Italia dhe Shqipëria : një fat i përbashkët dhe dy rilindje të bashkëkohëshme

0
60


(Konferencë e prof. Emilio Benvenutos në Universitetin Fan S. Noli, Korçë)

Mendova se Festat tona të 28-29 nëntorit janë momenti më i duhur për të sjellë këtë kumtesë të akademikut italian Benvenuto në këtë përvjetor të Bashkimit të Italisë, por edhe të Pavarësisë sonë kombëtare, ashtu siç ishte edhe tema e konferencës që ai mbajti në universitetin tonë. Duke qënë një njohës dhe studiues i mirë i historisë së arbëreshëve, ai sjell me fakte pikërisht kontributin e madh të tyre midis dy brigjeve, Italisë dhe Atdheut mëmë. Historia nuk është kurrë haraqe e pashpirt e ngjarjeve më të rëndësishme të një kombi, as plangprishëse e tyre, por është një thirrje për ndërgjegje dhe për zgjim, pasi fati ynë është kurdoherë i lidhur me fatin e popujve të tjerë, e atyre që në shekuj patën dëshirën dhe guximin që të na bujtnin në vendin e vet, kur tek ne frynin furtunat tona të hsitorisë.

Të nderuar pjesëmarrës,
kjo konferencë është më shumë se një festë, se një përvjetor. Ne kremtojmë përvjetoret e dy vendeve tona, e dy brigjeve tona që ndahen nga një det, por që kanë qënë më afër se kurrë në histori. Komuniteti arbëresh në Itali, ose Komuniteti i shqiptarëve të Italisë përfshin 51 komuna që një fat i përbashkët i lidhi pazgjidhmësisht me atë të qyteteve italishfolëse dhe ndonjëherë edhe joamtare të vendosura në një radhë të pandërprerë nga Abrucoja në Siçili. Ja disa prej tyre :

• Kèmarini, Monxhfuni, Portkanuni e Ruri në Kampobasso!
• Carafa, Karfici, Puhèriu, Shèn Kolli e Vina në Katanxaro!
• Cervikati, Qifti, Ejanina, Fallkunara, Farneta, Ferma, Firmoza, Kajverici, Kasternexhi, Maqi, Marri, Mungrasana, Qana, Shën Benediti, Shën Japku, Shën Mitri. Shën Murtiri. Shën Sofia, Shën Vasili, Ungra e Vakarici në Kozenca!
• Kazalveqi e Qefti në Foxha!
• Hora e Arbëreshëvet, Kundisa, Munxifsi, Pallaci e Sèndahstina në Palermo!
Kanë kaluar 311 vjet, plot me ngjarje midis shpërnguljeve historike nga e para (1448) tek e fundit (1759) të shqiptarëve në Itali. Në atdheun e ri dalin dokumentat më të vjetra letrare shqiptare dhe mbajnë emrin e Matrangës, Budit, Bogdanit – që është autor edhe i një krijimi (ode) që përmbante shpresën e një Shqipërie të ardhshme të pavarur, të lirë nga shtypja turke. Në shekullin e 17-të Kisha katolike, për shkak të numërit të madh të italo-shqiptarëve, themeloi një Kolegj fetar shqiptar në Romë për formimin e klerit lokal, si dhe një dioqezë me rit lindor për komunitetet shqiptare me seli në Shën Benedet Ullano (1794), që më pas u transferua në atë të Shën Dhimitrit. Të njëjtin vendim e mori edhe Siçilia për komunitetin arbëresh me krijimin e një dioqeze të ritit lindor në Piana degli albanesi, dioqeza që ekzistojnë ende sot.

Ky shekull për të cilin flasim nxori poetë shqiptarë me ndikim turk si Berati, Cami, vazhdon të regjistrojë poetë të mirë italo-shqiptarë të lidhur me traditën fetare kristiane : Brankato, Filia që ishte famulltar i Qeftit, Barça, bashkëkohës i tij, të gjithë siçilianë, por lirika shqiptare e mori pagëzimin e vet në Romë në vitin 1762 ku u botuan poemat Jeta e Virgjëreshës dhe Jeta e Jezusit të priftit kozentinas Varitoba.

Komunitetet italo-shqiptare sot janë 51 qyteza, numëronin atëherë rreth një qind fshatra. Të formuara nga lëvizjet dhe të përhapura në të gjithë territorin e Dy Siçilive, ishin që nga lindja ishuj të vërtetë gjuhësorë, por iu lejua dhe i ruajtën kontaktet mes tyre, me atdheun mëmë dhe Greqinë shqpifolëse nga e cila vazhduan të mbërrinin deri në vitin 1744 grupe emigrantësh, më i fundit ai i Badesës në Peskara. Ishin të mbrojtur nga privilegje që u lejonin autonominë administrative, fetare edhe pse të ritit grek, bile dhe atë ushtarake, kështu që komunitetet italo-shqiptare të pajisura secila me Bashkinë e vet, shpëtuan në shekuj gjuhën e tyre, e vetmja e mbijetuar e grupit trako-ilir, e paklasifikueshme, baras me greqishten, në asnjë prej familjeve gjuhësore indoeuropiane, në veçantinë dhe pastërtinë e vet, kulturën e tyre të lashtë, të drejtën zakonore, zakonet e tyre të çmuara. Ruajtën gjithashtu edhe lidhjet sentimentale me tokën e prejardhjes.

Mund të themi se jugu i Italisë ka qënë për një periudhë të caktuar, Atdheu kulturor i popullit shqiptar. Vatër e ideve fisnike, lulishte njerëzore e kavalierëve të fortë të lirisë dhe drejtësisë ishte Kolegji italo-shqiptar i Shën Mitrit të Koronës, të cilit në shenjë falenderimi për shërbimet që iu bënë Italisë nga shqiptarët, Garibaldi, Diktatori napoletan, i akordoi 60 mijë skude.
Mikele Moreli martiri i parë i Bashkimit të Italisë, me revoltën e tij antiborbone, flet dukshëm për të gjithë italo-shqiptarët, si për të gjitha sakrificat e atyre për kauzën e rilindjes nga një tregues i qartë, një fshat shqipfolës prej 1500 frymë që dërgoi 300 burra ose 20% të popullsisë, nën drejtimin e gjeneral Gribaldit.
Në rrethimin e Gaetës, vullnetarët kalabrezë të komanduar prej Paçes, të kapur papritur dhe në befasi nga garnizoni borbon, po iknin të terrorizuar dhe do të kishte patur pasoja të rënda për rrethimin, sikur 23 të rinj shqiptarë të Shën Mitrit të mos ishin përleshur me armikun dhe t’u kishin dhënë kohë që të rioganizoheshin.

Ndërkohë komunitetet shqiptare të Italisë, duke mos harruar detyrimet që e lidhnin me Italinë, nuk e harruan për asnjë çast atdheun e tyre të origjinës, me të cilin nuk rreshtën së komunikuari. Në fakt botime të shumta në italisht dhe shqip, kongrese dhe tubime, protesta të fuqishme në mbrojtje të atdheut, afirmojnë vazhdimisht lidhjet e gjakut dhe besimit në fatin e mbrapshtë të Shqipërisë.
Kanë kaluar shumë shekuj qysh kur Shqipëria ishte nën Turqinë, megjithatë të mërguarit dhe refugjatët e vuajtën gjithmonë nostalgjinë që e shfaqnin në veprimet më të vogla të jetës, ishin krenarë për atdheun e tyre dhe që ende e ruajnë kultin e tij, që disave u duket fanatik, por që nuk e përjashton simpatinë e shumë njerëzve që patën fatin që të mos i errësonin ndjenjat e shenjta me të cilat e nderonin atdheun.
Shqiptari i Italisë flet për tokën e vet përtej detit me keqardhje : i përulet Italisë, toka mikpritëse e stehës së prindërve të vet dhe është gati të përsëritë sakrificat për të, si për çdo kauzë të drejtë, por nëse e pyesin për kombësinë, përgjigjet krenar : Unë jam arbëresh, me krenari jo më të vogël me të cilën një roman do të thoshte : Jam qytetar i Romës!
Arbëresh do të thotë Shqiptari i Italisë dhe me Italinë gërshetohen zhvillimet e historisë së Shqipërisë së lirë. Varitoba është krjuesi i poezisë moderne shqiptare dhe pararendësi i menjëhershëm i të ashtuquajturave Tre kurorat e poezisë shqiptare De Rada, Fishta dhe Naim Frashëri. Poezia shpreh me ta një ndikim të rëndësisë së madhe : fenomen befasues që përsëritet gjithmonë në historinë e popujve.

Është një lulëzim i këngëve popullore që transmetohen nga brezi në brez dhe që vetëm vonë në shekullin e XIX u mbodhën dhe u botuan. Populli i këndon, nostalgjik, vendit që nuk mund ta shohë më, bëmave të heroit kombëtar, forcës, kurajos dhe ndjenjës kavalereske të prejardhjes. Mund të përmendim dy poetë të mëdhenj si De Radën dhe Skiroin. Në vitin 1836 në kohët krejtësisht të errëta dhe kur dukej marrëzi të shpresoje, i pari ende 22 vjeçar i shpalos Europës, Milosaon, thirrjen e injoruar të popullit shqiptar dhe vazhdon më pas pandërprerje, gjatë gjithë jetës, që të ekzaltojë memoriet e lashta dhe t’i nxitë bashkëkombasit e vet që të kontribuojnë në rilindjen e vendit të të parëve, duke profetizuar ringjalljen.

Tek De Rada që filloi qysh i ri të mblidhte këngët popullore, milicia ishte e lidhur me atë politike, gjejmë, në të njëjtën kohë, përkrahësin e Rilindjes kombëtare italiane dhe shqiptare. Rievokon në një poemë të njohur të tij, Skënderbegu i pafat, figurën e heroit popullor shqiptar dhe në vitin 1848 filloi të botonte në Napoli gazetën politike Shqiptari i Italisë në faqet e së cilës u edukua një brez i tërë patriotësh italo-shqiptarë. (vazhdon)

Agesilao Milano, i biri i një shqiptari lindur në Shën Benediktin Ullano në Kozenca, i rritur në kolegjin e Shën Mitrit Korone me kultin e lirisë dhe revolucionit, u bë ushtar nga varfëria dhe konspirator me zgjedhje. Në kontakt me macinianë të zjarrtë, thurr heqjen qafe të tiranit, duke e goditur në dritën e diellit dhe duke siguruar kështu një vdekje të lavdishme si pasardhës i Skënderbeut. Në ditën kur kremtohet Zonja e papërlyer, 8 dhjetor, ndërsa mbreti kalonte me kalë, ushtari shqiptar del nga radha dhe mundohet ta godasë mbertin Fredinando me bajonetë, por shpëtoi nga këllëfi i pistoletës.

Në tentativën e dytë u bllokua nga rojet e mbretit dhe u arrestua. Ushtari nuk i pranoi akuzat e sëmundjes mendore, duke pohuar se e kishte planifikuar kohë më parë këtë vrasje. U dënua me vdekje dhe e varën më datën 13 dhjetor.
Rilindja italiane nga viti 1794-1861, duke patur edhe kontributin e gjerë të italo-shqiptarëve, u shndërrua edhe në rilindje politike shqiptare dhe Skiroi në mbyllje të poemës së tij Dheu i huaj, profetizoi ringjalljen e Shqipërisë me ndihmën e Italisë së rilindur.
Françesko Krispi, revolucionar, garibaldin, dhe kryeministër i fuqishëm i Mbretërisë së Italisë, ishte një shqiptar nga Siçilia.
Luigj Gurakuqi që në vitin 1912 kishte marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë, kishte studiuar në Shkodër, në liceun Shën Mitri dhe Universitetin e Napolit, që konsideroheshin qendrat më të mëdha të studimeve shqiptare.
Bashkë me kujtimet dhe traditat e gjalla, italo-shqiptarët ruajnë të gjallë dhe përpiqen të arrijnë në format e shkëlqyera letrare gjuhën e të parëve, sepse vëllezërit e tyre në Shqipëri nën zgjedhën otomane nuk mund ta kultivonin lirshëm për shkak të politikës shtypëse të turqve.
Në mbretërinë e dy Siçilive janë dy istitute që funksionuan si qendra për mbledhjen dhe përhapjen e kulturës shqiptare. Kolegji italo-shqiptar i Shën Adrianit në Shën Mitri Korone u themelua me nismën e Stefan Rodotasë dhe u miratua me vulën e Klementit të XII në vitin 1732 që më vnë u mbështet edhe nga Garibaldi si konsideratë e shërbimeve ndaj çështjes kombëtare prej shqiptarëve trima dhe bujarë, nxori këtë dekret në vitin 1860 : “Pas përfundimit të nevojave të kësaj lufte dhe pasi të krijohet Italia me Viktor Emanuelin, Thesari i shtetit të Napolit duhet t’i japë menjëherë shumën 12 mijë dukate për zgjerimin e kolegjit të shën Adrianit. Unë e vendos këtë zbatim të këtij dekreti nën garancinë e Vendit dhe të Sovranit të madh”.
Edhe më pas në atë kolegj ku shkonin të studionin të rinj nga Shqipëria, si dhe për shumë çështje shqiptare, u interesua Qeveria italiane, ministri i së cilës mik i Macinit, ishte rekomanduar nga Krispi në vitin 1881, gati 20 vjet pas Bashkimit të vendit, që ta zgjidhnin në Dhomën e deputetëve si përfaqësuesin e tyre politk.

Antonio Gaxeta ndihmoi në themelimin e një qendre kulturore shqiptare, një seminar italo-shqiptar që u quajt Seminari grek i Palermos, për shkak të ritit grek që praktikohej, ku studioi edhe vetë Krispi, i cili e vizitoi më vonë në vitin 1898 dhe u tha nxënësve që ta studiojnë në menyrë të veçantë gjuhën dhe letërsinë shqipe, duke shprehur shpresën për një ringjallje të Shqipërisë.
Në vigjilje të Luftrave ballkanike 1912-13, shumë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e një gjuhe për shpëtimin e kombit, italo-shqiptarët nën udhëheqjen e De Radës, mbajtën dy kongrese gjuhësore shqiptare me rëndësi të madhe : i pari në Koriliano kalabro 1895 dhe i dyti në Ungra-Lungro në vitin 1897. Me rastin e kongresit të parë, si kryetar nderi i Kongresit, krispi shkruan telegramin : Ju uroj që thirrët kongresin dhe ju jam mirënjohës për nderin. Shqipëtar me gjak dhe zemër, më pëlqen kjo nismë që shpresoj të jetë e dobishme për historinë e qytetërimit shqiptar dhe rritjes së letërsisë.

Kongresi vendosi formimin e një Shoqërie Kombëtare Shqiptare, së cilës i dha detyrën që të merrte masa për një alfabet të vetëm, për krijimin e një fjalori dhe një reviste italo-shqiptare për fillim marrëdhëniesh me atdheun mëmë. U vendos edhe krijimi i gazetës Kombi shqiptar. Pas kongresit të dytë gjuhësor u krijua në Romë, në prill të vitit 1900 një Komitet kombëtar shqiptar, i cili në rendin e ditës këmbënguli për nevojën e intensifikimit të studime gjuhësore kombëtare. Një komitet i tillë u krijua edhe në Palermo në vitin 1902.
Në një mesazh në prill të vitit 1896 u kujtonin vëllezërve shqiptarë në Shqipëri dhe flisnin për trajtimin vllazëror që panë shqiptarët në Jug të Italisë pas pushtimit turk të atdheut. Një vit më vonë e njëjta shoqatë i bashkonte protesta e veta me vëllezërit e bregut tjetër kundër aspiratave greke që ta merrnin gjithë Epirin dhe dolën kundër Austro-Hungarisë, Bullgarisë dhe Sërbisë që deshin t’i ndanin tokat tona. Në fjalën e vet më 3 maj 1900 Krispi thotë : Shqipëria nuk është sllave, është një komb që ka një personalitet të vetin, që ka gjuhën dhe zakonet e veta…Shqipëria i ka të gjitha elementët për të qënë shtet autonom, vetëm që të mos e merrnin Sërbia dheBullgaria. Duke i dhënë autonominë qeverisëse, Europa do të kryente vepër qytetërimi.

Përballë përpjekjeve të vazhdueshme të ndarjes së vendit, ata bënë sa kishin mundësi, meqë kishin peshë në zgjedhje, që Italia t’i ndihmonte vëllezërit e tyre në konferencën e Fuqive të mëdha europiane që do të vendosnin fatin e Atdheut të Shqiponjave dhe të kufijve : një territor që përmbysjet ushtarake otomane kishin hapur dhe i pambrojtur nga pushtimet. Në një manifestim solemn për një Shqipëri të madhe më datën 27 janar 1913 morën pjesë në Palermo jo vetëm italo-shqiptarët dhe simpatizantët e tyre, por ministra, sekretarë shteti, nënsekretarë si përfaqësues të qeverisë, senatorë të Mbretërisë dhe deputetë të Parlamentit, kryetari i Bashkisë së Palermos, drejtues politikë dhe të shoqatave, si dhe një mori e madhe njerëzish.

Manifestimi doli me deklaratën se duke marrë në konsideratë interesin e madh të Italisë në krijimin e një shteti të fortë dhe të qëndrueshëm shqiptar, duke marrë në konsideratë se Shqipëria e copëzuar dhe zhveshur nga krahinat e veta më pjellore, duke mos patur mundësi që të zhvillohet ekonomikisht, të progresojë qytetarisht dhe duke mos patur mundësi të jetë e pavarur dhe e lirë nga çdo ndërhyrje e huaj, do të ishte e pazonja që të ushtronte misionin e vet të ekuilibrit në Ballkan dhe Adriatik dhe kjo në dëm të madh për Italinë, u bën thirrje Qeverisë italiane dhe Fuqive të tjera të mëdha të njohin të drejtën e plotë që shqiptarët kanë mbi 4 ish vilajetet otomane, duke përcaktuar kufijtë e shtetit të ri që t’u korrespondojë qëllimeve më të larta…
Duke u bërë arbitre mes Francës dhe Britanisë së Madhe nga njëra anë dhe Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë nga ana tjetër, zëri i saj nuk mund të mos dëgjohej në skenën europiane : me Konferencën e Londrës më 1913 dhe Traktatin e Bukureshtit më 10 gusht 1913, ku vendos përfundimisht se Shqipëria do të ishte një shtet i pavarur dhe sovran, edhe pse me kufij që nuk ishin të natyrshëm, as racionalë.
Gazetari i njohur Barnes shkruan : Ishte rezultat i një kompromisi midis Rusisë, kundër krijimit të një shteti të ri, sepse dëshironte që shqiptarët të asimiloheshin prej Sërbëve dhe ambicjeve Austro-Hungareze që duke patur rivalitet me Rusinë për dominim në Ballkan, kishte qënë gjithmonë gati që të mbështeste aspiratat e çdo popullsie kundër sllavizimit.
Lordi Grey ishte mediator në një situatë kaq të nderë që mund ta kishte përshpejuar më lehtë shpërthimin e Luftës së Madhe. Ai u kënaq me punën për një paqe të përkohëshme, por do të kishte hedhur themelet e një paqe më të gjatë, nëse me këshilltarët e tij do të kishte patur më kurajo dhe një njohje më të mirë të gjeografisë dhe etnografisë së Ballkanit, pra të problemit të rregullimit të kufijve.
“Lufta ishte një luftë në ballkan, mes sllavëve dhe teutonëve, duke marrë pjesë kundër Gjermanisë, nuk mund të veprohej ndryshe, ne anglezët duhet ta toleronim Rusinë dhe sërbinë barbare. Si kundërpeshë ndaj privilegjit që të luftonim në krah të Francës dhe Italisë të qytetëruara”.
Rrjedha e historisë, më pas, për fat të keq, është mëse e njohur.

Përktheu dhe përgatiti për botim Arjan Th. Kallço