Shkruan: Xhevat Rexhaj
Mosdalja e shqiptarëve në Republikën e Kosovës në votime për mendimin tim është e njëjtë me mosdaljen e serbëve të Veriut të Mitrovicës???, ngase të dyja palët (mjerisht) ia mundësojnë pushtetin partisë së Xhabirave, ngase ndihmohen nga qafirët që nuk mendojnë më shumë për shtetin e tyre, që u fitua me sakrifica, mundë, djersë e gjak… Ata të cilët nuk e shfrytëzojnë të drejtën demokratike për të votuar nuk kanë të drejtë të kritikojnë pushtetin…
“Ka kohë që analistë, gazetarë, politolog, partiashë e kushdo tjetër, që po merren me fenomenin PDK-së, parti politike që për momentin në Kosovë që prej vitit 2007 po i fiton votimet në Kosovë, si ato lokale gjithashtu edhe ato parlamentare! Me vite jemi duke u marrë me shkrime, analiza, dokumentime, faktime, thashë e theme e çka jo tjetër, se kjo parti po i vjedhë votat, kjo parti po i blenë votat, kjo parti po i frikëson votuesit e gjëra të tjera që në fillim ndoshta e kishin kuptimin e duhur, por me kalimin e kohës po del sheshazi se këtu ka edhe diçka jo reale në gjithë këtë analizim të shumë kujt që mëton të i thotë vetes analistë apo gazetarë i mirëfilltë.
Që në fillim do sjelli disa citate nga dy njerëz që këto ditë kanë shkruar për këtë çështje, pra për partinë e Xhabirave e që më poshtë të vazhdoi me disa analiza dhe përshkrime të mia se si unë e shoh këtë farë loje politike që bëhet për dhe kundër PDK-së, pra do citoi nga Z. Albin Kurti, Kryetar i VV-së, dhe nga Berat Buzhala-deputet i PDK-së dhe njëherazi zëdhënësi dhe trumbetuesi më i zhurmshëm i kësaj partie.
“Në emrin tim personal dhe të PDK-së, por edhe të qytetarëve të Kaçanikut, më lejoni të falenderoj kryetarin Xhabir Zharku për punën e tij të mirë që ka bërë në shërbim të të gjithë qytetarëve.” Kështu ka deklaruar të hënën që shkoi Kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi. Në tubimin e hapjes së fushatës së PDK-së në Kaçanik për zgjedhjet e jashtëzakonshme atje, kryeministri e falënderoi jo vetëm në emrin e vet por edhe të PDK-së Xhabir Zharkun. Ai thua se deshi ta vuloste që PDK-ja është veçse Parti e xhabirave, duke e ngritur kështu Xhabirin nga një person a individ të posaçëm në dukuri të përgjithshme të kësaj partie. Mbase nuk ka se si të jetë ndryshe.
Tashmë dihet që vetëm pushteti (i paligjshëm) dhe paraja (e vjedhur) e mbajnë bashkë PDK-në.
Ajo s’ka as vlera demokratike të brendshme, as program e parime politike dhe as ideale e vizion për shoqërinë. Xhabiri është esenca e PDK-së. Thaçi njëmend mund të jetë kryetari i saj konjuktural, porse Xhabiri është fundamenti përkufizues i PDK-së. Prandaj, jo Xhabiri por njerëzit e mirë në PDK janë aksidenti. Pa njerëzit e mirë në PDK, kjo parti ia del fare mirë; pa Xhabirin, ajo s’mundet dot. Ky është shkaku pse Thaçi s’mund të mos i falenderohej Xhabirit e s’mund të mos e lavdëronte atë. Xhabirin e ka krijuar dhe mirëmbajtur PDK-ja, mirëpo edhe e kundërta vlen veçse më shumë...”, kështu shkruan Albin Kurti.
Berat Buzhala-deputet i PDK-së: “Vetëvendosjes nuk do t’i vinte rendi të kërkonte dorëheqjen, arrestimin dhe burgosjen, jo vetëm të ministrave e deputetëve të PDK-së, por edhe të votuesve të saj, prej shumicës së opinionistëve të gazetave të afërta me këtë lëvizje që dëshirojnë t’ia shtinë flakën këtij vendi, të shumtën për arsye personale. Dikush deshi të bëhej ambasador, e nuk pat vend, tjetri deshi ta shohë veten ministër të jashtëm, e nuk e kaloi pragun, e i treti deshi ta fitojë një tender, e nuk i plotësoi kushtet.
Dhe raste të tilla ndodhin, në forma pak më bizare, edhe në vendin tonë. Mirëpo, përgjegjësia është dhe duhet të jetë personale. Dhe u pa se kështu mendon edhe qytetari, i cili nuk ra në grackën e fushatës zgjedhore. Ai në rastin e Kaçanikut zgjodhi të votojë pikërisht për partinë e xhabirave, e në Ferizaj për atë të xhemajlëve, por assesi nuk e mandatoi Partinë e Kim Jong Il-ave, Mao Zedong-ve, Fidel Castrove apo Hugo Chavez.
A ka dëshmi më bindëse se partitë tjera kanë nevojë për të reflektuar më shumë sesa PDK për gabimet e tyre. LDK, e cila ndodhet kah fundi i reformave, arriti të fitojë plot 5.3 për qind të votave. Sa do t’i fitojë ky subjekt politik kur ta kryejë komplet ciklin e reformave? Duket që secili prag do të jetë i lartë për të. VV është kryqëzuar në ata numra, ndonëse në vota të përgjithshme ka rënie, ndonëse për të fituar vota e përdor retorikën më radikale të mundshme. Ndoshta me këtë gjuhë kjo lëvizje do të mund të asociojë në ndonjë asociacion të partive politike të themeluar nga partia greke Agimi i Artë.” Kështu shkruanë B. Buzhala.
Unë fare nuk do të merrem dhe nuk do ti analizoi thëniet e këtyre të dyve, të cilët akëcili në mënyrën e vet e shpreh dhe e shef nga prizmi i tij, gjendjen momentale në PDK, në popull dhe tërësisht në shoqërinë tonë kosovare, pa u ndalur pakëz në historinë se si erdhi shoqëria kosovare në këtë stad dhe këtë gjendje, kur do të duhej të funksiononte ligji, rendi dhe sistemi demokratikë me të gjitha përparësitë që i ka për një shoqëri që mëton të jetë me prosperitet dhe mirëqenie në të ardhmen.
Në fillet e pluralizmit nën pushtimin serbomadh, shoqëria shqiptare në Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare filloi të përqafojë me shpejtësi të madhe mundësitë që i ofroheshin për të artikuluar dhe realizuar ëndrrat e veta për t’u liruar nga zgjedha sllave. Në këtë turravrap ndodhën edhe disa gjëra të cilat më vonë do të sillnin aty këtu edhe pasoja, ngase do të kuptohej më vonë se euforia e madhe nuk na dha shansin që të piqemi dhe të vetëdijesohemi se proceset demokratike janë të ngadalta dhe shumë të dhimbshme në momente të caktuara.
Megjithatë sidomos me formimin e LDK-së populli shqiptarë e gjeti një zë të fortë dhe të përbashkët për të realizuar në etapa qëllimet e veta, dhe këtë vërtet në mënyrën më madhështore e bëri klasa intelektuale dhe mbarë qytetare e prirë nga njeriu i duhur në kohën dhe vendin e duhur Ibrahim Rugova. Të gjitha ato vite shqiptarët për herë të parë ishin në unison për sa i përket të ardhmes dhe rrugëve për të realizuar qëllimin përfundimtarë, çlirimin e Kosovës, dhe hapjen e perspektivës më të mirë për veten e tyre. Të gjitha ato vite shqiptarët treguan një unitete të paparë në historinë tonë dhe me të gjitha mjetet e mundshme të gjithë kontribuonin që të vendosnin nga një gurë në themelin dhe murin e shtëpisë të quajtur Pavarësi. Ishin momentet më dramatike kur erdhi koha që të fillohej edhe lufta për çlirimin përfundimtarë, luftë e cila do të përkrahej edhe nga miqtë tanë më të fortë në botë SHBA-ja dhe aleatët e tjerë euro-atlantik.
Mjerisht po në këto kohë kur duhej të vazhdohej me unitete dhe syçeltësi, një grup i caktuar politikë me qëllime të caktuara filloi të mos pranoi Institucionet e votuara nga qytetarët e Kosovës, nuk e pranonin as Presidentin e zgjedhur me vota të popullit, dhe nuk pranonin asgjë që kishte të bënte me legalen dhe institucionalen, por ata filluan që me të gjitha mjetet të krijonin opinionin se shqiptarët së pari duhet ti eliminojnë “spiunët dhe tradhtarët“ e LDK-së, e që LDK ishte gati 90% e popullatës në Kosovë e mërgim, ata pra me qëllim filluan ta rregullojnë terrenin për të fituar në kohë dhe në aspektin material, duke shantazhuar dhe duke njollosur me qindra e mijëra atdhetarë dhe veprimtarë të çmuar e të dalluar për kauzën kombëtare.
LDK-ja u gjend në pozitë të vështirë, ajo kishte miliona anëtarë dhe simpatizues, kishte struktura të forta shtetëformuese, kishte Qeverinë dhe Presidentin, por tani më gjendja filloi të keqësohej dhe të dobësohej ngase njerëz të klaneve enveriste vetëm se ishin duke korrur suksese sidomos te një pjesë e rinisë, duke i indoktrinuar të tillët me një ideologji staliniste-enveriste se ata (LDK-istët) janë tradhtarët, ndërsa ne jemi çlirimtarët?
Me këtë moto filloi dhe do të shihet më vonë, se edhe vazhdoi hendeku shumë fatal dhe tragjikë i kësaj filozofie bolshevike, duke gënjyer dhe duke anatemuar e akuzuar njerëz të devotshëm me fjalët “tradhtar dhe spiun të Serbisë?“, mjerisht nga kjo katrahurë pasojat do të jenë të mëdha gjatë luftës dhe pas luftës e deri në ditët e sotme. Për të qenë real në këtë që shkruaj, më duhet të them se vërtet në këtë lojë të pistë, dhe të fëlliqur ndërshqiptare kishte dhe ka ende edhe njerëz që ishin dhe janë ende brenda strukturave të LDK-së , të cilët me destruktivitet lënduan qindra e mijëra anëtarë, luftëtarë dhe oficerë shqiptarë që e deshën dhe e bënë edhe luftën.
Shovenisti dhe serbomadhi serb, Dobrica Qosiq shumë here e kishte përsëritur një thënie rreth gënjeshtrës, ai thoshte kështu edhe kur ishim në pyetje ne shqiptarët apo edhe kroatët: “ serbët duhet të gënjejnë edhe 100 here nëse është nevoja, ngase pas herës së njëqindtë rrena shndërrohet në të vërtet…”, maksimën e tillë duket se e përdorën edhe klane dhe grupe të caktuara të LPK-istëve të cilët kudo kishin mundësi i shpallnin LDKistët si “ tradhtarë dhe spiuj “ serbë????”. Në kohën e luftës në ndihmë këtyre mafiozëve u dolën në ndihmë qeveria nanoiste në Tiranë dhe shumë gazeta e Tv të asaj kohe që u shiten me marka e dollarë tek klanet e caktuara të LPK-së.
Disa të matufosur dhe të shitur e sakatuan LDK-në
Kur kihen të gjitha këto rrethana parasysh atëherë mjerisht edhe krijohet dyshimi dhe krijohet edhe frika te vet njerëzit e LDK-së, se vallë si të mbijetohet tani nga këto akuza, si të durohen dhe si të përpihen këto rrena dhe këto etiketime marroqe, në gjithë këtë lëmsh edhe shumë njerëz filluan të frikohen dhe filluan të largohen nga aktiviteti, filluan ta shkelin kontributin qe kishin dhënë me dekada e vite për të mirën e Kosovës, pra thjeshtë filluan të mos besojnë në një shtet ligjorë dhe shoqëri demokratike.
Sa ishte gjallë Presidenti Rugova megjithatë LDK-ja kishte primatin dhe fitonte me shumicë absolute votat, por mjerisht me vdekjen e tij filloi edhe një vdekje e disa gjymtyrëve të një trungu të madh që ishte dikur, pra LDK-së. Në këtë gjymtim të vetë LDK-së fajin më të madh e patën vet disa njerëz të LDK-së, disa veprimtarë që dikur çmoheshin, por kur erdhi rasti dhe koha për karrige ata u ndanë, u përlanë, u përçanë dhe ush si më së keqi.
LDK-në e shkatërruan vet LDK-istët, e shkatërruan ata që në një apo mënyrë tjetër kishin marr detyra nga klanet dhe grupet e caktuara, të njëjtit që LDK-në e quanin tradhtare dhe spiune, pra disa burra të matufosur dhe të shitur te krimi dhe kontrabanda e sakatuan LDK-në përfundimisht. Sot LDK-ja vuan nga ato plagë, sot LDK-ja nuk po mundë të ngjitet fare në përpjetëzen e quajtur zgjedhje, sot LDK-ja që prej vitit të mbrapsht 2006 vetëm se po fundoset, dhe me këtë partisë rivale po i krijohen favore dhe mundësi që të mbaj pushtet të pakufizuar në Kosovë.
LDK ja edhe sot e gjithë ditën lëndohet dhe plagoset nga kryeneçët dhe idhnakët e vjetër që duan ende privilegje, sot LDK-ja është në duar të njerëzve pa vizione, pa dije dhe pa profesionalizëm. Në LDK sot ka ende pleq të stërkequr, të lodhur, të shkokordhuar, por mjerisht edhe të shantazhuar, sot në LDK nuk ka vend për të rinjtë e shumët që posedojnë vlera, janë trima dhe janë profesionalisht të përgatitur të marrin fatin e partisë në duar, jo këta nuk lejohen të ngjiten në hierarki ngase pleqtë e “ gjithëdijshëm” nuk i lejojnë, andaj edhe shumë vite do të munden keqas nga partia rivale.
• Sot ka ende me mijëra LDK-istë që flenë apo sorollatën nëpër kafene e çajtore kur ka zgjedhje, ata nuk shkojnë të votojnë, ngase njërit si pëlqen filani e tjetrit si pëlqen fisteku, dhe kështu të tillët me apo pa vetëdije e zgjedhin PDK-në në pushtete…
Eh, pas gjithë këtyre favoreve që kishte krijuar LPK-ja dikur, që u transformua suigeneris në parti demokratike?, pra në PDK, i fërkoi duart qysh në vitin 2007, dhe nga aty filloi tani më realizimin e të gjitha projekteve që i kishte përcaktuar që në kohë lufte. Tani më të lirë ata filluan të fusin qindra miliona deviza në treg, në tenderë, në ndërmarrje shoqërore, në borde, në blerje objektesh, dhe kështu pa fije frike filloi shpëlarja e parasë së vjedhur nga djersa e mërgimtarëve, dhe nga arka e shtetit për interesa personale, familjare dhe klanore. PDK-ja, pra udhëheqja e saj qysh në fillim u tregua mirënjohëse ndaj fanatikëve të saj, ndaj anëtarëve të flakët, dhe ndaj grupeve të interesit që kishin bashkëpunuar me vite, e tani më PDK-ja të gjithë këta filloi të i shpërblej me poste, me karrige, me mjete materiale e çka jo tjetër . Njerëzit e kësaj partie që ishin dhe janë në krye të saj vërtet i përmbushën obligimet e tyre karshi njerëzve të tyre të besuar.
Në poste udhëheqëse shtetërore delegoi njerëz me bagazh të papastër, njerëz me dosje të krimit, dhe këtë vetëm për hir të asaj që të fshiheshin prapa imunitetit!
Në komuna caktoi njerëz të pa shkollë, pa profesione, por njerëz të besuar të partisë, të cilët kishin bërë argatin për partinë, me këtë ata edhe punësonin familjarët e tyre dhe shpërndanin tenderë si në arë të babës.
Partia i dekoroi të gjithë ata që dikur kishin etiketuar njerëz të dalluar të kombit, që prej Presidentit Rugova, F. Aganit, A. Krasniqit, S. Çekajt e mijëra LDK-istëve të tjerë.
Partia i bëri ministra dhe këshilltarë njerëzit që kishin djegur Flamurin Dardanë, dizajnuar nga Presidenti Rugova.
Partia u ofronte funksione partiakëve të vet, të cilët ose ndiqeshin penalisht, ose kishin qenë të burgosur. Shkurt partia, pra PDK-ja në të gjitha Institucionet e caktuara shtetërore kishte deleguar dhe kishte vendosur njerëz me dosje të hapura nëpër polici apo gjykata…
Njerëz të kësaj partie thuaj për çdo ditë akuzohen dhe thirren në hetime për kontrabandë, krim, kriminalitet, korrupsion e shëmti të tjera, po vallë si po reagon populli ndaj gjithë këtyre gjërave?
Deshëm apo nuk deshëm të pranojmë, nëse analizohen të gjitha këto vite, të gjitha këto ndodhi ,dhe këto ecje të shëmtuara në shoqërinë tonë dhe në shtetin tonë, shihet qartë se kjo parti për momentin ka një përqindje të caktuar votuesish, kjo parti ka një anëtarësi që është shumë e fort dhe shumë e lidhur pas lidershipit, dhe pas subjektit të vet politikë. Anëtarët e PDK-së me këtë po tregohen më demokratë sesa anëtarët e subjekteve të tjera, anëtarësia e PDK-së me këtë na pëlqeu neve apo jo, po tregohet shumë dëshmuese dhe garantuese për subjektin politikë duke ditur se duhet këmbëngulje dhe duhet angazhim që ta mbajnë në pushtet.
Gjatë gjithë votimeve të gjerë tanishme ne gjithnjë kemi akuzuar PDK-në se po i vjedhin votat, po i blejnë votat apo po i shantazhojnë votat! Ndoshta ka pas, dhe sigurisht se ka patur gjëra të tilla, por rasti i zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe sidomos tani më rasti i rivotimeve për kryetarë komunash në ato komuna ku mu kryetarët që vinin nga po ky subjekte duhej të futeshin burgjeve si të dënuar shkelës të ligjit, pa një pa dy në të dy komunat fitojnë me përqindje të madhe kandidatët e kësaj partie, atëherë nga kjo rezulton se vërtet nuk pati vjedhje vote, por pati degradim të partive të tjera karshi PDK-së.
Ka të tillë që thonë se jo more, nuk kanë legjitimitet të zgjedhurit, ngase në votime kanë dalur shumë pak votues, kjo për mendimin tim është thënia më idioteske që mund të dëgjohet këto ditë, ngase edhe në shtetet demokratike të Evropës fitues është ai që fiton më shumë edhe nëse dalin vetëm 15% të votuesve te kutit e votimit, shkurt anëtarët e PDK-së me këtë po tregohen të vyeshëm dhe shumë të përgjegjshëm ndaj liderit, dhe ndaj subjektit të tyre politik, çka mjerisht e tilla mungon fare te subjektet e tjera politike, e sidomos të LDK-ja.
Nëse jemi realistë dhe nuk pretendojmë të anojmë nga subjektet e caktuara të cilave ne si individë u takojmë, atwherw duhet të themi shumë qartë dhe pa dorëza, se një meritë të madhe për fitoren në zgjedhje të gjerë tanishme nga ana e PDK-së e kanë mu ata votues kosovar që nuk e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të dalë në zgjedhje, realisht ata me mosdalje në një apo mënyrë tjetër po e përkrahin partinë në pushtet, po e përkrahin PDK-në dhe H. Thaçin.
Në një shtet të porsalindur siç është Kosova, mosdalja e më shumë se gjysmës së votuesve në zgjedhje është një vetëdije degraduese, ose një mosvetëdije kombëtare, të mos dalësh në votime sot kur vendosen fate për ardhmërinë e fëmijëve dhe gjeneratave të ardhshme është më shumë se miopi dhe tragjedi, thjeshtë është jo interesim për atë që po ndodh, ose thënë ndryshe, ata që nuk dalin në votime në mënyrë indirekte e ndihmojnë PDK-në që të fitoi zgjedhjet edhe në të ardhmen.
Albin Kurti, në shkrimin e tij , në mënyrë shumë parimore merret dhe zbërthen gjendjen brenda subjektit politik të quajtur PDK, vërtet ai ka shumë të drejtë, por në realitet kjo nuk ua çan fare kokën anëtarëve dhe simpatizuesve të PDK-së, ngase ata të tillë siç është e duan partinë e tyre, dhe të tillë edhe me skandale të shumta do ta përkrahin edhe më tutje. Këtë e thotë shumë qartë Berat Buzhala, deputet dhe njeri arrogant i PDK-së, person që thuhet se merret me kontrabandë në veri të Mitrovicës, se PDK-ja ishte dhe mbetet parti e B. Xhemajlave, S. Lushtakëve, Xhabirave Zharkut, N. Sylajve e të akuzuarve dhe të dënuarve të tjerë, pra me këtë B. Buzhala shumë qartë na tregon se PDK-së nuk i ha palla për ligjin, për shtetin dhe as për pushtetin sepse në fund të fundit ata po i fitojnë zgjedhjet, çka edhe është e vërtet edhe nëse është fatkeqësi, ky popull po e mbanë dhe po e ushqen këtë parti dhe këtë pushtet, dhe ne duhet të pajtohemi me këtë realitet!.
Nga e gjitha që shkruhet dhe thuhet për zgjedhjet në Kosovë, tani më që nga zgjedhjet e fundit në Ferizaj dhe në Kaçanik po vërtetohet se në shoqërinë kosovare dhe në mendjet e qytetarëve çmohen ata që vjedhin, ata që kriminalizojnë shoqërinë, ata që kontrabandojnë dhe ata që korruptojnë shtetin.
A duhet të pranohet apo jo diç e tillë, mbetet të shihet në vitet në vijim, por nëse dita shihet në mëngjes atëherë PDK-ja edhe disa vite do të fitoi pa probleme zgjedhjet, dhe atë tani më pa vjedhje, ngase mosdalja e shqiptarëve në votime për mendimin tim është e njëjtë me mosdaljen e serbëve të Veriut të Mitrovicës, të dy palët ia mundësojnë pushtetin partisë së Xhabirave, ngase ndihmohen nga qafirat që nuk mendojnë më shumë për shtetin e tyre që u fitua me sakrifica, mundë, djersë e gjak…