Nga Petrit Rama, 12 Korrik 2012
‘Mjeti më i mirë për të marrë informata është të japësh informata’, është një prej maksimave më të diskutueshme te Princi i Makiavelit, teori e cila ka si qëllim të maksimalizojë pushtetin gjer në diktaturë nëpërmjet mbajtjes së kuotave minimale të së ashtuquajturës demokraci, teori e cila formëson boshtin bazë ideologjik të çdo pushteti të mundshëm, përfshi dhe pushtetin kriminal e tejet të padrejtë të kryeministrit shqiptar.
Sepse për kryeministrin tonë ‘qëllimi e justifikon mjetin’ pasi në përmbajtje të ekzistencës së tij politike ka maksimën ‘nuk është e rëndësishme mënyra sesi fiton, sepse ai që ka fituar turpshëm nuk turpërohet prej aktit të tij’.
Kërkesa e fundme e pushtetit për të hequr imunitetin parlamentar të socialisteve si paprekshmërinë penale dhe papërgjegjësinë ligjore për votën dhe mendimin e dhënë në parlament formëson një rrezik për krijimin e një gjendjeje persekutuese kundrejt boshtit opozitar, pasi paprekshmëria penale pritet të përdoret nga pushteti me anë të strukturave të tij duke e baltosur me akuza dhe fakte të paqena subjektin politik socialist, akuza të cilat tashmë pos gojës shpifëse të kryeministrit mund të sendëzohen në aktakuza konkrete, të prodhuara prej institucioneve që ai i mban të centralizuara rretheqark personit të tij, përfshi dhe parlamentin +71 të Berishës, i cili mund të aprovojë përndjekjen penale të opozitës nëpërmjet përmbushjes së funksionit kushtetues së lejes për të nis procese kundër të zgjedhurve parlamentar socialistë.
Së dyti, papërgjegjshmëria ligjore për mendimin dhe votën e dhënë në parlament, ku shpifja distancohet prej kësaj mbrojtjeje, por që tashmë ka ndërmarrë reprezalje kundër subjekteve më kritikë të opozitës, mund t’i kushtojë shtrenjtë socialistëve, sepse një fije e stërhollë e ndan pushtetin me sistemin e Lukashenkos, i cili me delegjitimimin e kësaj devize kushtetuese shoi një opozitë të tërë.
Ndoshta shqiptarët mendojnë se Berisha nuk mund të konvertohet në një Lukashenko dhe të qënit ky i fundit është piku i qëllimit të tij politik. Përkundrazi, Berisha ka rënë në rangun e atyre gjysmëdiktatorëve të cilët nuk mund ta zbusin më egërsinë e sistemit të tyre prej frikës së shembjes në të. Nuk mund ta zbusë se mbart një barrë të vrarësh, të persekutuarish, një popull të mjeruar, faje familjare, krim të organizuar, pasuri publike të dhënë për dy lekë, zgjedhje të vjedhura, për të cilat opozita është zotuar sistematikisht se do t’i ndëshkojë në saj të thyerjes së kultit të harresës dhe pandëshkueshmërisë.
Megjithatë Berisha si makiavelist politik ka menduar të gjejë një shteg tjetër: atë të presionit. Atë të informatave të Makiavelit, atë ‘ta mundësh kundërshtarin është ta bësh atë të paaftë të organizojë rezistencë’ të Klaushvic, të cilin krejt Ministria e Mbrojtjes dhe eksponentët e saj e ideolizojnë jo vetëm si maksimë ushtarake të luftës, por dhe të luftës politike sepse fundja për ta si pjesë përbërëse e pushtetit ‘lufta është vazhdimësi e politikes me mjete të tjera’.
Informata që mund ta bëjnë të paaftë opozitën për rezistencë, e jo informata me baza të së vërtetës, por të kopsitura vetë, të rrejshme, me krijim diskutimesh përmes kordave të zërit që pajisja katërqind mijë euroshe dhe tërësia e pajisjeve të spiunazhit ushtarak mund t’i rregullojë si të dojë vetëm e vetëm që Berisha të shpëtoje, të mund të ikë prej këtij Ancien Regime që e mban peng prej frikës dhe forcës së zakonit.
Tashmë vendi është në prag të një kaosi, i cili mund të ndodhë ose jo në raport të ikjes apo jo të Berishës, por dhe ikja krijon varësi prej faktit nëse do mundë Berisha të ikë i pafajshëm.
Ky proces domino krijon kushtet e tri teorive te rrezikshme:
a) ikja e Berishës përmes zgjedhjeve dhe një marrëveshjeje me opozitën për mospërndjekjen e tij,
b)humbja e zgjedhjeve, por mbajtja me forcë e pushtetit prej kryeministrit, dhe
c)triumfi elektoral i opozitës dhe përzënia me forcë e kryeministrit.
Kjo e treta ka kosto të shtrenjtë, megjithatë është më e domosdoshmja për popullin shqiptar dhe shpresojmë që opozita t’ia arrijë.







