Bledar H. Prifti, 04.08.2010
A e pranoni faktin se Sali Berisha erdhi në pushtet në 2009-ën nga votat e deputetëve të LSI-së? A e pranoni faktin se Berisha mbahet në pushtet po nga votat e LSI-së? A e pranoni faktin se asgjë nuk mund të bëhet nga kjo qeveri pa miratimin e Ilir Metës, Dritan Priftit dhe LSI?
A e pranoni faktin që Sali Berisha nuk mund të ndërmarrë asnjë iniciativë ligjore apo politike pa miratimin e LSI-së? A e pranoni faktin se (mos)aprovimi i ligjit për SHISH varet nga qëndrimi i LSI-së?
A e pranoni faktin se rasti i ndryshimeve në SHISH tregon se kjo qeveri dhe çdo produkt i saj politik, ekonomik, apo social nuk mund të bëhen apo mbijetojnë dot pa miratimin e LSI-së?
Besoj se për të gjitha pyetjet, mbarë opinioni publik do të jepte përgjigjen “PO!”. Kjo nuk do shumë sofistikim politik për t’u kuptuar, pasi një veprim i thjesht matematik dhe deklaratat politike nga aktorët kryesorë të qeverisë vërtetojnë një përgjigje të tillë.
Në emisionin “Top Story” të para disa ditëve, deputeti i LSI dhe njëkohësisht nënkryetari i Parlamentit, Z. Nasip Naço, deklaroi se qëllimi primar i lidershipit socialist pas zgjedhjeve të 28 qershorit ishte që të largonte Sali Berishën nga pushteti, “duke e ftuar LSI-në të bashkonte votat me PS-në”.
Por, këtë gjë “ne nuk e pranuam”, theksoi Naço, dhe preferuam një koalicion me Berishën kryeministër “për të pasur një stabilitet ekonomik, për të pasur stabilitet politik, për t’i shërbyer integrimit të vendit”. Naço, ashtu si edhe deklaratat e njëpasnjëshme zyrtare të LSI, e konsideroi tejet të suksesshëm bashkëpunimin e LSI-së me PD-në dhe Berishën.
Gjithashtu, jo më larg se para dy ditësh, në një konferencë për shtyp, LSI akuzoi Partinë Socialiste (PS) se po përhapte “panik” në popull në lidhje me gjendjen ekonomike të vendit, deklaratë e cila vjen pas dhjetëra deklaratash që e akuzojnë Partinë Socialiste edhe për “panik” për gjendjen politike në vend.
Për më shumë, vlerësimi i nënkryetarit të Parlamentit, z. Naço, për performancën e legjislativit dhe të Kryetares Topalli i afrohej cakut të adhurimit kur ai e vlerësonte përformancën e Kryetares me nota maksimale, duke e konsideruar performancën e legjislativit shumë produktive dhe të mbarë për demokracinë shqiptare (Naços nuk i kujtohet Ilir Meta që i vërsulej Topallit si Don Kishoti mullinjve të erës).
Nga ana tjetër, deklaratat e njëpasnjëshme të LSI-së na bëjnë të besojmë se edhe vlerësimi i zv.kryeministrit Meta për performancën e eprorit të tij, Kryeministrit Berisha, dhe homologëve të tij, Basha dhe Mediu, duhet të jetë me superlativa duke i përgëzuar këta të fundit për performancë të shkëlqyer në drejtimin e qeverisë aktuale, dhe, mbase, edhe asaj të mëparshme.
Por, në jetën e përditshme dhe nga analistë të ndryshëm dëgjojmë dhe lexojmë të flasin për një qeverisje që nuk para ndryshon shumë nga qeverisja e Berishës që prej ’96-ës. Këta analistë, me të drejtë, flasin kundër qeverive apo regjimeve që ka ndërtuar Sali Berisha që nga viti 1996 e deri më tani.
Flasin për të keqen e madhe që ka pllakosur politikën dhe shoqërinë shqiptare nën diktatin e kryeministrit Berisha. Flasin për monopole dhe klane që kanë uzurpuar dhe po uzurpojnë ekonominë.
Gjithashtu, ata flasin për tendencat grabitqare që ka Berisha për të vendosur nën hyqëm të gjitha institucionet e pavarura, sidomos gjykatat, SHISH, dhe Presidentin. Për më shumë, ata flasin për tragjeditë dhe Gërdecat që Berisha i ka shkaktuar dhe po i shkakton shoqërisë, ekonomisë dhe demokracisë sonë.
Me pak fjalë, ata flasin për gjithçka të keqe që ka lidhje me të qenit e Berishës kryeministër. Sipas asaj që fjalosin këta analistë, duket se ata pretendojnë se e vetmja zgjidhje për ta shpëtuar shtetin, ekonominë dhe demokracinë shqiptare do të ishte largimi i Sali Berishës nga posti i kryeministrit dhe ndalimi i metodave Berishiane të qeverisjes.
Fatkeqësisht, sot e kësaj dite, vendi ynë drejtohet akoma nga kryeministri Sali Berisha përmes metodave që tashmë dihen që janë “pasioni” i tij. Por, nëse dje ai ishte i vetëm në qeverisjen “alla-berishjane, sot ai ka me vete edhe Metën dhe LSI-në.
E vërteta është se Berishën e njohim të gjithë, pa përjashtim. Berisha asnjëherë nuk ka qeverisur ndryshe dhe asnjëherë nuk e ka marrë apo mbajtur pushtetin përmes kredos dhe kuotave të tij politike.
Në vitin 2005, ai erdhi në pushte fal diversionit dhe çarjes politike të së majtës dhe largimit të Metës dhe LSI-së nga e majta socialiste. Kurse në vitin 2009, Berisha e rimori përsëri pushtetin fal diversionit të promovuar brenda së majtës, maskaradës zgjedhore “alla-berishiane” të 28 qershorit, dhe pazarit me LSI-në.
Ndaj, nuk mund të kërkohet shumë nga Berisha, jo sepse nuk është e drejtë të kërkohet, por, sepse nuk ka asnjë gjasë që kërkesat të kenë ndonjë impakt real në politikë dhe qeverisje.
Shumë nga ju do të pyesnin: “Atëherë i kujt është faji që ne kemi sot e kësaj dite një qeverisje “alla-berishiane” si ajo e ’96-ës?”
Normalisht dhe logjikisht, përveç fajësimit të Berishës, të gjithë do të mendonim se realisht faji për këtë “surprizë të pakëndshme” do t’i atribuohej Metës dhe LSI-së, të cilët sollën, po mbajnë dhe po i shërbejnë përmes pazarllëqeve qeverisjes “alla-berishiane”.
Por, çuditërisht, sipas disa analistëve dhe mediave, fajin për këtë qeverisje të mbrapshtë na e paska opozita socialiste. Dhe ky deklarim na sjell ndër mënd një gjëegjëzë të shkëputur nga humoristët e famshëm vlonjatë dhe një skeç nga humoristët po aq të famshëm fierakë.
Të parët hedhin gjëegjëzën: “Doktor, këtu kemi një mullar me barë. Na vjen një lopë dhe një gomarë. Kush e hëngri barin i pari, lopa apo gomari?” Dhe përgjigjja “e saktë” është “Delja!” e fshehur pas mullarit.
Nga ana tjetër, humoristët fierakë vajtojnë vjedhjen e lopës së Canes, duke fajësuar Canen se nuk kishte mbyllur mirë kasollen, se flinte si i vdekur natën dhe se nuk mbante një qen për të ruajtur lopën natën. Por, ndërsa të gjithë u fokusuan tek “fajet” e Canes, asnjë nga miqtë dhe shokët nuk fajësoi hajdutin për lopën e vjedhur.
Të dyja këto pjesë humori na tregojnë realitetin e diskursit politik sot në media nga disa analistë. Akuzohet opozita se nuk arriti të mbronte votat e 28 qershorit, edhe pse në një vend demokratik votat janë të mbrojtura nga ligji dhe jo nga grupime paramilitare tipike në xhunglave Afrikane.
Akuzohet opozita se hartoi një kod Zgjedhor që i shërbente Berishës, edhe pse injorohet fakti se me kodin e vjetër në zgjedhjet e 2005-ës Berisha fitoi shumë më thellë se në 2009-ën me kodin e ri Elektoral.
Akuzohet opozita se me ndryshimet kushtetuese ajo reduktoi fuqinë e Presidentit, fuqi e cila mund të përdorej (Një Zot e di se si!) si presion/mjet për largimin e Berishës, edhe pse Kushtetuta e vjetër dështoi që ta përdorte zgjedhjen e Presidentit si mjet për të larguar Berishën.
Akuzohet opozita se nuk pranoi të bënte koalicion me Metën dhe LSI-në, edhe pse një koalicion i tillë ishte i pamundur për shkak të ambicies dhe “urisë” së tejskajshme të Ilir Metës për t’u bërë kryeministër i vendit dhe lider i së majtës. Kjo ishte edhe arsyeja se përse Meta, Prifti dhe LSI nuk e kishin për gjë që të shkëputeshin nga PS në 2004-ën dhe të shkaktonin humbjen në zgjedhjet e vitit 2005.
Akuzohet opozita se nuk reagoi fuqishëm dje kundër Berishës pas tragjedisë së Gërdecit, edhe pse të gjitha gjasat do të ishin që shumë intelektualë dhe analistë do t’i cilësonin protesta e opozitës si një shfrytëzim të fatkeqësisë njerëzore për përfitime politike.
Ky hamendësim u vërtetua plotësisht gjatë bojkotit, protestave dhe grevës për votën e lirë dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit kur shumë nga këta analistë deklaronin se ishin për transparencë, por nuk i mbështesnin protestat e opozitës për shkak se ato bëhen për arsye pushtetit.
Me këta analistë dhe intelektualë të zë belaja e proverbës “çfarë uji i ke dhënë gomarit, të ftohtë apo të ngrohtë?” Ndaj mund të themi pa frikë, se si fatkeqësia e Gërdecit dhe maskarada e zgjedhjeve të 28 qershorit nuk nxorën në dritë paaftësinë dhe kurajën e opozitës, por paaftësinë e analistëve, mediave dhe gjithë intelektualëve për të mbrojtur interesat e shoqërisë Shqiptare nga qeverisjet “alla-berishiane”.
Fuqia dhe apeli i 100 politikanëve të opozitës as nuk mund të krahasohen me fuqinë dhe apelin e 300,000 intelektualëve shqiptarë.
Me sulmet kundër opozitës, media, analistët dhe klasa intelektuale kërkojnë të mbulojnë dështimin e tyre të radhës. Edi Rama dhe opozita mbarëpopullore kanë dëshmuar se ata kanë vënë edhe jetën e tyre në rrezik për të rrëzuar regjimet dhe qeveritë “alla-berishiane”.
Në 1996-ën, Edi Rama u la për të vdekur në kanale nga forcat speciale të Berishës dhe mijëra socialistë të tjerë u masakruan dhe u internuan vetëm e vetëm se nuk mund të pranonin një qeverisje “alla-berishiane” si ajo e ’96-ës.
Për më shumë, akuzohet opozita se përmes bojkotit po anashkalon institucionin e parlamentit, edhe pse parlamenti është shndërruar në një teatër kukullash që përdoret për të argëtuar dhe plotësuar epshet e kryeministrit Berisha dhe adjutantit të tij Meta.
Akuzohet opozita për çdo gjë që nuk u pëlqen këtyre syresh, por askush nga këta nuk arrin ta kuptojë se mbrojtja e së drejtës kushtetuese qëndron në majën e hierarkisë së nevojës demokratike. Nuk mund t’i kërkosh viktimës të gjykohet nga xhelati apo institucionet që kontrollohen nga ky xhelat.
Ndjej keqardhje për këdo që nuk arrin të kuptojë kaq gjë të thjeshtë dhe që merret me sofizma dhe sentimentalizma që nuk kanë asnjë lidhje me vendin dhe situatën, në të cilën ndodhet demokracia Shqiptare.
Ashtu si me “lopën e Canes” dhe gjëegjëzën e mullarit, lopës dhe gomarit, edhe në rastin tonë asnjëri nuk merret me shkaktarin e vërtet, hajdutin, apo me atë që e ndihmoi hajdutin të vjedhë mëhallën.
Nëse sot ne kemi një qeverisje hajdutësh, kusarësh, bastardësh dhe të paaftësh, kjo është përgjegjësi kryesore e Berishës e Metës. Opozita dhe populli janë thjeshtë viktimat e kësaj martese apo çorbe politike që ka krijuar një qeverisje djallëzore dhe të paaftë.
Por, meqenëse Berisha nuk gëzon dhe nuk ka gëzuar ndonjëherë vlera, moral, kredo, dhe mbështetje politike popullore, dhe duke qenë i pandryshueshëm në metodat e tij qeverisëse, të gjitha përgjegjësitë politike DUHET t’i atribuohen asaj force politike që i jep jetë dhe mbanë gjallë modelin “alla-berishian” të qeverisjes, forcë e cila është LSI.
Ndaj, besoj fuqishëm se ka ardhur koha që të mos të merremi më me sofizma të pavenda dhe me gjetjen e gjëegjëzave politike të hedhura nga të marrë politikë dhe as të sulmojmë viktimën opozitë për paaftësi që nuk u mbrojt nga kriminelët dhe hajdutët.
Ne jetojmë në demokraci dhe jo në xhunglat Afrikane, dhe si i tillë, opinionbërja dhe diskursi politik duhet të jetë e drejtuar nga principet dhe vlerat demokratike dhe jo nga përqasjet dhe mentaliteti primitiv.