, ndërsa ne paguhemi ashtu siç paguhen, në respekt të ligjit, gjithë gazetarët e lirë në botë.
Në rubrikën time “Periferi”, shpesh kam konkluduar me pesimizëm se vendi është në “komë intelektuale” se në këtë moral e etikë të rënë në fund të këmbëve, ne gazetarët kemi kontributin tonë dhe s’mund t’i shpëtojmë përgjegjësive; një përgjegjësi është dhe kjo: të themi të vërtetën se si njerëz me famë kombëtare e ndërkombëtare si Lubonja, arrijnë që në emër të mendimit të lirë të thonë të pavërteta nga mediat e privilegjuara de facto të Berishës e të marrin guximin disa herë të etiketojnë si “instrumente” ata që historikisht kritikojnë Sali Berishën.
Nga ana tjetër, pas shumë vite militantizëm berishian, Mero Baze i është rikthyer gazetarisë. Nuk e di a do t’i mjaftojë kjo jetë (dhe ia uroj shumë të gjatë) për të rekuperuar dëmin që i ka shkaktuar medias shqiptare më parë, por ai po distancohet nga gazetaria alla Berishë, më e shëmtuara që mund të ekzistojë. Sigurisht, Baze ka lënë një vend bosh në oborr, vend të cilin Fatos Lubonja nuk ka pse e lakmon.
(BalkanWeb)