Nga Griselda Qosja, 28 Qershor 2012
Për fat te keq ne qytetasit nuk do ta njohim kurrë atë lidhjen e veçantë që ekziston mes njeriut dhe tokës, e që duhet njohur me doemos. Të mbrujtur në hapësira gri betoni, ku vështrimi jo vetëm që s’endet i lire në hapësira të kaltra, por në pjesën më të madhe të rasteve përplaset me ndonjë ndërtesë, të mbirë kotësish në vendin më pak të përshtatshëm e të mundshëm, nuk mund ta kuptojmë. Jo se s’duam, por se s’mundemi.
Sigurisht, në të udhëtuar e sipër nëpër këtë vendin tonë të bekuar, ngazëllehemi prej panoramës, prej fushave të mbjella e të punuara, prej punës në fusha të fshatareve, por është një ngazëllim fluturak si ai i fëmijëve pas një lodre të re, e cila harrohet pa një pa dy, e ndoshta nuk do t’u kujtohet në mos i rastiste t’u dalë përpara vetiu. E nga ky ngazëllim shpesh edhe harrojmë varfërinë në të cilën fshatarët dhe fshati sot mbijeton.
Lini për shembull është një fshat i vockël që më i bukur s’bëhet. Me shtëpi të vockla të ndërtuara buzë ujit, në shpinën e një mali a kodre jo fort të lartë. Me rrugica të vogla e të ngushta, të shtruara me gurë të vegjël, ku vështirë se mund të kalosh me makinë, po të mendosh edhe gjyshet e moshuara që mbajnë sehir hajateve, ulur në ca si stola prej druri a në gurë mbi të cilët kanë shtruar cohë. Është një fshat i vockël, ku shtëpitë e ngritura puqazi me njëra- tjetrën, bëjnë që të gjithë të njihen. E në qofsh i huaj e kalofsh në ato rrugica, të nguliten me dhjetëra vështrime herë të drejtpërdrejta e të guximshme gati për t’ia nisur bisedës, e herë vjedharake e të shpejta si të thonë, edhe në më pyetsh nuk kam për të t’u përgjigjur.
Është një fshat i vockël, rrugicat e të cilit bien erë varfëri e zymtësi. Me vjen inat se për nga bukuria ia kalon ku e ku shume fshatrave me emër në jugun e Italisë, Francës apo Spanjës, madje edhe atyre qark liqeneve në veri të Italisë, në kufi me Zvicrën, ku për të pushuar gjatë të duhet të kesh hequr mënjane mjaft para.
Por jo vetëm që është i varfër Lini vocërrak, po në horizont nuk duket asnjë mundësi që të lulëzojë e banorët që jetojnë me të peshkuar e punën e ndonjë toke aty rrotull, të mund të jetojnë me të ardhurat e turizmit dhe vizitorëve, ashtu siç bëjnë simotrat në vendet e të tjera. E t’i shtosh pastaj bukurisë së natyrës edhe ato të trashëguara nga dora e njeriut, siç është fjala bie mozaiku lart në mal, apo gojëdhënat që e lidhin me planet e Mbretëreshë Teutë, Lini mund të jetë tërheqës vërtetë.
Po si Lini ka plot fshatra nëpër Shqipëri, të cilat me pak infrastrukture e publicitet mund të mbanin veten pa shumë mund. Por mundimi është etiketë e fshatit tonë, nuk është si ato fshatrat në jug të Texas-it, me ato fermat e mëdha e të rregulluara për bukuri, banoreve të cilëve ua kisha zili të jetuarin nën qiellin e kaltër ku shndëriste pafund dielli i jugut. Është shumë ndryshe. Ndryshesë e cila përmblidhet në një. Se me të njohur mundimin e një fshatari zëre se i ke njohur dhe të tjerët.
Ndaj çdo herë që vështrimi më ndesh kalimthi teksa jam duke udhëtuar, një grua në fshat duke punuar, mendoj se njoh një copëz të halleve të saj prej një gruaje nga fshati me lëkurën e ashpër e të nxirë prej diellit, që më tregonte se i duhej të zgjohej në orën katër të mëngjesit për të mjelë bagëtinë, për të punuar tokën, për të mbledhur perimet, që të gatisë bukën, e pastaj të marrë çantat e të dalë në rrugë.
Me shpresën se ndonjë fugon i linjës do ta marrë me vete për ta shpënë në kryeqytet ku do të përpiqet të shesë ato pak perime të rritura me mund, duke u ruajtur nga frika e ndonjë polici bashkiak që mund ta urdhërojë të ikë në mos i dhëntë ndonjë ryshfet a gjëkafshë. Pastaj do t’i duhet të bëjë pazar edhe me ndonjë klient hundëpërpjetë që megjithëse ka një rrogë të mirë mujore, këmbëngul që çmimi të jetë edhe më i ulët, me arsyetimin se gjetkë është kështu. E medoemos mallrat që vijnë nga importi janë më të lira, se rriten si rriten, jo në ekonomi të vockla shtëpiake e me mund.
E më vjen inat se askush nuk kujdeset që fshatarët të shesin prodhimin e tyre nëpërmjet një infrastrukture të ngritur që t’u kursejë atyre shumë mundime. T’i inkurajojë e jo të përpiqet t’u marrë token si në Shijon, për hir të ndërtimit të autostradës, duke e vlerësuar minimalisht, pa marrë në konsideratë kompensimin e prodhimit, i cili atyre fshatarëve të mjerë mund t’u shkojë kot.
Për fat të keq, se ata të cilët mund të bëjnë vërtet diçka janë qytetas dhe nga ai soj, që edhe në u mundoftë nuk do ta kuptojë kurrë fshatarin, mundin dhe atë lidhjen e veçantë me tokën, që duhet njohur medoemos.