America loves Fahri Balliu

0
65

Nga Bledi Mane, Public Enemy, 5 Korrik 2012

1./Fahriu, Saliu, Lulziu…

Dje ishin mbledhur të gjithë në ceremoninë e përkthimit dhe botimit të librit “Zemra e patriotit- si gjeta kurajë t’i mbijetoj Vietnamit”, kushtuar jetës së heroit amerikan Max Cleland, në 70 vjetorin e lindjes së tij. Kjo ceremoni, që përkon edhe me 236 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u organizua nga Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Shtëpinë Botuese ”55”.

Të pranishëm në këtë promovim ishin Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, Drejtori i Shtëpisë Botuese “55”, Fahri Balliu, si dhe përfaqësues të tjerë të fushës së politikës, diplomacisë, kulturës e atë ushtarake.

Joseph Maxwell Cleland njihet në Amerikë si një prej heronjve të mbijetuar të luftës së Vietnamit, i cili më pas u bë një eksponent i politikës vendase duke përfaqësuar shtetin Georgia në Senat, i zgjedhur nga Partia Demokratike.

Dje pra, Amerika kremtonte pavarësinë e saj të 236-të e rrethuar mes disa prej personaliteteve më monstruoze të vendit që e do më shumë se çdo kush tjetër në rajon. Dje flisnin për lirinë dhe sakrificat e Cleland-it në Vjetnam ish komunistët e regjur të pushtetit, Berisha dhe Balliu, të cilët dekada më parë mallkonin e shanin Amerikën me çfarë i përmbante pragu i shtëpisë. Dje fliste për vlerat e lirisë dhe demokracisë i klonuari kryebashkiak i Tiranës, i cili mban veshur tangat e vjedhura të zgjedhjeve lokale.

Dje vetë Amerika, ndërsa shpërblente me flamurin e mirënjohjes Fahriun e tragjedisë së Gërdecit, Fahriun e 55 poshtërsive të pushtetit, qeveria e një tjetër Fahriu tropojan shpërblente me 18 milionë euro shtesë (jo dollarë) kompaninë fantazmë të kunatës së Fahriut të vejushës së zezë. Dje nga brinjët e thyera të taksapaguesve vendas qeveria shkuli para të tjera për ndërtimin e rrugës Levan-Vlorë, e cila vetëm gllabëron para e kurrë nuk përfundon. Dje vetë Fahri dallkauku kishte dy gëzime në një ditë duke u rehabilituar në sytë e një superfuqie, e cila e kishte bërë okso prej vitesh e duke shtuar pasurinë e tij, e cila si për parashikim fillestar ka për t’iu përlarë nga i vetmi dhëndër që do i hyjë në derë.

Shqipëria ndërsa rrokej e zgjatej të puthte në amshim Amerikën me rastin e ditëlindjes, ndjeu se tre duar e kapën prej fyti, e tërhoqën zvarrë dhe e plasën në tokë. Dje Shqipëria e plakur para kohe, e fishkur në fytyrë nga turpi e pabukësia, e lyer zorshëm me make up të skaduar e me një buzëkuq dhuratë Stambolli, dje pra Shqipëria e veshur me rrobat e gabit e me flokë të larë me sapun Duru donte t’i shfaqej e bukur dhe e hijshme Amerikës së bekuar.

Kishte shkuar për qokë dje Shqipëria, por nuk e lanë të takonte atë që festonte ditëlindjen. Tre duar njëherësh e shtrydhën nga qafa e saj e hollë, por kjo e shkreta nuk pipëtiu. Edhe kur e shtrinë në tokë, edhe kur e gjuajtën me shkelma bythëve, thjesht kafshoi buzët dhe nduku dhimbjet. U çua rrëmbimthi, uli kokën e turpëruar dhe iku. Rrugës iu kujtua diçka, ndali një moment, u mendua dhe u nis sërish.

-Po shkoj në një tjetër ditëlindje, pëshpëriti. Atje besoj do të më pranojnë, festohet ditëlindja e fundit në opozitë…

Këputi disa lule pranë oborrit të një shtëpie te Pazari i Ri dhe shkoi të uronte Edi Ramën.

2./ Lazarat o për rehat

Dy herë kam qenë në Lazarat. Kam takuar shumë njerëz të mirë e të respektuar, por ende jam në dilemë se kurrë nuk e përcaktova nëse ai vend është një fshat apo diçka tjetër. Nuk pashë asnjë lopë, as mace, as dhi, as bajga, as bar, as ndjeva erën e fshatit. Makina pa fund dhe njerëz që bënin shopping në Gjirokastër. E di, e dini, e dinë me çfarë mbijeton ai fshat dhe nuk shqetësohem shumë. Më shqetësojnë këto aksionet dhe rrethimet e policisë bajate që bëhen këtë korrik të nxehtë.

Këto 22 vitet e fundit askush nuk mundi ta thyejë bastionin e këtij fshati plëngprishës, por mesa duket kësaj here qeveria e djathtë e paska seriozisht ta mposhtë këtë fshat të djathtë. Shqetësim nuk mbetet sasia apo cilësia e mallit, as punësimet që kjo industri i afron popullatës, as transporti nëpër vend apo Evropë. Qeveria ia di lezetin tymit dhe parave të pafunda që lëvrohen dhe mesa duket kërkon ta zhvendosë këtë kombinat të fuqishëm andej nga është edhe vetë me origjinë.

Përpjekjet e malësorëve Hysni Burgaj dhe Sali Berisha për t’ua shkulur ekskluzivitetin malësorëve jugorë bektashinj lazariotë do dështojnë sërish sepse unë i njoh ata fshatarë trima. Nuk mundet ta konkurrojë tashmë as një fshat tjetër në veri Lazaratin e bekuar, ndaj çdo përpjekje sado brutale ka për ta bërë për doktor policinë e doktorit. Lazot vërtetë të japin votën, por nuk harrojnë të të japin edhe shqelmin bythëve sa herë ua prish terezinë tek janë duke shitur apo tymosur atë derman hashash të bekuar.

*www.facebook.com/bledi.mane