Nën peshën e dhunës

0
34

Kliton NESTURI

Kliton NESTURI, 15 nëntor 2009

Një dhunë e re, sa vjen dhe bëhet më e dukshme sot në jetën shqiptare, dhuna psikologjike. Ajo është shndërruar sot në një virus, prej të cilit janë infektuar të gjitha kategoritë sociale dhe grupmoshat, që nga ata më të mëdhenjtë e deri tek ata më të vegjlit. Ky është një konstatim i dukshëm dhe i prekshëm. Jeta shqiptare sot jeton periudhën më të ngarkuar me shumëllojshmërinë e informacioneve dhe problemeve, të cilat i ndeshim në çdo hap që bëjmë gjatë aktivitetit të përditshëm. Pikë së pari, këtë dhunë e ndeshim në reflektimin e ngjarjeve dhe të probleme që ndodh në masmedia.

Tashmë, thuajse çdo lajm nga fusha e politikës apo ajo e kronikës, nga fusha sociale, apo nga bota që vuan nën makthin e terrorizmit, është kthyer në një shqetësim, në një stres. Shumëkush nuk e imagjinon dot se si në një vend, ku të gjithë protagonistët politikë flasin për demokracinë, shtetin ligjor dhe progresin, e kanë të pamundur të gjejnë gjuhën e përbashkët, për të zgjedhur presidentin e shtetit, duke e zvarritur procesin në atë situatë, sa që duket se vendi po shkon krahëhapur drejt krizave pa fund. Edhe zvarritja e mjaft proceseve, e ligjeve, e traktateve të ndryshme, të cilat në një mënyrë a në një tjetër do të shpejtonin integrimin e jetës së të gjithë shtetasve në parametra normalë, gjë që, në të njëjtën kohë do t’i afronte edhe më ata në rrugën e gjatë e të mundimshme drejt Europës, nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka mbjellë më parë një frymë pasigurie dhe tash po korr një klimë dhune.

E, kur njerëzit shohin se politikanët, të cilët quhen edhe “baballarët e kombit”, shpesh flasin dhe sillen në mënyrë të papërgjegjshme, në lidhje me çështje të rëndësishme, çfarë reflektimi do të ketë jeta e tyre? Natyrisht, vetëm për lumturi, qetësi dhe harmoni nuk mund të flitet. Si në asnjë vend tjetër, ndoshta ne e kemi lidhur jetën me politikën, duke e bërë atë, si dhe bartësit kryesorë të saj, pjesë të përditshmërisë sonë. Nga ana tjetër, shpesh shohim në edicionet e lajmeve, në televizione të ndryshme, një politikan të dalë e të flasë në dy-tri kronika të ndryshme, duke mos i shpëtuar ndonjëherë edhe prononcimit që, edhe mund të mos jetë i nevojshëm. Por, vetë fakti se lajmet tona janë të mbushura në pjesën më të madhe me politikën dhe politikanët, që shpesh nuk prodhojnë gjë, por vërtiten rreth orbitës shqiptare, tregon, në njëfarë mënyre një dhunë psikologjike, të fshehur aq bukur në çastin e parë.

Në cilin vend tjetër ndodh kështu? Por nuk janë vetëm politikanët apo kronikat rreth tyre, që na bëjnë të ndihemi të dhunuar psikologjikisht. Po të hapësh gazetat dhe të ndjekësh televizionet, konstaton se gati për çdo ditë të bie rasti të ndeshesh me vrasje, plagosje, grabitje, vetëvarje, djegie etj. Dhe, vetvetiu të lind e drejta të bësh disa pyetje: Në cilën luftë ndodhemi vallë? A jemi ne të parët, për sa i përket krimit, në raport me vendet e zhvilluara? Për këto dy pyetje, përgjigjja është “Jo”. Atëherë? Me keqardhje konstatoj se në Shqipëri nuk ka një kategorizim të informacionit. Thua çdo vjedhje apo plagosje, vrasje për motive banale apo vjedhje orësh apo bizhush, zë një vend të konsiderueshëm në edicionet e lajmeve apo në faqet e gazetave. Çdo të ndodhte sikur Fox, ARD, CNN, France 2, BBC, TVE etj. të jepnin në edicionet e tyre çdo krim që ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Francë, Britani apo Spanjë? Edicionet e lajmeve do të ishin të mbushura me kronikë të zezë dhe shumica e amerikanëve, gjermanëve, francezëve, britanikëve, spanjollëve e ndonjë kombësi tjetër, të lemerisur do ta braktisnin me vrap vendin e tyre, duke rendur ndoshta pa e ditur se për ku.
Atëherë, përse shqiptarët duhet që ta kenë këtë “luks”? Apo në Shqipëri duhet të ndihet sa me shume efekti “zhurme dhe kaos” ndërsa jeta e individit ka më pak vlerë se kudo? Ne flasim shpesh për problemet sociale, por shpesh ndodh që nuk i shohim ato të pasqyruara ashtu siç duhet. Edhe kur ndeshemi me to, shpesh nuk rrekemi të ecim drejt zgjidhjes, por, më së shumti, i lëmë ato në ajër, duke e hedhur topin sa në njërin krah të politikës, në krahun tjetër. Kështu ka ndodhur me energjinë, me ujin, me rrugët, me lëvizjen e lirë e plot të tjera. E, duke mbetur në ajër, problemet kthehen në strese dhe makthe pa fund. Në stres është kthyer tashmë edhe një bombë që shpërthen në Afganistan apo një kamikaz që hidhet në erë rrugëve të Bagdadit. Pamje të tilla vijnë në ekranet tona thuajse çdo ditë.

Dhe kështu, banori shqiptar, të cilit i merret fryma nga streset dhe problemet, me të cilat mbushet jeta e tij çdo ditë, përballet edhe me frikën nga terrorizmi, i cili mund ta përfshijë edhe atë në një ditë të bukur me diell. Në fund të fundit, ai kupton se askush nuk është i mbrojtur dhe nuk mund të ndihet i qetë prej këtij armiku sa të vjetër po aq edhe të ri në historinë e njerëzimit. Pavarësisht deklaratave mediatike, ai ndihet njësoj i rrezikuar, si një qytetar në Londër apo në Paris, Nju-Jork apo në Berlin. Të gjitha këto janë vetëm njëra pjesë e dhunës së përditshme. Pjesa tjetër, por më kryesorja, është ajo që çdo njeri ndesh drejtpërdrejt në jetën e tij. Kush mund të thotë se ndihet i qetë gjatë njëzetekatërorëshit?

Në realitetin e sotëm, çdokush ndihet i frikësuar ndaj humbjes së investimit të kryer, të punës, biznesit, të ardhurave. Veç kësaj, çdokush duhet të përballojë marrëdhëniet me personat që ndesh, e që mund të jenë karaktere nga më të ndryshëm, që nga më paqësorët e deri tek ata të dhunshmit, të cilët mund ta përplasin makinën e tyre pas tëndes në çdo kohë dhe pastaj të të kërkojnë dëmshpërblim, ta ngrenë muzikën tej parametrave të lejuara, duke shijuar në këtë mënyrë vetëm qejfin e tyre, apo të kryejnë punime në ndërtesën ku ti banon së bashku me ta, qoftë edhe në orët e mbrëmjes apo edhe ato të mesnatës, duke të kujtuar vetvetiu titullin e këngës së grupit te Bençës, “Bij çobanesh neve jemi”. Me gjithë këtë dhunë, këto përplasje, vetja të duket si personazhi i Henri Perounit, në romanin “E shtuna” të Ian McEwan, të cilin e ka botuar së fundmi në shqip “Skanderbeg books”. Me gjithë këtë dhunë, këto përplasje, vetja mund të të duket një personazh simpatik, i cili pa bujë e zhurmë mund të zërë vend në kronikën e zezë të ditës.
Në Shqipëri dhuna psikologjike, e cila fillon që nga lajmet më të zakonshme, me të cilat është mbushur masmedia, për çdo gjë që ndodh në vend dhe në botë, e deri te problemet, me të cilat ndeshet jeta jonë, ndërthuret me dhunën fizike, në atë mënyrë saqë duket sikur çdo gjë është e destinuar të vdesë pa rrugëzgjidhje. Pa humbur kohë, duhet që, në radhë të parë, institucionet e ndryshme të marrin përsipër rolin e rregullatorit, duke filluar fillimisht nga vetja. Ndryshe, njerëzit do të vazhdojnë të mendojnë se gjithnjë politikanët dhe jeta shqiptare gjenerojnë konflikt, se janë të paaftë të ecin me këmbët e veta e se, ne të tjerët, mund të na pranojnë në proceset e integrimit thjesht për mëshirë apo keqardhje. Por kjo është vetëm pjesa e parë e mendimit, për të vazhduar më pas, të ndihet edhe më i dhunuar nën peshën e dhunës.