DUBROVNIK – Ish-presidenti serb, Boris Tadiç, ka shtrënguar duart me dy kryeministrat shqiptarë të Ballkanit, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, gjatë samitit të Dubrovnikut ku po merr pjesë në cilësinë e një lideri partiak pasi zyrtarët serbë nuk ndjekin zyrtarisht punimet e tij.
“Takimi që Tadiç po evitonte ndërsa president i Serbisë, po ndodh sot”, shkruan e përditshmja e Zagrebit “Vecernji List”. Ndërsa burime nga Kryeministria në Tiranë konfirmojnë se Tadiç i ka dhënë dorën edhe shefit të qeverisë shqiptare.
“Ndonëse Tadiç është një ish-president, ai mbetet politikani i rangut më të lartë që takohet me Kryeministrin e Kosovës në një samit ndërkombëtar”, nënvizoin gazeta kroate.
Agjencia e lajmeve Beta ka njoftuar se Tadiç, lider i Partisë Demokratike në Serbi, do të takohet edhe me Presidentin kroat Ivo Josipoviç.
Sipas Vecernji List, diplomatë amerikanë janë përpjekur të bindnin Tadiç që të shkonte në samit që ditë e parë, të premten, por ai ka shkuar vetëm sot.
Kryetari i Partisë Demokratike (DS) dhe ish presidenti i Serbisë, Tadiç ka deklaruar menjëherë pas takimit për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug se ky akt nuk ka kurrfarë rëndësie historike, por është mirë që përfaqësuesit e popujve të ndryshëm të takohen, pra edhe përfaqësuesit e popullit shqiptar e serb, sepse problemet që i kemi duhet t’i zgjidhim.
Ndonëse Serbia ishte e ftuar, ajo ka preferuar të mos dërgojë përfaqësues në Samitin e Kroacisë. Ajo gjithashtu nuk ka marrë pjesë në samit as gjatë dy viteve të mëparshme për shkak të pjesëmarrjes në të Kryeministrit të Kosovës.
Përveç zyrtarëve vendas, në Samitin e Kroacisë marrin pjesë kryeministra dhe zyrtarë të lartë të vendeve të rajonit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe NATO.
(im/shqiptarja.com)