SHQIPTARËT KAH EVROPA APO EVROPA KAH SHQIPTARËT

0
32

Më 9 Maj – në Ditën e Evropës

Iliro-shqiptarët janë të krishterët e parë në Evropë. Konstantini i Madh, nga Naisusi i Dardanisë, para 1698 vjetëve legalizoi krishterimin, ndërsa Shën Jeronimi ishte përkthyesi i parë në botë që ia ofroi Biblen edhe Evropës, kurse Gjergj Kastrioti e Nëna Tereze tashmë janë figurat më të mëdha shqiptare e botërore. Maksimilian Lamberzt: “Historia e vertetë e Evropës do të shkruhet kur shqiptarët të marrin pjesë në shkrimin e saj”

Shkruan: Frrok KRISTAJ

Më 9 maj, kur shënohet Dita e Evropës, si askush në Evropë duhet të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë, sepse, siç thotë Aleksander Stipçeviqi, “Dikur Iliria dhe ilirët e përbënin lëterin e Evropës”. Pra, nuk ishin grekët e as sllavët të krishterët e parë në Evropë, por nuk ishin as ata (grekët e sllavët) që e mbrojten krishterimin në këto troje e as në Evropë. Këtë duhet ta dijnë, por edhe e dijnë, evropianët e tashëm…
Sipas burimëve kishtare, në kohën e perandorit romak Hadrianit, të Dioklecianit e shumë të tjerëve, për shkak të përhapjes së krishterimit në trojet iliro-dardane u përsekutuan mizorisht Prokuli dhe Maksimi. Këta ishin mësuesit e martirëve dardan të krishterimit – Shën Florit dhe Shën Laurit, që të dy nga Ulpiana. Në fakt, martirët dardanë – Shën Flori e Shën Lauri njiheshin si gurëskalitës e gurëgdhëndës, skulptorë të njohur të kohës, festat e të cilëve kremtohet më 18 gusht në Grazhdanik të Prizrenit, e të cilët për shkak të dashurisë dhe të shërbimit të tyre ndaj krishtërimit pësuan fatin e kobshëm të mësuësve të tyre (të Maksimit e Prokulit) – u masakruan.
Dëshmi të tjera të përsekutimeve romake, që u behëshin misionarëve ilirë të besimit të krishterë, ka mjaft, si martirizimi i ipeshkvit të Durrësit – Shën Erzenit e Papë Eleuterit (ishte nga Nikopoli, kurse selinë papnore e mbajti nga viti 182-193). Ky papë ishte dëshmuar si mbrojtës i zellshëm i traditave apostolike kundër grabitëçarëve heretikë. Njëherësh, ky papë kishte dërguar Shën Fugacin e Shën Damjanin në Angli për ta përhapur fenë e Krishtit. Shën Asti, festa e të cilit kremtohet më 7 korrik, ishte ipeshkëv në Durrës, përkatësisht Shën Asti u martirizua nga perandori romak Trajani (98-117) dhe për dëshmi të Krishtit ai u lidh në kryq dhe vdiq nga etja dhe uria.

Iliri që Evropës ia ofroi Biblën
Shën Jeronimi (Sofronius Eusebius Hieronimus), që te arbëroro-shqiptarët njihet si Shën Xhera, jetoi rreth viteve 331-420. Ai ishte shkrimtar dhe ndër etërit më të urtë (doctor maxiumus) të Kishës së Perëndimit. Shën Jeronimi për vehte shkruan: “Jam meshtar nga Stridoni, i shkatërruar nga gotët, ku dikur ishte kufiri i Dalmacisë dhe Panonisë” (De Vir. III. C.135.opp.II.775), përkatësisht “tash Dalmacia është një vend bregdetar, që fillon nga Epiri, ku gjendet Durrësi, dhe shtrihet deri të Kvarneri dhe aty në mbrendi gjendet qyteti Stridon, i cili dikur ishte kufi në mes të Dalmacisë dhe Panonisë” (Thoma Arcchidiaconus, Ed. Zagreb, 1894, p. 3). Ai ishte edhe sekretar i papë Damasit. Vdiç në Betlehem.
Nga veprimtaria e gjerë letrare dhe shkencore e Shën Jeronimit duhet të përmendim epistolografinë dhe përkthimet, egzegezën dhe biografinë letrare. Pa dyshim se vepra më e njohur e tij është “Letrat” (Epistola), që deri më tash kanë mbetur 126 sosh, pastaj përkthimi i Biblës – “Vulgata” (382-406), që në të vërtetë është Bibla e parë që iu ofrua popujve në Evropë në gjuhën zyrtare – në gjuhën latine. Ai shkroi edhe kryeveprën e tij “Librin mbi njerëzit e shkëlqyer”. Po ashtu, ai ka lënë shënime të çmuara për Ilirinë, për ngjarjet historike që lidhën me Ilirinë. Kështu, ai përshkruan sulmin kobëzi të fiseve gote “ku shkatërrohen qytetet dhe vriten njerëzit, ikin dhe rrallohen edhe kafshët, zogjtë dhe peshqit. Për këtë është dëshmitarë Iliriku, është vendi ku jam i lindur, ku çdo gjë është zhdukur përveç qiellit”. Për ndryshe Shën Jeronimi ka lënë edhe vepra të tjera më përmbajtje fetare, pedagogjike, filozofike dhe letrare (Imzot Nikë Prela “Shënjtëritë – pajtorët tanë”, “Drita”, 1995, Ferizaj, f. 56-59).
Është më rëndësi të theksohet se figurën e Shën Jeronimit e pikturoi edhe vetë Leonardo Da Vinçi, por njihen edhe mbi 1500 portrete të Jeronimit në pikturën evropiane. Disa figura dhe relieve i ka bërë edhe skulptori i madh shqiptarë i shekullit XV Andrea Aleks Durrësaku.

Shën Niketa – simbol i traditës sonë muzikore
Shën Niketë Dardani (340-414) ishte letrarë dhe autori më i njohur i kohës për krijimet sakrale. Ky dijetar i kryehershëm i traditës sonë kishte lidhje miqësore me personalitetet më të shquara të kohës në Evropë, si me Aurel Ambrosin, ipeshkv i Milanos, më filozofin Agostin e Iponës, më poetin Paloin Nolani, më papë Inoçentin I, e shumë të tjerë.
Shën Niketë Dardani në moshën 26 vjeçare ishte emruar ipeshkv i Remesianës (18-20 km. në lindje të Noissusit të Dardanisë, por mund të jetë edhe Rimanishta e sotme afër Prishtinës).
Ndër himnet më të njohura të Niketës çmohet sidomos himni “Te Deum” (Ty o Zot), “De psalmodiae bono” e shumë të tjera, të cilat kanë rëndësi të madhe për historinë e traditës sonë kulturore e artistike, qoftë si përmendore të hershme të himneve, qoftë si vepra të zgjedhura në repertorin paleokristiane të mbarë botës kristiane (Ramadan Sokoli “16 shekuj”, “Eurorilindja”, Tiranë, 1994, faqe 11-48).

Shenjtërit iliro-arbëroro-shqiptarë
Do përmendur së në mbrojtje të krishterimit janë martirizuar edhe shumë pjesëtarë ilirë, përkatësisht dardanë të tjerë, si Martini, Kuirini, Irineu, Dankati, Emilioni, Luani, Nika, Paulini, Venanci, Luli, Agatoni (Miroshi), Martin Albani, Franë Durrësaku, Gjergj Albani, Prena, Hermili, Stratoniku, Cezari, Adroniku, Izaci, Kodrati, Donati, Romuli, Sivani, Mikel Albani, Pjetëri i Vlorës, Angjelina e Shqipërisë, Gjon Rrobaqepësi, Septimi, Viktorniku, Timoteu, Diogjeni, Pjetër Bardhi, Papë Eleuteri, Gjergj Jubani, Gjergj Suma, Dhimitër Vlora, e kështu më radhë.
Do përmendur se barku iliro -shqiptarë ka dhënë edhe 10 papë iliro-arbëroro-shqiptarë përkatësisht papë me prejardhje shqiptare, si Papë Klimensi I ishte papë gjatë viteve 90-92 (aty-këtu thuhet se ishte papë nga viti 99-101), Papë Piu I (140-155), Papë Eleutherus (175-192), Papë Urbani I (222-230), Papë Caiusi (283-296), Papë Gjoni IV (640-642), Papa Pali IV (1555-1559), Papë Sisti V (1585-1590), Papë Klementi XI apo Gjon Françesk Albani (1700-1721) dhe Papë Klementi XII (1730-1740).
Njëherësh, shënjëtore janë edhe 12 virgjëreshat e Sirmit, 70 martirët e Sirmit, afro 100 martirët e Karadakut, 64 martirët e paraluftës së Dytë Botërore, mbi 200 martirët priftërinjë e murgesha të kohës së sundimit enverian në Shqipëri e komunist në Jugosllavi, që të gjithë së bashku kishin kryer afro 500-vjet studime në rreth 30 universitete të Evropës, e të cilët ishin dënuar me afro 10 shekuj burgje (“Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, Shkodër, 1993), deri të mbrojtësi i trojeve etnike shqiptare dhe krishterimit evropian – Gjergj Gjon Kastrioti – Skënderbeu, përkatësisht deri te humanistja më e madhe në botë, që ishte bijë e nënë e shqiptarëve dhe nënë e mbarë botës – Nëna Tereze.
Në anën tjetër, edhe Nëna Angjelinë (e bija e Gjergj Arianitit, përkatësisht motra e Donikës (Andronikës), bashkëshortja e Gjergj Kastriotit) ishte shenjëtresh e besimit ortodoks shqiptar, të cilën e përvetësuan serbët dhe ia ngriten Manastirin në Krushnidol të Arqipeshkvise së Sremit, pastaj Atenagora, Maksim Grek, që është i varrosur në Moskë të Rusisë e të tjerë.
Pra, toka shqiptare i përmbylli 2000 vjetët e krishterimit me emërin e humanistës më të madhe në botë, me emërin e nobelistës së paqes, me emërin e nënës së nënave të botës, me emërin e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze. Homazhi i 2000-vjetorit të krishterimit ka një figurë qendrore – Jezu Krishtin, kurse fillimi i tremileniumit do t’i ketë: Jezu Krishtin dhe dëshmitarën më të madhe të krishterimit Nënën Tereze. Ajo ishte shenjëtreshë e gjallë e këtij shekulli. Ajo ishte kala e fortë shqiptare – shtatëshkurtër, e vogël, por e madhe sa globi, që e ushqeu botën me dashuri.

Kishat ilire më të vjetërat në Evropë
Pas legalizimit te krishterimit në Evropë, edhe në tokat ilire ky besim zhvillohej lirisht (me Ediktin e Milanos të vitit 313 (para plot 1702 vjetëve) të Konstantinit të Madh, që ishte ilir nga Noisusi i Dardanisë). Kudo ngriheshin kisha e organizoheshin famulli, dioqeza e ipeshkëvi.
Sipas të dhënave, deri në fillim të shekullit V vetëm në teritorin e Dardanisë ishin të themeluara disa dioqeza, si ajo e Shkupit, Ulpianës, Neutinës, Diokletianës, Marianës, Justinianës së Parë, Zaparës dhe Stobit, por gjithsesi duhet përmendur së ndër ipeshkëvitë ilire më të vjetëra pa dyshim së është ajo e Durrësit, Nikopolit, Tivarit, Shkodrës e Shkupit. Bile në jetën e kishës dardane edhe të krishtërimit të saj, rol të rëndësishem ka luajtur edhe Kisha e Selanikut dhe ipeshkëvitë e saj.
Pra, kishat iliro shqiptare janë më të vjetërat në Evropë, kurse populli iliro-arbëroro-shqiptarë paraqet të krishterët e parë në këtë kontinent, bile edhe para Romës. Iliria dhe ilirët ishin të krishterë, ishin ata që krishterimin e mbrojtën mu nga romakët, çka do të thotë se iliro-shqiptarët nuk e morën me dhunë krishterimin nga romakët, por atë ua dhanë romakëve dhe jo vetëm atyre, por edhe pjesës më ta madhe të Evropës.
Kësaj filozofie iliro-arbëroro-shqiptarët i dhanë edhe koloset më të mëdhenjë të kulturës, të arteve, të shkrimit dhe të mbarë qytetërimit. Këtë më së miri e ilustron thënia e albanologut më të famshem gjerman, Maksimilian Lamberzt: “Historia e vertetë e Evropës do të shkruhet kur shqiptarët të marrin pjesë në shkrimin e saj”.

Latinishtja dhe greqishtja i lënë vendin shqipës
Mons Rrok Mirdita, arqipeshkv i Tiranës, në simpoziumin ndërkombëtar që i kushtohej 2000-vjetorit të krishterimit ndërshqiptarë, e që u mbajt në Tiranë në vitin 1999, ndër të tjera pat thënë se “Trojet etnike shqiptare janë toka ku Lindja hedh hapin drejt Perëndimit dhe Perëndimi drejt Lindjes, toka ku kulturat takohen, ku historia takohet me dritëhijet e saj. Është vështirë por është edhe sfidë të përballosh nevojen dhe kërkesën për të reflektuar mbi rrënjet dhe trungun e këtij populli, sa të lashtë aq edhe të ri, sa të njohur aq edhe enigmatik, sa të vuajtur dhe të përvuajtur aq edhe me të drejtën për të gëzuar identitetin e tij, që fshihen nën velin e vitëve dhe të shekujve.
Ashtu si historia rrezikon të mbetet e pa vërejtur nëpër palet e kësaj toke të thyer, ashtu edhe kjo tokë rrezikon të mbetët e pa vërejtur nëpër palet e thyera të historisë së botës, ku qëndron si pikëpyetje, por edhe si margaritar.
Nga Lindja ka fryer gjithmonë puhiza e dijes së lashtë, por nuk kanë munguar edhe kohët në të cilat kjo dije ka qenë e dehur nga etja për pushtet. Nga Perëndimi ka hedhur spirancën në brigjet e Detit Jon dhe të Detit Adriatik dhe ka depërtuar thellë në damarët e historisë qytetërimi i denjë për kulturën e brumosur me shpirtin e krishterë. Në këto troje është krijuar refleksi mbresëlënës i një fushe ku dy perandori luajnë betejen e tyre përfundimtare për fitore apo kapitullim.
Për të soditur imtësisht panoramen e historisë shqiptare nevojiten sytë e shqiponjës dhe të kukuvajkës. Sytë e shqiponjës për t’i shikuar agimet dritëplote dhe rizgjimet shpresëdhënëse. Sytë e kukuvajkës për të kundruar perëndimet e dhimbëshme dhe netët e errëta. Vetëm kështu horizontet fillojnë të duken dhe del në pah fizionomia identifikuese e një populli që zhgropos nga harresa të kaluarën e vetë për ta përdorur si thesar. Qytetrimi shqiptar i ka rrënjet e veta në terrenin pjellor të qytetërimit të lashtë mesdhetar. Në këtë tokë bëhet fjalë për arritjen në brigjet e kësaj bote të Lajmit të Gëzueshëm – Lajmit që i jep qëndrueshmëri ekzistencës – krishterimi”.

Jubileu që tërheq vëmendjen mbi ritmet e historisë
Kurrë më shumë se sot nuk ka qenë më magjepës angazhimi për të hedhur një shikim retrospektiv mbi kthesat e së kaluarës. Rrjedha e motëve ka nevojë për prehje, ka nevojë ta ndalojë hapin për të bërë llogaritë me vetvetën, që të ketë lehëtsinë e shtegëtarit të palodhëshem.
Aty ku Lindja i hapët Perëndimit dhe Perëndimi Lindjes filloi një epokë e re. Roma dhe Konstatinopoja janë dy mushkëritë më të cilat merr frymë shpirti i krishterë i një populli që ka gjetur horizontet e reja të ekzistencës. Në tokën e takimit gëdhendet vija e ndarjes, kufiri i dy realitetëve.
Për shumë kohë, kultura lindore është ushqyer më perëndimorën dhe anasjelltas, e ndryshimi, në vend që të ishte shkak ndareje, është bërë arsye paqeje. Nga vetëdija e historisë del në pah etapa e dhimbëshme por edhe e lavdishme.
Enigma e përkatësisë lindore ose perëndimore shfaqet dhe rishfaqet vazhdimisht, por qëndrueshmëria e një identiteti autokton zotëron mbi dualizmat gllabëruese.
E folura latinisht apo greqisht i le vendin e parë të folurit shqip dhe administrata politike merr format e principatave të pavarura që në periudhën e mesjetës janë pararojë në kompleksin politik, jo vetëm mesdhetar, por edhe mbarë evropiane. Kisha i jep substancën njësuese shumësisë së administratave. Që nga Dalmacia e deri në jugun e Epirit flitet me gjuhën e atij që e ka lindur krishterimin në këto anë – Shën Palit, apostullit të Ungjillit.

Rizgjimi i vetëdijes së përgjumur
Herë pas here rrjedha e kohërave ka nevojë për prehje, vendpushim e rimendim. Ndaj jubiletë janë fazat e rifleksimit dhe të rizgjimit të vetëdijeve të përgjumura. Në këtë prizmë orvatemi të përshkojmë ndoshta atë që është fija e artë e traditës më jetëgjatë të këtyre trojeve, edhe pse e martirizuar nëpër dallget e vrullshme të vuajtjes.
Koha e dashurisë së Atit lind në fe. Ndaj, një komb, si yni, dhe i jep shqiptarëve vendin e barabartë në tryezën e popujve. Kjo kohë përqafon të gjithë harkun kohor nga vitet e para pas Krishtit deri në fundin e mesjetës. Koha e vuajtjes, vdekjes dhe e ringjalljes janë Pashkët, kohë kjo edhe e ringjalljes së popullit shqiptarë.
Edhe kombet më fisnike duhet të përkulen dhe të bëjnë homazh përpara kësaj faqeje, pra edhe para popullit tonë, sepse trojet etnike shqiptare u flijuan në Evropë dhe për Evropën. U poshtruan deri në vdekje nga romakët, sllavët, turqit e prapë sllavët. Megjithatë, nuk ka Pashkë pa ringjallje.
Dhe, ja sot, po e përjetojmë një Shqipëri dhe një Kosovë të ringjallur dhe jo vetëm një Shqipëri e një Kosovë, por edhe viset tjera etnike shqiptare po e përjetojnë një ringjallje. Ditët e çlirimit të madh kanë zbardhur. Na takon neve t’i mbushim me vepra këto ditë e kohë, por kjo rimbushje duhet t’i gjejë këto troje të bashkuara në Evropën e bashkuar.