Atalanta Pasko, 27.07.2010
Kutia e Ruzhdies përballë kutisë së Pandorës dhe Edipi i Tebës në mes…
Jeta politike në vendin tonë ka mbetur e ngurosur prej një viti përballë kutive të mbyllura të votimit, e ngërthyer keqas në kthetrat e kundërshtisë, që duket e pazgjidhshme: të hapen apo të mos hapen këto kuti.
Nga ana tjetër, drejtësia e cila mund të urdhërojë të zhvarrosen edhe të vdekurit për të zbuluar një të vërtetë, që mund të lidhet dhe vetëm me pak njerëz, në vendin tonë nuk e gjen dot rrugën të urdhërojë leximin e disa letrave, të cilat lidhen me të drejtën e votës të qindra mijë qytetarëve të vendit.
Ndërkaq, në opinion dëgjohet shpesh se po të hapen këto kuti, mund të dalin disa gjëra të tmerrshme, më keq se nga kutia e Ruzhdies dhe mund të ndodhë ky apo ai reagim, dhe pastaj kjo apo ajo rrjedhojë, etj., etj.
Kështu, shumë nga ne tremben më fort nga këta skenarë tmerresh që përfytyrohet se mund të ndodhin po të zbulohet e vërteta dhe nuk duan t’ia dinë as nga mallkimi i fshehjes së saj dhe as nga mallkimet e tjera që sjell ngërçi në jetën politike të vendit.
Sa për krahasimin që bëhet shpesh me kutinë e Pandorës (urime, me këtë rast gjithë Pandorave që më 27 korrik festojnë ditën e emrit!), mendoj se këtu ka një keqkuptim. Pandora nuk është ajo gruaja e keqe, e cila hapi një kuti dhe i dha botës shumë fatkeqësi.
Në të gjitha variantet e këtij miti, ajo është një femër jo vetëm e bukur, sepse Pandora do të thotë “të gjitha dhuratat”, më fort në kuptimin “të gjitha dhuntitë”. Në të njëjtën kohë ajo është dhe shumë kureshtare.
Por, a do guxonim vallë ta rendisnim kureshtjen si një të metë të njeriut dhe ta privonim njerëzimin nga një prej shtysave të zhvillimit?!
Sipas mitit, pasi hapi kutinë nga e cila dolën gjithë veset e botës – sëmundjet e shpirtit dhe të trupit – Pandora u pendua dhe i vuri sërish kapakun, por brenda mbeti vetëm njëra, më e ngathëta – shpresa…
Por një interpretim tjetër gjuhësor thotë se fjala greke e-lpís, është përkthyer gabimisht si “shpresë”, sepse shpresa s’kishte pse të ishte mes të këqijave dhe veseve të botës.
Ky interpretim thotë se përkthimi më i saktë për e-lpís do të ishte “pritje për diçka që mund të vijë”, ose madje “frikë e pabazuar tek logjika”. Aq më fort se Elpidet njihen si hyjnitë e dyshimeve. Prandaj, sipas këtij interpretimi, njerëzimi do të vuajë vërtetë nga gjithë të këqijat e veseve, por kurrsesi nga pritja ose dyshimi se mund të goditet prej tyre.
Mëdyshjes nëse i duhet shkuar deri në fund së vërtetës, apo ia vlen më mirë të çapitesh nëpër qullin e ngrohtë të gënjeshtrës ku nuk paguan ai që mashtron, por viktimat, të mashtruarit, njerëzimi ia ka dhënë përgjigjen qysh mijëra vite më parë dhe ka shpallur se vetëm kërkimi i së vërtetës është rruga që prodhon mbarësi për gjithë shoqërinë.
Pikërisht për të himnizuar këtë zgjedhje që kërkon veç të tjerash kthjelltësi mendimi, moral të lartë e trimëri, janë krijuar mite e vepra artistike, janë ngjizur dhe heronj të pavdekshëm, mes të cilëve mbase më i hershmi, Edipi i Tebës.
I lindur me gjak mbretëror, por me një parashikim të ardhmeje të zymtë, Edipi u hodh nga fati mbi një fron mbretëror dhe mund të jetonte i qetë, duke shijuar gjithë gëzimet e kësaj bote (megjithëse mbi mbretërinë e vet bënte kërdinë murtaja), sikur të mos kish pasur “vesin” e këmbënguljes për të zbuluar me çdo kusht të vërtetën.
Ai s’mund të bënte tjetër veç të ndiqte rrugën ku e shtynte ky instinkt i fisnikërisë dhe ndershmërisë, ndonëse siç i qe parathënë, kjo do t’i sillte humbjen e gjithçkaje që pat arritur në jetë.
Sa shumë ndryshon kjo nga rruga që klasa politike ka zgjedhur në vendin tonë ku në mënyrë sistematike përdoret edhe ligji për të penguar daljen në dritë të të vërtetave. Madje, kjo ndodh kur proceset në zhvillimin e shoqërisë ia kanë nevojën së vërtetës më shumë se çdo gjëje tjetër.
“JO!” i tha ligji, pas vendosjes së pluralizmit, hapjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit të diktaturës.
Që ta përligjnin këtë, vetë ligjvënësit, të pushtuar nga furitë e Elpideve të lashtësisë, filluan të tirrnin turli skenarë e pandehma, duke përsëritur se ishte shumë herët për të hapur dosjet dhe se ky hap duhej hedhur pasi të kalonin shumë vite. Ndërkaq bënë çmos për të zhdukur dosje e dëshmi të krimeve.
Po ata politikanë sot thonë me paturpësi të pashembullt se tashmë qenka bërë vonë dhe se një veprim i tillë do duhej ndërmarrë vite më parë, ndërsa tani nuk paska kuptim! Shtetet e tjerë të ish-bllokut komunist të Europës i hapën dosjet e tyre dhe asgjë e keqe s’u ndodhi.
Asgjë s’do ndodhte e s’mund të ndodhë as te ne, thjesht do largohen nga skena politike disa njerëz të rreshtuar në të dy krahët saj. Por vitet kaluan dhe ata janë vazhdimisht aty, herë në plan të parë si shefa dikasteresh kryesorë, herë më në hije, si deputetë a këshilltarë, ndërsa frutën e hidhur të veprimtarisë së tyre po e shijon gjithë populli…
Sa për të përmendur edhe një herë ato që s’mund të harrohen, në vendin tonë kanë ndodhur inskenime dhe skandale e krime të çuditshme të cilat kanë mbetur të pandriçuara nga drejtësia – që nga hapja e ambasadave, te anijet e stërngarkuara në vitet ’90-91, ku njerëzit vareshin ngado si thekë të ndonjë mbulese punuar me dorë për ditë festash, pastaj lulëzimi dhe rënia e firmave piramidale, hapja e depove të armëve të ushtrisë, grabitja e Thesarit të shtetit, deri te shpërthimi i Gërdecit, të gjitha ngjarje me dimensione të papara kurrë, që mbajnë vulën e politikës.
Por nga debati për hapjen ose jo të kutive të votimit duhet theksuar dhe diçka tjetër. Gjithnjë më ka bërë përshtypje analiza përmbyllëse e ngjarjeve të ndryshme, e parë nga distanca që krijon koha, e cila bën të mundur përdorimin edhe të logjikës, edhe të shifrave që lidhen me ngjarjen – e gjithë kjo si një hap që i shërben përmirësimit të proceseve.
Tani kuptohet qartë se për zgjedhjet tona asnjëherë s’është bërë një analizë shteruese e tipit, morën pjesë kaq njerëz (jo me përqindje, por me shifra dhe lista të sakta), kaq ishin të regjistruar, me diferencë kaq e aq në krahasim me vitet e mëparshme, sa ishin abstenuesit, sa dhe cilët ishin emigrantët që u kthyen në Atdhe për të votuar, nga cili vend u kthyen më shumë emigrantë, pastaj, cilës fashë moshe i takonin abstenuesit, sa meshkuj e sa femra, ç’arsim kanë ata, si ka shkuar puna e abstenimeve nga zona në zonë, nga qyteti në zonat rurale, etj. etj.
Një çështje më vete duhej të ishte dhe kapitulli i fletëve të pavlefshme, ç’i ka bërë ato të pavlefshme, nuk kanë ditur votuesit të votojnë apo kanë ndërhyrë numëruesit, në se ka pasur shenja për dy apo më shumë subjekte politike, tek cilët subjekte ishin këto shenja, si ndryshojnë votat e pavlefshme nga zona në zonë, ku vërehen më shumë vota të tilla, në qytete apo në zonat rurale, pse në Tiranë dhe në qytete ka shumë vota të pavlefshme, ndërsa disa zona të veriut dalin me zero vota të pavlefshme, etj. etj.
Kam menduar gjithnjë se këto analiza do t’i kenë bërë me siguri institucionet e interesuara për mbarëvajtjen e procesit të votimit, ose shoqata të ndryshme, por nga debati i vitit të fundit kuptova se kutitë e votimit dhe sidomos ato të fletëve të votimit qenkan më sekret se çdo sekret tjetër shtetëror dhe se ligji mbrojtka më fort drynin e tyre se sa depot e armëve të ushtrisë apo vetë Thesarin e shtetit!
Pra, ne organizuakemi proceset zgjedhore njërin pas tjetrit duke ndryshuar ligjin e zgjedhjeve çdo tre-katër vjet dhe pastaj shkuakemi në votim ku hedhim miliona e miliona të taksapaguesve, mbi një terren të papastruar e plot pisllëqe të mbetura e të shtresëzuara nga të gjitha zgjedhjet paraardhëse!
Atëherë, kur themi se procesi zgjedhor te ne gjithnjë është kundërshtuar, a nuk duhet ta lidhim këtë edhe me faktin që ka shoqëruar çdo proces zgjedhor – pengimin e zbardhjes së të vërtetave që ndryjnë brenda këto procese? E thënë ndryshe: kemi ndaluar hapjen e kutive të votimit dhe zgjedhjet gjithnjë janë kundërshtuar.
Po sikur të zbatohet ligji për hapjen e kutive, dhe ai që kundërshton rezultatin si dhe i gjithë opinioni të mos ndeshen më me debate, pretendime e dyshime, por me fakte, ç’e keqe do të vinte?
Veç të tjerash, ky hap do ishte dhe garancia më e mirë për të parandaluar paudhësitë në zgjedhjet e ardhshme, sepse të gjithë e dinë, frika ruan vreshtat…
Vendimin për të pastruar terrenin ku zhvillohet një nga ceremonitë më thelbësore të demokracisë, zgjedhjet, duhet ta marrim vetë dhe s’kemi pse të presim që të na e diktojnë ndërkombëtarët. Ne duhet të na mjaftojë të shikojmë se si i bëjnë pastrimet ata në shtëpitë e tyre.
Nga ana tjetër askush, i huaj apo shqiptar, s’mund t’i japë vetes të drejtën të dënojë një popull që të endet si i verbër nëpër tymnajën e mbulimit të së vërtetës. E vërteta, zotërinj, është drejtësi dhe jo luks, ajo u bën mirë të gjithëve, të pasurve dhe të varfërve, të mençurve dhe të paditurve, si banorëve të Anglisë e Italisë, ashtu dhe atyre të Shqipërisë.
Por me sa duket, politika jonë shkon në çdo anë kundër drejtësisë – e trishtme, nëse është e vërtetë kërkesa që Qeveria e Shqipërisë i ka bërë Strasburgut për të mos iu përgjigjur ankesave lidhur me padrejtësitë në çështje të pronave.
Mohimi i së drejtës për të vërtetën sjell mbi çdo popull vetëm fatkeqësi e ndëshkim, ashtu si murtaja që kishin hedhur Zotat mbi mbretërinë e Edipit, ku incesti kish bërë fole (pa dashje!) mijëra vite më parë.
Ndërsa “incesti” ynë është i ndërtuar me vetëdije, është institucional dhe prandaj ndëshkimi që bie mbi ne bëhet përherë e më i rreptë dhe s’ka makiazh ta bëjë që të duket si prodhim kozmetik gjakun që derdhet përditë nga dora e krimit anembanë Shqipërisë.