Bonuset antishqiptare ndaj Serbisë

0
34

Arben Rrozhani, 03.08.2010

Qeveria e Tiranës i ka dhënë një armë më shumë qeverisë së Beogradit për të vijuar politikën e saj antishqiptare në Ballkan, veçanërisht në qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës, shpallur në shkurtin e vitit 2008-të.

Deklarimi i ambasadorit të Shqipërisë në Beograd, se presidenti serb Tadiç është ftuar në Tiranë nga kryeministri shqiptar, Sali Berisha, botuar dje në shkrimin kryesor të gazetës beogradase “Danas”, nuk linte shkas për dyshime. Ministria e Jashtme e Shqipërisë e hodhi poshtë si “keqkuptim” gazetaresk, deklarimin e ambasadorit Shpëtim Çaushi që citohet nga “Danas”: “Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Në këtë kuadër, së shpejti do të ketë vizita të rëndësishme nga të dyja palët përfshirë këtu edhe vizitën e presidentit Tadiç në Shqipëri“, – shprehej ambasadori shqiptar, duke deklaruar se ftesa ishte bërë nga kryeministri Berisha dhe me këtë titull hapej dje edhe gazeta serbe.

Nëse Boris Tadiç do të vinte në Shqipëri si një qytetar serb, ai nuk do të ishte as i pari dhe as i fundit. Prej vitesh, sidomos gjatë qeverisjes së Nanos dhe më pas, për të kulmuar me qeverisjet e Berishës, serbët janë ulur “këmbëkryq” në Shqipëri, pikësëpari në biznes.

Miku më i ngushtë i kryeministrit të Shqipërisë është prej vitit 2005, një serb, i quajtur Damir Fazliç, i cili përfaqëson nëntokën e errët të kriminalitetit në hapësirën e ish-Jugosllavisë, sekser i familjeve që kanë pasur pushtetin ekonomik dhe sot kanë edhe atë politik në Serbi, apo Bosnje-Hercegovinë.

Ky njeri ka fituar falë mbështetjes së qeverisë shqiptare pasuri (të deklaruar nga ai vetë) mbi 50 milionë euro vetëm në një rast koncesioni dhe është ndërmjetës së disa marrëveshjeve që Shqipëria ka lidhur me firmat serbe, për të importuar energji elektrike në kohën e krizës energjetike, ka ndërmjetësuar edhe afrimin e lobimit të një zyrtari të lartë amerikan, për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe është vazhdimisht i pranishëm në Tiranë, nën shoqërinë e ministrave të kabinetit “Berisha”.

Qeveria e Shqipërisë i ka shqyer dyert për biznesin serb në vend. Ai ka shtënë në dorë rrjetin e furnizimit të vendit me mallra të konsumit të gjerë, që vijnë direkt e nga mapot e biznesmenit pro qeveritar, Mirosllav Mishkoviç, i pasuruar dikur si bashkëpunëtor i Millosheviçit.

Katër muaj më parë, ministri për Minierat dhe Energjinë i Serbisë, Petar Skundriç, tregoi synimet e qeverisë së Beogradit për të shtuar praninë në Shqipëri, në fushën e energjetikës, minierave dhe të industrisë. Serbia ka premtuar se do ta furnizojë Shqipërinë me gaz, nëse nëpërmjet saj do të kalojë tubacioni “South Stream”, ose përdorimi i infrastrukturës shqiptare për shkëmbime tregtare.

Boris Tadiç, nëse do të vinte në Shqipëri me kostumin e biznesmenit apo turistit, kësisoj nuk do të ishte problem, por një shans më shumë për qeverinë. Problemi është se Tadiç është premtuar se do të vijë në Tiranë, për herë të parë në histori, si president i shtetit të Serbisë, vendit që ende është i aftë të mbajë pezull dhe të trazojë paqen e brishtë në hapësirën e ish-Jugosllavisë, mbi të gjithë në shtetin e pavarur të Kosovës.

Boris Tadiç u zgjodh si president i Serbisë, duke mundur radikalët e Vojislav Shesheljit dhe socialistët e ish-partisë së Slobodan Millosheviçit, duke premtuar integrimin e vendit në Europë, por duke mos hequr dorë nga mbajtja e Kosovës.

Sa më shumë kalojnë vitet, sa më shumë vende e njohin shtetin e pavarur të Kosovës, sa më shumë organizmat ndërkombëtare i japin të drejtë vendimit për pavarësinë e shtetit, aq më të larta dhe të ashpra bëhen tonet e Beogradit për të anuluar vendimin e pakthyeshëm të ndarjes përfundimtare të zgjedhës serbe ndaj shtetit të Kosovës.

Boris Tadiç si president nuk mund të vijë në Shqipëri, pa kërkuar më parë falje zyrtare për masakrat që janë bërë mbi shqiptarët në Kosovë gjatë regjimit të Millosheviçit, zhdukjes së mijëra shqiptarëve që ende nuk dihet ku janë varrosur.

Nuk mund të vijë pa kërkuar falje edhe për ato qindra viktima, të vrarë dhe të sakatuar përjetë në kufirin verilindor të Shqipërisë me Kosovës, që u mbollën me mina antinjeri gjatë luftës së viteve 1998-1999 nga ish-armata jugosllave.

Pa kërkuar falje për politikën e përbaltosjes së Shqipërisë nëpër botë, sepse prokurori i Serbisë sa herë citon Shqipërinë, do të përmendë “shtëpinë e verdhë”, të ashtuquajturin vend, ku pa baza dhe fakte shqiptarët akuzohen se kanë marrë vrarë serbët e rrëmbyer gjatë luftës së Kosovës për trafik organesh.

Kur në marsin e shkuar ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, vizitoi Beogradin dhe më pas luginën e Preshevës së banuar nga shqiptarë, qeveria u ngut të shprehej se ky ishte një sinjal për afrimin e mëtejshëm të vendeve dhe përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në Serbi.

Qeveria e Shqipërisë shpejtoi edhe të heqë vizat e qëndrimit afatshkurtër për shtetasit e Serbisë, me arsyetimin se kjo masë do të lehtësonte lëvizjen edhe të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të gjithë shtetasve serbë me kombësi shqiptare, të cilët për shkak të regjimit të vizave, që të hyjnë në Shqipëri u duhet të marrin vizë në ambasadën shqiptare në Beograd.

Por pozita e shqiptarëve nuk u përmirësua pas bonuseve të Shqipërisë, dhe i vetmi investim i ri në luginën e Preshëvës është një bazë e re e ushtrisë serbe, ndërsa shqiptarët vijojnë ende të përfitojnë nga liberalizimi i vizave të Serbisë në zonën Shengen, duke u larguar masivisht nga trojet e tyre në kërkim të mbijetesës.

Qeveria e Serbisë ende nuk ka vendosur të heqë vizat afatshkurtra për shtetasit e Shqipërisë, kur këtë e bëri pak ditë më parë për 70 milionë shtetasit e Turqisë, edhe pse Shqipëria pret në fund të vitit liberalizimin e vizave me hapësirën Shengen dhe, ku gati shumica e vendeve të Ballkanit nuk u kërkojnë më viza shqiptarëve.

Në kohën kur Ballkani kërkon t’i bashkohet pjesës tjetër të Europës, është e domosdoshme që paqja dhe siguria të ketë zënë rrënjë në këto vende, të cilat prej shekujsh janë përgjakur, sigurisht nga planet e kralëve serbo-malazezë, më pas mbretërisë së Karagjorgjeviçëve dhe më pas nga regjimet e Titos dhe të Sllobodan Millosheviçit.

Por thirrjet e inspiruara nga Beogradi për veriun e Kosovës, klithmat për gjak shqiptari në përkujtimin e disfatës serbe në betejën e Fushë-Kosovës dhe manovrat diplomatike për të ndërprerë rrugëtimin e Kosovës si shtet i pavarur, janë kundër paqes dhe bashkëpunimit në rajon, veçanërisht mes serbëve dhe shqiptarëve.

Dhe pa mbyllur këto llogari, ku serbët u janë aq borxhlinj shqiptarëve, vizitat që propagandohen si “historike”, do të mbesin vetëm “histerike”, në vazhdën e histerisë antishqiptare në Ballkan.