Speciale/ Liqeni i Shkodrës, pretekst investimesh abuzive në emër të mjedisit.
Nga Arben LAGRETA, 23 Korrik 2010
SHKODER/ Donacionet disamilionëshe në valutë për liqenin e Shkodrës janë akorduar dhe vijojnë të akordohen, madje edhe me mbivendosje projektesh, ose nga mosnjohja ende e situatës tragji-komike në të cilën ai ndodhet prej 20 vjetësh, ose nga aftësitë mashtruese të drejtuesve të OJF-ve të ashtëquajtura “mjedisore”, ose, akoma më keq, nga interesat e ngushta të individëve të korruptuar të infiltruar në banka, fondacione si dhe organizata mjedisore ndërkombëtare.
Këta të fundit, pasi përvetësojnë pjesën e luanit të këtyre investimeve të konsiderueshme, mesa duket u hedhin nga një kockë rrogëtarëve të tyre shqiptarë në këmbim të heshtjes për mbijetesë. Investime të cilave, tashmë ka dekada që nuk po ua sheh njeri rezultatin…
Viti 2010 është shpallur nga Kombet e Bashkuara si viti i mbrojtjes së biodiversitetit dhe mjedisit. Këtë fakt publiku i thjeshtë në Shqipëri mund ta mësojë nga kronikat e shumta të lajmeve sidomos kur flitet për “mbrojte të mjedisit” nëpërmjet organizimit të work-shopeve në ambjentet moderne të hoteleve me 5 yje (!!!).
Ka kaluar mëse një dekadë kur në Shkodër filloi një interesim i paparë për mirëmbajtjen nga ndotja si dhe displinimin e peshkimit pa kriter në liqenin e Shkodrës.
Një ndër inisiativat e para me të vërtetë të dobishme ishte nisma e Zyrës Rajonale të OSBE-së në Shkodër. Vetëm pak kohë pas trazirave të periudhës 1997-98, kjo zyrë vuri theksin në mirëmbajtjen dhe ruajtjen nga ndotja të këtij liqeni si dhe ndalimin në mënyrë kategorike të peshkimit më lëndë eksplozive.
Ishte viti 1999 dhe pak kush në atë periudhë do ta merrte seriozisht ruajtjen e liqenit të Shkodrës si dhe të mjedisit në përgjithësi nga ndotja. Por nuk do të zgjaste shumë dhe interesimi i organizmave të ndryshme, kryesisht ndërkombëtare për liqenin e Shkodrës do të zgjohej vrullshëm nëpërmjet deklarimit të investimeve me shumave marramendëse edhe për buxhetin e shtetit.
Investime disa milionëshe në valutë të cilat synonin mbrotjen e florës, faunës dhe ekosistemit në të dy shtetet që ky liqen lag, Shqipëri dhe Mali i Zi.
Gjithsesi publiku mendoi se, sidoqoftë edhe mbrojtja e liqenit të Shkodrës në pjesën shqiptare kishte rëndësi, sidomos për një pjesë të banorëve të Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe të cilët e kanë të lidhur mbijetesën me peshkimin.
Kjo sepse gjuetia me lëndë eksplozive sidomos pas trazirave me armë të vitit 1997 në Shqipëri uli ndjeshëm rendimentin vjetor të zënies së peshkut.
Rreth 10 milione dollare investime te deklaruara ne liqenin e Shkodres
Le të ndalemim konketisht në fondet e akorduara prej vitesh nga organizmat ndërkombëtare në favor të ruajtjes së florës dhe faunës së liqenit të Shkodrës.
Të dhënat e mëposhtme janë marrë direkt nga deklarimet e bujshme të vetë organizatave dhe fondacioneve të mëposhtme të cilat nuk ngurojnë t’i reklamojnë dhe t’ia shesin ato publikut si arritje për qëllimin e mësipërm nëpërmjet mediave lokale dhe atyre qendrore në dekadën e fundit.
– 1 milion euro për projektin “Liqeni i Shkodrës” sponsorizuar nga qeveria zvicerane. Zbatimi i tij nisi po atë vit.
– 5 milionë dollarë për projektin “Menaxhimi i integruar i ekosistemit të liqenit të Shkodrës”, financuar nga banka Botërore që nga viti 2005, i cili po zbatohet nga Ministritë e Mjedisit të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
– 500 mijë euro nga qeveria gjermane për projektin “Planifikimi hapsinor ndërkufitar i liqenit të Shkodrës” është një projekt ndërkufitar me Malin e Zi në vitin 2006 që u zbatua nga GTZ.
-Projekti “Monitorimi i integruar i liqenit të Shkodrës” në vitin 2001 me një shumë të padeklaruar është zbatuar që nga viti 2001 nga universitetet e Shkodrës dhe podgoricës.
-750 mijë euro nga COOP-i (Cooperazione Italiana) për liqenin e Shkodrës në vitin 2008.
Listës së donatorëve i shtohet edhe Agjensia Rajonale e Mjedisit REC në Shqipëri e cila operon në të gjithë Europën Juglindore dhe që ka marrë flamurin e reklamës së këtyre donacioneve që prej afro 10 vjetësh.
Konkluzionet
Por tashmë pas më shumë se një decade kushdo e kupton se zhurma dhe buja me të cilën u reklamuan dhe vijojnë të reklamohen të ashtëquajturat investime mjedisore në këtë liqen rezultuan një bllof.
Kjo për arsye se loja e shifrave marramendëse “të investuara” në dobi të liqenit të Shkodrës është vetëm njëra anë e medaljes. Sepse nëse do të duam të masim impaktin që këto projekte kanë pasur direkt në terren, mund të konstatojmë se “suksesi” i projekteve të mësipërme është evident vetëm në letër.
Pa dashur t’I hyjmë një analize të tillë profesionale, le të ndalemi pak në situatën aktuale ekologjike, përmirësimin e infrastrukturës turistike në anën shqiptare si dhe në ruajtjen e nivelit të para viteve ’90 të peshkimit.
Por nëse logjikisht, nga e tërë kjo përkujdesje e konkretizuar me shifrat e mësipërme të investuara priteshin rezultate konkrete, sidomos pas vitit 1990 kur edhe u hap kufiri me Malin e Zi, sipas specialistëve mjedisorë dhe atyre të peshkimit ndodhi e kundërta.
Kështu, vetëm si pasojë e gjuetisë së paligjshme me lëndë eksplozive, korent elektrik si dhe në periudha jo të përshtatshme, sasia bruto vjetore e peshkut të zënë është vetëm 22 tonë në vit kundrejt 230 tonëve që ishte para viteve ’90, ose më shumë se 10 herë më pak.
Në të njëjtën kohë është 8-fishuar numri i peshkatarëve në dëm të profesionizmit. Pra është rritur numri i atyre peshkatarëve që i kanë dalë zot këtij profesioni me metodat e mësipërme të jashtëligjshme. Pra mund të konstatojmë me siguri se përsa i takon anës shqiptare të këtij liqeni, shteti nuk është marrë seriozisht me ruajtjen e tij, ndërkohë që nuk ka harruar që të mbushë organikat me shumë lloje policish ineficente.
Nga ana tjetër, pala malazeze ka shumë vite që e ka shpallur pjesën e saj të liqenit të Shkodrës si Park Kombëtar i cili ruhet me një ligj të vecantë dhe nga roje të specializuara.
Nisur edhe nga një traditë më e fortë se ajo e Shqipërisë përsa I takon kulturës qytetare, si pasojë edhe e qenies së ish-Jugosllavisë, si një prej shteteve më të begata të Evropës Juglindore, rezultatet mjedisore të palës malazeze për liqenin e Shkodrës janë më positive se ato të palës shqiptare.
Sidoqoftë edhe malazezët mëkatojnë prej disa dekadash në lidhje me ndotjen që i shkakton këtij liqeni nëpërmjet kombinatit të aluminit. Sic dihet, që prej viteve ’70, mbeturinat e këtij kombinati derdhen në lumin Moraca dhe që andej përfundojnë në liqenin e Shkodrës duke i shkaktuar ndotje në zonat përreth Podgoricës që lagen nga ky liqen.
Në këto rrethana mund të nxirren natyrshëm disa konkluzione dhe përfundime në lidhje me këtë situatë të papranueshme të liqenit të Shkodrës përsa i takon dëmtimit serioz të florës, faunës si dhe turizmit. Në të njëjtën kohë, kushdo që informohet për investimet, në total prej afro 10 milionë dollarësh të deklaruara, në drejtimet e mësipërme, me të drejtë mund të pretendojë se bregu përreth këtij liqeni duhet të ishte shëndrruar tashmë në një “Montecarlo të vogël”.
Por realiteti në pjesën shqiptare të këtij liqeni flet krejt ndryshe, jo vetëm në pakësimin e ndjeshëm të sasisë së peshkut të zënë por edhe të ruajtjes së mjedisit përreth tij. Kjo sepse në thuajse të gjithë zonën që ky liqen lag rajonin e Shkodrës, hidhen mbeturina inerte, madje fare pranë restoranteve dhe moteleve të shumta të ndërtuara deri në afërsi të kufirit me Malin e Zi në fshatin Zogaj. Dhe po t’I shtojmë kësaj edhe stinën e nxehtë të verës, rreziku që paraqesin këto mbeturina inerte për pushuesit dhe klientët e këtyre lokaleve nuk ka nevojë për koment.
Në mbyllje të kësaj panorama të zymtë të paraqitur mbase jo në mënyrë të plotë dhe të detajuar por në mënyrë gazetareske, investiguese dhe të saktë, mund të nxjerrim disa konkluzione shqetësuese përsa i takon investimeve fallso që janë bërë dhe vijojnë të bëhen në këtë liqen:
Donacionet disamilionëshe në valutë për liqenin e Shkodrës janë akorduar dhe vijojnë të akordohen, madje, edhe me mbivendosje projektesh, ose nga mosnjohja ende e situatës tragji-komike në të cilën ai ndodhet prej 20 vjetësh, ose nga aftësitë mashtruese të drejtuesve të OJF-ve të ashtëquajtura mjedisore, ose, akoma më keq, nga interesat e ngushta të individëve të korruptuar dhe të infiltruar në banka, fondacione si dhe organizata mjedisore ndërkombëtare.
Këta të fundit, mesa duket, pasi përvetësojnë pjesën e luanit të këtyre investimeve të konsiderueshme, mesa duket u hedhin nga një kockë rrogëtarëve të tyre shqiptarë në këmbim të heshtjes për mbijetesë. Në këtë mënyrë, këtyre investime marramendëse u bënë tashmë disa dekada që nuk po ua sheh kush rezultatin…
Mediu: “Shteti ka probleme sidomos ne administrim”
Ndërkohë, i pyetur per Hermesnews, ne lidhje me rolin kontrollues që shteti shqiptar duhet të kishte ndaj investimeve të tilla jo serioze dhe fantazmë, Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dha këtë prononcim: “Unë mendoj se duhet të ndajmë dy gjëra; administrimin nga strukturat shtetërore. Para se të bëjmë analizën e strukturave dhe organizatave ndërkombëtare dhe vendase, mendoj se shteti ka problemet e veta sidomos në administrim.
Eshtë e domosdoshme që në cdo project të kemi një transparencë maksimale përsa i takon fondeve. Çdo investim nga ndërkombëtarët dhe nga buxheti i shtetit që vjen në Shqipëri duhet të ketë transparencën maksimale me qëllim që të ketë një impakt optimal nga zbatimi i këtyre projekteve në terren.” Lajmet e Hermesnews dhe në Facebook.