NË FIER KAM NJOHUR NJË SHQIPTAR “TË ÇUDITSHËM”

0
45

Mustafa Nano

Zululand
Në pamje të parë, duket sikur Shqipëria e këtyre kohëve është krejt njëngjyrëshe, d.m.th është vendi ku të gjithë njerëzit kanë të njëjtat pasione, të njëjtat shije, të njëjtat vese apo virtyte, i njëjti stil jetese dhe e njëjta mënyrë të menduari. Duket sikur këtejpari ka vetëm një meanstream, që në përpjekje për të legjitimuar e afirmuar vetveten, nuk e gjen të udhës të lërë pak vend për njerëz me pasione, shije e kokëçarje “nazike”.

Duket, por s’është e thënë të jetë në çdo rast kështu. Këto ditë kam njohur dikë, që ka zgjedhur të jetojë ndryshe, krejt ndryshe; kam njohur dikë që ka mundur ta mundë trysninë e ligë të zakoneve e të tabiateve morale të gjindjes, që e rrethon, e të kohës, në të cilën jeton. Në kundërshtim me çfarë mund të mendohet, nuk bëhet fjalë për ndonjë maverick, që guxon të ngrejë krye kundër establishment-it sundues.

Përkundrazi, kam frikë se është bash e kundërta; është një njeri “pa zë”, i përunjur, që nuk kërkon foltore e skena për të bërtitur ekzistencën e vet, e që jeton larg syve të botës. Quhet Kozma Dashi. Është “provincial” (fierak), mesoburrë, i martuar, i diplomuar si inxhinier. “E pastaj?”, mund të pyesë dikush. “Ky është përshkrimi lakonik i identikit-it të një shqiptari fare të zakonshëm”.

Mirëpo, ka të tjera gjëra, që mund të thuhen për të. Dhe këtu fillon “fabula”. Kozmai ndryshon nga shumë shqiptarë, të cilët çfarë nuk kanë bërë e çfarë nuk do të bënin për t’u pasuruar shpejt e shpejt. Në ç’drejtim ndryshon? Ai “bën” pará në sajë të një sipërmarrjeje private, dhe me to, në kohën e lirë, vjen vërdallë nëpër botë e nëpër Shqipëri për të kërkuar e blerë libra të vjetër, shënime udhëtarësh të hershëm nëpër viset shqiptare, monografi e biografi, botime shqiptare e të huaja të dekadave të shkuara, albume fotografikë, piktura e vepra të tjera arti, dëshmi historike të llojeve nga më të ndryshmet etj., etj.

E ka shndërruar shtëpinë në një muze. Dhe kur them “muze” nuk kam parasysh stilin e muzeumeve të shpifur historikë të ngritur me një motivim të kërkuar patriotik, por kam parasysh një antologji ndërdisiplinore të improvizuar nga një mendje e lirë e sqimatare, d.m.th cazë galeri, cazë bibliotekë, cazë antiquarium e cazë laborator kërkimi.

Kush hyn në shtëpinë e Kozmait, edhe kur nuk ka arsye t’ia bëjë “uau!” prej aritmetikës së vlerave (është thjesht një shtëpi e shndërruar në muze), ka arsye t’ia bëjë “uau!” përballë pasionit e vendosmërisë së tij për të rravguar sa andej-këtej (përpiqet të ndjekë dhe ankandet, ku qëllon që dalin në shitje mallra të këtij lloji), e për të mbledhur çikë e nga një çikë, me durimin e një pramatari apo qëndistari, dëshmi të traditës e të historisë së Shqipërisë.

Sipas meje, ajo shtëpi vlen më shumë se të gjitha përmendoret e ngritura në sheshet e qyteteve tona si homazh për trimat putativë shqiptarë që kanë lënë nam në beteja të panumërta kundër armiqve të kombit.