Degradimi i qeverisjes dhe pushtetarët e llogjeve

0
29

Mentor Kikia

Në zhargonin popullor, kur duam të tregojmë një njeri që nuk bën asnjë punë, por vetëm flet dhe llomotit tërë kohën, themi se ai merret me llogje. Një njeri që merret me llogje, në fund të fundit nuk është se i bën ndonjë dëm të madh shoqërisë, por problemi është shumë i madh dhe i rëndë kur kemi një qeverisje në të gjitha nivelet, një shtet dhe një lukuni të tërë zyrtarësh, të mëdhenj e të vegjël, që merren me llogje. Të mos na duket aspak e tepërt kjo, madje është më e pakta që mund të thuash përballë asaj që na ofron realiteti i vendit ku na duhet të jetojmë. Do të rendisim më poshtë vetëm disa shembuj, për të treguar se deri në ç’pikë ka degraduar qeverisja në këtë vend.

Të martën, një djalë humbi jetën në spitalin e Durrësit, pasi u godit nga një motor uji, kur ai ishte duke u larë në plazhin e mbipopulluar të këtij qyteti. Për t’i ndaluar këto mjete vrastare, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, organizoi një mbledhje dy javë më parë, ku kishte ftuar prefektë e drejtues policie. Mediat ishin të gjitha atje dhe dhanë lajmin e madh, se më në fund pushuesit shpëtuan nga maskarenjtë e detit. Prefektët – tha Basha – do të përcaktojnë një vijë, të cilën motorët nuk do të guxojnë ta kalojnë më dhe derisa ajo vijë të përcaktohet, motorët nuk do të dalin në ujë.

Pas ministrit dolën para kamerave edhe prefektët dhe drejtorët e policisë. “Nuk do të lejohen më – thanë edhe ata – dhe pushuesit do të jenë të qetë”. Por të gjitha këto ishin vetëm llogje, pasi motorët fluturuan sërish m’u pranë bregut, m’u mes njerëzve dhe një djalë të ri e çanë më dysh me helika. Prefekti i Durrësit doli sërish para kamerave dhe sërish tha se motorët do të ndalohen. Por ne e dimë se ai tha sërish llogje dhe ne sërish do të shkruajmë, kur të çahet koka e pushuesit të radhës. Disa muaj më parë, në Zvicër, një qen kafshoi një fëmijë dhe brenda javës u miratua një ligj që ndalonte pronarët të dilnin me qentë e tyre pa gojëzën prej gome. Dhe brenda javës asnjë qen nuk doli në rrugë pa këtë maskë sigurie.

Drejtuesit e agjencive rajonale të mjedisit dhe zyrtarët e bashkive në zonat turistike, në çdo sezon vere dalin para kamerave dhe japin lajmin e shumëpritur. Këtë verë nuk do të lejohen lokale, që me muzikën e tyre terrorizojnë pushuesit dhe banorët e zonës. Po sërish lokalet vazhdojnë në të tyren dhe askush nuk ua fik butonin, në asnjë orë të natës. Po kështu ndodh edhe në Tiranë e qytete të tjera. Zyrtarët dalin para kamerave, japin paralajmërime e shpallin vendime dhe asgjë nuk ndodh. Jeta vazhdon në ritmin e saj, ku të fortët dhe të pasurit na sundojnë e dhunojnë në mënyrë barbare si në ajër, në tokë dhe në det.

Dy muaj më parë, vetë Kryeministri i vendit lëshoi një lajm të madh nga zyra e tij. Këtë verë do të pastrohet i tërë bregdeti i Shqipërisë, në mënyrë që turizmit t’i jepet një hov i ri. Me vendim qeverie, Kryeministri Sali Berisha krijoi një strukturë Task Forcë, në përbërje të së cilës ishte e para Ministria e Turizmit, Ministria e Mjedisit, ajo e Arsimit, e Mbrojtjes dhe e Brendshme.

Televizionet dhanë lajmin e madh se qeveria më në fund e mori seriozisht punën e plehrave që kanë pushtuar bregdetin nga Velipoja deri në Orikum. Taks Forca u mblodh edhe nja dy herë pas krijimit dhe… asgjë. As edhe një kanoçe nuk u hoq nga bregdeti dhe as një pëllëmbë vend nuk u pastrua nga kjo Task Forcë. Nga llogjet e ministrave dhe drejtorëve para kamerave, u kalua te llogjet me VKM.
Në pikun e verës, në shumë shtëpi të Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit, uji shkon me orar, apo nuk shkon fare.

Por, përbri rrugëve dhe përmes lagjeve, lavazhet e makinave që përdorin ujin e pijshëm vazhdojnë të bëjnë biznes. Ata nuk kanë leje, nuk paguajnë taksa, fitojnë para dhe shpenzojnë ujin tonë që e paguajmë. Zyrtarët e bashkisë dalin para kamerave dhe deklarojnë se asnjë lavazh që përdor ujin e pijshëm nuk do të lejohet. Por asnjë nuk bllokohet dhe përçudnimi i njerëzve të thjeshtë vazhdon.

Mund të vazhdojmë të rendisim pafund shembuj që tregojnë degradimin e institucioneve qeveritare e shtetërore, nga zyra e Kryeministrit, deri tek e kryetarit më batakçi të komunës. Të drejtosh sot qeverinë, bashkinë, komunën, policinë, prefekturën e gjithçka tjetër, do të thotë se duhet të dalësh në televizor e në gazetë, duhet të flasësh pafund, të thuash se kjo apo ajo gjë duhet bërë, kur ai që duhet ta bëjë këtë është pikërisht ai vetë. Pushtetarë të të gjitha niveleve, të të gjitha sojeve politike, përgjegjës këmbë e kokë për padrejtësitë që u bëhen njerëzve, për matrapazllëqet që bëhen me pronën dhe pasurinë publike, krekosen para kamerave e bërtasin për zbatimin e ligjit, kur janë ata përgjegjësit për zbatimin e tij.

Ky model ordiner qeverisjeje ka bërë që besimi i shoqërisë te politikanët të shënojë pikën më kritike, qëkurse edhe në këtë vend politika u bë profesion. Botës së zhvilluar, ata që vetëm flasin, që vetëm kujtojnë atë që duhet bërë e vetë nuk bëjnë asgjë, quhen demagogë dhe demagogjia është një art më vete për ta bërë popullin të të dëgjojë, e madje të të besojë. Por demagogjia e politikanëve dhe zyrtarëve tanë është kaq e shëmtuar, sa s’meriton veçse fjalën shqipe, llogje.