Ramush Haradinaj, një shok, një luftëtar, një atdhetar

0
48

Dr. Sulejman Abazi (NESHAJ)

Epilogu: Djemtë e Familjes Haradinaj, Ramushi, Luani, Enveri, Shkëlzeni, Dauti. Nga të parët dëshmorë të UÇK-së, Luan Haradinaj, gjaku i parë i familjes së re, i vrarë në pritë, duke kaluar kufirin shqiptar – shqiptar, për të çuar armë dhe për të organizuar luftën dhe qëndresën popullore në Kosovën e rebeluar kundër regjimit fashist serb të Millosheviçit.

Ramushi, biri i kësaj familjeje, asgjë nuk i kërkoi Kosovës, përveç lirisë dhe pavarësimit të saj. Sot ai është pengu i pavarësisë së Kosovës. Ai në asnjë rast nuk u fsheh, por i doli gjykatës së Hagës përballë, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare, të gjakut të dëshmorëve, të vetë popullit të Kosovës dhe frymës demokratike të institucioneve të ardhëshme të saj.

Ramush Haradinaj, si drejtues me aftësi organizative të spikatura dhe si opozitar, i është përmbajtur dhe përmbahet të vërtetës, pavarësisht se kush fshihet pas gabimeve, fyerjeve dhe krimeve të kohës së luftës. Dikujt “i shkeli në kallo” me opozicionin e tij. Përse e zhvillonte opozitën Ramushi kundër korrupsionit të institucioneve qëndrore, si dhe kundër servilizimit politik dhe përkulshmërisë së paprinciptë të insitutucioneve ekzekutive shqiptare ndaj faktorit ndërkombëtar?

Ai kishte të drejtë. Në 100 ditë të qeverisjes së tij, Ramushi si kryeministër dha prova të vendosmërisë dhe të vendimarrjes së shpejtë. Ai filloi të çonte në popull ujë, rrugë, shkolla, rregull, punë e kërkesë të lartë. Shokët dhe opinion në Kosovë panë tek ai vëllain, luftëtarin, kurse Kosova njohu burrin e shtetit që filloi të administronte mirë punët e saj.

Ata që e kanë luftuar dhe e luftojnë dhe sot, me ose pa dashje po i shërbejnë politikës së Serbisë. Ata duan të ruajnë medoemos demonin e pushtetit politik të anatemuar skajshëm në këto ditë të vështira.

Duke e riçuar Ramush Haradinaj në Hagë, ata kanë nxjerrë në ankand vetë pavarësinë e Kosovës. Po tentohet nga mafia politike në Kosovë, që Ramush Haradinaj të përdoret si “kokë turku”, për të larguar vëmendjen nga përgjegjësitë e mëdha të drejtimit të shoqërisë shqiptare në Kosovë dhe të vetë përgjegjësive që kanë pushteti politik vendas dhe ai ndërkombëtar para opinionit të shëndoshë popullor në Kosovë.

Prologu: Ramush Haradinaj edhe 100 herë po të shkelë në Gjykatën e Hagës dhe para çdo lloj gjykate tjetër ndërkombëtare, nuk do të fshihej asnjëherë, ashtu siç po fshihen sot kriminelët serbë nga drejtësia, të veshur me veladon prifti nëpër manastiret ortodokse të ishujve të Greqisë. Ai tregon hapur se nuk i trembet ndërgjegjes së tij. Ai po tregon vendosmëri, duke i bërë edhe një herë një shërbim të madh Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të saj, të cilën forcat më reaksionare në Ballkan dhe më tej, e kanë anatemuar si “bandë kriminelësh”.

Edhe në këtë rast fundi i një procesi të montuar politik është i parashkruar: Edhe një herë do të promovohet përfundimisht pavarësia e Kosovës. Për herë të dytë pavarësia e Kosovës promovohet duke qënë Ramush Haradinaj në burg. “Keqardhja” e qeverisë për riarrestimin e tij është një akt politik qesharak. Kush e meriton, le të skuqet paksa nga turpi për atë që ka ngjarë me ish komandantin dhe luftëtarin trim të UÇK-së.

Gjykata ndërkombëtare dha legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Gjykata e Apelit në Hagë nuk ka se çfarë të japë tjetër vendim, veçse të përsërisë edhe një here pafajësinë e Ramush Haradinaj.

Njerëzit mund të jetojnë edhe një shekull dhe të mos bëjnë kurrë hije mbi tokë. Të tillë koha i ndalon, ndërsa trimat, heronjtë, luftëtarët dalin përtej dimensionit të vetvetes dhe i falin me jetën, gjakun dhe sakrificën e tyre historisë shqiptare vetëm lavdi. Edhe pse këta meteorë të lirisë dhe të Bashkimit Kombëtar jetojnë pak, ata futen në përjetësi. Kështu u fut në radhën e heronjve më të ndritur të Kosmbi Shqiptar, komandanti legjendar i UÇK-së trime, Adem Jashari dhe dhjetra e qindra të tjerë, të cilët sot janë në Panteonin e Lirisë së Kombit Shqiptar.

Ramush Haradinaj, djali dhe vëllai ynë, po futet në këngët e popullit i gjallë për atë ç’ka ai i ka dhuruar dhe po i dhuron Kosovës dhe tërë shqiptarizmës, si një luftëtar besnik deri në vdekje i idealeve të lirisë dhe Bashkimit Kombëtar. Ai sot po i shërben Kosovës si burrë shteti. Ai sot meriton përkrahjen e miliona shqiptarëve kudo që janë në trojet etnike dhe në botë. Rrugëtimi i Ramush Haradinaj është i gjallë drejt këngës së popullit shqiptar, që e lindi dhe e rriti me atdhedashurinë e tij kombëtare.

Tiranë, 30 korrik 2010