Çmimi më i lartë se fitorja

0
37

Nga Preç Zogaj, 02.08.2010

Tranparency International dhe organizata të tjera kombëtare e ndërkombëtare që masin përhapjen e korrupsionit në Shqipëri, tregojnë vazhdimisht një vlerësim pozitiv konstant të publikut shqiptar për Presidentin e Republikës. Është si një tradite tashmë: Presidenca shihet nga publiku si institucioni më i ndershëm, më i papërlyer. Në këtë perceptim ka ndikuar e ndikon natyra e veçantë e institucionit, e lidhur ngushtë me natyrën e Presidentit të radhës.

Ndërkaq duhet thënë se, përtej traditës së institucionit, Presidenti aktual Bamir Topi ka qenë edhe më parë, kur nuk ishte President, një nga politikanët më të kuotuar, për të mos thënë më i kuotuari në sondazhet popullore. Ai ishte i vetmi politikan i PD-së dhe i së djathtës shqiptare, që arriti të krijonte figurën e një drejtuesi me mbështetje popullore, pa qenë nën hijen e Berishës dhe
njëkohësisht pa u përplasur me të, duke ruajtur pozicionin e vartësit.

I vetëdijshëm për popullaritetin, ai vendosi dhe ia doli të zgjidhej President i Republikës, duke çarë përpara nëpër skema të ngatërruara. Siç e kam përshkuar në librin tim të fundit “Të gjithë nëpër vendet e tyre”, zoti Topi u largua “me ngjitje” nga Partia Demokratike. Nuk mund të thosha me gojën plot atëherë se kjo ishte një fitore për shtetin. Por mund të thosha dhe të them se ishte një sakrificë, madje një humbje për PD-në.

Edhe pse unë personalisht nuk kam qenë ndonjëherë në të ashtuquajurin grup të Bamir Topit në atë parti, kam gjithnjë bindjen se me Topin nënkryetar partie lista e deputetëve të PD-së do të kishte qenë më përfaqësese, më e pasur me personalitete. Rrjedhimisht, për të qeverisur, PD nuk do të kishte patur nevojë as për vota të fallsifikuara të tipit të Ruzhdijes, as për votat që zgjedhësit i hodhën për largimin e saj nga pushtetit, siç ishin ato të LSI-së.

Por, siç dihet, duke besuar se do ta kalonin klasën me shirita dhe gërshërë, Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij me të ngushtë, e kthyen partinë në gjendjen e vjetër të mbylljes, uniformitetit dhe konformizmit. Në këtë menyrë ndërlikuan jetën e tyre dhe provuan për kushedi të satën herë atë që thuhet në dhjatën e vjetër se perendia kujdeset ta fusë vetë në gabim atë që duhet të gabojë.

Gjithë sa shkruam më lart ka lidhje me tensionin sistematik, që krijohet midis PD-së e qeverisë në një anë dhe Presidentit të Republikës e mbështetesve të tij në anën tjetër. Ka qenë e pritshme që prej fillimit se marrrëdhëniet e Berishës kryeministër me Topin president do të ishin përgjithësisht korrekte, të distancuara, me mundësi tensioni dhe përplasjeje në situata të veçanta. Kjo ka qenë “e shkruar” në ADN- në e tyre politike.

Topi nuk shkoi në Presidencë për t’ju kundërvenë Berishës, kjo nuk kishte kuptim. Por kushdo qe e njihte, e dinte se nuk do të bëhëj vegël e askujt. Për të mbajtur ekuilibrat, për të shërbyer integritetin e postit dhe institucionit si dhe për të ruajtur pa e manifestuar identitetin e tij politik, ai do të ishte i detyruar t’ja prishte në rrethana të caktuara edhe Berishës, edhe Ramës. Me kryeministrin, gjërat do të kishin shkuar edhe më keq, sikur Berisha të mos kishte konsumuar disa përplasje me presidentin paraardhës Alfred Moisiu.

Berisha e di se për shkak të precedentëve, është i paragjykuar në marrëdhëniet me krerët e insticioneve të pavarura. Ai e di se nuk mund të përballet me ballin lart me pyetjen se përse ky kryeministër nuk bën me asnjërin, edhe kur i zgjedh dhe i voton vetë. E gjithë kjo e bën atë më të rezervuar, sidomos kur është fjala për t’u konfrontuar me Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi.

Por kur mendon se i ka ardhur rasti në shteg, ai nuk e lë rastin të shkojë, madje lëshohet mbi të me pasion sikur ka dëshirë të nxjerrë edhe të vjetrat. Kjo është ajo që po ndodh tani me fushatën, që ka hapur PD kundër Presidentit Topi për çështjen e emërimit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Zoti Topi, në rastin me të keq, ka tejkaluar me disa ditë afatin e përzgjedhjes se kryetarit të kësaj gjykate. Mbarë opinion politik, mediatik dhe publik është në dijeni të arsyeve dhe rrethanave që kanë krijuar këtë situatë, që nuk mund të jetë veçse kalimtare.

Presidenti po has vështirësi në plotësimin me gjyqtarë të vendeve vakante në Gjykatatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Megjithëse në përgjithësi priret të favorizëjë PD-në me qëndrimet e veta, siç bëri me rastin e bisedimeve për hapjen e kutive të votimit, kur u kreditua si një zot nga bashkësia ndërkombëtare, Presidenti Topi nuk mund të pranojë që shumica parlamentare e zotit Berisha t’i mbajë edhe dorën për gjyqtarët që do të zgjedhë. Ky do të ishte fund i Presidencës dhe Presidentit. Prandaj Topi ka ecur përpara ngadalë në një fushë të valëzuar nga kriza e stërzgjatur politike dhe të minuar me sfida dhe kurthe të ndryshme.

Gjithesesi duket qartë se kalimi eventual i afatit për Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese nuk është një shkelje për t’u rënë borive të alarmit, sikur po mbyten gjemitë. Pasojat që mund të ketë krijuar kjo shkelje janë akoma më të papërfillshme për shkak të pushimeve të verës, kur jo vetëm Gjykatat por edhe Kuvendi dhe mjaft institucione të tjera nuk punojnë.

Megjithëse i di të gjitha këto, kryeministri Berisha, me zërin e disa deputetëve të rinj që kanë hyrë këtë vit për herë të parë në Kuvend, duket sikur nuk arrin të pushojë i qetë për shkak të gabimit të Presidentit. Po të ishte zoti Berisha një idhtar dhe ushtar shembullor i ligjit dhe rregullave, sot do t’i jepnim të drejtë pse është alarmuar për moszgjedhjen në afat të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Në të njëjtën kohë do ta qortonim për dy gjëra: së pari, për tejkalim të masës së kritikës dhe sulmeve. Shkelja nuk është e tillë, që të meritojë gjithë këtë zhurmë në pikun e verës.

Së dyti, rregullat e etikës dhe sjelljes së mirë kërkojnë që gjithkush të gjykohet nga një që është afërsisht i ngjashëm apo i barabartë me të. Do të ishte shprehje respekti për Presidentin dhe për publikun, që akuzat ndaj tij të viheshin minimalisht në gojën e kryetarit të Komisionit të Ligjeve. Jo se dy deputetët e angazhuar nuk kanë të drejtë të marrrin fjalën.

Shqiptarët, (megjithëse nuk e kanë harruar përvojën e hidhur të komunzmit kur me demek çdo njeri gëzonte të drejtën “kineze” për të folur e shkruar kundër kujtdo, pa frikë dhe me gërma të mëdha), sot e gëzojnë realisht të drejtën e fjalës dhe kritikës. Por kur flitet politikisht në emër të partisë së shumciës, ka disa rregulla që janë më të shenjta se ato të shkruarat.

Berisha nuk u jep rëndësi këtyre gjërave dhe sheh qimen në syrin e presidentit për arsyen e thjeshtë se historia e dekretit të vonuar është parasëgjithash një cazus belli apo një pretekst për t’i kthyer reston Presidentit Topi për deklaratat e tij të kohëve të fundit për çështjen e gjyqtarëve dhe sidomos për pozicionin e tij në një gjatësi vale me NATO-n dhe SHBA-në në lidhje me ndryshimet në projektligjin e SHISH.

Në një kuptim më të përgjithshëm, përveçse ta paralajmërojnë se nuk do të jesh kandidati ynë për t’u rizgjedhur president pas dy vitesh, gjë që e kanë bërë edhe më parë, këto sulmet e fundit sikur duan ta tregojnë zotin Topi si një kundërshtar të PD-së, pra t’i vështirësojnë e pse jo, t’i pamundësojnë rikthimin normal në familjen e tij politike pas mbarimit të mandatit.

Cilatdo të jenë arsyet dhe synimet, lufta me presidentin Topi është një luftë që i kushton shtrenjtë PD-së dhe qeverisë. Madje, i kushton më shtrenjtë po të vendosë ta çojë deri në fund për ta fituar! Së pari, sepse në momentin aktual, por edhe në perspektivë, do të lexohet si betejë kundër një shtetari, që po mbron një pozicion të NATO-s dhe SHBA-së për një ligj të shumëdebatuar.

Qëkurse ka lindur bota, fuqia që është fuqi zemërohet më shumë kur i cënojnë mbështetësit se sa kur cënohet ajo vetë drejpërsëdrejti. Së dyti, është një luftë kundër dikujt, që kuotohej e vazhdon të kuotohet lart në të gjitha sondazhet popullore. Thënë në të folurën e përditshme, zoti Topi nuk është një politikan katedre apo studiosh, por një politikan që ka vota, që përfaqëson një fashë të caktuar elektorale të elektoratit të djathtë shqiptar.

Kundërshtarët politikë të PD-së si altërnativë pushteti, pavarësisht se ua do puna të pozicionohen kundër sulmeve, që po i bëhën Topit nga partia e tij, po fërkojnë duart e po lusin zotin që Berisha të shkojë sa më larg me këto sulme. E kanë kuptuar të gjithë se sa herë paraqitet e bashkuar në larminë e zërave dhe figurave, PD fiton. Dhe sa herë kthehet në eksperimentin e partisë së një njeriu, pa të ndryshëm, ajo nuk fiton.