Fushata e pandershme e qeverisë

0
49

Nga: EDUART ZALOSHNJA

Prej mëse një viti, opozita shqiptare po stërmundondohet te krijoje nje komision hetimor parlamentar, i cili po te punoje siç sugjeron ajo, do të vërtetojë se maxhorancës i janë dhënë më shumë vota zyrtarisht se sa ka marrë realisht në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Sipas opozitës, ky deformim i rezultatit është realizuar në dy mënyra:
1-nëpërmjet votave fiktive (pra, të njerëzve që në fakt nuk kanë votuar, por që dikush tjetër e ka hedhur votën për ta);
2-nëpërmjet numërimit jokorrekt të votave.

Me pak fjalë, bateritë e opozitës janë përqendruar tek deformimi i rezultatit zgjedhor që mund të ketë ndodhur si rrjedhojë e veprimeve të kryera larg syve të publikut të gjerë. Ndërkohë, një deformim më i madh mund të jetë realizuar nëpërmjet veprimeve të kryera para syve të të gjithëve… Kushdo që ka ndjekur mediat shqiptare në muajt para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, e ka pasur të lehtë të konstatojë se sa shumë reklama trumbetonin në atë kohë arritjet e qeverisë në përgjithësi dhe të çdo ministrie në veçanti.

Dhe ato ishin reklama të paguara nga taksapaguesit shqiptarë, të majtë e të djathtë bashkë. Ndërkohë, televizioni “News24” u gjobit pse transmetoi një kundër-reklamë të paguar nga një parti opozitare, me arsyetimin se fushata nuk kishte filluar akoma zyrtarisht! Sipas raportit të OSBE/ODHIR-it rreth zgjedhjeve, qeveria përdori në mënyrë të përsëritur mjete dhe aktivitete zyrtare për qëllime fushate, duke e zbehur dallimin mes veprimtarive të shtetit dhe fushatës, në kundërshtim me paragrafin 5/4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së.

Gjithnjë sipas OSBE/ODIHR-it, inaugurimet e projekteve të infrastrukturës nga kryeministri dhe nëpunës të tjerë të lartë të PD-së, ndodhën shumë shpesh gjatë periudhës parazgjedhore, si dhe shumë afër ditës së zgjedhjeve. Në to morën pjesë turma të mëdha që valëvisnin flamujt e PD-së, ndërsa fjalimet kishin karakter shumë të qartë fushate. Ndërkohë që dy cënimet e mësipërme të parimit të ndershmërisë së zgjedhjeve, kanë qenë mëse të dukshme, ndikimi i tyre në rezultatin përfundimtar nuk është lehtësisht i matshëm.

Por, një hamendje e edukuar rreth tij, mund të bëhet. Pranohet botërisht si aksiomë se fushatat zgjedhore në vendet demokratike zhvillohen kryesisht për të tërhequr votuesit e lëkundur. Në qoftë se të tillë votues nuk do të ekzistonin, nuk do të lindte nevoja për shpenzimet marramendëse që kryen për fushatat zgjedhore, pasi votuesit e vendosur mund t’i sjellësh në kutitë e votimit edhe me një fushatë fare modeste. Por, a ka votues të lëkundur në Shqipëri?

Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, le të përcaktojmë dy nëngrupet e votuesve të lëkundur. Nëngrupi i parë përbëhet nga votuesit që e ndërrojnë kahun e votimit nga njëra zgjedhje në tjetrën, pra janë votues të ndryshueshëm. Ndërsa, nëngrupi i dytë përbëhet nga votuesit që anojnë nga njëri krah, por që herë marrin pjesë në zgjedhje e herë jo, pra, janë votues të vakët.

Nga një studim statistikor që kreva para zgjedhjeve të 2009-ës, më rezultonte se rreth 29% e votuesve të mundshëm ishin në emigracion në atë kohë, 21% e votuesve, ose nuk kishin votuar fare në katër zgjedhjet e fundit, ose ishin votues të rinj që kishin vendosur të mos merrnin pjesë në zgjedhje, 8% e votuesve, herë kishin marrë pjesë në zgjedhje e herë jo, 4% ishin votues që e kishin ndërruar krahun e votimit dhe 38% ishin votues të vendosur për njërin apo tjetrin krah. Ekzistenca e votuesve të lëkundur indikohet tërthorazi edhe nga krahasimi i zgjedhjeve të vitit 2005 në zonën 31 të Tiranës, dhe zgjedhjeve të pjesshme në po të njëjtën zonë në shtator 2007. Kështu, mbi 18600 votues të zonës 31 (rreth 50% e votuesve në lista) votuan në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, por vetëm 12850 shkuan në kutitë e votimit në shtator 2007.

Pasi i kemi dhënë një përgjigje pyetjes rreth ekzistencës së votuesve të lëkundur në Shqipëri, le të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjes se sa mund të jenë ndikuar të tillë votues nga fushata e pandershme mediatike e qeverisë në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Në Shqipëri nuk ekzistojnë studime që mund të na ndihmojnë në dhënien e kësaj përgjigjeje, por në botën demokratike ka të tilla. P.sh, Larry M. Bartels, profesor i Universitetit Princeton, në një artikull të tij të vitit 1997 ka analizuar studime të shumta ekonometrike rreth zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Ai arrin në konkluzionin se dy janë faktorët kryesorë që përcaktojnë rizgjedhjen e një shefi të ekzekutivit:
1-rritja e të ardhurave për frymë,
2-perceptimi që kanë votuesit e lëkundur rreth situatës së përgjithshme ekonomike në vend.
Duke u kthyer në Shqipëri, mund të konstatojmë se rritja reale e të ardhurave për frymë (e zhveshur nga inflacioni) ka qenë rreth 3.2% në vit gjatë qeverisjes së parë të PD-së. Një rritje e tillë, sipas profesor Bartles, nuk ndikon shumë në rizgjedhjen e një shefi të ekzekutivit, ajo duhet të kalojë 3.5% që të ketë ndikim të ndjeshëm.

Nga ana tjetër, fushata jo e ndershme mediatike e qeverisë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 u përqendrua në krijimin e perceptimit tek votuesit e lëkundur se situata e përgjithshme ekonomike në vend ishte shumë më e mirë se katër vjet më parë. Dhe ky mund të ketë qenë një faktor i rëndësishëm që ka shtyrë një pjesë të votuesve të vakët e të ndryshueshëm për t’ia dhënë votën koalicionit qeverisës (studime të shumta statistikore në botën demokratike tregojnë se fushatat e fuqishme mediatike arrijnë ta ndryshojnë perceptimin e votuesve rreth gjendjes së përgjithshme ekonomike).

Si rezultat i këtij efekti, koalicioni qeverisës mund të ketë marrë aq vota sa për të bërë diferencën për deputetin e 3-të të saj në Qarkun e Beratit, deputetin e 16-të në Qarkun e Tiranës, deputetin e 7-të në Qarkun e Shkodrës e të Elbasanit etj. Hamendjet e mësipërme, sado të edukuara, mbeten hamendje. Për të marrë vesh saktë se sa votues ia kanë dhënë realisht votën qeverisë, duhen hetuar imtësisht kutitë e dokumentacionit zgjedhor dhe ato të votave…