Dy fjalë për ‘minoritetin etnik shqiptar’… në Shqipëri

0
59

Adrian Beshaj

Në përgjithësi me minoritet etnik (apo pakicë kombëtare) kuptojmë një grup njerëzish, të cilët ndryshojnë për nga raca, gjuha, kultura apo feja me shumicën e qytetarëve të një shteti të caktuar, dhe që jetojnë brenda kufijve të këtij shteti për arsye të ndryshme historike, politike etj., sidomos në kufi me shtetin e prejardhjes.

Shqipëria është shteti tipik ku bashkëjetojnë në harmoni të plotë shumë (!) minoritete etnike dhe grupe gjuhësore e kulturore. Megjithëse një vend i vogël, prej vetëm 28. 748 kilometrash katrorë, dhe me një popullsi prej rreth 4 milionë banorësh, në Shqipëri dëgjojmë të thuhet se jetojnë minoritete etnike greke, maqedonase (megjithëse, kërkoj ndjesë për injorancën, nuk e di se në cilin shtet jeton shumica e kombit maqedonas), serbe, malaziase, boshnjake, rumune (arumunë, vllehë, çobanë, megjithëse Rumania është shumë larg), rome, cigane, bullgare, gorane etj.!

Por jam i sigurt, ndonëse nuk kam bërë studime të thelluara shkencore në këtë drejtim, por thjesht empirikisht dhe intuitivisht, se brenda kufijve të shtetit shqiptar jeton edhe minoriteti etnik shqiptar, që është i lashtë dhe autokton dhe që përbëhet nga çamë (megjithëse, kërkoj sërish ndjesë për injorancën, nuk e di se ç’pjesë të shtetit shqiptar është Çamëria), lebër, mallakastriotë, myzeqarë, korçarë, elbasanas, tiranas, kurbinas, mirditorë, dibranë, kosovarë, malësorë, shkodranë etj.!

Do ta kisha të vështirë të bëja apriori një vlerësim sasior apo kuantifikim të secilit minoritet më vete. Kjo punë u takon me të drejtë demografëve dhe historianëve. Ndërsa një regjistrim i popullsisë në bazë të vetëdeklarimit të etnisë apo autoidentifikimit do të ishte tejet i rremë. Këtë e vërteton përvoja e shumë vendeve të Europës Lindore. Ja se ç’thotë në lidhje me çështjen e vetëdeklarimit të etnisë apo kombësisë studiuesi i njohur gjerman, Claus Offe, në librin e tij “Tuneli” të përkthyer në disa gjuhë të huaja: “… Njerëzit mund të kenë shtysa të forta, pozitive dhe negative, për ta fshehur apo jo, për ta adoptuar apo refuzuar një identitet të caktuar.

Regjistrimet etnike të bazuara mbi autoidentifikimin mund të jenë shumë të rreme: p.sh. ciganët e Rumanisë parapëlqejnë të quhen hungarezë, megjithëse në përqindje të madhe, por të panjohur nuk janë të tillë. Anasjelltas, shumëfishimi i mahnitshëm i personave që lëvdojnë në Rusi origjinë gjermane është i lidhur në mënyrë të qartë me faktin se, në bazë të një traktati mes Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Perëndimore, gjermanët etnikë mund të aspirojnë statusin e Aussiedler-it (qytetarit gjerman me banim jashtë), që përfshin jo vetëm të drejtën për të emigruar lirisht nga Bashkimi Sovjetik, por edhe të drejtën e përfitimit të pensionit, pasi të kenë mbërritur në Gjermani.

… Në qoftë se u kërkohet njerëzve në një pyetësor të tregojnë përkatësinë e tyre etnike, ata ose do të refuzojnë të përgjigjen (si shumë intelektualë “jugosllavë” ose një numër më i vogël i çekosllovakësh në regjistrimin e 1990-s), duke refuzuar në këtë mënyrë thjesht Kodin Etnik, ose përgjigjen duke treguar identitete etnike që nuk janë të njohura përgjithësisht si të tilla (siç kanë bërë fraksione të mëdha të popullsisë në Çekosllovaki, – një vend që përgjithësisht është i ndarë etnikisht vetëm mes çekëve dhe sllovakëve, dhe ndoshta hungarezëve – të cilët treguan mes të tjerash një identitet “slezian”, “ruten” apo “morav”). … Siç shihet, nuk është e lehtë të heqësh një vijë kufitare mes identitetit etnik “autentik” dhe identitetit të adoptuar, të zhvarrosur apo të shpikur për arsye strategjike”.

Kështu që edhe në Shqipëri, shtetasit duhen paralajmëruar dhe vënë në beh që të mos çuditen dhe tronditen nëse shumë vetë (p.sh. romë, ciganë, etj.) do të vetëdeklarohen p.sh. grekë, për të përfituar një të ashtuquajtur kartë të homogjenit dhe pensionin në Greqi dhe që minoriteti grek në Shqipëri të rritet padrejtësisht dhe tinëzisht jo me 5 mijë, jo me 10 mijë, por aq sa të arrijë edhe shifrën e 500 mijë apo 1 milion (pse jo më shumë?!) banorë “minoritarë grekë”! Domethënë po aq sa, ose një çikë më pak se “minoriteti etnik shqiptar”. Këtë shumëfishim të magjishëm do ta përligjnin edhe varrezat e ushtarëve grekë (të vrarë, me sa duket, për lirinë e Shqipërisë!) pothuajse në zemër të Shqipërisë, si edhe “ekzistenca e minoritetit greqishtfolës” shumë në veri të Greqisë së sotme, deri edhe në Vlorë (në Nartë, në Himarë).

Në teori dhe në bazë të kartës së të drejtave të njeriut do të duhej që të gjitha minoritetet, sado qofshin dhe cilatdo qofshin ato, të gëzonin të drejta të barabarta. Por në praktikë, jo gjithnjë ndodh kështu. Në Shqipëri ndodh që “anëtarë” të minoritetit p.sh. “grek” të kenë mundësinë të krijojnë kompani të mëdha të telefonisë së lëvizshme si “AMC”, “Vodafone” apo edhe banka me përqindje të kripura interesi për kreditë, duke i rrjepur të gjalla “minoritetet” e tjera. Ndodh që “anëtarë” të minoritetit p.sh. turk, përpara se t’i rrjepin të gjalla minoritetet e tjera, p.sh. atë shqiptare, me kompaninë e telefonisë së lëvizshme “Eagle Mobile” apo fikse, me banka, kolegje, pika karburanti “Alpet” etj, i rrahin barbarisht, siç ndodhi ditët e fundit në kompaninë turke “Kurum” me metalurgët e keqtrajtuar dhe nënpaguar të “minoritetit shqiptar” të Elbasanit.

Kompania e naftës “Stream Oil” e “minoritetit kanadez”, që ka edhe përfaqësuesen e vet në Kuvendin e Shqipërisë, pasi i lë pa rroga për muaj të tërë naftëtarët e “minoritetit shqiptar” të pellgut Gorisht-Kocul, i nxjerr përgjithmonë nga puna. Gjatë vitit të fundit numri i të papunëve mes “minoritetit etnik shqiptar” është rritur me rreth 100 mijë vetë. Autoritetet shtetërore duhet të tregojnë të njëjtën vëmendje dhe kujdes për të drejtat, privilegjet dhe detyrimet e të gjitha “minoriteteve” pa dallim. Duhet pranuar që, përveç “minoritetit shqiptar”, pronat në Shqipëri të mos i kenë marrë ende as disa “minoritarë serbo-boshnjakë” si Ratko Mlladiç dhe Vojsllav Sheshelji apo ndonjë “minoritare greke” si Dora Bakojanis, dhe as “minoritarët rusë” në bregdet.

Ndodh gjithashtu që anëtarë p.sh të “minoritetit etnik francez” në Shqipëri, si zoti Arsidi, të nderohem me çmime një milion dollarëshe, apo të “minoritetit serbo-boshnjak” në Shqipëri, si zoti Damir Fazlliç, të kenë lehtësira më të mëdha për të blerë me fare pak sipërfaqe të tëra toke në afërsi të Durrësit, qytet me shumicë dërrmuese shqiptare, apo të marrin pjesë në mbledhje të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ndërsa përfaqësues të lartë të “minoritetit etnik shqiptar” të vriten si pa të keq (gjë që s’do të duhej të ndodhte me asnjë shtetas), siç janë vrarë për fatin e zi të të gjithë shqiptarëve zoti Azem Hajdari, deputet shqiptar i rrethit të Tropojës dhe zoti Fatmir Xhindi, deputet shqiptar i rrethit të Fierit (autorët dhe motivet e vrasjes së të cilit nuk janë gjetur edhe pas pothuajse një viti e gjysmë). Dhe elita, ajka, kajmaku ose maza e “minoritetit etnik shqiptar”, e cila drejtohet me VKM, duhet të protestojë herë pas here pranë autoriteteve tona shtetërore për padrejtësitë, indigjencën dhe destinin e mbrapshtë, në të cilin është syrgjynosur “minoriteti” të cilit i përkasin.

Autoritetet oratore dhe demagoge të shtetit shqiptar do të duhej të tregonin kujdes të njëjtë jo vetëm që të mos lejojnë të shpërthehet dhe të grabitet prapë Thesari i Shtetit Shqiptar nga ndonjë “fshatar me gomar” i kushedi se kujt etnie, jo vetëm që të mos hidhen më në erë fshatrat me “pakica etnike shqiptare” si në Marqinet e Gërdec, por që të përmirësonin kushtet e rënda social-ekonomike në të cilat dergjen “minoritetet shqiptare” në shumë vise të Shqipërisë, si në Bulqizë, Pukë, etj.

Nuk është e vështirë të dallosh që “minoriteti etnik shqiptar” jeton më keq se “minoritetet” e tjera, madje më keq edhe se refugjatët e dikurshëm shqiptarë në Itali apo Gjermani. Mjafton të përmendim numrin e lartë të vetëvrasjeve mes “minoritetit etnik shqiptar” dhe që shqiptarët etnikë të Shkodrës e të Lezhës jetojnë gjatë tre muajve të dimrit nën ujë dhe gjatë tre muajve të verës pa pikë uji.

Diskriminimi midis “etnive të ndryshme” vihet re qartë kur ndodh në të njëjtin rreth, p.sh. në rrethin e Vlorës. “Pakica etnike shqiptare” p.sh. e fshatit Kaninë sheh t’i shkërmoqen përditë ato pak mure që kanë mbetur nga Kalaja mbi 2400-vjeçare, kala që do të duhej të kishte të njëjtin status me ato të viseve të tjera të Shtetit Shqiptar, apo për të cilën të tregohej po ai kujdes si për varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri.

Ose “minoriteti etnik shqiptar” që jeton në fshatin Kërkovë në hyrje të Vlorës, ndanë rrugës Fier-Vlorë, nuk ka një rrugë të asfaltuar e vijëzuar me tabela në gjuhën shqipe, një shkollë për të qenë në gjuhën shqipe, një qendër social-kulturore, dhe ç’është më e keqja që prej kohësh që s’mbahen mend e deri sot në 2010-n nuk ka ujë të pijshëm. Fshatarët e këtij “minoriteti” janë të detyruar ta marrin ujin e pijshëm me kuaj apo gomerë në fshatrat fqinjë të “minoriteteve” të tjera, si në Bunavi ku ndodhej deri para pak kohësh një repart ushtarak grek, apo në Hoshtimë prej nga thonë se është ministri aktual i Kulturës. Këto gjëra nuk ndodhin p.sh. në Himarë dhe fshatrat përreth saj, ku jetojnë “minoritete greqishtfolëse” dhe ku ka rrugë me tabela vetëm në gjuhën greke, shkolla, qendra social-kulturore etj.

Meqë edhe PBDNJ-ja nuk po i mbron siç duhet të drejtat e njeriut, ose po mbron vetëm të drejtat e njeriut që përtyp greqishten, ndoshta “minoritarët etnikë shqiptarë” do të duhej ta linin disi mënjanë krenarinë shumë të madhe vetjake dhe individualizmin e theksuar dhe të bashkëpunonin më tepër me njëri-tjetrin, në të mira dhe në ndeshtrasha. Ndoshta do të duhej të riorganizoheshin në një Lidhje të re Shqiptare dhe të zgjidhnin mes veti NJERËZIT MË TË MIRË SHQIPTARË, të cilëve u bënte thirrje shumë vite më parë edhe poeti i madh shqiptar, Migjeni, me qëllim që t’i dalin zot hisesë së tyre të tokës, ujit, ajrit e Diellit, si edhe punës, nderit e dinjitetit të tyre. Ndoshta “minoriteti etnik shqiptar” do të duhet të mos mjaftohet vetëm me mbijetesën apo gjallimin e të kënaqet vetëm duke u ndier superior ndaj fqinjit që ka përballë derës së shtëpisë së vet apo kolegut në punë, por duke u ndier, në mos superior, i barabartë me të gjitha qeniet njerëzore që jetojnë në planetin Tokë.

Ndoshta “minoriteti etnik shqiptar” nuk ka zgjedhur përfaqësuesit e duhur në Kuvendin dhe Qeverinë e shtetit shqiptar apo është mashtruar nga disa persona që kanë rezultuar hajna, batakçinj dhe sahanlëpirës, por duhet të mos presë derisa “patriotët e mëdhenj” të dalë nga gjiri i tij të grumbullojnë miliarda dollarë dhe kur ta shohin punën pisk t’ia mbathin bashkë me miliardat jashtë Shqipërisë duke shitur në ikje e sipër edhe ndonjë copë tokë apo det të shtetit të sotëm shqiptar, siç kanë bërë edhe paraardhës të padenjë të dalë po nga gjiri i tij.