Juristët: Skeptikë për Referendumin

0
32

Shekulli, 11.08.2010

Juristët Igli Totozani, Kristaq Kume dhe Vjollca Meço flasin për “Shekulli” për nismën e një grupi qytetarësh të cilët kanë depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë në të cilën kërkohet referendum për rinumërimin e votave të zgjedhjeve të 2009. Ata e shohin me skepticizëm mundësinë e mbajtjes së një referendumi për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas tyre kërkesa e 14 nismëtarëve është një e drejtë demokratike, por që mundësitë për zhvillimin e një referendumi janë të pakta.

Eksperti Igli Totozani u shpreh se një aksion i tillë, nuk do të ndodhë në Shqipëri. Sipas tij një nismë e tillë nuk është shumë e nevojshme pasi për juristin Totozani çështja që ata kërkojnë pra rinumërimin e fletëve e ka një zgjidhje sipas legjislacionit në fuqi. Për të, legjislacioni shqiptar jo vetëm nuk pengon hetimin por e bën të mundur atë në mënyrën më të plotë, jo vetëm për listat dhe dokumente të tjerë elektoralë por edhe për fletët e votimit.

Edhe ish kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume e shikon të pamundur një kërkesë të tillë. Për ish kreun e KQZ-së me formulim që i është bërë kërkesës, anëtarët e KQZ-së mund të kërkojnë një riformulim. Arsyeja e dytë sipas tij ka të bëjë edhe me objektin çka do e bëjë të vështirë zgjidhjen e dilemës se kujt institucioni duhet t’i ishte drejtuar. Edhe pse e sheh si pozitive nismën e 14 qytetarëve, Kristaq Kume thekson se rruga më e mirë për zgjidhjen e krizës politike ndërmjet forcave politike sipas tij ajo e nisur nga institucionet përkatëse. Ndërsa kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit Vjollca Meço deklaroi se fakti që kanë dështuar të gjitha tentativat me përjashtim të njërit për të zhvilluar referendum, do të thotë që ka diçka që nuk shkon.

Totozani: Hetimi i zgjedhjeve e ka përgjigjen në legjislacionin shqiptar

Një grup qytetarësh kanë paraqitur një nismë për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Si e vlerësoni këtë kërkesë ?

Gjëja e parë që të bie në mend sapo merr këtë lajm është fakti se kjo krizë e stërzgjatur politike që tashmë po mbush një vit e ka lodhur tej mase qytetarin e këtij vendi. Ai po kupton se gjërat nuk po shkojnë si duhet në vendin e tij dhe se në opinionin publik po vazhdon të dominojë kjo çështje. Së dyti, referendumet janë një shprehje e demokracisë direkte dhe si të tillë janë veçse të mirëpritur.

Mirëpo çështja që këta qytetarë ngrenë në kërkesën e tyre ka në fakt një përgjigje. Dhe kjo për mua gjendet në legjislacionin pozitiv shqiptar. Sipas mendimit tim, legjislacioni shqiptar jo vetëm nuk pengon hetimin por përkundrazi e bën të mundur atë në mënyrën më të plotë, jo vetëm për listat dhe dokumente të tjerë elektoralë por edhe për fletët e votimit.

Sa mundësi ka që kërkesa e tyre të merret parasysh nga KQZ ?

Këtë nuk mund ta di. Edhe sikur të kisha në tryezën time të gjitha elementët e nevojshëm për të dhënë një pikëpamje juridike do ta kisha vështirë ta jepja një përgjigje të tillë. Jo rrallë, në Shqipëri parimi i ligjshmërisë shkelet me të dyja këmbët. Megjithatë mendoj se një aksion i tillë, nuk do të ndodhë në Shqipëri. E dua vendin tim dhe nuk mendoj se populli im do të arrinte deri aty sa ti drejtonte vetes pyetje të tilla, përgjigja pohuese e të cilave nuk ka nevojë të testohet.

A është gati vendi ndërkohë që përpara kemi zgjedhjet lokale për të zhvilluar referendum?

Edhe sikur të ishte gati, ky referendum për mendimin tim është jo logjik. Qoftë për kohën që po kalojmë qoftë për pyetjen pa kuptim që ngre ai. Sepse përveç të tjerave për dikë që njeh demokracinë një pyetje e tillë është retorike. Dihet përgjigja. Nuk mund të ketë demokraci në një vend ku gjëja apo aksioni publik fshihet në errësirën e një kutie apo zyre. Ky është vetë thelbi i këtij sistemi.

Kristaq Kume: Zgjidhja më mirë nga institucionet

A mundet një grup nismëtarësh prej 14 vetash të dorëzojnë në KQZ një kërkesë të tillë në një kohë kur referendumi sipas Kushtetutës do 50 mijë firma?

Në kod përcaktohet se kërkesa për fillimin e procedurave të referendumeve në KQZ kanë të drejtë ta paraqesin jo më pak se 12 nismëtarë. Pra kjo kërkesë që është bërë është në përputhje me atë që parashikon ligji përkatës për referendumin. Referendumet e përgjithshme ndahen në dy grupe, referendum që mund të zhvillohen për të trajtuar problematikën për një ligj të caktuar ose për pjesë të një ligji të caktuar dhe grupi i dytë i referendumeve të përgjegjshme janë referendumet që kanë të bëjë me çështje të veçanta.

Në kod përcaktohet që referendumi në të cilën kërkohet shfuqizimi i një pjese të ligjit ose i një ligji fillon procedurat duke kaluar nga KQZ. Në aspektin formal kërkesa e dërguar në KQZ e formuluar në këtë mënyrë nuk ka sens juridik. Pra, kam përshtypjen se KQZ që në këtë formulim të kërkesës mund të kërkojnë një riformulim prej nismëtarëve. E dyta që është më e rëndësishme se kjo ka të bëjë me atë çka kërkohet të realizohet.

Pyetja e parë që është thelb është formuluar: ” A duhet të rinumërohen fletë e votimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009?”. Duke qenë se si është formuluar, është evazive, nuk kam mundësi dot të arrij ta klasifikoj në njërën grup të referendumit. Është e vështirë nëse është adresuar saktë apo duhet të adresohej tek presidenti. Pra kam përshtypjen që ky moment mund të bëhet pjesë e diskutimeve të KQZ-së.

Cila është procedura deri në referendum?
Në rast se KQZ pranon kërkesën pas kësaj fillon procedura konkrete e realizimit të procesit refendar që do të thotë nismëtarët pajisen me fletët e nevojshme për të mbledhur firmat e 50 mijë votuesve. Pas kësaj është KQZ-ja që shqyrton në mënyrë formale dokumentacionin dhe i dërgon presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese dokumentacionin përkatës për të filluar procedurën e organizimit të referendumit dhe më pas presidenti ka të drejtë që të dekretojë datën e zgjedhjeve. Por në rast se KQZ-ja nuk e konsideron të ligjshme, nismëtarët kanë të drejtë ti drejtohen gjykatës për ta atakuar këtë vendim dhe në këtë rast nuk ka afat kohor se kur gjykata do të marrë në shqyrtim këtë kërkesë.

Mendoni se jemi gati për zhvillimin e një referendumi ndërkohë që kemi përpara edhe zgjedhjet lokale?
Duke iu referuar kohës kur bëhet kërkesa për këtë referendum të përgjithshme,që do të thotë fakti që në pranverën e ardhshme do të kemi zgjedhje për organet e pushtetit vendor, kam përshtypjen që koha e nevojshme është jo e limituar, por praktikisht e pamjaftueshme për të realizuar këtë proces referendar. Unë e mirëkuptoj këtë iniciatë por duke qëndruar në aspekte formale nga njëra anë, ballafaquar me nevojën për kapërcimin e këtyre aspekteve formale dhe kohës që është në dispozicion do të thosha se rruga më e mirë për zgjidhje është ajo tashmë e nisur nga institucionet përkatëse.

Vjollca Meço: Fakti që kanë dështuar të gjitha referendumet, ka diçka që nuk shkon

Si e shikoni një kërkesë të tillë të depozituar nga 14 nismëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve?
Në fakt ne as nuk na është kërkuar dhe as kemi dhënë mendim. Mua nuk më duket si formë e përshtatshme në sensin për të zgjidhur këtë konflikt që ekziston. Në Shqipëri nuk është se ka eksperienca në referendum. Unë di vetëm një referendum që është mbajtur në këto 20 vitet e fundit, ndërsa herët e tjera referendumet nuk kanë arritur me sukses zhvillimin sepse ka shume hallka te parashikuara sipas kushtetutës dhe ligjit, por nuk kane mbërritur të zhvillohen .Kështu që unë nuk e konsideroj si një propozim të përshtatshëm.

Mendoni se duhet ndryshuar diçka në Kushtetutë që të lehtësohet procedura e marrjes në mënyrë të drejtpërdrejtë të vendimeve nga qytetarët nëpërmjet referendumit?

Para se të shkojmë te Kushtetuta mbase çështja e referendumeve duhet parë, duhet trajtuar me ligjin sepse nuk është Kushtetuta dispozita ligjore që e bën shtjellimin e instituteve që ajo trajton. Pra Kushtetuta e ka sanksionuar të drejtën për referendum. Pra populli, zgjedhësit mund të shprehen për çështje të caktuara të interesit të përgjithshëm ose lokal. Por se si mund të zhvillohen, si lindin nismat, këtu është ligji që duhet.

Fakti që kanë dështuar të gjitha referendumet me përjashtim të njërës për të zhvilluar referendum, do të thotë që ka diçka që nuk shkon. Për mendimin tim nuk është e kushtetutës, është çështje e përmirësimit të legjislacionit dhe sido që të përmirësohet ky legjislacion, një gjë ta them me siguri sot që popullit nuk mund ti mohohet e drejta për t’u shprehur për një çështje të interesit publik.

Hetimi i zgjedhjeve, nismë për referendum në KQZ
Një grup qytetarësh në Tiranë kanë paraqitur pranë KQZ-së një kërkesë për organizimin e një referendumi ku qytetarët të ftohen për të votuar nëse duan të rinumërohen apo jo fletët e votimit të zgjedhjeve të kaluara.

Në kërkesën e tyre drejtuar KQZ-së, firmëtarët shtrojnë tri pyetje që qytetarët në referendum duhet t’i përgjigjen me PO ose JO.

Këto pyetje janë:

A duhet të rinumërohen fletët e votimit të zgjedhjeve parlamentare të 2009-tës?

A duhet rinumërimi të bëhet nga shoqëria civile?

A duhet që rinumërimi të bëhet nga KQZ-ja?

Andi Gjoliku, një nga nismëtarët e kërkesës për referendum, thotë se ka ardhur koha që vetë shtetasit të vendosin për fatin e votës dhe se kërkesa e tyre rrjedh nga e drejta që u jep kushtetuta.

Grupi i qytetarëve është në pritje të përgjigjes që duhet t’i japë KQZ-ja e cila, sipas ligjit, duhet ta bëjë këtë gjë brenda 20 ditësh.

Andi Gjoliku i tha BBC-së se dhunimi i të drejtës për të vetëvendosur përmes referendumit do të pengonte ëndërrën evropiane.

Ndërkaq, Presidenti i Republikës duhet të shpallë brenda 8 shtatorit datën e zgjedhjeve të reja lokale të vitit 2011.

Sipas ligjit, pas kësaj fletët e votimit të zgjedhjeve të mëparshme asgjesohen.

Çështja e fletëve të votimit vazhdon të jetë nyja gordiane në mosarritjen e marrëveshjes mes shumicës dhe opozitës për kapërcimin e krizës politike në marrëdhëniet mes tyre.

Opozita kërkon që transparenca e zgjedhjeve të kaluara të shtrihet deri te fletët e votimit të cilat, sipas saj, komisioni hetimor parlamentar duhet t’i rinumërojë sa herë materiali zgjedhor nuk e plotëson transparencën.

Por, shumica këmbëngul në qëndrimin e saj se kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm në përputhje me ligjin egsistues.