Preç Zogaj, 12.08.2010
Për disa ditë radhazi, deputet dhe drejtues të PS-së, kryesisht femra, kanë venë në shënjestër të denoncimeve të tyre për korrupsion deputeten e PD-së, Albana Vokshin. Kjo deputete akuzohet se nuk ka deklaruar pasurinë e bashkëshortit të saj, Arjan Tartari, biznesmen. Zonja Vokshi është përgjigjur se bashkëjeton, ka një fëmijë, por nuk ka vënë kurorë me zotin Tartari, pra nuk është e martuar ligjërisht me të dhe prandaj nuk e ka deklaruar si të sajën apo si të përbashkët pasurinë e tij. Bashkëjetesa pa celebrim e çifteve është një dukuri e përhapur tashmë edhe në Shqipëri.
Përveçse një zgjedhje e lirë e partnerëve, ajo është edhe një koperturë problemesh, mospërputhjesh e pasigurish që mbesin enigmë në sferën e privatësisë së burrit dhe gruas. Megjithatë, shpjegimi që ka dhënë zonja Vokshi, vetëm e ka shtuar vrullin e akuzave ndaj saj. Nga foltorja socialiste publiku është informuar se Arjan Tartari ka a 12 a 20 përqind të aksioneve në një shoqëri të huaj që merret me nxjerrjen e naftës në një zonë të Fierit. Zoti Tartari ka marrë gjithashtu nga Ministria e Ekonomisë dy koncesione për ndërtimin e dy hidrocentraleve të vegjël.
Nga e njëjta foltore, PS ka treguar edhe sa është vlera e pasurisë së Arjan Tartarit, që nuk e ka deklaruar Albana Vokshi. Sipas letrave që nxori një ditë si me ndrojtje një deputete e re socialiste, bëhet fjalë për shuma marramendëse në disa milion euro.
Siç po shihet, opozitarët që po merren me ketë rast kanë bindjen se kanë kapur një peshk të madh. Kjo shpjegon alternimin dhe ngulmimin e tyre të përditshëm në fushatën që kanë ndërmarrë. Në legjislaturën e kaluar Albana Vokshi ka qenë për pak kohë këshilltare e kryeministrit Berisha, kurse tani është deputete e shumicës. Motra e saj e madhe ka pasur një post kyç në drejtorinë e koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë.
Në përshtypjen e opinionit motrat Vokshi kanë qenë gjithnjë pjesë e oborrit berishian, siç thuhet në të folurën e tanishme opozitare. Pa pushtetin e tyre dhe pa ndërhyrjen e tyre, Arjan Tartari nuk do t’i kishte marrë ato që ka marrë! Sipas llogarive të opozitës, akuzat ndaj tyre i shkojnë automatikisht Berishës! Goditjet në adresë të tyre i merr automatikisht qeveria dhe kryeministri Berisha!
Kjo është lidhja, e shkurtër sigurisht dhe joshëse për natyrën e varfër të luftës politike në Shqipëri. Kjo është fabula. E vjetër, e njohur, jo e paefektshme në luftërat e partive shqiptare për pushtet dhe denigrim.
Besoj nuk kam nevojë të përsëris se lufta kundër korrupsionit përbën dështimin e madh të qeverisë “Berisha”. E kam nënvizuar disa herë në shkrimet e mia se as Berisha nuk arriti të pajtonte antikorrupsionin me mbajtjen e pushtetit. Edhe për të antikorrupsioni dhe pushteti rezultuan nocione përjashtuese. Duhej zgjedhur njëri ose tjetri. Berisha zgjodhi të mbante pushtetin duke lejuar e bashkëjetuar deri brenda në qeverinë e tij me korrupsionin.
Ky është dështimi, frytet e hidhura të të cilit nuk i kemi mbledhur akoma deri në fund. Është detyra e opozitës që jo vetëm ta denoncojë këtë dështim, por të japë edhe garancitë e një luftë të suksesshme kur të vijë në pushtet nesër. Garancia e vetme për momentin është mënyra si e lufton opozita korrupsionin. Kur e lufton me drejtësi dhe saktësi, do të thotë se edhe nesër në pushtet kështu do të veprojë . Ndërsa kur e lufton kodra pas bregut sa për zhurmë, do të thotë se antikorrupsioni është një mashtrim për të marrë vota.
Opozita e sotme përpiqet të bëjë mire luftën kundër korrupsionit. Ajo, në përgjithësi, as nuk mbytet në një pikë ujë, as nuk trembet nga dallgët e mëdha, as nuk i fut të tërë në një thes, as nuk lufton me koka turku. Opozita është përpjekur e përpiqet të fokusohet te shkaqet themelore të korrupsionit në vend. Shkaqet i prodhojnë rastet dhe jo anasjelltas. Të nisesh vetëm nga rastet jashtë kontekstit të shkaqeve do të thotë më e pakta të jesh spontan dhe pa vizion.
Të kthehemi te rasti “Vokshi-Tartari”, që përmendem më sipër. Ky rast është proporcional në trajtim në krahasim me rastin “Prifti”, të cilin opozita e pat denoncuar më parë në Kuvend. Prifti është ministër dhe deputet, ka kompetenca vendimmarrëse të rëndësishme, paguhet dhe përfiton privilegjet ligjore të zyrtarit të lartë, pra ka një status krejt tjetër në krahasim me një biznesmen si Arjan Tartari.
Është e pakuptueshme që opozita e vendit merret më gjatë me pasurinë e këtij biznesmeni, se sa me pasurimin e rrufeshme të një ministri që nuk ka argumentuar dot as si i vuri milionat, as përse nuk i ka paguar taksat shtetit. Sekreti i drejtësisë është të peshojë, të dallojë, të rendisë, të seleksionojë, ti japë secilit vendin dhe hakun.
E merr vesh kushdo dhe e di edhe unë se opozita nuk e ka me Tartarin, por me Vokshin dhe pastaj me Berishën. Mirëpo këtu po denoncohen bizneset e Tartarit, apo jo? Unë nuk e di a i paguan ai taksat në rregull apo jo dhe nuk e vë dorën në zjarr për asgjë, por ai po trajtohet si mish për top në këtë histori. Kjo nuk mund të pranohet pa një argumentim të saktë të shkeljes që ka kryer biznesmeni, ku natyra e fakteve të studiuara të jetë e tillë që të përligjë fushatën ndaj tij. Opozita është institucion, nuk është fletushkë gazete.
Të marrët dhe të papërgjegjshmit e kanë zakon të hedhin bombën në mexhlis me qëllim që ndonjë cifël t’i fishkëllejë armikut të tyre te veshi. Detyra elementare e opozitës në raste të tilla është të saktësojë akuzën. Cila është akuza? Shkelje e ligjit? Përvetësim? Krijim lehtësirash e privilegjesh në garë? Jo çdo shkelje është korrupsion. Shkeljet duhen të thirren me emrin që kanë. Zakoni për t’i futur të gjitha llojet e shkeljeve në një thes, duke u vënë emrin korrupsion, është në fakt shërbimi më i madh që i bëhet korrupsionit si dukuri.
Mua më duket se lufta e opozitës kundër korrupsionit është produktive kur është e drejtë, e argumentuar, konkrete dhe e mbështetur në veçoritë që ka korrupsioni në qeverisjen aktuale. Ndërsa kur qëllon që opozita të bjerë në kurthin e lidhjeve të shkurtra apo të luftës për luftë, sa për zhurmë, antikorrupsioni nuk sjell rezultate. Opozita e ka kapur kryeministrin në “deliktin” e heshtjes për rastin e Dritan Priftit, por duhet ditur se kryeministri nuk hesht vetëm kur kapet.
Atij i vjen përshtat të heshtë edhe kur ndihet dorëjashtë, sidomos kur opozita ekzagjeron apo ia fut kot. Lufta e padrejtë, e pambështetur në fakte të studiuara, e kompromenton luftën e drejtë dhe është në favor të një qeverie të korruptuar. Një deputet i opozitës ka treguar tendenciozitet dhe amatorizëm të madh para pak ditësh, kur për të “tronditur” opinionin, llogariste si pasuri të Arjan Tartari vlerën në letër të krejt zonës naftëmbajtëse ku punon shoqëria e huaj. Të tjerët na duken shpesh shumë të pasur.
Politikanët e kanë zakon të mos mendohen dy herë për të shtuar zero në pasurinë e atyre që venë në shënjestër. Por kur vjen puna të një llogari e qëruar, miliardat e biznesmenëve katandisen si kokoshi një thelë. Rëndom, veçanërisht këto dy vitet e fundit, shumica e biznesmenëve e vrasin mendjen vetëm si të mbijetojnë dhe mezi paguajnë rrogat. Një miku im ka marrë para dy vitesh, pa paguar ryshfet, lejen e ndërtimit me koncesion të dy hidrocentraleve të vegjël. I duhen rreth dhjetë milion euro për t’i ndërtuar, por nuk po i gjen ende, sepse bankat kanë shtrënguar kredidhënien. Problemi i tij dhe i shumë të tjerëve si ai është sigurimi i financimit.
Nuk e di a është ky problemi i Arjan Tartarit që ka marrë dy leje. Por di se në tërësi moria e hidrocentraleve të vegjël që u dhanë me koncesion nuk po prodhojnë as energji, as para, por vetëm kokëçarje për koncensionmarrësit. Ky është një problem i madh i sipërmarrjes , që apelon zgjidhje dhe programe zhvillimi nga opozita si alternativë e qeverisjes. A e njeh opozita këtë problem? Kam përshtypjen se nuk e njeh mirë. Përndryshe do të matej shtatë herë përpara se të fliste për milionat dhe miliardat në hava të dikujt që ka qëlluar të jetë bashkëshorti i një deputeteje të partisë në pushtet.
Më kujtohet vjeshta e vitit 2003, kur isha drejtor i fushatës elektorale të Spartak Ngjelës në Partinë Demokratike. Na u kërkua të organizonim një protestë pranë një benzinate, lejen e së cilës e kishte dhënë Edi Rama. U kujtova këto ditë se benzinata i përkiste biznesmenit Arjan Tartari. Unë, sigurisht nuk shkova. Nuk shkova për të njëjtat motive që nuk miratoj sot fushatën e opozitës së majtë kundër ” benzinatës” se re të zotit Tartari, që kësaj radhe nuk e paska marrë me firmën e Ramës, por me firmën e Vokshit, domethënë Berishës. Mjaft! Mjaft!
Njësimi i biznesmenëve me pushtetin ku marrin lejet për të punuar është në parim një qasje e turpshme që nuk na thotë asgjë për ndershmërinë apo ndershmërinë e tyre, sikurse nuk na thotë asgjë fakti se me ke martohen dhe si i ndërtojnë marrëdhëniet me gratë. Faktet përballë ligjit- këto kanë vlerë. Por edhe këto duhen shpallur me shenjën e masës dhe respektit për të tjerët.
Jam skandalizuar prej ketij shkrimi te Prec Zogajt, tip Mark Antoni ne varrin e Cezarit. Kam nje shkrim replike. Do ta ve ne faqen time me esè.
William Makepeace Thackeray shkruante: “Te kesh gjithmon te drejte, te ecesh gjithmonë duke çare perpara, te shkelesh gjithçka, te mos kesh kurre dyshime: Nuk jane valle keto cilesite e medha me te cilat marrezia qeveris boten?”.
Jam i sigurte qe ai nuk kishte ne konsiderate dhe ata, qe nepermjet mbeshtetjes se tyre morale dhe demagogjike japin kontributin e tyre ne ndihme te marrezise.
Preç Zogaj eshte nje i tille.
Comments are closed.