Preç Zogaj, 26.07.2010
Përderisa si rregull Parlamenti është aula e përfaqësimit të popullit, në Kuvendin e Shqipërisë, në çfarëdo lloj rrethane dhe pavarësisht nga ngjyrat politike të grupimeve atje, ekziston e duhet të ekzistojë një shumicë parlamentare traversave, e gjerë, e përhershme. Kjo është shumica euroatlantike, që përfaqëson aspiratat e qarta perëndimore të qytetarëve shqiptarë.
Në një formë akoma më specifike, kjo është një shumicë amerikaniste, që shpreh jo vetëm lidhjet e ngushta të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe dashurinë dhe mirënjohjen e tyre të thellë ndaj vendit më të madh të Lirisë dhe Demokracisë në botë.
Është i njohur tashmë fakti që shqiptarët, megjithëse me tri besime fetare të ndryshme dhe me shumicë myslimane sipas regjistrimit të bërë tetë dekada më parë, janë populli më proamerikan dhe më proNato i rajonit.
Për rrjedhim, Kuvendi i zgjedhur i Shqipërisë, nuk mund të jetë ndryshe dhe nuk mund ta vendosë politikën e jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë në një kurs tjetër. Qeveria dhe parlamenti mbajnë marrëdhënie të hapura me të gjitha vendet, por orientimi gjeostrategjik është Perëndimi.
Çdo veprim apo akt i parlamentit që vjen në kundërshtim me këtë orientim dhunon vullnetin e qytetarëve.
Koha ka treguar se shqiptarët janë euroatlantistë jo se kanë pritur e presin nga Amerika dhe NATO lugën e artë, por sepse vetëm prej andej kanë parë disa ditë të bardha në historinë e tyre të mbushur me dekada dhe shekuj zie.
Ndërkaq ata e dinë se siguria që buron nga SHBA dhe NATO vlen me shumë se çdo pasuri tjetër. Miqësia e ngushtë me SHBA-në dhe hyrja në NATO kanë ndryshuar historinë e Shqipërisë.
Ato janë horizonti i ri i kombit shqiptar. Po të jetonim për një çast me zakonet e botës antike, pagane, biblike apo kristiane, do të duhej të ngrinim faltore dhe të bënim kurbane për to. Natyrisht, në kohën tonë mirënjohja dhe adhurimi shprehen në forma të tjera. Shprehen pikësëpari në komunikimin me zemër të hapur, si mes miqsh e partnerësh që kanë një busull dhe ecin në të njëjtën rrugë të demokracisë.
Shprehen në kërkimin me përulje, por pa servilizëm, të ndihmës dhe këshillës së mirë. Dhe më kryesorja, shprehen në respektimin dhe zbatimin e kodit të familjes euroatlantike.
Të gjitha këto nuk e cenojnë aspak sovranitetin e Shqipërisë dhe dinjitetin e shtetarëve të vendit tonë të vogël. Përkundrazi. Marrëveshjet me SHBA vetëm e forcojnë demokracinë.
Detyrimet e anëtarësimit në NAT0 gjithashtu. Po si jemi me këto detyrime? Si po shkon miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara? Të thuash papushim, si një vjershë të mësuar përmendësh, se kemi partneritet strategjik me SHBA-në, nuk ke thënë asgjë. Shumica dërmuese e kombeve e ëndërrojnë, e kërkojnë dhe punojnë për të pasur një partneritet strategjik me vendin më të fuqishëm të botës.
Deri edhe Europa e zhvilluar investohet për këtë gjë. Shqipëria ka fatin të ketë hyrë në rrethin e vëmendjes dhe interesit amerikan për shkak të fatit dhe pozicionit të saj. Nëse një vend tjetër duhet të punojë shumë për të ndërtuar një marrëdhënie preferenciale me SHBA, Shqipëria, për arsyet që thamë më lart dhe arsye të tjera që nuk është vendi t’i përmendim, nuk ka nevojë të punojë kaq shumë.
Por nëse nuk punon fare, mund ti ndodhë si notarit që lëshon duart, të cilin rrjedha e kthen në pikën e nisjes. Partneriteti strategjik duket të sendërtohet në vazhdimësi, ditë për ditë.
Çfarë po bëjmë konkretisht dhe aktualisht për të shërbyer këtë lloj partneriteti, që është edhe privilegji ynë në kohën e sotme? Prej muajsh publiku shqiptar percepton një lloj distance të qeverisë sonë me qeverinë amerikane në raport me të kaluarën e afërt. Nga Departamenti i Shtetit dhe institucionet e tjera amerikane vinë më shumë vërejtje dhe sugjerime për çështje të funksionimit të demokracisë se sa vizita, shkëmbime, takime, konsultime.
Shqetësimet janë shtuar dhe njëfarë ” dimri i madh” është ndjerë veçanërisht në muajt e parë të këtij viti, kur SHBA dhe NATO kundërshtuan ndryshimet e qeverisë “Berisha” në ligjin e SHISH-it. Në muajin prill qeveria e tërhoqi projektin me premtimin se do ta konsultonte me ekspertët e NATO-s.
Të enjten e javës së kaluar, shumica e PD-së tentoi ta kalonte në Kuvend papritur, duke befasuar jo vetëm opozitën, por edhe aleatë dhe deputetë të saj të mirë informuar rreth impaktit dhe pasojave negative që do të kishte miratimi i ndryshimeve si një sfidë ndaj NATO-s dhe SHBA-së. I madh e i vogël që ndjek zhvillimet në vend po pyet pse të mos pyeten NATO-ja dhe SHBA-ja për ndryshimet, sa kohë që ata e konsiderojnë këtë një çështje të interesit të përbashkët?
Me çfarë mendjeje një grusht amendamentesh çmohen më shumë se sa një pasuri e madhe kombëtare siç është miqësia me SHBA dhe anëtarësia në NATO!
Pas disa shfrimeve që mbushen ekranet të enjën dhe të premten, duke na kujtuar kohërat e errëta kur Tirana u tregonte vendin superfuqive, diskutimi në fundjavë njohu një pikatë emocionale gjersa “u mblodh” apo qëndroi në një pikë: në pikën e kufizimit të mandatit të drejtorit të SHISH-it. U tha se nuk mund të ketë mandat të pakufizuar për asnjë funksionar shtetëror!
Nuk ka dyshim se kjo është më se pa parimore, më se e drejtë. Mirëpo, pas gjithë ecejakeve të diplomatëve të lartë nga Tirana në Uashington, pas telefonatës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen me Berishën, pas diskutimeve të tjera në nivele të larta dhe pas tensionit që përjetoi të enjten dhe të premten skena dhe prapaskena e politikës shqiptare, është disi e vështirë të besohet se zhurma po bëhet vetëm për një përcaktim mandati.
Është e domosdoshme që korniza e ndryshimeve dhe arsyet e reagimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni t’u shpjegohet mirë të gjithë deputetëve dhe mbarë publikut.
Askush nuk mund të ketë apo të mbajë monopolin e informacionit kur është në lojë vetë historia. Por akoma më e rëndësishme është mbajtja e dialogut dhe e mirëkuptimit me Departamentin e Shtetit dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen. Nëse qeveria jonë beson se nuk po i shkel kujt në kallo, ajo i ka potencialet për t’i bindur këta partnerë dhe s’ka përse nxitohet.
Nëse nuk arrin të bindë partnerët, qeveria duhet të bindët dhe të veprojë ashtu siç i sugjerohet nga NATO. Për të stigmatizuar njerëzit gjaknxehtë dhe të papërmbajtur, populli ka krijuar shprehjen “për një plesht djegin jorganin”.
Nuk e dimë a e shpjegon kjo shprehje jo fort e hijshme ngricën që kërcënon marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA dhe furtunën që po ngrihet sërish në jetën politike të Shqipërisë për shkak të amendamenteve në një ligj që funksionon prej shumë vitesh. Po të ishte vetëm kjo, do të ishte gjysma e së keqes.
Por tradita politike shqiptare, që vazhdon ta ndjekë klasën politike edhe në demokraci si mantel mitologjik i Centauri, na kërkon të jemi shumë me të vëmendshëm rreth kësaj që po ndodh.
Historikisht, ftohjet, distancimet,prishjet, pezullimet apo ndërprerjet e marrëdhënieve të Tiranës me vendet e tjera, janë kërkuar e realizuar pikësëpari në funksion të interesave për pushtet të pushtetmbajtësve, pavarësisht se janë shitur prej tyre gjoja si akte atdhetare. Me sovjetikët u prishem kur ish Bashkimi Sovjetik përqafoi revizionimin. Me kinezët po ashtu, kur Kina u hap ndaj SHBA-së.
Pushteti në Tiranë nuk duronte erën e ndryshimeve. Prandaj mbyllej dhe “shpallte luftë” me mullinjtë e erës. Demokracia është një sistem që e kufizon ndjeshëm arbitraritetin e drejtuesve.
Por, prirjet mbeten. Duke kërkuar arsyet se pse Shqipëria duket sikur kërkon të masë pulsin dhe të largohet pa u ndier nga partneriteti strategjik me SHBA, mendja kalon në revistë lloj-lloj arsyesh, përfshirë më të ultën, sipas së cilës tani që na futi në NATO dhe na dha pavarësinë e Kosovës, SHBA nuk kanë më nëpër duar mjete presioni për të mbajtur në binarë zhvillimet shqiptare.
E kemi të vështirë, më saktë nuk duam të mendojmë se drejtuesit e këtij vendi nuk e përballojnë dot miqësinë e ngushtë me SHBA-në ngaqë Shtetet e Bashkuara janë shumë demokratike.
Megjithatë, pa e lënë veten të përkundemi në hamendje, le të presim çdo të ndodhë këtë javë në Kuvendin e Shqipërisë, aty ku në çfarëdo rrethane dhe pavarësisht nga ngjyrat e grupeve, ekziston e duhet të ekzistojë përgjithmonë shumica e përhershme euroatlantike, pasqyra autentike e ndjeshmërisë së popullit. Meqenëse kësaj radhe janë në lojë marrëdhëniet me SHBA dhe NATO, kjo shumicë e hapur është për historinë.