Fshirja e kufijve, Parlamenti të riplotësojë urgjent bazën ligjore!

0
27

Prof. As. Dr. MYSLIM PASHA

Fshirja e bazës ligjore të kufijve shtetërorë dhe detarë, një vepër e mbrapshtë antikombëtare. Është urgjente që Parlamenti Shqiptar të riplotësojë këtë “vakuum” që e ka krijuar vetë në 2008

Jemi vërtet në kohë moderne, të lirisë dhe të gjithëpërfshirjes, por askush, askush, askush nuk ia lejon vetes që të shqyejë ligje e të hapë shtigje të dyshimta ndaj interesave kombëtare. Shqipëria jonë dhe shqiptarët kudo në botë, e kanë historinë e tyre të ngjizur brenda gjeohapësirave ku ata mbijetuan deri në ditët e sotme. Kemi trashëguar dhe ruajtur në breza thesaret e kësaj mbijetese, e cila në radhë të parë është sulmuar dhe prerë pikërisht në kufijtë e saj. Kufijtë tanë kanë histori tragjike. Ndaj fjala “kufij” vijon edhe sot e kësaj dite të jetë tronditëse për ne shqiptarët dhe mbart asociacione plot ndjeshmëri. E pikërisht në këto kushte, mësojmë se është ndërmarrë nga politikanët shqiptarë (shqiptarë ?!) një masakër ligjore, duke përmbysur e fundosur në detin e dyshimit “Ligjet e Kufirit Shtetëror Tokësor dhe Detar”. Mësojmë dje nga një raportim në Shekulli dhe një intervistë e nënkryetarit të Komisionit të Ligjeve se kjo gjë e pamendueshme ka ndodhur në vitin 2008. Kjo është një nga ngjarjet më unike në botë.

Gadishulli Ballkanik ka një pozitë gjeografike strategjike prej krye-ure që lidh Evropën, Azinë dhe Afrikën. Nëpërmjet ujërave detare të tij, arrihet në Suez dhe dilet në Lindje të Mesme e në Gjirin Persik, pikërisht te vendburimet e naftës. Ujërat e rajonit çojnë në Bosfor, që lidh Detin e Zi dhe Marmaranë. Ngushtica e Gjibraltarit, ndërkaq, çon në oqeanin Atlantik. Deti Jon është pjesë e historisë sonë që prej Zanafillës. Ligjvënësit shqiptarë nisur prej kësaj strategjie, nuk MUNDEN TË KENË GUXIMIN ta fshijnë këtë bazë ligjore.

E vërteta studimore ligjore dhe gjeografike në Shqipëri është shumë e hidhur. Nuk ka studime e hollësi të domosdoshme për Detet shqiptare dhe Ujërat e Brendshëm. Në 2008, me një paragraf të fshehur tinëz brenda një neni, është mbyllur edhe kjo histori sado e kufizuar, e legjislacionit kufitar shqiptar

Ligji Nr 9861 datë 24.01.2008 është një befasi dëshpëruese. Nëse e krahason me praktikën botërore dhe të shteteve fqinjë në Ballkan dhe më tej, është një superskandal.

Kjo fshirje ligjore për kufijtë shtetërorë dhe ata detarë është kryer vetëm gjysmë viti më parë se sa të vinte marrëveshja famëkeqe e kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. A nuk iu duket se ka qenë qartazi një hapje rruge?? Një lehtësim në atë orientim absurd që do të vinte më vonë??

Fshirja e Legjislacionit dhe nevoja për ndonjë shtim tjetër, që lidhet me debatin për “gjirin historik” apo me konceptin tradicional shqiptar të “mesit të kanalit të Korfuzit” për bashkëpunimin me palët e treta etj, – ka përcjellë atë “vakum”, i cili e nxori Shqipërinë në humbjen e saj më të madhe, të ujërave Detarë dhe të Shtratdetit Kontinental.

Neni 3.

1. Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 md, duke filluar nga vija e drejtë bazë, që shkon nga kepi i Rodonit (Muzhllit), Kepi i Pallës, i Lagjit (kala e Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, kepi i Gjuhëzës, dhe Gjirit të Gramës dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri PËRMES KANALIT TË KORFUZIT. Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës, në det, deri te kepi i Rodonit, shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro- jugosllav. (Mali i Zi )

Dhe ja: “PËRMES KANALIT TË KORFUZIT”… Kanali i Korfuzit, kanali gjeohistorik dhe jetësor, i të dy vendeve, një nyje aq e njohur jo vetëm nga dy popujt tanë, për gjithë lundrimin Mesdhetar, përbën një nga përballjet më themelore, në këtë përcaktim të kufijve detarë, midis të dy vendeve. Në nenin e sipërpërmendur, tanimë, e kemi me ligj të Parlamentit Shqiptar. Kjo vijë duhet të kërkohet “Përmes Kanalit të Korfuzit”.. Ata që kanë qenë në bisedime, dhe ata që do të jenë në rinegocimet e tanishme, kanë përpara një “terr ligjor” apo një “vakum” që vijon të jetë unik në botë? Si ka mundësi që kjo zbulohet disa muaj më vonë nga mediumet shqiptare? Ndërkaq as Parlamentit dhe Qeverisë Shqiptare nuk ia bën “tërr” syri për atë që i ka shkaktuar vendit të vet dhe diplomacisë shqiptare. Si është e mundur që askush prej Komisionit të Sigurisë Kombëtare “nuk e vuri fare ujin në zjarr” për këtë çështje kaq pikante? Flitet për Detin Territorial të Shqipërisë! Është “cënim i plotë i mëvetësisë kombëtare” kjo që ka ndodhur. Kjo paraqitet e dukshme dhe e drejtpërdrejtë mbasi brigjet e Shqipërisë Jugperëndimore ndodhen brenda limiteve të Deteve Territoriale të të dy vendeve. Na vijnë ndërmend anëtarë të Komisionit të Ligjeve të cilët me një pasion të mbrapshtë dhe cinizëm të epërm kalonin nenet e marrëveshjes së re (atë të rrëzuarën), për të bërë gati që ta kalonin në Parlament.. Askush nuk hodhi në tavolinë ndonjë pyetje nëse kemi pasur apo jo një kornizë Ligjore Detare?

Politikëbërja shqiptare, në këtë zhveshje të pazakontë ligjore ka brenda vetes shpërfilljen e dinjitetit kombëtar, për të cilën nuk po jepet llogari para shqiptarëve. Është urgjente që Parlamenti Shqiptar të ndërmarrë një nismë të re për të plotësuar këtë “vakuum” që e ka krijuar vetë. Kjo mund të bëhet dhe nuk ka asnjë pengesë. S’ka se si të shkohet drejt bisedimeve të reja diplomatike pa rikonceptuar Ligjin për të Drejtën Detare Shqiptare, si një ligj i brendshëm. Nëse nuk rikompozohet baza ligjore që është fshirë, kemi qysh tash një rrezik të ri. Me sa duket na kanë fshehur heqjen e kufijve nëpërmjet një mashtrimi ligjor dhe gjeometrik. Ka gjasa që edhe në të ardhmen e rinegocimeve të shkojnë kështu, për të çuar deri në fund veprën e tyre të mbrapshtë. Kjo është vërtetë e tepërt!