Nga Halil Matoshi
Kryeministri i Kosovës me mjetet e lejueshme të gjuhës së standardizuar shqipe kërcënon mediet që ai i percepton si “të rrezikshme” për pushtetin e tij, botuesit dhe vetë gazetarët, që të mos e ndikojnë politikën, kurse në thelb injoron ata që ia kanë dhënë fuqinë: publikun, që në këtë rast është votuesi i tij potencial
Qeveria e Kosovës ka shumë probleme, por ky nuk është lajmi. Ai duhet kërkuar në gjuhën shqipe ose në totalitarizimin e saj nga klasa politike në Kosovë. Nëse i bëjmë një analizë sipërfaqësore gjuhësore dhe sociopolitike një fjalimi të kryeministrit të Kosovës, para gazetarëve, aty fshihet vetë djalli. Autoritarizmi ose instanca e fundme e të vërtetës. Se në Kosovë nuk ekziston diçka e tillë si liria e shprehjes dhe e shtypit të lirë, as ky nuk është lajm, atë gjithnjë duhet kërkuar në fuqinë e parasë, të cilën e kontrollon qeveria e vendit, e jo botuesit dhe editorët. Natyrisht pos partnerëve të kryeministrit në këtë biznes.
Më 6 nëntor, duke komentuar Raportin e Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u është drejtuar gazetarëve me një fjalim që kishte si qëllim fundor shfajësimin e vetes nga gjetjet në këtë raport, duke pretenduar se nuk është adresa e saktë qeveria e Kosovës, por as ajo që kryeministri e percepton si diçka të shtrirë “gjerë e gjatë”, pra politika.
Ai me lehtësi të padurueshme e hedh fajin te botuesit dhe editorët, duke formuluar disa fjalë shqipe në fjali të paqëndrueshme logjikisht dhe sintaksisht, të cilat dëshmojnë totalitarizimin e gjuhës në funksion të monopolizimit të saj, nga një klasë politike. Totalitarizimi i gjuhës shërben si mekanizëm për ndërtimin e një modeli kulturor real-socialist dhe provincial, që i shkon përshtat këtij pushteti dhe për t’i deklasuar zërat oponentë si dhe kritikën qeveritare në media, si diçka “armiqësore”, sepse sipas gjuhës që përdor Kryeministri, publiku nuk duhet t’u besojë medieve, sepse pronarët dhe editorët e tyre janë “qenie të ulëta shoqërore”, kanë rënë në lakmi dhe lufta e tyre nuk është e ndershme, pra për të vërtetën por për t’u pasuruar.
“Të gjithë ministra të nderuar, ju ftoj që të respektoni në përpikëri ligjin dhe të mos ndikoheni nga asnjë pretendim ndikues nga çdo medium në politikën tonë shtetërore”, kështu e nis këtë muhabet i pari i ekzekutivit kosovar, e me këtë fjali ai synon të arrijë efektin e një përkushtimi që t’i bindë (urdhërojë) ministrat e tij që të mos i nënshtrohen ndikimit të medies. “Mosndikimi nga pretendimi ndikues”, kjo duket pa lidhje në leximin e parë, por është formulë magjike, madje fjali ikonike që dëshmon semantikën e shprishur në kohërat e perënduara, kur shteti këtej Perdes së Hekurt ishte partia.
“Të mos ndikoheni nga asnjë pretendim ndikues”, këtë mendësi e lejojnë mjetet gjuhësore (të shqipes së totalitarizuar), sepse, sipas kësaj mendësie, media përgjithësisht dhe shtypi i lirë nuk guxon të ndikojë në politikat shtetërore, së këndejmi duhet të ndalohet. Përndryshe mund të thotë të vërteta të pakëndshme për këto politika dhe të krijojë masë kritike kundër këtyre politikave, pra mund të krijojë opinion kundër ose edhe rezistencë dhe kjo mund ta cenojë komoditetin e pushtetit personal. Zoti kryeministër, botuesit dhe editorët nuk drejtojnë media që funksionojnë me paranë publike (me taksa) gjatë procesit të prodhimit të mallit që e shesin (lajmit), por ata prodhimin e tyre e finalizojnë me paratë e tyre, për aq sa është e tyre, dhe e nxjerrin në treg dhe, kush e ble, mirë, kush s’e ble, mirë. E vërteta që synojnë dhe besojnë se po e përhapin mediet gjithnjë pretendohet që të jetë e interesit publik, pra në interesin e atyre që e blejnë prodhimin e tyre, lajmin.
E vërteta që synojnë, dhe (nuk besojnë as vetë!?) se po e përhapin pushtetarët gjithnjë pretendohet që të jetë po ashtu e interesit publik, madje në këtë kontekst, e interesit madhor kombëtar, pra në interesin e atyre që e besojnë “prodhimin” e tyre, ideologjinë. Qe, kryeministër, ku është dallimi mes nesh, medieve të pavarura dhe politikës së interesit personal. Mediet prodhojnë diçka dhe shesin diçka në treg, kurse pushteti autoritar nuk prodhon asgjë dhe shet broçkulla, në emër të kombit, shtetit, partisë etj. Prandaj, demokracitë e kanë zgjidhur që moti këtë problem. Amerikani tipik krenohet se mund t’i shërbejë vendit të tij dhe kombit të tij duke e ushtruar të drejtën ta kritikojë qeverinë, për të mos e lënë të gabojë. Po me çka mund të krenohet kosovari tipik? Me heshtjen. Me kyçjen e gojës. Sepse kryeministër, ju nuk keni krijuar ambient të lirë, që qytetari juaj t’i thotë të vërtetat e tij dhe të mos pësojë, sepse ju pretendoni se nuk jeni adresa në të cilën ka ardhur raporti i regresit!?
“Freedom of speech”, Amendamenti i parë i Kushtetutës amerikane u garanton qytetarëve të saj lirinë e fjalës, kjo e drejtë nuk është privilegj, por e drejtë legjitime njerëzore që nuk u përket ligjvënësve (e drejtë e panegociueshme) si e vetmja garanci apo standard që një shoqëri të jetë e hapur dhe demokratike. Pos shtypit të lirë dhe medies përgjithësisht, një ndër mënyrat për të shprehur opinionin dhe qëndrimet individuale apo kolektive lidhur me të drejtat që shkelen dhe mohohen janë, protestat apo demonstratat, që po ashtu janë të garantuara edhe me Kushtetutën e Kosovës. Demonstratat janë mjet paqësor që deri më tani ka dhënë dhe jep rezultate konkrete, për të informuar dhe sensibilizuar publikun kombëtar dhe ndërkombëtar për situatën e keqësuar brenda një shoqërie, që në rastin kosovar është nominalisht demokratike. Por kush të demonstrojë në Kosovë për lirinë e shprehjes dhe të fjalës?
Asociacioni i gazetarëve profesionistë i kontrolluar me shumicë nga njerëzit që janë fansat tuaj personalë, ose nga ata që vënë emrat në gazeta partiake, pa iu dridhur dora?! Gazetarët e RTK ose të dhjetëra gazetave proqeveritare që “ushqehen” me paratë e taksapaguesve, në emër të reklamës?
Qytetarët që në mungesë të emancipimit kulturor dhe politik janë rekrutuar pas mendësisë kolektiviste dhe të thonë “hej, kush je ti me kritiku pushtetin?”
Qytetari, që ju, kryeministër, dhe tërë klasa aktuale politike ia keni imponuar modelin kulturor të “shokut Zylo”, qytetarë që i besojnë “reformës” në shkollën publike të Enver Hoxhajt, së cilës vetë nuk i beson, ministri që menaxhon me fëmijët tanë, ndërsa të vetët i shkollon në institucione private shumë të shtrenjta për standardin kosovar.
Me një fjalë çka i vyen e drejta e fjalës së lirë qytetarit që frikësohet? Dhe ju, sado cinike që të tingëllojë kjo, e keni kuptuar tashmë këtë dhe e shpërfillni qytetarin (votuesin tuaj potencial) si të paaftë ta thotë mendimin e vet dhe ta marrë fatin e tij në dorë.
Dhe, për të qenë më i rreptë në atë që e mendoni, ju si kryeministër thoni se fajet për minuset në raportin e KE nuk i ka pushteti por pikërisht editorët dhe pronarët e medieve.
“Pronarët, editorët mund të them se pretendojnë të jenë shumë më afër politikës dhe vrapojnë pas. Media e lirë është vlerë dhe nuk është pretendim apo shantazh për t’u pasuruar”, – ka thënë kryeministri duke dashur t’ia bëjë me dije publikut se vetë editorët duan ta shtien në dorë pushtetin. Pra ata janë në garë për pushtet!? S’e besoj. Media e lirë është vlerë, thotë kryeministri, por, sipas tij, nuk është pretendim për t’u pasuruar.
Pretendimi për t’u pasuruar është po ashtu një nga vlerat supreme, po aq sa liria e shprehjes, pra liria ekonomike është e garantuar me Kushtetutë dhe fundja këtë të drejtë e kanë edhe pronarët dhe botuesit, por ata i nënshtrohen Kodit civil si çdo qytetar tjetër, në rast se kanë shantazhuar, jo vetëm pushtetin, por këdo qoftë. Më këtë fjali megjithatë kryeministri, nëse racionalizohet paksa, ka dashur të thotë se ata, botuesit dhe editorët, po e shantazhojnë pushtetin, duke i denoncuar bartësit e këtij pushteti ose, madje, duke ua cenuar nderin dhe autoritetin civil, që është i ndëshkueshëm.
Por, ai natyrisht se nuk ka dashur të thotë se disa botues dhe editorë pa i urdhëruar ose pa i blerë, me vullnet po i qasen atij, sepse kjo do t’i hidhëronte dhjetëra mediume që punojnë për të ose që i kontrollon vetë ai dhe kryeministri do të duhej ta rishikonte faktin se ku po hedh paratë publike. “Në momentin që pronarët dhe editorët pretendojnë për t’u pasuruar përmes politikës dhe politika nuk bie në këtë ndikim, atëherë shpesh paraqitet edhe si tendencë e ndikimit politik”, kjo shkurt e shqip i bie se editorët duan të pasurohen përmes politikës dhe kur ajo është rezistente, të parët e sulmojnë politikën se po ndikon në media dhe po e cenon lirinë e fjalës. Por kryeministri nuk ka evidentuar asnjë rast, kur editorët në luftë e sipër për pasuri kanë hasur në rezistencë të politikës dhe këtë ta kenë shitur në publik si cenim të lirisë së shprehjes.
Rasti më eklatant i kontrollit qeveritar ndaj një mediumi është përzgjedhja e Bordit të RTK, që në raportin e Komisionit Evropian nuk i përshkruhet ndikimit të editorëve ose pronarëve të medieve por pikërisht zëvendësit të Kryeministrit, Hajredin Kuçit. “Politika është gjerë e gjatë në Kosovë. Nuk është një adresë që kritikohet, por unë kërkoj nga e gjithë politika që të jetë sa më larg ndikimit në medie dhe ta fillojë partneritetin në kuptimin e transparencës” kishte thënë kohë më parë kryeministri (me ta marrë Raportin e Progresit në duar) dhe madje ishte betuar se do ta ndreqë këtë gafë qeveritare duke thënë se ai do të ishte numër një në këtë drejtim. “Zotohem.”
Sërish nëse përdorim racionalizimin si mekanizëm për ta zbërthyer gjuhën e koduar totalitariste të kryeministrit, ai ka dashur të thotë se kritika e Komisionit Evropian nuk i përshkruhet vetëm adresës; ks.gov (qeverisë së Kosovës), por tërë shoqërisë politike kosovare, prandaj ai thërret këtë politikë që t’i mbajë larg duart nga mediet.
Po cilën politikë e thërret kryeministri që të mos ndërhyjë në media?
Partitë jashtëparlamentare shqiptare ose ato të Haxhi Mërxhes e Slobodan Petroviçit?
Fjalitë e kryeministrit janë semantikisht të shprishura dhe logjikisht të pakuptimta, por pikërisht, nëse shprehemi me gjuhën e tij, këtu qëndron madhështia.
Në librin “Shqipja Totalitare – tipare të ligjërimit publik në Shqipërinë e viteve 1945-1990”, të Ardian Vehbiut, kjo shprishje semantike, e diktuar nga pakica drejtuese mbi shumicën përdoruese, të kujton dialogun e famshëm që Lewis Carroll vë në gojë të Humpty-Dumpty te “Liza në botën e çudirave” teksa thotë: “Kur unë përdor një fjalë, ajo fjalë ka atë kuptim që më pëlqen mua, as më shumë e as më pak!