Letërsia, përkthimet dhe identiteti kulturor

0
64

Ndue Ukaj Ndue Ukaj

Më pëlqen t’i filloj këto përsiatje, duke e cituar shkrimtarin Italo Calvini. I ftuar nga Universiteti i Harvardit për t’i mbajtur leksionet e njohura që para tij i kishin mbajtur shkrimtarët e famshëm T. S. Elioti, J. L. Borgesi, O. Paz, ai në librin “Leksione amerikane” shkroi: ”Besimi im në të ardhmen e letërsisë qëndron në faktin se e di që ka gjëra, të cilat vetëm ajo mundet të na i japë me mjetet e saj të veçanta.” Calvini, në këto tekste brilante, të shkuara me stil e dituri, nxori në pah vlerat e mëdha dhe të përbotshme të letërsisë dhe ndikimin që ka ajo në ekzistencën tonë.
Roli dhe ndikimi i artit në shoqëri nuk duhet të nënvlerësohet. Ngjet që në sipërfaqe të duket se letërsia s’ka ndonjë rol të madh në jetën shoqërore, mirëpo indirekt, ajo ndikon jashtëzakonisht shumë. Një roman apo poezi e mirë, ndikon në gjuhën dhe mendimet tona; ndikon në ndjesitë e njeriut dhe formësimin e botëkuptimeve për fenomenet që e rrethojnë. Kështu, ajo hapë perspektiva e shtigje alternative për t’i gjykuar shumë çështje të shoqërisë. Shoqëria duhet të bazohet në një ide unifikuese. Në këtë pikë, letërsia mbetet një pikë konvergjente e përbashkuese. Ajo ndihmon në sofistikimin e gjuhës, ndërsa leximi i letërsisë është një gur themeli për ta ndërtuar një shoqëri më humane.
Përvoja empirike dëshmon një të vërtet të pamohueshme: Letërsia e ka ndihmuar në mënyrë konstante përparimin e njerëzimit dhe gjithashtu ka ndikuar në formimin e identitetit kulturor të aksh vendit a kombit. Ajo konsiderohet forma më e mirë me të cilën mund përfaqësohet një shoqëri rrafshin universal. Thënë ndryshe, ajo është nga gjërat e pakta që joshin krejt njerëzimin.
Letërsia, ndonëse lidhet me imagjinatën, nuk është vetëm imagjinata e shkrimtarëve; ndonëse shkruhet për hir të kënaqësisë, nuk është vetëm kënaqësi; është shumë më tepër se kaq- është veprimtari humane shumë më e fisme, dhe brenda vetës përmban historinë njerëzore; betejën mizore mes të mirës dhe të keqes, urtësisë dhe injorancës, dashurisë dhe urrejtjes, dritës dhe errësirës. Ajo përfaqëson një univers të pafund dhe është kujtesa më e bukur e njerëzimit. Ndaj, kur duam të dimë diçka për identitetin kulturor të aksh vendit a kombit, të shumtën e herëve, flasim për kryeveprat që vendet përkatëse i kanë dhënë njerëzimit. Në këtë mënyrë e kuptojmë se letërsia rri pushtetshëm në fronin më të lart të vlerave të përbotshme. Sepse ajo depërton dhe shtrihet përtej dogmave të ngushta, doktrinave politike e shoqërore që kanë një fillim e fund, sepse është një mënyrë shpëtimi, çlirimi e shëlbimi. Dhe si e tillë, ajo mundet t’i hapë portat humanizmit dhe ta shpie njerëzimin kah liria.
Besimi te fuqia e letërsisë, qëndron në faktin se ajo me mjetet që ka në dispozicion, ka mundësi të përhershme për t’i thënë dhe dhënë disa gjëra në një mënyrë tjetërfare nga çfarë na ofrohen- nga shkenca apo nga dijet tjera, që përpiqen të vërtetat t’i kornizojnë dhe t’i arrijnë nëpërmjet përvojave metodike a doktrinare.
Meqë jemi në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtar të Librit, më pëlqen po ashtu ta citoj nobelistin, Herman Hessen, i cili pohonte: ”Nga të gjitha gjërat e vlefshme, që njeriu s’i ka marrë dhuratë nga natyra, por e ka shpikur vet, librat janë shpikja më e vlefshme.” Pa dyshim, libri i letërsisë këtë status shenjtërie e ka fituar në saje të pushtetit shpirtëror që zotëron, dhe ndikimit që ka ushtruar përgjatë historisë së njerëzimit në emancipimin e tij.
Përparimi shoqëror nënkupton një ndjeshmëri dhe përgjigje etike karshi sfidave të përhershme që shfaqen para njerëzimit dhe humanizmit tonë. Këtë ndjeshmëri, dijet shoqërore dhe shkenca nuk mund ta japin në mënyrën e duhur, ndërsa letërsia ka fuqi ta injektojë njerëzimin me humanizëm, kënaqësi, lumturi, dituri e bukuri. Mu për këtë arsye, ka shkrimtarë që me të drejt mendojnë se letërsia është ajo e cila mund ta përmbush boshllëkun moral të një shoqërie, dhe po ashtu, ka tagër, t’i japë përparimit forcë domethënëse e krijuese.
Statusi universal të cilin e gëzon letërsisë dhe fuqia planetare e shtrirjes së saj, është arritur nëpërmjet përkthimit, ndaj veprimtaria përkthyese, është vlerësuar dhe vlerësohet me rëndësi jetike për kulturën e përbotshme. Pa këtë veprimtari kulturore ndërmjetësuese- do të ishte pamundur njohja e gjithë thesarit të artit letrar që posedon njerëzimi. E pa këto vlera, njerëzimi do të ishte pamatshëm më i varfër. Imagjinojeni sikur bota të mos i kishte të përkthyera “Iliadën” dhe “Odisenë” të Homerit, “Hamletin” i Shekspirit, “Komedinë Hyjnore” të Dantës, “Faustin” i Gëtes, poezitë e Khajamit, “Idiotin” i Dostojevskit, “Procesin” i Kafkës dhe shumë e shumë kryevepra tjera. Pra, nëpërmjet përkthimit, këto kryevepra dhe shumë të tjera, janë shndërruar në vlera universale, të receptura, lexuara e vlerësuara në të katër anët e botës. Nga ky këndvështrim, e kuptojmë ç’ndikim kanë luajtur veprat e rëndësishme në pasqyrimin e kulturës së një kombi a shteti!
Letërsia i shpërfillë ligjet e ngurrëta dhe me mjetet e veta të gjuhës- që janë mjete të shpirtit, shfaqet si një alternativë e përhershme. “Shkrimtari në shoqëritë e hapura, demokratike, është ai që propozon një jetë alternative. Dhe ne kemi nevojë për këtë jetë tjetër”-shkruan nobelisti Mario Vargas Llosa. Këtë status të epërm, letërsia e ka fituar në saje të fuqisë së shpirtit, me të cilën disponon, ndaj, ajo mbetet një nga format më reprezentative të shoqërisë. Pa shumë hamendësime e përsiatje, mund të vijmë te një konkluzion: ndikimi i letërsisë në formimin e identitetit të një vendi, dhe në imazhin e tij, është e pamatshëm dhe jetik. Po ashtu, letërsia është fuqi shpirtërore e pazëvendësueshme, nëpërmjet të cilës, të tjerët e njohin dhe shpeshherë e identifikojnë një vend a komb të caktuar. Pra, letërsia, përfaqëson më së miri identitetin kulturor të një vendi. Ndaj, sa herë përmendim Italinë, Virgjili e Dante janë të pashmangshëm. E nëse kalojmë në Gjermani dhe flasim për identitetin kulturor gjerman, Gëte na ravijëzohet menjëherë. Njësoj qëndron puna me Spanjën e Servantesit, me Anglinë e Shekspirit, me Francën e Hygos. Kilin e Pablo Nerudës. Kolombinë e Marquezit. Argjentinën e Sabatos. Izraelin e Amoz Osit. Suedinë e Strindbergut. Shqipërinë e Kadaresë. Çekinë e Kunderës. Poloninë e Szymborskes. Japoninë e Murakamit. Dhe ranglista sigurisht mundet të zgjatet pa pafund. Kjo pasuri universale, ka arritur të thadrohet thellë në ndërgjegjen e njerëzimit në saje të veprimtarisë përkthyese, ndaj rëndësia e përkthimit, nëpër gjitha kohët, është vlerësuar jetike për njohjen e letërsisë; apo më mirë të themi, për rikrijimin e saj në një gjuhë tjetër, për rivitalizimin e veprave të caktuar në kontekste kulturore specifike.
Pa mëdyshje, roli dhe ndikimi i përkthimit të letërsisë, në secilën shoqëri të emancipuar e demokratike, është i madh. Në këtë sens, përkthimi e ndihmon kulturën letrare të ndërtojë ura interkomunikimi, dhe të përçojë mesazhin e një populli më mirë se çdo veprimtari tjetër artistike a shoqërore. Nëse letërsia përkthehet në mënyrë të duhur e dinjitoze, dhe i prezantohet kulturës së përbotshme, mund të luajë rolin e diplomacisë kulturore në afirmimin e vendit të caktuar. Libri i letërsisë ka fuqi t’i tjetërsojë dhe t’i thyejë paragjykimet për vende të caktuara; të pasqyrojë historinë dhe kulturën e caktuar dhe të ndihmojë njohjen e një kombi a shteti. Një gjë të tillë e ka realizuar mjaft mirë letërsia e Ismail Kadaresë, ndaj Amoz Os, në një intervistë thoshte se krejt çka dinte për Shqipërinë e kishte mësuar nëpërmjet Kadaresë. Kjo dëshmon ç’fuqi ka letërsia!
Çfarë mund të bëj letërsia në një kohë të vështirë, si kjo e jona?
Poetët janë ligjvënësit e panjohur (ligjërisht) të botës- shkruante Persi Bishi Shelli. E shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, gjatë ceremonisë së marrjes së një çmimi letrar në Prishtinë, ndër të tjera tha: “Letërsia nuk rregullon punët e një kombi, letërsia është një botë e pavarur dhe një vlerë paralele me kombin e popullin. Por, ka stinë në jetën e popujve, kur letërsia duhet ta thyej zakonin e të qenit e pavarur e të përzihet në punët e kombit dhe se tani kombi shqiptar ka nevojë për letërsinë, e cila, ka detyrën të sqarojë keqkuptimin që hedh në diskutim nëse shqiptarët janë apo duhet të bëhen europian.”
Letërsia e ka për detyrë të mos lejojë që të vërtetat t’i formësojë vetëm politike, sepse po ndodhi një gjë e tillë, ajo nuk mund të jetë imune përball të keqes, sidomos ndaj murtajës së gjuhës. Një shoqëri e tillë tkurret nga prirja e shpirtit dhe ndikimi i librit, dhe kësisoj bëhet arenë e pafundme e përplasjeve agresive politike.
Letërsia, historikisht ka treguar forcë për të luftuar të keqen, diktaturat, sistemet totalitare dhe ka përhapur vazhdimisht kulturën e kohezionit shoqëror, ka nxitur vetëdijen kritike dhe ka hapë horizonte të reja, sepse ajo mund të krijojë antitrupa, që luftojnë përhapjen e murtajës së gjuhës-shkruan me të drejt Calvini.
Shtylla themelore, mbi të cilën u ndërtua historia dhe përkatësia jonë perëndimore, është letërsia. Ernest Koliqi thoshte se ndërtuesit e Shqipërisë janë tre poetë: De Rada, Naimi dhe Fishta. Ndaj, për ta kuptuar vetveten ma mirë, duhet t’i kthehemi letërsisë shqipe, sepse ajo ishte dhe mbetet shtylla më humane dhe fundamentale e identitetit shqiptar dhe përkatësisë së tij europiane.