‘Neni 1’

0
52

Rudina Seseri, 27.07.2010

Me këtë nen Qeveria do të bëjë ndryshime thelbësore në shifrat e buxhetit. Sigurish¸ kjo nuk është hera e parë, sepse Ministria e Financave ka ndërhyrë disa herë gjatë viteve në shifrat e buxhetit.

Madje, vetë zoti Ministër i Financave, ka deklaruar se buxheti “është vetëm orientues”(!)! E imagjinoni dot sa të shkurtër do ta kishte kohëzgjatjen në detyrë kryefinancieri i një firme private nëse do të kishte të njëjtën qasje? Apo sa shpejt do të falimentonte një familje me një mendësi të tillë?

Me këtë logjikë është ndërhyrë disa herë edhe në buxhetin 2010, madje edhe vetëm pak ditë pasi u miratua në fund të vitit 2009. Por, këtë radhë nuk kemi të bëjmë me një ndryshim të zakonshëm. Këtë radhë Qeveria në Nenin 1 zvogëlon të ardhurat e parashikuara të buxhetit nga 361 miliardë lekë në 334 miliardë.

Çfarë tregon ky ndryshim? E para, që Ministria e Financave nuk di të programojë. Në Programin Buxhetor Afatmesëm 2008-2010 kanë programuar për vitin 2010 si të ardhura totale 354, 762 miliardë lekë. Po kaq kanë parashikuar edhe në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal 2009-2011.

Më pas, në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal 2010 – 2012 kanë parashikuar si të ardhura totale për vitin 2010 një shumë prej 371.000 miliardë lekë. Pak muaj më pas, në prill 2009, e kanë rishikuar Kuadrin Makroekonomik e Fiskal dhe kanë zvogëluar të ardhurat në 368,300 miliardë lekë. Në buxhetin 2010 kanë miratuar edhe me pak: 360, 955 miliardë lekë. Pas 6 muajsh e ulin përsëri në 333,767 miliardë lekë.

Kjo çorbë shifrash tregon se në dy vitet e fundit qeveria ka ndryshuar 4 herë shifrën e të ardhurave dhe propozimi i sotëm është hera e pestë. Kjo tregon se nuk janë të aftë të programojnë, jo më për afate 2-3 vjeçare, por as për 6 muaj.

E dyta, ky ndryshim dëshmon se vendi është në krizë të thellë ekonomike dhe se Qeveria ishte e paaftë ta parashikonte, ta parandalonte apo ta zbuste në kohë krizën me politika ekonomike e fiskale. Në vend që të merrte masa antikrize, tregonte përralla se Shqipëria është vend i paprekshëm nga kriza.

Tani, po këta, pa ndrojtjen më të vogël na kërkojnë të zvogëlojmë të ardhurat. Se s’kanë ku i gjejnë paratë.

Se të ashtuquajturat “politika fiskale për të rritur të ardhurat”, kanë bërë efektin e kundërt, i kanë marrë frymën biznesit dhe ai s’ka ç’t’u japë më.
Kjo do të thotë se Ministria e Financave, jo vetëm nuk di të programojë, por nuk di as të hartojë politika efikase që nxisin veprimtarinë ekonomike, mbrojnë biznesin nga falimentimi dhe rrisin të ardhurat.

Nuk ka si të jesh dakord me këtë nen që ul të ardhurat. Ulni shpenzimet për të shkurtuar deficitin e balancuar buxhetin, por jo të ardhurat. Ose pranoni hapur që e keni futur ekonominë në qorrsokakun e një krize që nuk i dihet se ku do ta ketë fundin.

Kryeministri është i vetmi që nuk e pranon krizën e rëndë të vendit. Ky është një realitet i konfirmuar në mënyrë të përsëritur nga institucione të specializuara ndërkombëtare, përfshirë edhe Bankën Europiane për Zhvillim javën që shkoi.

Ky është një realitet që manifestohet tek ekonomia e pazhvilluar, bujqësia primitive dhe e neglizhuar plotësisht nga politikat publike, biznesi i frenuar dhe gati i falimentuar, eksportet e papërfillshme, keqmenaxhimi dhe shpërdorimi i fondeve publike, korrupsioni galopant.

Ky është një realitet që shfaqet në tkurrjen e aktivitetit ekonomik, pakësimin e të ardhurave, rritjen e papunësisë në nivelin më të lartë që nga fillimi i vitit 2007, dhe në pamundësinë e rritjes reale të pagave dhe pensioneve. Dikush duhet t’ju shpjegojë juve kryeministër, konceptin e rritjes reale.

Në thelb, Kryeministri tha dje në Kuvend se shqiptarët do ecin nëpër tunele të shtrenjta dhe paratë Qeveria do t’i gjejë nga kursimi i karburantit dhe mospërdorimi i letrës. (!!) I nderuar Zoti Kryeministër!

Unë nuk e njoh e nuk mund të komentoj nivelin tuaj si mjek, por në ekonomi mbeteni një amator i dështuar që po e çoni edhe vendin në dështim të plotë. Unë ju sugjeroj që përrallat për arritjet e lavdishme, ju t’i shkruani në kujtimet tuaja, siç bënte Enveri kur shkruante për kapitalizmin dhe Lindjen e Mesme.

Mos harroni të flisni edhe për Alimuçajn dhe Riddell, të cilët ngjajnë aq pak njëri me tjetrin, sa ç’ngjan Kryeministri me Marilyn Monro. Dhe kjo e fundit, ndoshta është e vetmja temë për të cilën Kryeministrin mund ta ndriçojë Ministri i Financave.