Xhufi: Në këtë 100-vjetor duhet të kujtojmë edhe njerëzit antishtet

0
34

TemA Online, 8 Korrik 2012

Historiani Pëllumb Xhufi, duke folur për gazetën Shqip në lidhje me propozimet e fundit të kryeministrit Berisha për ndryshimin e historisë, ka thënë se shumë figura të rëndësishme, po denigrohen qëllimisht nga ai. Sipas Xhufit, janë ngritur në pedestal figura tradhtarësh, si Esat Toptani dhe Zogu, ndërkohë që po hidhet baltë ndaj figurave të rëndësishme. Xhufi thotë se ndoshta ka ardhur koha që të bëhet edhe një vlerësim të figurave antishtet.

“Ka një tentativë të përsëritur të vetë Kryeministrit, për të lënë në harresë figurat emblematike të Rilindjes e të Pavarësisë, e për të pompuar disa të tjera. Sigurisht, ka një përzgjedhje të mirëllogaritur në këtë mes. Promovohen figura pashallarësh, bejlerësh, krerësh fisesh, të lidhur materialisht e shpirtërisht me regjimin e vjetër, pra, me sundimin osman dhe anashkalohen apo edhe sulmohen përfaqësuesit e klasës së re të idealistëve, intelektualëve e patriotëve rilindas, ata që sollën idetë, që dhanë rrugëzgjidhjet dhe që falën jetë e pasuri për të realizuar Shqipërinë e pavarur e sovrane.

Pra, i bëhen hozanara asaj elite politike, të korruptuar e antikombëtare, që për 500 vjet u shkri me pushtetin dhe administratën osmane e që s’bëri asgjë për vendin e vet, duke nënshkruar dorëzime qytetesh, dhënie koncesionesh, falje territoresh, krijime federatash serbo-shqiptare apo greko-shqiptare. Shembulli i Esad Pashës duhet të tronditë gjithkënd, por ky s’është i vetmi.

Fryhet tej çdo mase figura e Ahmet Zogut, mikut të Serbisë, shitësit të Shën Naumit, vrasësit të Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës e Bajram Currit dhe, në fund, ikësit të madh. Çohen në piedestal lloj-lloj klerikësh katolikë, ithtarë të Shqipërisë së “kantoneve”, deri edhe frati-kuisling Anton Harapi dhe lihen në heshtje e harresë Ndre Mjeda, Dom Nikollë Kaçorri dhe një armatë e tërë katolikësh, që vunë bazat e shtetit unitar e shekullar shqiptar, që nga Vaso Pasha, Hil Mosi, Nikollë e Mirash Ivanaj.

Heshtet për Papa Kristo Negovanin, për At Stath Melanin, për Petro Nini Luarasin, ndërsa politikanët e historianët puthadorë rendin t’i puthin dorën Janullatosit, ndërsa ky drejton mesha e inauguron kisha-bunker, ku vritet shqiptaria dhe predikohet helenizmi. Përkujtohen e nderohen klerikë, sa myslimanë, aq edhe ortodoksë e katolikë, nga ata që ishin kundër alfabetit latin e kundër shkrimit shqip, nga ata që ishin jargavitur pas pushtuesit osman dhe që më vonë pritën me lule sa ushtritë e serbit, aq edhe ato të grekut, të Duçes e të Hitlerit.

Ka shumë zhvendosje vlerash e personalitetesh, që janë prodhuar këto kohë, edhe për “meritë” të z. Berisha e të zonjës Topalli, saqë shpeshherë mendoj se pas këtij 100-vjetori të bujshëm të shtetit shqiptar, do ia vlente barra qiranë të përkujtohej edhe 100-vjetori i antishtetit shqiptar, duke kaluar në skaner të gjithë ata që në këta 100 vjet bënë gjithçka për t’i vënë minat Shqipërisë. Ndoshta kështu, kufijtë mes vlerës dhe antivlerës, midis atdhetarisë dhe tradhtisë, që tani janë ngatërruar keq, do të bëheshin më të qarta, sidomos për të rinjtë tanë”, shprehet Xhufi.