Zhgënjimi i Kadaresë

0
49

Artan Mullaj

Ismail Kadare

Ismail Kadare shfaqet gjithnjë e më rrallë. Arsyeja e kësaj tërheqjeje, mbase duhet kërkuar në faktin se ashtu si euforia kombëtare, që thuajse nuk ekziston, Shqipërisë i mungojnë motivet që do të mund të bënin krenarë shtetasit e vet. Si një soditës i dhembshur dhe si një bir dëshmitar i historisë së vështirë të vendit të origjinës, kokulur për peizazhin e trishtë të tranzicionit shqiptar, shkrimtari mund të jetë i zhgënjyer nga aventurat e shëmtuara që kanë ndodhur gjithë këto vjet në Atdheun e tij.

Por mënjanimi i tij mund të ketë arsye të tjera. Dihet që Ismail Kadare është përballur jo pak me shkulme akuzash ordinere dhe me shpifje sharlatanësh, në çdo kohë. Madje, në gjithë këto vjet, shkrimtari është përfolur në media. E kanë quajtur shkrimtar oborrtar i komunizmit. E kanë vlerësuar si “talent i madh në një shpirt të vogël”, madje edhe më çmendur se kaq. Është përshkruar ndonjëherë si shpirtzi e kriminel, si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. E kanë radhitur në listën e nopranëve cingunë, madje edhe në mes të cinikëve.

Të gjitha orvatje që synojnë të shkatërrojnë vlerat më të mëdha! Të frymëzuara nga një xhelozi mediokre intelektualësh, të tilla vështirë të ndodhin në vende të tjera ku kultura kombëtare zakonisht është krenari. Nëse ekziston, zhgënjimi i Kadaresë është i natyrshëm dhe i përligjur. Sepse, edhe për më shpirtthjeshtët është e qartë që etiketimi i padrejtë i një shkrimtari të madh me situata shpërfillëse, që degjenerojnë në banalitet dhe që provokohen nga personazhe të të gjitha niveleve, ndërsa atij i duhet të përballet me to, është mosmirënjohja më e kobshme që mund t’i bëhet një njeriu të madh.

Aq më shumë që ky njeri i ka sjellë pasurisë së brishtë të kombit të vet, një vepër të papërsëritshme, që nuk meritohet kollaj.

Por, ndërsa sulmohet herë pas here me zhurmë dhe eufori mediokrish, janë të shumta edhe rastet kur heshtet ndaj tij. Këtu zë fill fantazia e mllefit: të heshtësh ndaj madhështisë është më keq se ta përbaltësh atë. Disa herë e kanë sulmuar dhe janë përpjekur ta poshtërojnë edhe personazhe publikë, nën ison e disa mediave shqiptare, të cilat, të paktën disa prej tyre, e kanë anashkaluar sistematikisht Kadarenë përgjatë historisë monumentale të veprës së tij në planet. Por natyrisht ka ndodhur që disa të tjera i janë bashkëngjitur jehonës botërore të madhështisë kokëfortë të shkrimtarit, por kjo gjë shpesh ka ndodhur në mënyrë të zbehtë edhe ngjirur, a thua majat e sukseseve botërore kanë edhe emra të tjerë shqiptarësh në nivele të tilla gjenish…

Joshja mediatike që ndodh gjatë një procesi përbaltjeje ka arsyet e saj, të cilat nuk janë ca pasoja që lidhen vetëm me varfërinë e profesionalizmit. Synimi i zvetënimit të vlerës së shkrimtarit herë me sulme të hapura, herë me heshtje dhe herë me shpërfillje, nuk bëhet aq thjesht vetëm për të stimuluar audiencën, qëllim që natyrshëm do të justifikonte edhe kundërshtitë, edhe pandershmëritë. Duket se ka edhe diçka tjetër. Duket se nganjëherë sundon një dëshirë instiktive për të përbaltur e ndëshkuar autorin e një vepre të mrekullueshme dhe të papërsëritshme. Ngaqë nuk mund të shpjegohet, kjo dukuri mbetet të jetë një mister i rrallë shqiptar, që ekziston realisht.

(Kanë ndodhur edhe herë të tjera ngutje kolektive për çngjyrim të veprës së këtij autori, të cilat kulmuan në kohën e diktaturës, po ndodhin edhe sot. Por nuk është Kadareja i vetmi personalitet në shënjestrën e kësaj marrëzie. Çudia arrin kulmin edhe me figura të tjera, sulmi ndaj të cilave rrezikon njëherësh madje edhe themelet e krenarisë dhe historisë kombëtare. Madje as dyshimet dhe diskutimi i turpshëm i para disa kohëve i vlerës simbolike së Skënderbeut nuk është rasti i vetëm i vetëshkatërrimit shqiptar të simboleve…).

E thënë në mënyrë të përmbledhur, gjasat se ekziston një mungesë kolektive e dëshirës për të vlerësuar sa duhet shkrimtarin e madh, janë jo për t’u shpërfillur. I mirëvlerësuar gjithandej nëpër botë, duket se shkrimtari i tërhequr në madhështinë e vet, ndërsa shkëlqen në perëndim, është gjithashtu i mësuar me shpërfilljen e vendit të tij, përderisa hesht. E ka pranuar këtë realitet me një mirëkuptim hyjnor, që mund ta kenë vetëm fuqitë e mëdha të ndërgjegjes. Mund të supozohet se ky pranim, ky amfibim, kjo “zënie kallo”, shpjegon faktin se përse Kadare shfaqet rrallë e më rrallë, pa u ankuar. Por shfaqjet e rralla mbase kanë edhe një kuptim tjetër. Ato mund të vërtetojnë pezmin e shkrimtarit se, përveç i zhgënjyer, shkrimtari është i lodhur me debate ndershmërie në një vend ku ndershmëria dhe drejtësia është diçka e vështirë, shpesh e pamundur.

Kjo lodhje, apo të gjitha këto njëherësh, mund të jenë edhe arsyeja që edhe kur shfaqen, opinionet e tij zakonisht vetëm tangetojnë realitetet e ashpra në Shqipëri. Shkrimtari pothuaj nuk merr pjesë në jetën politike shqiptare, në tranzicionin shqiptar, në letërsinë shqiptare, madje, prononcimet e tij në shumicën e rasteve satelitojnë vetëm për çështje të përgjithshme kombëtare, si është, bie fjala, Kosova.

Edhe më të rrallë, kur Kadare bëhet i gjallë në çështje të brendshme, shfaqja e tij ka kujdesin të bëjë më shumë vetëmbrojtje personale ndaj mllefeve dhe akuzave, sa me qëndrime filozofike, apo këshilla racionale, për të cilat ka aq shumë nevojë përditshmëria dhe elita shqiptare.

Vit pas viti, zhurma rutinë e historisë së “Nobelit” të Kadaresë, shtohet me mllefe njerëzish që e kanë të pamundur të fshehin ngazëllimin për përsëritjen e “disfatës historike” të gjeniut shqiptar. Disa njerëz, këtë disfatë e konsiderojnë si fitore të tyren. Midis kundërshtarëve shqiptarë të këtij çmimi, (a thua “Nobeli” i Kadaresë do shkojë në Serbi), disa i kanë shtuar verbërisht pasionin e tyre histerisë së përgjithshme të kundërshtarëve delirantë: të papërmbajtshëm në një mision qesharak për ta lënë “gojëthatë” të vetmin shkrimtar shqiptar fare pranë titullit: Të gjallëruar në intervalin kohor të votimit të “Nobelit”, për zinë e tyre, nuk kanë mundur ende të kuptojnë që ndonëse një çmim i lartë, ai mbase nuk është aq seriozisht i rëndësishëm për Kadarenë sa imagjinojnë ata.

Përtej ambicies së natyrshme të shkrimtarit për të qenë në listën e të mëdhenjve nobelistë, në një vend që ai e ka merituar prej kohësh, me gjithë kundërshtitë, me gjithë shpërfilljen, me gjithë letrat e dërguara akademisë suedeze kundër tij, me gjithë emisionet poshtëruese televizive, pra përtej gjithë këtyre, madhështia e Kadaresë e ka kaluar madje edhe vetë madhështinë e titullit “Nobel”, që atij vit pas viti i është refuzuar. Kadare nuk është ende brenda në listën e shkrimtarëve nobelistë, por në mënyrë absolute, madhështia e tij del njëherazi mbi të gjitha këto. Dhe, ka shumë gjasa që, më shumë se një çmim “Nobel” në karrierë, shkrimtarit të madh i mungon ngrohtësia shqiptare dhe mirënjohja e plotë dhe e sinqertë e vendit të tij, që ai i kushtoi veprën dhe jetën.

* * *

Prej kohësh në ngritjen e tij absolute, Kadare kish fituar rëndësinë dhe madhështinë e një miti. Kjo kulmoi gjatë viteve të fundit të komunizmit në Shqipëri, kur veprat e tij e kishin shndërruar në një mani epidemie etjen popullore për t’i lexuar. Por kjo gjë ndryshoi në fillimet e vështira të demokracisë. Kulti i “dëshirës për të lexuar Kadarenë”, nuk ishte më i tillë në katrahurën e tranzicionit. Megjithatë, e shndërruar tashmë në një frymë, inercia e adhurimit të lexuesve shqiptarë ishte dhe është e mjaftë për të përcjellë madhështinë e Kadaresë vit pas viti, vepër pas vepre, brez pas brezi.