Një Lider Pervers

0
60

Nga Magdalena Ramohito, 30 Qershor 2013

Ka disa ditë që rezultatet e zgjedhjeve të 23 qershorit, po analizohen, si për forcën fituese ashtu edhe për atë humbëse. Ndërsa njerëzit në rrugë ndihen të çliruar nga ai makthi që i kish mbërthyer prej drejtimit me dorë të hekurt të Liderit të Partisë Demokratike dhe njëherazi Kryeministër i Shqipërisë Sali Berisha, në Facebook-un e tij shohim shfaqje qesharake, si letra adoleshentësh të fascinuar pas këtij lideri, si fansat e Elvis Preslyt, të cilët akoma mendojnë dhe shpresojnë se ai nuk ka vdekur, por diku fshihet..

Ndërsa këta të fundit kanë gjithë mirëkuptimin e njerëzimit, sepse muzika prodhon këtë përshtypje: krijon një të kaluar, për të cilën s’di asgjë dhe e mbush me një ndjenjë dhembjesh të panjohura për lotët tanë. Është pikërisht vepra, që muzikantët lënë pas, e cila i “çmend” fansat e tyre deri në sëmundje, saqë nuk janë në gjendje të pranojnë largimin e trupit të tyre nga jeta.

Tek artistë nuk ka rëndësi se kush janë si personalitete, fansat e tyre lidhen fortë pas veprës së tyre dhe për këtë arsye ata ndjejnë boshllëkun e madh kur njeriu artist largohet nga jeta.

Po një Lider çfarë është? –Një përkufizim i përgjithshëm mbi Liderin, e trajton atë jo vetëm si një person, që vihet në krye të një grupi njerëzish dhe drejton duke dhënë urdhra, por si një person që frymëzon atë grup dhe projekton tek ata dëshirat, aspiratat dhe vizionin e tij, duke krijuar atë që quhet Lidership.

Nuk është e thënë se Liderët i krijojnë kombet e mëdhenj, të cilët kanë një standard të lartë emancipimi. Historia botërore ka afirmuar se ka edhe vende të vegjël që krijojnë Lider të mëdhenj, të cilët kanë shërbyer me mençurinë e tyre dhe kontribute të mëdha, të cilët historia i ka ngritur në majat e piramidave. Vendi ynë i vogël Shqipëria ka liderët e vet ushtarakë, që historia botërore i ka njohur si të tillë e i ka ngritur në piedestale që u takojnë.

Po sigurisht që ne shqiptarët jemi mburrur e mburremi me Heroin tonë kombëtar Skënderbeun, të cilin kur kemi qenë fëmijë e kemi përfytyruar si një mbinjeri, nëpërmjet tregimeve, që kemi lexuar për të; si psh: edhe kali mbante zi pas vdekjes së tij…

Figura e Ismail Qemalit gjithashtu ka qenë në përfytyrimin tonë gati mistike, ngaqë librat e historisë e përshkruanin atë si një Lider që shpëtoi atdheun nga vargonjtë e Perandorisë Osmane.

Kështu këto figura të vlerësuara nga shkencëtarë historianë janë bërë për ne mite, prekjen e të cilëve nga çdo njeri, qoftë ky historian a politikan, nuk mund ta pranojmë, ajo shkakton menjëherë reaksion, sepse na duket sikur na fshijnë një pjesë nga ekzistenca jonë si komb, sikur na heqin identitetin tonë. Kaq të lidhur jemi me këto figura sa kush tenton t’i prekë, merr me vete ‘çmimin’ dhe në fakt, lojërat që personalitete të PD këto 8 vjet kanë bërë me heronjtë e Shqipërisë si psh: ajo me Heronjtë e Vigut në Shkodër, apo aludimet mbi datën e çlirimit të vendit nga Nazi-Fashizmi, kanë qenë kosto për PD.

Edhe Enver Hoxha, të cilin historia e vlerësoi si udhëheqësin e luftës Nacionalçlirimtare, të vetmen figurë, që u përpoq të errësonte ishte vetëm ajo e paraardhësit të tij, Mbretit Zog, dhe me gjithë ekzagjerimet që i bëri luftës Antifashiste si “Epope e Luftës Çlirimtare”, me qëllim glorifikimin e figurës së tij, sot nga historianët është një figurë e diskutueshme, e cila mbase në të ardhmen do të ketë vlerësime të reja nga brezat, sepse në fakt ishte një personalitet që bëri epokë, mjafton fakti, që ai u vu në krye të një lëvizje çlirimtare, pavarësisht vlerësimit mbi mënyrën e qeverisjes dhe sjelljen e tij si perandor.

E rëndësishme është, që sot të gjithë shqiptarët janë të lumtur që janë shkëputur prej asaj periudhe, e cila u mohoi shumë të drejta dhe liri, që zhvilloi luftën e klasave dhe nxiti armiqësinë midis njerëzve.

Në këtë periudhën post-komuniste, të gjithë u përpoqëm të krijojmë një shtet demokratik, por në fund me keqardhje konstatuam se pas 22 vjetësh, mbetëm në një rreth vicioz, me një liri të kufizuar fjale dhe lëvizje, ndërsa metodat dhe praktikat e drejtimit ishin shumë të ngjashme me komunizmin.

Provuam 8 vjet një lider ‘liberal’ në dukje si Fatos Nanon, por shpejt u zhgënjyem se kuptuam, që ai ishte thjeshtë një diktator i ‘butë’, përderisa lufta e klasave vazhdoi, por në një formë tjetër….

Sali Berisha u shfaq përpara shqiptarëve si një Lider i fortë e “antikomunist” i flakët, por në fakt nuk mund të fshinte dot të kaluarën e tij komuniste. Një sekretar partie i devotshëm, i cili luftën e klasave sidomos në këto 8 vjetët e fundit e ashpërsoi në atë masë, sa po na merrte frymën. Unë , që kam provuar luftën e klasave të Enver Hoxhës, më besoni kam thënë ndonjëherë: “ të keqen e interrnimit” në krahasim me prozvaljen që më ka bërë shteti i Sali Berishës këto 8 vjet.

Të them të drejtën në artikullin tim të fundit e vlerësova gjestin e tij, të pranimit të fajit, ngaqë në këto 22 vjet e kam parë si një njeri që nuk di të pranojë faj mbi veten e tij, por veç të nxjerrë helm nga goja e tij, helm, i cili dalëngadalë filloi të paralizonte gjithë shoqërinë shqiptare, deri në atë pikë sa reagimi po minimizohej në zero.

U gabova, ndoshta nga entuziazmi, se nga goja e tij dëgjova deklaratën që po largohej nga të gjitha funksionet e Partisë së tij, dhe se gabimi binte tërësisht mbi të, por disa komentues të shkrimit të tij më bindën përnjëherë për të kundërtën.

Tani Sali Berisha po luan me lotët e adoleshentëve, të frymëzuar nga prindërit e tyre, të cilët patjetër janë të lidhur me interesa me këtë person dhe asgjë shpirtërore nuk ka midis tyre. Vënia në Facebook-un e Sali Berishës përshëndetjen e një adoleshenti, si një fans i tij i sëmurë është thjesht mizore.

Ky njeri që e quan veten Lider të PD, gjatë gjithë jetës së tij politike ka projektuar tek elektorati i tij vetëm urrejtje për gjysmën tjetër të shqiptarëve, ka vrarë njerëz në bulevard, ka fshehur madje krimin, ka shkaktuar vetëm trazira në këtë vend, dhe ka tentuar ta krahasojë veten me Lidera të këtij vendi , të cilët kanë bërë histori. Sigurisht është mbështetur nga ithtarë, që në pamje të parë dukeshin si militantë të devotshëm, por më vonë po tregojnë se janë thjeshtë njerëz mediokër arrivistë, që po vazhdojnë ta mbështesin këtë njeri në marrëzinë e tij, për ta shfrytëzuar, me qëllim arritjen e ambicieve të tyre politike.

Një lider që projekton veç urrejtje e ndarje klasore në një vend që përpëlitet me litarin e komunizmit nëpër këmbë, duke menduar se po krijon demokracinë, ndërsa në fakt në këto 22 vjet ka krijuar vetëm një marrëzi, një marrëzi që e ka emrin Sali Berisha, s’është tjetër gjë veçse një Lider pervers.

Ky njeri duhet ndalur në marrëzinë e tij, nga njerëzit që janë brenda Partisë Demokratike, tani që ky është i zhveshur nga të gjitha atributet, tani që hekuri është i nxehtë, në të kundërt, ky pervers do të mobilizojë tipa si ky gjashtëmbëdhjetë vjeçari e do të na i servirë si militantë, të cilët e duan patjetër të kthehet Kryetar në Parti dhe ai i dorëzuar përballë “hidhërimit “ të tyre s’ka rrugë tjetër veçse të ri kandidojë dhe pastaj do të fillojë me parullën “Përpara”.

Shqiptarët duhet t’i thonë NDAL! Perversitetit të tij sa nuk është vonë.