Ardian Klosi, 15.08.2010
Ka pak kohë që një grumbullim njerëzish të njohur të medias, institucioneve qendrore, opozitës kanë ngritur zërin për gjendjen e rëndë ku ndodhet trashëgimia jonë kulturore. Përveç një takimi publik është bërë dhe një aksion proteste simbolike për të kundërshtuar heqjen e shatërvanit të vjetër para Parlamentit shqiptar. Është hedhur ideja që të bëhen aksione të tjera si p.sh. në Sarandë, të ngrihet një grup pune etj. Edhe vetë kam marrë pjesë në këto takime të para duke qenë që më gëzon çdo lloj kundërvënieje ndaj shkatërrimit të mjedisit dhe trashëgimisë sonë kulturore, i cili këto vitet e fundit po ecën me ritme galopante.
Kjo ndodhi në një moment të parë. Në një moment të dytë m’u ngritën një sërë pikëpyetjesh. Ç’përfaqëson ky bashkim? – ai është në të vërtetë shumë i larmishëm, analistë të njohur të medias rrinë krah për krah me politikanë, madje edhe me (ish)përgjegjës për gjendjen e trashëgimisë kulturore në vendin tonë, gazetare të kulturës me kryeredaktorë, specialistë të muzikës popullore etj. Në këtë vështrim nuk përfaqëson gjë dhe s’ka si të përfaqësojë, përderisa kërkohet të bashkohen për të njëjtën kauzë edhe ai që punon për pronarin e mediumit, edhe ai që punon për Partinë Socialiste, edhe ai që punon në biznesin e ndërtimit, edhe ai që punon vetëm për veten.
Pyetja tjetër: A ka fuqi ky bashkim spontan (të cilin për lehtësi komunikimi po e quajmë „Shatërvani”, meqë është i vetmi aksion konkret që ka bërë deri tani) të pengojë qoftë dhe të ngadalësojë rrënime të ndryshme të trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit? Enkas i vë së bashku këto të dyja, megjithëse mjedisi ende s’është përmendur në deklaratat e tij. Mirëpo ja që nuk mund të ndahen sepse të dyja përfaqësojnë pasurinë më të madhe publike që kemi, sepse kur goditet njëra goditet vetiu dhe tjetra, sepse bie fjala kur shkatërrohet mjedisi rreth parkut të Butrintit, sikurse ka ndodhur me Ksamilin etj., kjo ka pasoja të drejtpërdrejta mbi vetë Butrintin, që do të ngelet shpejt si një ishull pa vlerë, sikurse e cilësonte në një bisedë me BBC para pak ditësh studiuesi i njohur britanik James Petrifer.
Po kështu, kur u shkatërrua plazhi i Triportit me ngritjen e TEC-it të Vlorës njëkohësisht me prishjen e një plazhi dhe pylli të virgjër u asgjësua çdo mundësi për të nxjerrë në pah Kavalonën mesjetare dhe Aulonën antike që ndodhen aty pranë. Në përgjithësi kur flasim për mbrojtjen e trashëgimisë, s’kemi shumë nevojë ta ndajmë atë në kulturore ose mjedisore, pasi tek e fundit janë të vetmet vlera të vendit tonë që do t’ua lëmë ose nuk do t’ua lëmë trashëgimi brezave të ardhshëm.
Bashkimi „Shatërvani” nuk e ka aspak fuqinë t’u kundërvihet në ndonjëfarë mënyre forcave destruktive që kanë vënë përpara aktualisht trashëgiminë tonë. Ato kanë përparuar aq shumë, ato janë aq të fuqishme ekonomikisht dhe të pakontrolluara politikisht, sa përpjekja për t’iu kundërvënë me disa zëra të njohur publikë është thjesht një iluzion. Analisti Fatos Lubonja e pranoi disa herë këtë të vërtetë, megjithëse ai e tha për qëllim tjetër: Qoftë dhe një shtëpi të vjetër të arrijmë të shpëtojmë kemi bërë diçka, tha.
Tani lind pyetja: Sa shtëpi të vjetra ka Shqipëria, sa kisha, sa kështjella, sa teatre, varreza, rrugë të vjetra? Me mijëra. A ka atëherë ndonjë kuptim të mblidhen kaq burra e gra të njohura, historianë, arkitektë, deputetë e juristë për të shpëtuar një shtëpi? Absurd. Përfundimi: eja të mblidhemi të bëjmë një shou televiziv, ose të mblidhemi që të qetësojmë ndërgjegjen dhe të kryejmë alibinë e radhës.
Nuk e dyshoj që një pjesë e mirë e miqve dhe kolegëve që janë mbledhur në takimet e bashkimit „Shatërvani” kanë ardhur tepër të shqetësuar dhe me ndjenja të sinqerta. Vetëm se futja e energjive në të tilla rrugëtime duket shkapërderdhje e tyre. Sot, po të duam të pranojmë realitetin dhe atë që ndodh kudo në botë, të keqen që gllabëron natyrën dhe trashëgiminë kulturore mund ta pengojnë vetëm lëvizje të forta politike-qytetare.
Vetëm në vendet ku janë forcuar parti të mirëfillta ekologjike ose grupime të ndershme qytetare, është arritur të kundërveprohet me sukses ndaj asaj të keqeje. Vetëm organizata si Greenpeace bie fjala, kanë forcë goditëse, atë vetëmohim që ka arritur p.sh. të pengojë shfarosjen e balenave nga ujërat e planetit tonë, edhe duke bllokuar me anije të vogla thertoret lundruese japoneze, edhe duke u kacavjerrë mbi to.
Morëm një shembull të skajshëm, por të qartë për të treguar se mbrojtja e trashëgimisë kulturore shqiptare nuk mund të bëhet nga mikrofonat e mediave duke qenë vetë kryeredaktorët e këtyre mediave anëtarë të mbrojtjes!
Por fenomenet duhen shpjeguar pak më qartë. Cili është në dukje kundërshtari i bashkimit në fjalë? Është politika, qeveria, bashkitë më të rëndësishme – thonë ata – sepse vetëm ato, në dukje, mund të marrin masat që do ta shpëtonin gjendjen.
Në dukje, duhet ta përsërisim. Sepse kundërshtari, shkaktari i vërtetë, nuk është qeveria në fuqi, por shumë më tepër se kaq. Po të kishte qenë kështu, del që një qeveri e kundërt, opozitare me këtë të sotmen, do ta miradministronte trashëgiminë tonë. Mirëpo nuk ka ndodhur kjo; tatëpjeta e një pjese të mirë të monumenteve të kulturës, sikurse edhe një pjese të madhe të pyjeve, të bregdetit rreth Durrësit ose Sarandës etj., ka filluar qysh në vitet 90 e është përshpejtuar sidomos në dhjetë vjetët e fundit. Këtë e dinë më mirë se të tjerët pikërisht funksionarë të mëparshëm të qeverimit socialist që sot mund ta ndiejnë veten në opozitë kulturore dhe në pozicionin e mbarë.
Shkaktar kryesor për qëndrimin shkatërrues që mbajnë shumë shqiptarë ndaj mjedisit dhe trashëgimisë së tyre kulturore është kriza ose korruptimi i vlerave morale, që është një fenomen mbarëkombëtar. Dalja në plan të parë e interesave materiale përkundër atyre shpirtërore, fuqizimi i manjatëve të ndërtimit dhe të tregtisë deri në atë pikë sa të përcaktojnë dhe partitë politike dhe fushatat e tyre, promovimi i pasurisë, look-ut, erotizmit mbi të gjitha vlerat e tjera që mund të ketë njeriu dhe shoqëria jonë – janë zhvillime që e shprehin shumë mirë atë që mund ta quajmë gjendje shëndetësore të kombit.
Sidomos biznesi i ndërtimit është kthyer në veprimtari krejt të pakontrolluar dhe shkaktar kryesor i rrënimit të trashëgimisë sonë. Në ndryshim nga veprimtari të tjera të njeriut, si bie fjala bujqësia ose dhe përpunimi i lëndëve të para, ndërtimi nuk e ka brenda elementin riprodhues dhe ripërtëritës. Edhe hedhja e plehrave në natyrë e ka brend elmentin riciklues. Ndërtimi jo. Ai është thjesht marrje e lëndëve natyrore dhe kthim i tyre në trajta kubesh e paralelpipedesh brenda të cilave pritet të jetojnë njerëz. Por nuk është thjesht përdorim i njëhershëm i burimeve natyrore si rërë, zhur, hekur, ai është njëkohësisht zënie, zaptim i natyrës dhe hapësirave të tjera publike në të mirë të ngritjes së kubeve dhe në të keq të ekuilibrave të tjerë që janë natyrorë, kulturorë, historikë etj. Veç kësaj është spekullim, gjuhë force, larje parash të pista.
Në rast se ndërtimi nuk disiplinohet në masterplane afatlargëta, ai kthehet në gangrenë për një vend. Shembulli më i mirë është Tirana, sidomos periferitë e saj. Në vend që të ishin planifikuar zonat se ku mund të ishte shtrirë në fushë ky qytet me një fuqi të jashtëzakonshme thithëse për të gjithë popullsinë e varfër të vendit, u la gjithçka në mëshirë të individëve dhe në dorë të korrupsionit. Atëherë kubet e betonit filluan t’u ngjiten edhe kodrave dhe maleve.
Brenda një kohe relativisht të shkurtër është shkatërruar pjesa më e madhe e kurorës së gjelbër të qytetit, pikërisht ajo që e bënte tërheqëse, të pasur e të shëndetshme Tiranën.
Po kaq shembuj të qartë janë Durrësi dhe Golemi, Saranda dhe Ksamili. Në qoftë se nuk do të ketë vendime të shpejta frenuese, moratoriume kundër ndërtimeve në bregdet, shumë shpejt kanë për t’u betonuar edhe Himara, Dhërmiu, Vlora me Radhimën e Orikumin – ku betonimi ka përparuar gjithashtu shpejt në dy vjetët e fundit.
Këto vendime për fat të keq mund të merren vetëm nga administrata qendrore, pasi komunat e ndryshme të vendit nuk e kanë as vetëdijen qytetare as fuqinë për të penguar ethen ndërtimore të biznesmenëve të mëdhenj, të mesëm e të vegjël të kësaj fushe, madje zyrtarët e këtyre komunave e bashkive vegjetojnë në të si veshka mes dhjamit. Mirëpo mjerisht qeveria qendrore është shpesh dhe ajo shkaktare e drejtpërdrejtë e betonizimit, me lejet dhe liçensat që jep, me tetë fabrikat e çimentos që po koncedon midis Fushë Krujës dhe Shkodrës, me rrugët që hap drejt vendesh deri dje të paprekura.
Të kthehemi tani te bashkimi „Shatërvani”. Ai mund të ketë shanse të kthehet në një organizatë kundërvepruese ndaj rrënimit, vetëm në qoftë se e vë gishtin mbi shkaktarin e vërtetë të tij, lakminë njerëzore për të marrë sa më shumë nga natyra dhe publikja, të shprehur sot më tepër se kurrë në biznesin e ndërtimit, me një politikë mbi të që jo vetëm nuk e disiplinon dhe pengon, por ushqehet prej tij si këpushë mbi plagët e Shqipërisë.