Nuk ka paqe në PD

0
40

Dy deputetë demokratë, Mark Marku dhe Selami Xhepa formulojnë kritika për qeverisjen dhe aleancat e PD-së. Një bërthamë e heshtur me të tjerë deputetë gati për të shpërthyer, por që mendohet se do të vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje. Problemi i grupit në PD, disa të nënës, të tjerë të njerkës. Çfarë paralajmëronte dy muaj më parë Astrit Patozi dhe si përgjigjet sot Sokol Olldashi

Nga Lorenc Vangjeli, JAVA, 10 Korrik 2012

“Deputetët Marku dhe Xhepa janë të vetmit që kanë folur, por nuk janë të vetmit që mendojnë në të njëjtën mënyrë. Në heshtje, edhe shumë të tjerë mendojnë si ta, por herë për konformizëm, herë për pasiguri dhe herë për mungesë kurajoje, ata nuk flasin publikisht për pakënaqësitë e tyre dhe çfarë mendojnë se nuk po shkon si duhet në këtë vit elektoral, i fundit i mandatit të dytë qeverisës të PD-së”. Njohës të mirë të funksionimit të Partisë Demokratike, të përfshirë politikisht në të dhe të afërt politikisht me të, e konfirmojnë dhe e shpjegojnë si një realitet të njohur, të pranuar në heshtje, por të mbajtur në heshtje, faktin që në grupin parlamentar të forcës më të madhe në pushtet ka kohë që pakënaqësitë janë të dukshme. Përtej suprinës së fjetur, brenda ujërat janë të turbullta.

Kryesisht pakënaqësitë janë të lidhura me formulën e përfaqësimit në qeveri dhe me një distancë gjithmonë e më të madhe që antarët e kabinetit qeveritar kanë krijuar nga pjestarët e tjerë të grupit parlamentar. Ngjan se deputetët e maxhorancës janë të ndarë në tre klasa, ministrat, një pjesë deputetësh aktivë dhe një pjesë tjetër që thjesht është e shënuar në borderotë e financave të Kuvendit. “Me ministrat mund të takohesh vetëm nga ekrani i televizorit ose të hënën e detyrueshme kur Berisha bën mbledhjen e grupit parlamentar.

Disa nga ta janë tërësisht të shkëputur nga jeta politike e zakonshme dhe madje, nuk reagojnë më as kur bëhen tabelë sulmesh nga opozita. Mjafton të shohësh edhe shmangien e tyre pothuaj totale nga debatet politike, në të cilat as nuk dinë çfarë të thonë dhe as nuk duan të thonë më gjë. Protagonizmi absolut i kryeministrit dhe tërheqja e tyre në indiferencë kanë rrudhur në maksimum hapësirat për gjithë të tjerët”, thotë një deputet i PD-së, që preferon të jetë i pacituar me emër. Ai madje nuk pranon as të pohojë dhe as të mohojë një listë deputetësh të pakënaqur, por thotë se shumëkush, për arsye nga më të ndryshmet, ka shkak për pakënaqësi.

Florian Mima, Gent Strazimiri, Ilir Rusmajli, Lajla Përnaska, Edi Paloka, Bardhi Kadilli, Enkelejd Alibeaj, Mesila Doda, Leonard Demi, janë disa nga emrat e grupit që duket se pretendojnë më shumë se të qënit një deputet në listë. Disa nga ta, në një mënyrë apo një tjetër, edhe e kanë shprehur këtë pakënaqësi, të tjerë e kanë provuar të jenë pjesë e qeverisjes, por janë larguar. Megjithatë, është ende herët të gjykohet nëse ata do të ndjekin pas linjën e kritikave të dy kolegëve të tyre Marku dhe Xhepa; me të gjitha gjasat jo edhe për shkak të përpilimit të listave të kandidatëve për deputetë në vitin e ardhshëm.

Marku dhe Xhepa

“…duke ndenjur kaq gjatë, konsumohesh. Një parti nuk mund t’u drejtohet vetëm militantëve, sepse nuk e mban dot pushtetin apo duke iu drejtuar një koalicioni. Nuk jam për koleksion figurash. Nga mosbashkimi i së djathtës tradicionale dhe asaj moderne, bashkë me të qendrës, PD nuk mund të fitojë. Është në pushtet me ndihmën e një partie të majtë. Ndaj, të rivitalizohet për të fituar një mandat të tretë”, thotë Mark Marku me një fjalor befasues për deputetët e PD-së. Dhe për më shumë, kur vjen rradha tek aleatët, gjuha e tij ashpërsohet edhe më tej: “Eshtë një parti e shantazhuar dukshëm nga LSI. Kjo u pa dhe me ndryshimet në qeveri, sikur LSI kishte një qeveri më vete dhe PD një qeveri tjetër më vete. Kjo nuk është logjike. Në një qeveri nuk mund të ndryshosh 4 ministra, një tjetër dy ministra dhe ty të lë me 5 ministra. Kjo nuk ka llogjikë…”, thotë ai.

Në prag të zgjedhjes së kandidaturave për Presidentin e Republikës, Marku është cituar nga shtypi të ketë kërkuar nga Berisha nëse PD kishte apo jo emra që do të kandidinte. Media e konsideroi pyetjen e Markun si “kryengritje” në një parti ku si rregull Berisha i di dhe i vendos të gjitha, por ai vetë, e minimizoi rolin e asaj çfarë kishte thënë duke e konsideruar thjesht si një pyetje normale. Këtë javë ai shkoi edhe më tej. Më tepër në kuptimin e termave të përdorur sesa të kumtit që do të jepte. Duke u kujdesur për të treguar luajalitet deri në fund ndaj PD-së, duke shmangur çdo keqinterpretim se qëndrimi i tij mund të ishte frymëzuar nga interesa vetjake, ai foli deri edhe për “një rithemelim” të PD-së. në të vërtetë, Marku, edhe sipas kolegëve të tij, nuk ka ambicje për post të mundshëm qeveritar.

Në të njëjtën linjë shkon edhe deputeti i Dibrës Selami Xhepa, i cili edhe më parë ka pasur deklarata të forta për situatën e krijuar në minierat e kromit në qarkun e tij. Duke folur për kabinetin qeveritar ai thotë: “Ka një topitje të reformave. Ka sigurisht një lodhje, ndoshta nga reformat ose nga ecja përpara e këtyre reformave. Sigurisht, ka një tkurrje në aktivitetin e administratës publike. Do ishte më i dobishëm një riformatim, një rikompozim, pasi gjithmonë rikompozimet e qeverisë janë momente të rëndësishme të një mobilizimi pozitiv, për një lloj dinamizmi më të madh”.

Konteksti i deklaratave të Xhepës ka një bazë reale. “Në qeverisjen e PD-së ka tentativa për reformim të drejtimit administrativ, por jo më ambicje dhe veprim politik”, komentojnë njohës të kësaj partie. Për më tepër, një numër deputetësh të tjerë, gjithmonë deri përpara zgjedhjes së Presidentit, kanë theksuar nevojën e ndryshimeve në qeveri. Edi Paloka, për shembull ka qenë aktiv në mars e prill të këtij viti për këtë temë. Mbas tij, edhe deputetë të tjerë me një profil më të ulët se ish-gazetari i dikurshëm Paloka.

E përbashkëta e të gjithë atyre deklarimeve, megjithatë, ka qenë fjalia që nuk mungonte në asnjë rast: ndryshimet në qeveri i vendos kryeministri! Një e vërtetë kushtetuese dhe një e vërtetë edhe më shumë se vetëm e tillë sa kohë që bëhet fjalë për Berishën dhe Partinë Demokratike. Megjithatë, mbas largimit të zotit Nishani në Presidencë, Berisha bëri vetëm një lëvizje të detyruar në qeveri. Duke dhënë një dëshmi tjetër të pafuqisë së tij për të ushtruar fuqinë e tij të padiskutuar brenda PD-së.

Pikërisht për shkak të ekuilibreve të brishtë në parti dhe rrymave të ndryshme brenda saj. Pikërisht për shkak të pamundësisë së tij për të ndërhyrë dhe ndikuar në këto ekuilibre që i ka krijuar po vetë apo dhe janë krijuar nën hijen e tij. Mbi të gjithë, përfshi edhe vetë Berishën, qëndron hija me plot të panjohura për të nesërmen e PD-së, sidomos në rastin kur ajo nuk rikonfirmon pushtetin për mandatin e tretë rradhazi. Nën këtë hije bëhen të gjitha kalkulimet e tjera, afrimet dhe largimet, dashuritë dhe urrejtjet politike brenda partisë me dy dekada jetë.

E para ishte heshtja, Presidenti

Dy kanë qenë valvolat që i kanë mbajtur në heshtje rezervat brenda llojit, zgjedhja e Presidentit të Republikës dhe ndryshimet e pritshme të kabinetit qeveritar. Me tejkalimin e këtyre dy momenteve, valvulat u hapën dhe të parët, e me gjasë edhe për disa kohë edhe të fundit, Marku dhe Xhepa shprehën kritikat e para publike nga brenda PD-së. Eshtë e paqartë nëse do të ndiqen nga të tjerë në këto formulime, por gjasat janë minimale.

Deri tek kandidatura formalisht apolitike e Xhezair Zaganjorit dhe ajo gjysëm politike e Artan Hoxhës, status quoja në PD dhe ekuilibret brenda saj ngjanin të pandryshuara. Pothuaj aspak në rastin e parë, nëse Zaganjori do të ishte President i Republikës. Atëherë thjesht do të shtohej një lojtar i ri në fushën politike dhe kjo do të kishte pak ndikim brenda PD-së, me përjashtim të një nuance më shumë që do të merrte pushteti real i Jozefina Topallit në parti për shkak të një afrimiteti të njohur mes të dyve. Në rast se President do të ishte Hoxha, i konsideruar për shumë arsye si shumë më pranë Lulzim Bashës, zonja Topalli do të humbiste disa nuanca pushteti. Që për shkak të ekuilibreve shumë të brishtë brenda PD-së, për vetë zonjën Topalli një gjë e tillë konsiderohej shumë e madhe.

Kjo është dhe arsyeja, që kryetarja e Kuvendit ishte pika e fundit që derdhi gotën e premtuar për Hoxhën. Në ditën që kandidati presidencial dilte nga zyra e tij private dhe shoqërohej nga garda për të shkuar në Kuvend, zonja Topalli ka komunikuar të paktën tre herë me Berishën. Qëndrimi i ashpër i medias, komunitet nga i cili dilte zoti Hoxha, i PS-së në Komisionin e Ligjeve, futja në lojë në mënyrë të heshtur të segmenteve me dijeni në punët e të së shkuarës, qëndrimi i mundshëm i partisë së Topit dhe vetë vota e deputetit të saj Gazmend Oketa, bënë që zonja Topalli të hidhej në veprim.

Më pas, në zyrën e Berishës, në prani edhe të Metës, vetë Hoxha bëri tërheqjen e tij nga kandidimi duke hapur kështu, rrugën për një parakonkurrim të shpejtë mes tre emrave të tjerë të mbetur në tavoline, Bujar Nishanit, Arben Imamit dhe Petraq Milos. Duke nisur nga i fundit, vetë Berisha nuk ishte entuziast për emërimin e këshilltarit të tij në zyrën e kreut të shtetit ngaqë i ndruhej se kjo gjë do të sillte reagime të forta, edhe pse opozita kishte dërguar sinjale gjysmëserioze se nuk kishte kundërshti serioze me këtë kandidaturë.

Imami, ndonëse me shanse të mëdha, nuk do të pranohej nga opozita, por edhe do të konsiderohej si njeriu kyç i PD-së së nesërme. Mbas një mandati pesë vjeçar në Presidencë, ai i kishte të gjitha kartat për të tentuar kreun e kësaj partie, në një kohë që ujrat do të ishin më të qeta se sot. Po për këtë arsye, ai do të merrte edhe pakënaqësinë e Topallit. Në këto kushte, bingoja mbeti të luhet për Nishanin. Që në thelb tregoi se PD thjesht ruajti status quo-në e sotme, për t’i lënë zgjidhjet e tjera në një të nesërme ende të paqartë.

Ndryshimet në qeveri

Nuk kaloi pa u vënë re, ndonëse jo me vlerën reale që pati, një intervistë e hershme e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi, dy muaj e gjysëm më parë, në 21 prill, në të cilën ai paralajmëronte dhe parazbulonte atë çka pritej të ndodhte dhe ndodhi siç u paralajmërua. Duke folur për ndryshimet në qeverisje,

Patozi thotë ekzaktësisht çfarë bëri Berisha në fund të qershorit me qeverinë e tij: duke hyrë në një vit elektoral… “sigurisht një imazh tjetër apo një ritëm tjetër mund t’i shtonte energjitë apo kapacitetet e qeverisë, në mënyrë që kjo të reflektojë dhe mbështetjen zgjedhësve gjatë zgjedhjeve të ardhshme, por nuk është e domosdoshme. …zgjedhja e Presidentit nuk sjell domosdoshmërisht si pasojë ndryshimin e qeverisë, vetëm në rastin kur Presidenti i ardhshëm të ishte një anëtar i kabinetit aktual.

Ky është rast i detyrueshëm për Kryeministrin që të ndryshonte qeverinë”, thoshte në prill Patozi. Ish-ministri i brendshëm Nishani, President i zgjedhur la një vend vakant në qeveri që Berisha e mbushi siç dhe kishte parashikuar Patozi. Në korrik Mark Marku përgjigjet: “Nuk është problemi te Flamuri. Në bindjen time qeveria është në stanjacion, disa ministra janë konsumuar”. Por nuk thotë se cilët janë këta ministra. Llogjikisht duket se e ka kryesisht me ata antarë kabineti që janë ulur në tryezën e qeverisë që në fillim të mandatit të parë qeverisës të PD-së. Kryesisht me ta.

Përgjigja “zyrtare” dhe tradita

Mbas një dite heshtjeje dhe mbas një komenti të zëvendësministres së integrimit, një nga ministrat jetëgjatë të PD-së dhe një nga figurat më të rëndësishme të saj, Sokol Olldashi i përgjigjet me “helm” të kontrolluar kolegut të tij. “20 vite pluralizëm na kanë dhënë të gjithë shembujt e mundshëm. Kemi shembuj njerëzish të shquar në fusha të ndryshme që nuk kanë bërë dot hije në politikë, sikurse kemi shembuj njerëzish të pashquar në fusha të tjera, që kanë dëshmuar instinkt politik mbresëlënës. Duhet vetëm të gjejmë ekuilibrin mes nervozizmit dhe durimit.

T’i japim gjithkujt kohën për të prodhuar diçka, përpara se të nisim dhe të paragjykojmë… Duhet të kuptojmë që tashmë edhe politika është një profesion. Nuk është një mënyrë për të kaluar kohën apo një snobizëm intelektual. Nëse i referohem një polemike të Kadaresë, Shqipëria nuk ka luksin të ketë shtetarë që politikën e kanë interes anësor dhe jo profesion”, thotë Olldashi. I cili në një paragraf, arrin të shpjegojë mbi të gjitha klimën brenda partisë së tij. Që të paktën në një pjesë të grupit parlamentar ka nervozizëm, mungesë durimi, por edhe snobizëm intelektual. Vetë Olldashi e mbyll këtu, bashkë me optimizmin e kuptueshëm të një antari qeverie që beson në një mandat të tretë qeverisës të partisë së tij. Vetë Berisha nuk ka reaguar.

Kjo është jo shenja që ai pranon kritikat, por se nuk do të donte të ushqente më tej ambientin që prodhon më pas kritikë. Duke mbetur vetëm në çfarë ka ndodhur në vitet e qeverisjes së tij si kryeministër, marrëdhëniet e tij me kritikët apo dhe me ata të cilët nuk ju jepte më besim brenda partisë, janë zgjidhur në një mënyrë të vetme: me largim. Ngjela dhe Zogaj dhe rreth një dyzinë deputetësh të tjerë që në mandatin e parë konsideroheshin si mbështetës të zotit Topi në PD u larguan dhe nuk u kandiduan më në listat për deputetë. Kësaj rradhe do të ndodhë me siguri e njëjta gjë. Kush parandjen se do të mbetet jashtë, do të thotë një fjalë dhe do të ikë! Edhe pse Berisha, në kulmin e fuqisë së tij politike, është i pafuqishëm për ta ushtruar këtë forcë deri në fund.