Eda Derhemi, 26.07.2010
Një ngjarje mediatike (a ka vallë ngjarje të ndonjë lloji tjetër sot?) muajin e fundit më bëri të rindihem krejt e pafuqishme në raport me atë që ndodh përreth e të rikonsideroj ditazi aftësitë e mia dhe të kujtdo për të qenë veprues. Nuk është vetëm mungesa e fuqisë për të ndryshuar botën (ndryshim në të cilin kam nisur të mos besoj më tani, që rinia ime po përkulet. Tani thjesht po përpiqem të bind veten se bota s’më ndryshon dot mua, por më duket se edhe këtu po dështoj).
Është sidomos pamundësia për ta njohur apo kuptuar botën mbi bazën e informacionit të mundshëm përreth. Dhe, pa dyshim, hallka e parë për të ndryshuar diçka që nuk shkon, është njohja e mirë e asaj që nuk shkon. Unë edhe me kaq do guxoja të kënaqesha. Në këtë proces kërkimi, komunikimi dhe ekspozimi të rastësishëm apo sistematik, individi dhe shoqëria në përgjithësi janë në mëshirë të mediave.
Por, a e rrisin mediat fuqinë njohëse dhe vepruese të individit apo thjesht i japin atij iluzionin e njohjes, duke e lënë në fakt të paditur dhe pasiv? Pra, a informohemi nga mediat në të njëjtën mënyrë siç pretendojnë televizionet e Amerikës Latine, se po emancipojnë shoqërinë dhe sidomos shtresat e varfra latino-amerikane, nëpërmjet dendurisë e shumëllojshmërisë së telenovelave që prodhojnë e shfaqin për to?
Apo informohemi prej tyre që të mund të formësojmë jetën tonë e të shoqërisë ku jetojmë? Ngjarja për të cilën po flas është zbulimi i “rrjetit të spiunëve rusë në ShBA”. Rrjet spiunësh rusë në ShBA-të e sotme në formë duzine, me plane afatgjata, të rinj, familjarë e banorë lagjesh të mira amerikane (si ato të “Shtëpiakeve të dëshpëruara”?), të pashëm, të edukuar e të suksesshëm në terrenin ku vepronin – një ëndërr që edhe mbrojtësit amerikanë më të fortë të vazhdimit të Luftës së Ftohtë nuk do ta ëndërronin në një gjumë jopatologjik.
Por, kur sapo nis të orientohesh disi në lëmshin mediatik e t’i japësh dum çudisë së Obamës me keqzgjedhjen e këtij momenti nga ana e FBI-së, apo të pranosh se mund të ishin spiunë edhe pa kryer ende asnjë veprim kriminal veç identitetit të falsifikuar, apo të bindësh veten se nuk është e thënë të jetë e gjitha një histori e stisur për kushedi çfarë qëllimesh që as nuk i imagjinojmë dot… pra, kur ti si qytetar i përgjegjshëm që ndjek me zell gjithçka që ndodh në vend e në botë me idenë se veç kështu mund të luash një rol në rrokopujën historike të familjes e shoqërisë, ua justifikon narrativat, madje edhe ua di për nder gazetarëve dhe opinionistëve që po të drejtojnë në këtë lëmsh, gazetarëve nis t’u rrahë në deje instinkti i të shiturit të ngjarjes dhe jo ai i informimit serioz të publikut.
Dhe ti i trullosur e gjen veten para njëmijë fotosh hequr nga facebook dhe burime të tjera “intime” më shumë sesa “publike”, e më pas botuar në mediat më prestigjioze, të Anna Chapman-it që bëhet pa të drejtë përfaqësuesja simbolike në media e gjithë grupit të rusëve, vajza me pamje lozonjare që mediat po ta servirin si “femme fatale”, flokëkuqja ruse me bukuri vrastare, Mata Hari i këtij mijëvjeçari. Kështu një histori që në fillim t’u servir si serioze dhe e vërtetë, dhe pas lëkundjesh e dyshimesh ti e pranove, vjen e reduktohet së fundmi në një tip retorike vulgare e sipërfaqësore të një telenovele. (Aq e vërtetë është kjo, sa pak ditë pasi shkrova këtë copë, lexova se Chapman-it iu kërkua të luante një film porno drejt një shume të jashtëzakonshme… çfarë ta quash këtë?
Pornofikimi i politikës? Apo metamorfozat moderne të Luftës së Ftohtë?) Teksa ti përpiqesh të marrësh veten nga turbullira e radhës, merr një goditje tjetër e të thonë se gjithçka procedon siç qe planifikuar dhe se të nesërmen “spiunët” rusë që pranuan pa një pa dy fajësinë në gjyq, do të shkëmbehen me katër ose më shumë “spiunë” amerikanë arrestuar ose burgosur në Rusi. Zërat qeveritarë janë ose krejt të heshtur ose mbajnë një profil minimal. Mediat sillen sikur gjithçka është krejt normale, madje dyshimet që ato ngrenë të duken krejt pa vend, e në fakt synojnë t’ia shtojnë normalitetin ndodhive.
Ti nuk di më çfarë të besosh, ku të informohesh, realitetit nuk i jep dot as kuptim dhe as e lidh dot me veten, e të duket se jeton në një planet të robëruar nga jashtëtokësorët. E ke bindur veten prej kohësh të mos besosh në shpjegime konspirasish grupesh politike dhe ekonomike që udhëheqin gjithçka prapa skenash në nivele që ti as i imagjinon dot, dhe që të mos biesh pre shpjegimesh alla Gore Vidal sipas të cilave gjithçka, sado e tmerrshme, është e paramenduar dhe e paracaktuar nga njerëz të fuqishëm (të ShBA-ve sidomos), dhe që gjithë politikanët janë specie kriminale ekstreme.
Njëlloj ndihesh i pafuqishëm, madje nis të mendosh keq për veten, kur dëgjon nga mediat që përcjellin shpesh fare pa koment se planet e kompanisë energjetike BP na paskërkan ndryshuar rishtas dhe vendosja e kapakut apo valvolave do shtyhet edhe për ca ditë, kurse ti ashtu si edhe gazetarët nuk ke ç’bën veçse të presësh se si do të ta thonë nesër se nuk funksionoi siç qe planifikuar, ndërsa nafta (saktësisht 84 milionë gallonë, sot që shkruaj) derdhet e lirë në Gjirin e Meksikës.
E njëjta histori përsëritet për 85 ditë pa pushim. A nuk duket paraqitja mediatike e kësaj historie e ngjashme me — vetëm nga përmasat, jo — atë të shembjes së tunelit në Kalimash apo të përmbytjeve në Veri? Po ashtu, ndihesh i pafuqishëm dhe kabon veten të kalosh pështjellimin e ditës qoftë edhe me një gotë verë më shumë, kur gazetarët thjesht justifikojnë ose veçse përmendin sjelljet absurde dhe mesjetare të FIFA-s që insiston të mos fusë në përdorim teknologjinë në gjykimin e ndeshjeve.
Dhe si mediat, ashtu edhe ne mileti i gjerë, i shkojmë pas fillit, madje disa herë edhe i justifikojmë apo u bëjmë reklamë sjelljeve “evropianka e aristokratike” të FIFA-s, që nuk jepet para kohëve moderne, sepse do ta mbajë futbollin sa më “njerëzor”, sido që kështu eliminon ose ua jep ndeshjen skuadrave për shkak të gabimeve qesharake,… apo nuk ishin thjesht gabime? Sensi i snobizmit është më i fuqishëm sesa ai i drejtësisë! Një mënyrë e re kjo që, së bashku, të përforcojmë pafuqinë tonë.
Mediat shqiptare edhe sikur të duan, nuk mund të sfidojnë këtë mënyrë kokëfortë dhe komode operimi të mediave botërore në tërësi: atje ku çalojnë ata që dinë e kanë më shumë, le të çalojmë edhe ne. Edhe sikur ky mendim të ishte i pacen logjikisht, prapë se prapë mungesa e theksuar e të drejtave dhe lirive për publikun shqiptar (s’jam e bindur nëse kushtet për ekzistencën e entitetit “publik” plotësohen në Shqipëri) dhe sidomos për individin tek ne, e bën domosdoshmërinë për një natyrë vërtet kritike të mediave tona, një domosdoshmëri.
Kur T. Jefferson, një ndër presidentët amerikanë më aktivë në raportet e tij kritike me shtypin e kohës, thoshte se “Midis qeverisë pa gazeta dhe gazetave pa qeveri, do zgjidhja këtë variantin e fundit”, ai e kish fjalën për një qeveri që sipas tij “përfaqësonte opinionin e njerëzve”.
Po kur, si në rastin e Shqipërisë, qeveria përfaqëson dhe mbron interesat e veta kundër popullit, dhe kur qenia e saj në krye është e pacenuar dhe e pacenueshme, sa më e fuqishme do ishte nevoja për mediat e lira dhe aktive?
Nevoja e shqiptarëve për mediat është e pamatë, si nevojat e tyre për siguri, për liri e për ndryshim. Nëse në vende me traditë demokratike, një qeveri e keqe kufizohet në veprim nga institucionet e tjera dhe rregullsitë e ndryshme që tradicionalisht i dalin në krah individit, shqiptarët s’ka asgjë që t’i mbrojë. I mirë apo i keq, aleati i vetëm për shqiptarët e braktisur mbeten mediat. Por a janë mediat tona në gjendje të kryejnë funksionin e tyre investigues, informues, kritikues dhe emancipues në shoqëri?
* * *
Nëse ndjek mediat tona, pa mëdyshje has përpjekjet e gazetarëve për të sjellë në qendër të vëmendjes ngjarje apo tema me interes, sidomos përpjekje individuale. Por përpjekjet janë jositematike, të lodhura, të paorganizuara e të dobëta. Ka disa probleme themelore (dhe specifike) që dobësojnë forcën e tyre: gazetarët tanë janë një grup shumë i përçarë, ku pasiguria financiare (dhe jo vetëm financiare) dhe lufta për ekzistencë, nuk lejojnë krijimin e një grupi me ndërgjegje e ndjesi të përbashkëta profesionale, pavarësisht nga prirjet e djathta apo të majta të pjesëtarëve.
Ndaj edhe kur gjejmë gazetarë hulumtues, të mprehtë e të rreptë, ata i takojnë ose njërit kamp lokal politik ose tjetrit (lexo: qeverisë ose opozitës). Dhe, edhe kur i ndërrojnë kampet, siç ka ndodhur disa herë me disa zëra të fuqishëm në mediat tona, kalimi nuk bëhet për çështjen në vetvete, por për shkak prishjesh masive personale me njërin kryetar grupi politik ose tjetrin.
Pra, është kryesisht rënie jashtë dashurie. Kështu kritika humbet fuqinë dhe stimulimin e besimit të njerëzve në të, duke qenë se nuk mbron një parim mbi-partiak popullor, por mbron atë që populli e kalon si mbrojtje të thekur dhe të pritshme të shërbyesit të një klani apo personi të caktuar. Duhet që shtypi të militojë për njerëzit dhe jo më për parinë, sado pa bukë të të lërë kjo rrugë për momentin. Pra duhen krijuar “gazetarët e njerëzve” dhe jo ata të politikanëve apo biznesmenëve.
Veçse ka edhe problem të tjera që pengojnë krijimin e “gazetarëve të njerëzve e për njerëzit”. Kultura institucionale e ambientit shqiptar mbetet përgjithësisht ajo e para-socializmit dhe e socializmit, ku gazetari apo shkruesi ekziston si shërbyes i bindur i atij që ka fuqinë politike. Kjo sjellje pritet prej tij dhe edhe nxitet e ushqehet materialisht e moralisht. Së fundmi, kultura popullore e diskutimit të lirë e të mprehtë publik nuk ka as kërkesat dhe as pritshmëritë që duhet ndaj mediave.
Kohët e fundit, mendoj se mediat tona dështuan në disa drejtime, në dukje jo fort të vështira për të siguruar sukses: problemet që bartte me vete rruga Durrës-Kukës u trajtuan shpesh profesionalisht, por pa siguruar një front mbipartiak për shtjellimine tyre; sidomos dobët dhe me militantizëm e ndarje absolute partiake u trajtua humbja e shumave gjigante në lidhje me të; Njëanshmëria e analizave dhe zelli i tepërt për të ndjekur palët politike, ngjyrosi të gjithë çështjen me vlerat pro- ose anti-patriotike, që nuk duhej kurrsesi të dilte si tipari themelor i këtij diskutimi. Mediat ranë në grackën e politikës, dhe ndoshta nuk u ndjenë fort keq aty.
Po ashtu, diskutimi i hapjes ose jo të kutive, si dhe i liberalizimit të vizave, vazhdojnë të mbeten çështje ku gazetarët janë ndarë absolutisht përgjatë linjave politike. Besoj këto janë çështje sa komplekse aq edhe ndrituese për publikun tonë, sepse prekin disa probleme teorike të demokracisë dhe funksionimit të një shoqërie mes detyrimeve dhe të drejtave në raport me veten dhe shoqëritë e tjera, që nuk para kanë rast të diskutohen fort ndër ne.
Të braktisësh kampin e Ramës dhe të Berishës, veç e veç ose së bashku, edhe kur ata i ke rrogadhënës të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, nuk është të jesh gazetar bukëshkalë, por i lirë dhe i përgjegjshëm. Mediat si agjent progresiv dhe udhërrëfyes e emancipues, duken në mënyrën se si organizohen dhe shprehen në çështjet e mëdha ndarëse të politikës sonë, jo në ato ku të gjithë kërcejnë mbi qerren e ahengçinjve. Në çështje si ajo e legjitimitetit të Pavarësisë së Kosovës pohuar së fundmi nga GjND, bashkon lehtësisht, gati automatikisht mediat dhe politikën në krah të demokracisë.
Pohimi që patjetë do e duhet të ketë njohje të reja të shtetit më të ri të pavarur në Ballkan, të pozicionuarit si skeptikë ndaj reagimeve pozitive të Beogradit, apo deklarimet avangardiste se tashmë Serbia dhe kosova duhet të bëjnë hapa konstruktivë bashkëpunimi, as nuk sfidojnë gjësend, as nuk ndryshojnë dhe as nuk ndritojnë ndonjë të paditur. Personalisht dështimin më të madh të mediave tona në debatin publik të kohëve të fundit, pafuqinë e saj që të formësojë këtë debat, e shoh në pasqyrimin e Gërdecit.
Fakti që ministri i mbrojtjes (dhe i shkatërrimit të Gërdecit) në 2008-ën, Mediu, vazhdon ende sot të kryesojë një ministri tjetër jo pak të lidhur me dëmin që shkaktoi dikur, nuk mund të jetë vetëm pasojë e fuqisë absolutiste të Berishës mbi politikën e mbi publikun, por është edhe shprehje e pafuqisë dhe nënshtrimit të mediave tona. Vetëm trajtimi ligjor dhe publik deri në fund i Mediut, si dhe eliminimi i vlerave të tij financiare fituar mbi gjakun e atyre që vdiqën dhe u plagosën në Gërdec, mund e duhet të kishin qetësuar mediat tona.
Fakti që ai krim kish shumë fajtorë dhe se historia e tij ishte ndëshkuese për gjithë shoqërinë tonë, nuk heq aspak fajin formal themelor të Mediut. Dhe atje ku ka rregull e ligj, ai përgjigjet. Kur nuk ka rregull e ligj, shpresohet të ketë media aq vibrante sa të lëvizin njerëzit që të detyrojnë qeverinë të shohë përgjegjësitë e veta, për hir të epifanive morale apo frikës nga humbja e votave. Por jo: shmangia e përkohshme dhe manipuluese e Mediut nga skena publike, mjaftoi. Mediat fjetën, ose menduan se e bënë detyrën ngaqë e quajtën Gërdecin “Hiroshima shqiptare”…po ashtu fjetëm edhe ne, publiku.
5 Përse Pango, ministri i përfolur i rinisë që rininë e abuzonte seksualisht, u hoq (me turp) nga detyra (sido që ligji e bëri pasanik më pas), ndërsa Mediu, ministri i mbrojtjes që abuzoi deri në vdekje ata që duhet të mbronte, veçsa shmanget për pak kohë, e më pas rivihet në funksione po aq të rëndësishme? Apo ‘in flagrante delicto’ presupozon që Mediu vetë duhet të kapej duke i vrarë një nga një gjithë të vdekurit e Gërdecit, që të demaskohej publikisht?
Ose ndoshta ‘in flagrante delicto’ për abuzim seksual në detyrë, i prek shqiptarët dhe mediat tona, ndërsa deliktet e tjera, sado abuzuese apo jetëmarrëse, nuk i prekin? Pa dyshim, në rastin tonë nuk janë veç mediat për t’u analizuar, sepse vendi ynë për fat të keq është nga të rrallët ku pozita fuqizohet edhe nga mungesa e opozicionit të opozitës. Por kur nuk ke më shpresë tek institucionet në asnjërën nga të tre degët e pushtetit, mediat mbeten ëndrra dhe shpresa e fundit.
Ç’mbetet tjetër? Reagimi yt si individ? Problemi këtu është se individi shpesh kanalizohet e grupohet atje ku s’duhet, e pastaj manipulohet duke u bërë pjesë e politikave dominante të një pale apo tjetrës. Por njerëzit gjejnë pa pushim forma veprimi dhe zë original. Para pak ditësh lexova mbi targën e makinës së një djaloshi amerikan sloganin kritik që ai personalisht publikonte: “Vrasja e një njeriu të vetëm është krim; por vrasja e mijërave, është politikë e jashtme”.
Ka gjithnjë rrugë e mënyra veprimi të individit, por për lëvizje masive dhe sidomos për ndryshim (aq të nevojshëm për ne shqiptarët!) mediat e lira duhet të jenë fort kritike e të paepura, për të formuar dikur një shoqëri demokratike. Por siç janë gjërat tani, duket se si mediat, edhe unë, edhe ti jemi veç një tufë me humbamenë fatkeqë e të pafuqishëm para fatit vendosur mbi ne, një farë ‘schlimazel’ par excellence, sipas çifutëve të Amerikës.
Por unë si individ them se mund ta gjykoj heshturazi dhe pa ashpërsi veten time kur dështoj të parakuptoj apo t’i rezistoj së keqes, por a mundem të justifikoj mediat për këtë? A nuk janë vetë ato që shkaktuan pafuqinë time duke mos bërë punë skrupuloze, duke mos më sjellë atë që është e rëndësishme e ashtu si duhet? A janë në fakt ato po aq të pafuqishme sa unë?
Apo jam prapë unë fajtore që s’e ngre zërin sa duhet për të përgjegjësuar mediat në shërbimin tim, e që kështu rikonfirmohen në shërbim të një klase politike apo klani ekonomik, dhe humbasin funksionin e tyre bazë duke më lënë edhe mua pa levat me të cilat ndërtoj kuptimin e botës? Pra paskemi kështu një faj kompleks me agjentë zinxhir mes nesh si individë dhe mes institucioneve, ndër të cilat Madiat priten të jenë themelore për ndritim e interpretim bote e kohe.
Lewis Carol thoshte në Lizën e e vet të famshme: “Çdo ditë para se të ha mëngjes, mendoj tri mendime të pamundura…”. Edhe unë ashtu bëj. Një prej tyre, insistues, është të di vërtet ç’ndodh rreth meje, në NY, në Tiranë, në Betlehem apo në El Paz, dhe më pas të mendoj e zgjedh mbi bazën e dijes sime. Pa media të lira, këtë fuqi elementare nuk do ta kem kurrë, dhe mendimi im mëngjesor do mbetet ende për shumë kohë një mendim i pamundur.