Shteti ‘nënkontrakton’ borxhin

0
41

Ervin Bushati, 04.08.2010

Qeveria e vendit ka gjetur një zgjidhje origjinale për të përballuar…
përgjegjësinë ndaj borxhit publik dhe detyrimeve financiare që ka ndaj të tretëve: borxhin afatmesëm ua ka kaluar në ngarkim firmave vendëse që kanë kontrata me shtetin dhe atë afatgjatë ua ka lënë në kurriz brezave të ardhshëm të shqiptarëve. Ndonëse në dukje një zgjidhje origjinale, është e papërgjegjshme, e dëmshme dhe e rrezikshme mënyra me të cilën filozofia e “kursit ’97” ka marrë peng qeverisjen e vendit.

Në rastin famëkeq të piramidave, Qeveria e mbuloi papërgjegjësinë e saj qeverisëse me 1.4 miliardë dollarë nga kursimet e shqiptareve. Në atë kohë kjo shkrirje masive ishte sa 40% e ekonomisë vendëse, ndërsa hyri në historinë e njerëzimit si ngjarja e vetme në botë me një skemë të tillë piramidale e përmasave kombëtare. Me këtë kolaps total, dueti që ka përsëri në dorë financat shqiptare, siguroi vendin e sigurt në rekordet Guiness. Ironikisht, kjo e bën mediatikisht të kotë përpjekjen e ‘magjistarëve ekonomikë’ (prodhim vendas) për të zënë vendet e para në çdo tabelë globale arritjesh e suksesesh.

Fonde publike të shpërdoruara vjet dhe administrimi prej krize i ekonomisë nga Qeveria që kemi sot na kanë dorëzuar si shtet para gjendjes së trishtë të një stresi financiar: një stres që ndihet nga mungesa e theksuar e likuiditetit në treg. Rendja e Qeverisë pas taktikave miope populiste ka lënë vendin tonë pa vizionin e një strategjie definitive zhvillimi ekonomik. Ekonomia sot është e mbyllur brenda zinxhirit të një “rrethi vicioz”, që ka farkëtuar pushteti që qeveris Shqipërinë. Shteti sot e ka mbyllur kapitalin ekonomik të Shqipërisë në një zinxhir borxhesh, ndërkohë që mban peng biznesin, sipërmarrjen dhe kapitalin brenda vendit.

Shteti shqiptar asfikson ekonominë dhe biznesin vendës, sepse Qeveria Berisha nuk paguan dot detyrimet që i ka sipërmarrjes vendëse: borxhe për punime të kryera dhe shërbime të ofruara, që nuk financohen edhe pasi ato janë përfunduar.
Qeveria vendëse nuk mund të jetë korrekte në financimin e biznesit shqiptar, sepse ajo nuk ka para në arkën e shtetit për të përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj këtyre firmave. Gropa e zezë e buxhetit të shtetit thith fondet e destinuara për pagesat dhe financimet e investimeve në vend.

Ministria e Financave në vend që t’u përgjigjet me likuidim firmave dhe të respektojë detyrimet ligjore e financiare që ka, në afat dhe me përgjegjësi maksimale, vazhdon merret me përgjigje absurde ndaj opozitës. Qeveria shqiptare e momentit nuk respekton shqetësimin legjitim të zërit opozitar, ashtu si nuk respekton dot kontratat që e detyrojnë me ligj të financojë punimet dhe shërbimet e kryera nga sipërmarrësit vendës. Hallkat e borxheve të shumta të Qeverisë janë zinxhiri në qafën e biznesit shqiptar sot.

Dështimi i lëvrimit në kohë të një Eurobondi prej 400 milionë eurosh në tregjet ndërkombëtare, ka bërë që Qeverisë t’i shterojë durimi – bashkë me likuiditetin financiar.

Është ky likuiditet i shteruar që e shtyn Kryeministrin drejt asaj që di të bëjë më mirë: të thyejë ligjin dhe të shkatërrojë balancat financiare dhe monetare të vendit të tij. Sot detyrimet ndaj biznesit nga Qeveria janë mbi 150 milionë euro; sot shteti shqiptar nuk paguan dot borxhin që i ka biznesit.

Me sa duket qartë, Qeveria nuk ka kryer asnjë nga reformat ekonomike, ashtu si nuk respekton në mënyrë kriminale detyrimet ligjore me biznesin në vend. Një shtet që nuk i përmbahet “kontratës sociale” ose dhe asaj financiare nuk mund të këtë moralin e duhur për të kërkuar korrektesë tek qytetarët apo dhe sipërmarrësit e vet. Klima e dyshimit bën hije mbi seriozitetin e shtetit shqiptar, seriozitet që sot është marrë peng nga qeverisja spontane dhe emotive e maxhorancës aktuale me një profil tërësisht klanor dhe personal.

Qytetarët dhe biznesi shqiptar, këta pjesëmarrës integral të tregut tonë ekonomik e shohin me dyshim seriozitetin dhe vullnetin e shtetit për të përmbushur detyrën e tij.

Në të njëjtën kohë shohin akoma më me dyshim motivimin e një shteti që kërkon të përfitojë pa kontribuar. Në ekonomi, financa publike të sëmura gjenerojnë mosbesim. Mosbesim, i cili bllokon shpenzimet private dhe investimet në vend, duke sjellë rrënim të gjendjes ekonomike. Realiteti vërteton se ky fenomen i njohur ekonomik po ndodh: Qeveria mban peng ekonominë shqiptare në një “rreth vicioz” degjenerimi ekonomik.