Cilët politikanë janë mbrojtur me imunitet në këtë vend?

0
64

Nga Mero Baze, 4 Korrik 2012

Sali Berisha ia doli ta shtyjë dhe një ditë debatin e nxehtë mbi Kodin Zgjedhor dhe reformën elektorale, e cila duket që po shkon drejt dështimit, duke tentuar të rinxjerrë në rend të ditës çështjen e heqjes së imunitetit për deputetët, e cila është një kërkesë formale brenda grupit të kërkesave thelbësore të Brukselit. Ligësia në këtë histori nuk është pse Berisha flet për imunitetin, por sepse shpik pengesa të paqena për këtë çështje.

Për të qenë më të qartë lexuesit, më lejoni t’i hedh një vështrim të shkurtër historisë së përdorimit të imunitetit nga politikanët shqiptarë këto 20 vjet.

Së pari duhet të theksojmë se imuniteti është një garanci politike që kanë deputetet e që hiqet në çdo rast me 71 vota, pra është një garanci në dorë të shumicës, e cila mund të ta heqë atë kur të dëshirojë. Dhe këtë atribut në historinë e politikës shqiptare e ka përdorur vetëm Sali Berisha.

Në vitin 1992 ai i ka hequr së pari imunitetin deputetit të ri të Skraparit, Ilir Meta, të cilin e akuzoi se udhëhoqi turmat e protestuesve drejt kombinatit të armëve në Poliçan, i cili u prek nga reforma në ushtri dhe u kufizua në numër punonjësish dhe veprimtari. Grupi parlamentar i PD-së ia hoqi imunitetin brenda ditës pas një debati bosh në parlament. Pak kohë më vonë i njëjti grup parlamentar i hoqi imunitetin deputetit Azem Hajdari, pasi sipas Berishës kishte qëlluar me pëllëmbë shefin e administratës së PD-së. Imuniteti iu hoq pas kërkesës së bërë nga grupi parlamentar i PD-së në një debat të ashpër që zgjati deri në 3 të mëngjesit. Azem Hajdari mbeti pa imunitet, shkoi në gjykatë dhe u dënua me dhjetë mijë lekë gjobë.

Në vitin 1993, brenda një pasditeje iu hoq imuniteti kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano, për akuzën favorizim korrupsioni në favor të palës së tretë lidhur me disa ndihma humanitare të ardhur nga Italia për Shqipërinë. Pas heqjes së imunitetit, Fatos Nano u arrestua direkt pasdite nga prokuroria e Tiranës sikur të ishte kriminel në arratisje e sipër.

Në vitin 1995 Berisha kërkoi heqjen e imunitetit të deputetëve Genc Ruli dhe Rexhep Uka, të akuzuar nga Berisha për një skandal financiar lidhur me drurin e arrës. Propozimi i grupit parlamentar të PD-së u rrëzua me pak vota nga brenda grupit, falë angazhimit të disa deputetëve, që ndërkohë ishin bërë të pakënaqur me Berishën.

Pas ardhjes në pushtet të socialistëve në vitin 1997 pati shumë zëra dhe kërkesa për gjykimin e Berishës, por nuk u bë asnjë tentativë konkrete. Vetëm pas ngjarjeve të dhunshme të 14 Shtatorit, Spartak Braho si deputet dhe Nasip Naço si prokuror, përgatitën së bashku një dokument ku sugjerohej në Kuvend heqja e imunitetit të Berishës, por që nuk u bë kurrë. Berisha nuk përfilli në asnjë rast prokurorinë, nuk shkoi aty asnjëherë dhe nuk u paraqit para asnjë gjykate për çdo akuzë që i bënin, bile as si dëshmitar kyç në vrasjen e Azem Hajdarit.

Aq shumë e përdori imunitetin e tij si deputet, saqë kur Ilir Meta e arrestoi me policë dhe e çoi në komisariat, ai kishte vetëm një fjalë në gojë, “mos prekni se kam imunitet!”. Këtë ia thoshte dhe policit që e shoqëronte, dhe zëvendësministrit që e pyeste.

Deri në vitin 2005 socialistët nuk i hoqën askujt imunitetin për tu gjykuar as nga opozita dhe as nga të vetët.

Pas rikthimit në pushtet në vitin 2005 Berisha u përball sërish me çështjen e imunitetit kur dy ministra të tij, Lulëzim Basha dhe Fatmir Mediu, u akuzuan për korrupsion. Berisha hezitoi të hiqte imunitetin e Bashës dhe u angazhua egër kundër prokurorisë lidhur me materialin që i kish dërguar. I vendosur nën presion nga faktori ndërkombëtar, ai ia hoqi atë formalisht, por e mbylli procesin gjyqësor me procedurë. Aktualisht ky proces mund të rihapet pas një kauzusi të krijuar nga një vendim unifikues i Kolegjit Penal, por Gjykata nuk po vepron.

Rasti tjetër më flagrant ishte ai i Fatmir Mediut, gjyqi ndaj të cilit u shty pa fund, derisa Fatmir Mediu rifitoi imunitetin e hequr pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe u mbrojt dhe mbrohet edhe sot e kësaj dite me imunitet.

Pas ngjarjeve të 21 janarit 2011, nën presionin e Berishës, sidomos pas ardhjes së ekspertizës së FBI, prokuroria kërkoi dhe u hoq imuniteti për tre deputetë socialistë, Tom Doshin, Taulant Ballën dhe Besnik Baren, të cilët janë ende pa imunitet dhe policia, që i ka hetuar dhe rihetuar, ka deklaruar se nuk gjen asnjë vepër penale në qëndrimin e tyre.

Vetë Sali Berisha, i akuzuar nga nëna e Edi Ramës për akuzat ndaj saj, dhe nga disa qytetarë si Artan Dulaku apo Koço Kokëdhima, është mbrojtur në Gjykatë të Lartë me të drejtën e tij si deputet për të folur çfarë të dëshirojë në parlament, ndërsa deputet e opozitës që përmendin vajzën dhe djalin e tij si hajdut dhe të korruptuar, janë dënuar me gjoba ekstreme.

Kjo tablo e qartë e historisë së imuniteteve politike në Shqipëri tregon se imuniteti është një votim që kërkon 71 vota dhe është në dorë të shumicës. Historia ka treguar se këto 20 vjet Sali Berisha ia ka hequr imunitetin gjithkujt që ka dashur, me përjashtim të Genc Rulit më 1995, i cili kishte mbështetje edhe nga socialistët, edhe nga një grup brenda PD-së. Në këto 20 vite, i vetmi që u ka hequr imunitetin kundërshtarëve është Sali Berisha, dhe i vetmi që është mbrojtur me imunitet është Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij. Mjafton kaq për të kuptuar sa hipokrit është ky njeri dhe pse kërkon të spostojë debatin tek një çështje, e cila nuk ka asnjë interes publik, derisa është thjesht në dorë të tij.

Por ka një arsye përse Berisha tani po ngre zërin përditë e më shumë për imunitetin. Pasi ka çuar në presidencë një gjysmë njeriu që dhe firmën do t’ia hedhë asistentja, pasi është duke hequr Prokuroren e Përgjithshme dhe pasi ka për të futur gjithë sistemin e drejtësisë nën komandë, ai e ka të sigurt se heqja e imunitetit nuk e çon para gjykatës më Fatmir Mediun, njeriun që ka marrë përsipër një krim që nuk e ka bërë dhe një biznes ku nuk ishte pjesë, vetëm që të mos dëshmojë për djalin e Sali Berishës. I biri i tij pas kësaj mund të flejë i qetë për atë që bëri në Gërdec, edhe pse 26 vetë (+1) nuk jetojnë më. Pas kësaj, për ta mund marrë hak vetëm ai lart, ose ndonjë i gjallë i zemëruar këtu në tokë. Nëse ka mbetur!