Kodi imponon një “Aleancë kundër regjimit”!

0
51

Nga Mero Baze, 12 Korrik 2012

Debatet dhe dyshimet që ka ngjallur dakordësia për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk bazohen tek efektet negative që ka pasur Kodi aktual mbi zgjedhjet, por tek mekanizmi i përsëritur i Berishës që përdor arnimet në Kodin Zgjedhor si një mënyrë për të mbajtur koalicionin opozitar të përçarë. Ndryshimet në thelb janë të vogla dhe nuk prekin thelbin e Kodit. Ato rregullojnë disa procedura të verifikimit të zgjedhësve apo përkufizojnë më qartë procedurën e hapjes së kutive. Por ky nuk është ndonjë lajm për tu gëzuar, por dhe as ndonjë ngjarje që duhet të na mërzisë. Thelbësore në keqpërdorimin e Kodit nuk ka qenë përmbajtja e tij, por vullneti politik i Berishës.

Nëse në zgjedhjet e vitit 2009, Berisha refuzoi deri në fund të përdorte të drejtën e dy komisionerëve të hapnin kutitë, e shkruar e bardhë në të zezë në Kod, në vitin 2011 jo vetëm që hapi kë kuti deshi, po gjeti dhe fletë votimi aty ku nuk kishte, për të emëruar Lulëzim Bashën kryetar bashkie. Pra, Berishën Kodi nuk e pengoi as në zgjedhjet e 2009-ës për të mos i hapur kutitë dhe as në zgjedhjet e 2011-ës për t’i hapur kutitë dhe për të futur brenda tyre fletë të gjetura rrugëve. Në këtë kuptim as entuziazmohem dhe as mërzitem nga tualeti që iu ka bërë neneve të Kodit dyshja Gjiknuri – Bylykbashi.

Nuk kam ndonjë entuziazëm as për çekimin elektronik të kartës në Qarkun e Tiranës, pasi në këtë Qark nuk ka traditë të votimit në emër të emigrantëve siç ka në Kukës, Lezhë apo Shkodër, dhe as për numërimin elektronik në Fier, ku ka një traditë të mbrojtjes së votës. Natyrisht nuk jam as entuziast për ikjen e Ristanit, pasi jam i qartë që një i ngjashëm do të jetë në vend të tij. Zgjedhjet në Shqipëri në asnjë kohë nuk i ka prishur Kodi Zgjedhor, por vullneti për t’i prishur ato. Dhe ky ka qenë një vullnet në tërësi i Sali Berishës, pa harruar dhe Fatos Nanon dhe Ilir Metën që kanë bëmat e tyre në futjen e duarve në zgjedhje, sidomos në vitin 2001.

Unë jam i shqetësuar vetëm për problemin politik që krijon reforma për Kodin dhe që Berisha po e përdor me mjeshtëri. Ky problem politik ka të bëjë me koalicionet. Sistemi zgjedhor, i cili nuk u prek në thelb nga reforma, është një sistem i cili të imponon koalicion të gjerë, duke filluar nga partitë që kanë 300 vota e deri tek ato që kanë 300 mijë vota. Shqipëria po përjeton një situatë paradoksale, ku Partia Socialiste është parti e parë në vend dhe është në opozitë pikërisht për shkak të sistemit zgjedhor, që e ka zgjedhur vetë dhe nuk e respekton.

Para zgjedhjeve të vitit 2009, përpjekjet maksimale të Berishës pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor u përqendruan tek nxitja e luftës mes LSI dhe Partisë Socialiste. Ai bile vajtonte për Ilir Metën kur ky i fundit hyri në grevë urie në parlament, duke theksuar faktin se të vegjlit e kishin të keqen nga Edi Rama pasi ai ia kishte imponuar atë sistem. Kjo e çoi në ekstrem armiqësinë e Partisë Socialiste me LSI dhe disa parti të tjera të vogla. Shto këtu dhe mendjelehtësinë e llogaritarëve të PS dhe Berisha hyri në zgjedhje me 17 parti, kurse Partia Socialiste me 5 parti. Kjo bëri që edhe pse ajo si parti të ishte e para, shumica e mandateve të shkonte nga koalicioni i pushtetit për shkak të vagonëve pafund që ishin pas lokomotivës së lodhur të PD-së.

Të njëjtën situatë Berisha po krijon dhe tani. Ai nuk është shumë i interesuar për tualetin që i kanë bërë Kodit Zgjedhor, pasi atë e shkel kur të dojë e si të dojë. Ai ka vetëm një frikë reale nga zgjedhjet dhe ajo frikë ka të bëjë me thelbin e sistemit, që është një koalicion i gjerë dhe entuziast i opozitës. Me mënyrën se si u bënë ndryshimet dhe mos rezistencën deri në parlament të Partisë Socialiste për t’u bërë avokate e partive të vogla, Berisha ia ka arritur ta mbajë larg dhe ta shtyjë në kohë formimin e koalicionit të gjerë opozitar.

Kjo është e vetmja shpresë e tij. Një koalicion i gjerë opozitar, jo vetëm me Gjinushin, Milon, Ngjelën, Ndokën apo Dulen që janë parti shumë të konsiderueshme, por dhe me parti fare inekzistente, është i vetmi shpëtim për të mundur Berishën me këtë sistem zgjedhor që kemi. Po të kishin atë të para 2008-ës, nuk kish nevojë se fitonte e vetme Partia Socialiste. Duhet llogaritur se kushdo që nuk është në koalicion me opozitën do të jetë në koalicion me Berishën dhe humbja do të jetë dyfish. Duke përdorur tualetin mbi Kodin Zgjedhor si një rast për të mbajtur të përçarë opozitën, Berisha shpreson se ky mekanizëm do të funksionojë.

Ai bën ç’është e mundur ta kompleksojë opozitën dhe kundërshtarët e vet me përbërjen e koalicionit, ndërsa vetë nuk ka asnjë kompleks. Ai p.sh e quan herezi koalicionin e Topit me Ramën, por vetë bën koalicion me Hysni Milloshin. Ai e quan herezi futjen në koalicionin e opozitës të Aleancës KuqeZi, pasi aty mund të jetë dhe Dule, kurse vetë mban me një tas Idrizin dhe Kserën. Pra, ai vetë nuk respekton asnjë parim dhe asnjë skrupull, por i përdor ato për të kompleksuar opozitën me qëllim që ajo të mos formojë një koalicion dhe votat të shpërndahen në disa koalicione, përballë koalicionit të tij solid, i cili është më i vogël se fryma opozitare, por më i bashkuar.

Për shkak të kësaj situate djallëzore të krijuar prej tij edhe për shkak të një meskiniteti absurd që ekziston mes nëpunësve opozitarë të Partisë Socialiste dhe bezdisë që ata kanë nga faktorët e tjerë opozitarë në vend, duhet që opozita të nisë një lëvizje të re më të gjerë se e majta, dhe të ofrojë pushtet më shumë se sa është mprehur të ketë. Në kushtet kur në Shqipëri ka dyshime serioze për zgjedhje të lira, dhe kur një regjim si ky që ka vrarë për të qëndruar në pushtet dihet që nuk ikën aq lehtë me vota të diskutueshme, lind nevoja e një koalicioni të gjerë, jo politik, por misionar.

Shqipëria ka nevojë për një koalicion të tipit “Aleanca kundër regjimit”, ku të përfshihet çdo parti e majtë apo e djathtë, e qendrës apo ekstreme, çdo individ dhe çdo faktor opozitar i gatshëm që të përballet me pushtetin. Një “Aleancë kundër regjimit” do të ishte më efektive dhe më e ç’kompleksuar ndaj barrierave ideologjike apo historike që ekzistojnë në këtë vend mes ish-komunistëve e antikomunistëve, mes të persekutuarve e persekutorëve të djeshëm, falë të cilave qëndron sot në këmbë një njeri i lig, që udhëheq një regjim familjar dhe që vret në emër të këtij pushteti.

Socialistët duhet të binden se kanë votuar për të mos qenë më parti në sistemin zgjedhor, por koalicion dhe duhet ta kenë mirë parasysh këtë për të qenë faktor bashkues i aleancës kundër regjimit. Qëllimi i Berishës është që Edi Rama të luftojë i vetëm përballë tij, unë të llomotis i vetëm në gazetën time, Bamir Topi të flasë me heshtjen e tij nëpër Tiranë, Kreshnik Spahiu të flasë me nacionalizmin e tij rrugëve të Shqipërisë, Gjinushi të flasë me qartësinë e së majtës në ndonjë cep gazete, ku i lënë vend, Ngjela dhe Zogaj të artikulojnë tezat e tyre liberale nëpër komente gazetash, por kurrë të gjithë të mos bëhen bashkë në një vend, me një zë dhe në një kuti, kundër tij.

Bashkë gjithë këta faktorë opozitarë kundër regjimit e bëjnë të panevojshëm Kodin Zgjedhor apo arnimet e tij. Aleanca kundër regjimit e çon Sali Berishën me mandat popullor në shtëpi e prej andej para drejtësisë. Ndarja radikale që Berisha i ka bërë shoqërisë, ka unifikuar bllokun e mbështetësve të tij dhe po përpiqet të relativizojë bashkimin e palës kundërshtare. Në Shqipëri nuk ka më të majtë apo të djathtë, liberalë apo gazetarë të lirë, por ka vetëm njerëz që luftojnë kundër regjimit dhe njerëz që përdorin regjimin për të fituar, për të vrarë dhe për të sunduar.

Berisha në vitin 1992 nuk pati asnjë kompleks të bënte koalicion me Gjinushin si ish-ministër i komunizmit dhe Godon si ilustrim i të persekutuarve, kundër ish-Partisë së Punës, kurse sot përpiqet të kompleksojë çdo njeri, që i ka vënë shkelmin nga partia, të mos bashkëpunojë me opozitën kundër tij. Ky është kurthi i fundit tek i cili ai shpreson të mbajë opozitën të përçarë. Bash për këtë mendoj që vetëm një koalicion i tipit “Aleanca kundër regjimit” mund ta shkulë këtë të keqe nga rrënjët dhe mund të çlirojë alternativa të reja qeverisëse. Një koalicion i tillë rrit entuziazmin dhe mes të tjerash shpartallon dhe vagonët e kalbur që rrinë pas Berishës me shpresën e turpshme se do t’u dhurojë sërish pushtet e pará.