Shteti i fushatave

0
37

Adri Nurellari

Ditëve të fundit, qeveria ka njoftuar për ndryshimin e kodit rrugor, që do ketë si qëllim rritjen drastike të nivelit të gjobave për kundravajtjet. Duket qartë që kjo masë është motivuar nga aksidenti tragjik që ndodhi në Pukë, si dhe nga numri i madh i aksidenteve vdekjeprurëse që ndodhin gjatë verës së ngarkuar që të lënë të mendohet për një bilanc lufte. Në parim është pozitiv fakti që ndodh ky reagim dhe nuk dëshmohet indiferentizëm ndaj kësaj situate. Mirëpo nga ana tjetër, fakti që shteti mobilizohet seriozisht vetëm në situata dramatike dhe bëhet i dukshëm vetëm me fushata, të lë një shije të hidhur dhe të krijon përshtypjen e një shteti tmerrësisht disfunksional.

Prania e aksidenteve të rënda në Shqipëri nuk është më rastësi, por rregulli ka marrë formën e një epidemie të mirëfilltë. Burimi i këtyre aksidenteve nuk mund t’i atribuohet më cilësisë së rrugëve, sepse ato janë përmirësuar ndjeshëm gjatë këtyre viteve të fundit, por duhet kërkuar tjetërkund. Ideja e vendosjes së dënimeve më të rënda megjithatë duket e paarsyeshme, duke pasur parasysh që problemi kryesor nuk është te pesha e dënimit, por te fakti që një pjesë e mirë e kundravajtësve nuk dënohen fare. Pra nuk është problem kodi rrugor aktual në vetvete, por problemi kryesor është mosvënia në jetë në mënyre rigoroze e tij. Pse duhet të ndryshohet ky kod me një tjetër, kur ky kod nuk është vënë në funksion të plotë e nuk është testuar në mënyrë të rreptë në terren.

Të jesh polic trafiku, për mendimin tim, është një ndër punët më të palakmueshme, duke pasur parasysh presionin e madh që ushtrohet kur je në detyrë. Nëpër rrugët e Shqipërisë është më se e zakonshme të shikohen kundravajtës, të cilët e sfidojnë shtetin duke debatuar me policët, duke u bërë presion apo duke i kërcënuar me telefonin në dorë se do përdorin lidhjet e tyre si hakmarrje për gjobat. Po ashtu vihet re dendur që makinat e mira luksoze nuk para ndalohen nga policët kur ecin si të çartura nëpër rrugë, sepse policët hamendësojnë se këta persona kanë mbështetje, lidhje e pushtet për të marrë hak në mënyrë personale për gjobat e vëna.

Për mos të folur pastaj për makina zyrtare apo makina që kanë stampa të dukshme të mediave, të cilat janë krejt imune dhe të papërgjegjshme për mënyrën si ecin në trafik. Zakonisht ndalohen makina më modeste, gjë që tregon se dora e ligjit është selektive, funksionon me census pasurie dhe zakonisht bie mbi më të brishtët dhe të pambrojturit. Për mos të folur më pas për nivelin e lartë të korrupsionit dhe faktit që shumë shoferë kundravajtës do kenë më shumë motiv për të paguar nën dorë një ryshfet të vogël, sesa të paguajnë një gjobë të rëndë e t’u futen procedurave të komplikuara.

Zgjedhja e rëndimit të gjobave si zgjidhje për situatën e rënduar nuk ka të bëjë vetëm me faktin që gjobat më të rënda nuk e zgjidhin çështjen e mungesës së integritetit të policisë rrugore, por nxjerr në pah edhe problemin konceptual me të cilin trajtohet kjo situatë. Policia rrugore duhet të ketë si synim që të përmirësojë trafikun dhe sigurinë në rrugë dhe jo të sillet si inkuizitore e të orvatet të zërë sa më shumë në faj, siç ndodh tani.

Policët rrugorë sot fshihen me radarët si grepa peshkatarësh, për të zënë në befasi ata që ecin shpejt, ndërkohë që duke qëndruar të palëvizur nëpër skuta e kanë të pamundur ta mbikëqyrin trafikun në dinamikë përgjatë gjithë rrugës dhe e kanë të pamundur që të merren me kundravajtje të tjera edhe më të rrezikshme, që bëhen në rrugë e që s’lidhen detyrimisht me kalimin e shpejtësisë së lejuar.

Përderisa duket qartazi që një ndër problemet që del është faktori human në policinë rrugore, konkretisht mungesa e përkushtimit dhe rigorozitetit të policëve rrugorë, atëherë do të ishte e nevojshme një përqasje më gjithëpërfshirëse dhe e mirëmenduar. Për shembull, mund të investohej për automatizimin e procesit të mbikëqyrjes, duke vendosur kamera e radarë të teknologjisë së lartë në zona delikate e kryqëzime, në mënyrë që monitorimi të bëhet në distancë e të shmanget në maksimum ballafaqimi i policit me drejtuesin e automjetit. Në këtë mënyrë, gjoba dërgohet me postë, shkelja e rregullave do ishte më lehtë e provueshme dhe do shmangej arbitrariteti, korrupsioni dhe konfrontimi në terren.

Gjithsesi, çështja nuk ka të bëjë vetëm me aksidentet rrugore dhe kjo përqasje nuk është e izoluar vetëm te ky rast. Ajo që është shqetësuese, është se kjo praktikë e trajtimit të problemeve vetëm me fushata është bërë modus operandi i shtetit tonë. Sa herë që bëhet i skajshëm e acarues një problem, zgjidhja shikohet te ndërtimi i strukturave të reja, duke zmadhuar shtetin dhe prerogativat e tij si dhe duke u përqendruar te ballafaqimi i simptomave e jo te kurimi i mirëfilltë i patologjisë.

Administrimi i shtetit me fushata duket qartë që bëhet për imazh, si një përpjekje për të treguar përgjegjshmëri,sidomos në rastet kur ndodhin fatkeqësi të bujshme. Është bërë traditë në Shqipëri të flitet për fushatë për të kontrolluar karburantet, fushatë për të kontrolluar standardet higjieno-sanitare të ushqimeve, fushatë për fushatë pastrimi, fushatë me arrestime për të korruptuarit në shëndetësi e arsim, fushatë për prerjen e bimëve narkotike, fushatë për prishjen e ndërtimeve, abuzime nëpër kolektorë e sistemin e irrigimit pas pësimit të përmbytjes, fushatë kundër makinave të vjedhura, fushatë prishjesh të ndërtimeve pa leje etj.

Këto, në fakt, duhet të ishin veprimtaritë permanente e mekanike të shtetit, në mënyrë non stop e jo thjesht për raste të rralla. Këto aktivitete duhet të ishin rregulli e jo përjashtimi që bëhet në periudhë fushate. Në këtë mënyrë, shteti shqiptar sikur thotë që ndonjëherë edhe punohet, apo mes të tjerave shteti merret edhe me përmbushjen e detyrës dhe ofrimin e shërbimeve që i takon të sigurojë. Kjo do të thotë që shteti ynë funksionon si zjarrfikësit, të cilët vihen në veprim sa herë bie zjarri. Shpesh madje kur nuk e fikin dot zjarrin, thjesht ndërmarrin fushata “tymuese për ta fshehur atë”.

Kjo mënyrë e të menaxhuarit të shtetit të kujton mënyrën se si Perandoria Osmane bënte administrimin e territoreve të largëta si Shqipëria në periudhën e dekadencës, e cila ishte e paaftë të parandalonte shumë probleme, apo t’i administronte ato dita-ditës, por organizonte fushata ndëshkimore sa herë që situata mahisej në mënyrë të skajshme e bëhej baltë. Asokohe e mbytur në probleme të mëdha të brendshme dhe të jashtme, shteti otoman ishte i paaftë të ishte i pranishëm në mënyrë të përditshme në periferi të territorit, mirëpo shfaqej hera-herës me fushata ndëshkuese sapo problemet bëheshin shumë të bujshme dhe flagrante, apo situata dilte tërësisht jashtë kontrollit.

Pra, problemi nuk është në vetvete thjesht te rritja e gjobave të shkeljeve rrugore në këtë periudhë problematike, por te fakti që kjo përqasje e gabuar e mënyrës si duhet të funksionojë shteti është vetëm një tjetër rast shtesë në listën e gjatë të rasteve që demonstrojnë se shteti ynë është shtet fushatash. Administrimi i shtetit me fushata e jo me punë të përditshme rigoroze, dëshmon për një krizë të mirëfilltë brenda sektorit publik, tregon se mungojnë sistemet e brendshme të monitorimit dhe vlerësimit të veprimtarisë së strukturave shtetërore, se nuk ka tregues matës që të pasqyrojnë rezultatet, por thjesht synohet rritja e perceptimit publik se po punohet duke përdorur fushata.

Kjo situatë lë të kuptohet se shteti nuk përdor politika të bazuara tek analiza e performancës e nuk aplikon një karrierë të zyrtarëve të vet të mbështetur te merita e suksesi e jo te përkushtimi partiak dhe lidhjet nepotike. Aplikimi i sistemit të shtetit të fushatave tregon qartë politizimin e administratës dhe kuadrove, të cilët ndihen të përkohshëm dhe thjesht përpiqen të shmangin “zjarrin e radhës”, duke e pasur vëmendjen kryesisht te zhvatja e jo te konsolidimi i institucioneve dhe procedurave në mënyrë permanente dhe te masat parandaluese.