Berisha: Ristani është një nga personalitetet më të shquara dhe të ekuilibruara në vend. Do bashkoj kokën me trupin e Ali Pashës

0
83

TemA, 2 Korrik 2012

Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar se ai është gati të takohet me Edi Ramën, por shtoi se reforma zgjedhore nuk bëhet me ultimatume dhe prerje kokash. Dhe meqë fliste për prerje kokash, Berisha premtoi se do bashkojë kokën me trupin e Ali Pashës

Kryeministri Sali Berisha iu përgjigj deklaratave të kreut të PS, Edi Rama, se nuk ka reformë zgjedhore pa largimin e Arben Ristanit. Berisha shkoi shumë larg kur e quajti Arben Ristanin një personalitet të shquar dhe të ekuilibruar. Berisha tha se reforma nuk bëhet me prerje kokash, por me ligje.

“Unë e garantoj PS se tek ne ekziston vullneti i plotë për finalizimin e reformës në përputhje me direktivat e ODIHR.

Tani përballemi me një fenomen të veçantë. Fenomeni është unik, që të krijon përshtypjen se këtu nuk kërkohet ligji, por kërkohen kokat. Në çdo rast kreu i PS sulmon e demonizon në mënyrë të papranueshme kryetarin e KQZ. Nëse merrni sulmet që i ka bërë ai Arben Ristanit me sulmet që i bën Lulzim Bashës, ju garantoj se ato ndaj Arben Ristanit janë disa herë më të mëdha.

Nuk është Arben Ristani që i bindi qytetarët që të votonin, ishte Lulzim Basha. Ndaj i them zotit Rama mos u merr me kokat, të merremi me ligjet, se Ristani është një nga personalitetet më të shquara e më të ekuilibruara të vendit. Unë e përgëzoj sot për performancën e shkëlqyer tek konferenca me Komisionin e Venecias. Pjesëmarrësit në këtë konferencë thanë se Shqipëria ka plotësuar kodin etik të zgjedhjeve më mirë se kushdo tjetër,” tha Berisha.

Dhe meqë po fliste për prerje kokash, Berisha premtoi se do bashkojë kokën me trupin e Ali Pashës.

“Unë mendoj se demonizimet dhe kokat e prera janë atavizma. Shqiptarët mbajnë mend vetëm kokën e Ali Pashës. Në fakt duhet të bëjmë çmos ta sjellim kokën e tij e ta bashkojmë me trupin.

Ti Spiro nuk mund të kesh vërejtje për këtë,” tha ai duke iu drejtuar Spiro Kserës, që duket se ka pasur vërejtje për këtë gjë.

Berisha tha se ai është gati të takojë Ramën, por gjërat nuk zgjidhen me ultimatume.

“Unë jam i gatshëm ta takoj zotin Rama, në qoftë se ka qoftë edhe dyshimin më të vogël tek qëndrimi i sinqertë i yni dhe vendosmëria jonë për ta zgjidhur problemin. Por nuk na shkon ne të merremi me sulme personale. Nuk duhet të udhëheqë dufi politik. Nuk është normale të bëhen editoriale dhe ciu- ciu çdo tre ditë për KQZ-në dhe kryetarin e tij. Shpresoj të ketë vullnet të qartë, pa ultimatume. Ultimatumi është mekanizmi i bllokimit të konsensusit.”