TemA, 3 Korrik 2013
Këtë fushatë zgjedhore nuk u fol për Rrugën e Kombit. Të ishte se ajo do kishte sjellë përfitimet e shumëreklamuara, të paktën një fjalë do ishte thënë nga kryeministri Sali Berisha.
Por një studim i realizuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED, arrin në përfundimin se Rruga e Kombit ka dështuar nga pikëpamja ekonomike.
Në raport thuhet se gjatë pesë viteve 2008- 2012, tregtia e Kosovës është zhvilluar përmes katër pikave doganore, ku më e ngarkuara ka qenë ajo e Hanit të Elezit mes Kosovës e Maqedonisë, përmes të cilës është zhvilluar 35 përqind e shkëmbimit të përgjithshëm tregtar të Kosovës, me vlerë prej 4.3 miliard euro.
E dyta vjen pika doganore e Merdares, nëpërmjet të cilës janë qarkulluar 14 përqind, ose 1.6 miliard euro.
Më pas vjen pika doganore e Vërmicës, përmes të cilës janë qarkulluar 1.3 miliard euro ose 11 përqind. Vetëm pak më poshtë është pika doganore e Kullës së Pejës me Malin e Zi, nëpërmjet së cilës janë qarkulluar 1.15 miliard euro.
Në raport thuhet: “Nëse shikohet eksporti i përgjithshëm tregtar nga Kosova në Shqipëri, nuk duket se ka ndonjë rritje të theksuar për shkak të autostradës, por autostrada shërben tani si rrugë alternative për eksportin e Kosovës dhe të vendeve tjera përmes Kosovës në Shqipëri. Pra autostrada nuk ka shkaktuar ndonjë rritje të eksportit të Kosovës drejt Shqipërisë, ajo veç se e ka zëvendësuar Maqedoninë dhe Malin e Zi si vende transite që ishin për eksportin e Kosovës dhe të vendeve tjera drejt Shqipërisë dhe përtej fqinjëve të saj”.
Raporti vijon me një tjetër konkluzion të rëndë.
“Edhe nëse shikohet importi i përgjithshëm tregtar nga Shqipëria në Kosovë, nuk duket se ka ndonjë rritje të theksuar për shkak të autostradës, por edhe në rastin e importeve nga Shqipëria shihet se autostrada shërben për eksportin e produkteve të Shqipërisë dhe vendeve tjera përtej kufijve të Kosovës përmes Vërmicës dhe si rezultat mund të konkludohet që autostrada nuk ka pasur ndonjë ndikim të theksuar në integrimin e tregjeve të Kosovës dhe Shqipërisë, por është përdorur për tejkalimin e tregjeve të ndërsjella, për të gjetur tregje alternative jashtë kufijve të këtyre dy vendeve dhe vendeve tjera”./ep







