Shekulli Online, 22.07.2010
UPDATE – E drejta ndërkombëtare nuk përmban asnjë ndalesë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ky ka qenë vendimi i shumëpritur i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, jo vetëm nga Kosova dhe Beogradi por edhe më gjerë. Me 10 vota pro dhe 4 kundër gjykata është e mendimit se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Sipas gjykatës nga të gjitha të dhënat pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur as rezolutën 1244, si dhe kornizën kushtetuese të UNMIK.
Në favor të Kosovës kanë votuar këta gjyqtarë:
Hisashi Owada – Japoni, president i GJND-së
Thomas Buergenthal nga SHBA,
Christopher Greenwood nga Britania e Madhe,
Ronny Abraham nga Franca,
Bruno Simma nga Gjermania,
Kenneth Keith nga Zelanda e Re,
Awn Shawkat Al-Khasawneh nga Jordania,
Antônio A. Cançado Trindade nga Brazili,
Abdulqawi Ahmed Yusuf nga Somalia,
Bernardo Sepúlveda – Amor nga Meksika,
Kundër kanë votuar:
Peter Tomka – nënpresident, përfaqësues nga Sllovakia,
Leonid Skotnikov nga Federata Ruse,
Abdul G. Koroma nga Sierra Leone,
Mohamed Bennouna nga Moroku.
Katër vendet të cilat kanë votuar kundër nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Por mosnjohja e realitetit të ri në Kosovë, nuk i ka penguar dy vende (Brazilin dhe Meksikën) të votojnë në favor të Kosovës.
Thaçi: Përgjigje ndaj padrejtësive
Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është përgjigja më e mirë që i është dhënë botës për të drejtën e Kosovës si shtet legjitim dhe legal, si shtet i konsoliduar dhe funksional, ka thënë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, duke theksuar se kjo është një përgjigje e drejtë historike ndërkombëtare ndaj padrejtësive historike që janë bërë ndaj Kosovës.
Në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, nga Uashingtoni, kryeministri Thaçi ka falënderuar gjithë mbështetësit e Kosovës, ndërkaq ka theksuar se opinioni i GJND-së paraqet një ditë historike për Republikën e Kosovës
Rama: Vendimi, hap rrugën për njohje të reja
Kryetari I Partisë Socialiste Edi Rama nëpërmjet një deklarate për shtyp ka shprehur kenaqësinë për vendimin e dhënë nga GJND-ja mbi pavarësinë e Kosovës.
“Është dita e dytë më e bukur për Kosovën e Shqipërinë, për çdo shqiptar e shqiptare sot, pas ditës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sot Gjykata Ndërkombëtare shpalli një vendim që i hap rrugë njohjes së mëtejshme e të plotë të shtetit të ri të Kosovës
Ne të gjithë kemi qenë të bindur për drejtësinë e pavarësisë së Kosovës vazhdoi më tej Rama, por vendimi e sanksionon këtë bindje si një pike referimi për të gjithë
Sot nuk ka ndarje pozitë-opozitë tha Rama por më lëjoni që në emër të opozitës të shpreh kënaqësine e jashtëzakonshme, si dhe të uroj popullin e Kosovës dhe udhëheqësit e vendit
E ardhmja e këtij rajoni tha Rama është Bashkimi Europian dhe bashkëjetësa pas këtij vendimi bëhet edhe me e qartë
Sejdiu: Kjo është një ditë e bekuar
“Kosova është një tregim suksesi,kjo është ditë e bekuar”- kështu u shpreh presidenti I Kosovës Fatmir Sejdiu në deklaratën për shtyp menjëherë pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës
Presidenti Sejdiu ka ftuar Beogradin që tani e tutje të ketë një qasje të re ndaj Kosovës, dhe të heqë dorë nga retorika e ashpër që ka përdorur deri tani.
Meta: Priten njohje të reja
“Vendimin e GJND-së për Kosovën do ta pasojnë njohje të reja, si dhe vendi do të shkojë drejt anëtarësimit me të drejta të plota në OKB”- kështu është shprehur Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ilir Meta ndërsa ka dërguar urimet e tij popullit të Kosovës për vendimin mbi ligjshmërinë e pavarësisë
Topi uron Sejdiun. Vendimi, një hap i rëndësishëm
Edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka përshëndetur vendimi e GJND-së për Kosovën.
“Opinioni është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës” -tha Topi ndërsa menjëherë pas vendimit ka telefonuar homologun e tij Kosovar Fatmir Sejdiu
Hyseni: Pavarësia u konfirmua, të gatshëm për bisedime me Serbinë
Ministri i jashtëm i Kosovës Skender Hyseni ndërkohë që la Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, pak minuta pas vendimit u shpreh për gazetarët e pranishëm- “Pas këtij vendimi tashmë Kosova është e gatshme të bisedojë me Serbinë, si dy vende të pavarura, pasi pavarësia u konfirmua tashmë.
Kosova është një rast i unik tha ai, dhe nuk do të krijojë asnjë precedent
Berisha: Vendimi i GJND-së, vendim historik
Pak minuta pasi është dhënë vendimi nga Gjykata kryeministri I Shqipërisë Sali Berisha në një konferëncë për shtyp e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës si historik. Në fjalën e tij Berisha u shpreh-“GJND, tribunali më i lartë i botës, faktoi se pavarësia e Kosovës, është në fryme të plotë me të drejtën ndërkombëtare, me të gjitha rrëgullat, rezolutat dhe regulloret e aprovuara për Kosovën nga OKB. Ky është një vendim historik, konrtibut madhor për paqen dhe stabiltetin në Ballkan dhe më gjerë”
“Ky vendim përbën, mirënjohjen më të thëllë, ndaj të gjithë atyre që më sakrificën e tyre, bënë të mundur pavarësinë e Kosovës
Qeveria shqiptare tha më tej Berisha është e vendosur të japë kontributin e saj, për një kapitull të ri në historinë e marrëdhënive mes vendeve shqiptare, të Tiranës dhe Beogradit, si dhe të japë ndihmën për vendosjen e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit”
* * *
Kështu ka deklaruar presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, gjykatësi nga Japonia, Hisashi Owada, gjatë leximit të opinionit këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë shpalljen e për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“Për më tepër, shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”, ka theksuar Owada.
Gjykata e Botës, sipas vlerësimeve të deritashme, nuk pritet të zgjidhë kontestin mes Kosovës dhe Serbisë për pavarësinë.
Shumë politikanë, juristë e analistë kanë paralajmëruar se Prishtina dhe Beogradi do të vazhdojnë të mbeten larg njëra-tjetrës pavarësisht se çka do të thonë gjyqtarët ndërkombëtarë.
Zyrtarë të dyja vendeve do të jenë të pranishëm në vendin e ngjarjes për të dëgjuar verdiktin e Hagës, përderisa disa prej tyre kanë udhëtuar nëpër botë për të shpërndarë interpretimin e tyre pas shpalljes së mendimit.
Një ditë para shpalljes së këtij opinioni atmosfera e pritjes ka tendosur të dyja palët. Autoritetet serbe kanë akuzuar palën kosovare se do të festojë rrejshëm në ditën kur do të prezantohet opinioni, ndërsa pala kosovare ka thënë se opinioni do të jetë i qartë dhe në favor të pavarësisë.
Në Beograd situata duket të jetë pak më dramatike. Mediat serbe kanë njoftuar se vendi është në panik. Në kishat serbe do të ketë lutje dhe do të bien kambanat. Po ashtu është alarmuar se Shtetet e Bashkuara po përgatisin 40 njohje për Kosovën.
Spekulimet për mospajtimet që kanë gjykatësit për “lëndën” e Kosovës po ashtu nuk kanë pushuar. Si do që të jetë, gjykatësit në Hagë të enjten do t’i japin fundit procesit që kishte nisur dy vjet pas miratimit të një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së.
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi kanë deklaruar se Gjykata nuk mund të dalë kundër lirisë së një populli.
Thaçi do të jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur Gjykata të shpallë opinionin.
“Opinioni i GJND’së do të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran. Opinioni do të respektojë vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për shpalljen e Kosovës shtet”, ka thënë Kryeministri Thaçi në një intervistë të publikuar të mërkurën në Express.
Ndërsa Presidenti i Serbisë Boris Tadic pret një mendim “fer” të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që do të respektojë “parimet e së drejtës ndërkombëtare që institucionet shqiptare në Kosovë nuk kanë të drejtë në ndarje nga Serbia të motivuar etnikisht”.
“Nëse me mendimin e GJND’së do të vendosej parimi i ri, atëherë në gjithë botën do të ndodhnin procese të krijimit të shteteve të reja, që do të destabilizonin shumë rajone të botës”, ka thënë Tadic.
Iniciativa për të dërguar pavarësinë e Kosovës në GJND ishte prezantuar para Kombeve të Bashkuara në gusht të vitit 2008 nga Vuk Jeremic, Ministër i Jashtëm i Serbisë, në kuadër të planeve të këtij shteti për të minuar pavarësinë e Kosovës që ishte shpallur në shkurt të vitit 2008.
Edhe pse serbët pas konsultimeve me juristë ndërkombëtarë kishin kërkuar vetëm një mendim këshillëdhënës për pavarësinë që nuk është obligativ, vlerësohet se edhe ky mendim do të ketë ndikim për Kosovën.
Deri më tani Kosova është njohur nga 69 shtete, përderisa është vlerësuar se procesi në GJND ka bllokuar njohjet.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni ka thënë se pas shpalljes së mendimit, 35 njohje do të shtohen për Kosovën.
Për njohjet pas GJND’së ka folur Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Gordon, i cili ka thënë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se në çdo rrethanë, njohjet e reja do te pasojnë.
“SHBA’të mbesin te përkushtuara për të ndihmuar Kosovën në konsolidimin e shtetësisë dhe ne anëtarësimin e saj në strukturat veri-atlantike”, ka thënë ai.