Nga Mero Baze, 28 Qershor 2013
Sali Berisha ka pranuar formalisht rezultatin e zgjedhjeve, por nuk ka pranuar ta njohë atë si një votë kundër pushtetit të Familjes së tij në Partinë Demokratike dhe me tej. Mbledhja e sotme e Kryesisë së Partisë Demokratike, kur ai u pa publikisht të administrojë procesin e zgjedhjes së pasardhësit të tij, në një proces tërësisht të mbyllur, pa ide, pa garë dhe pa një reflektim serioz për votën e shqiptarëve kundër tij, dëshmon qartë se Berisha kërkon të garantojë kontrollin mbi partinë para se të shpërthejnë debatet për përgjegjësinë e tij në këtë humbje. Nga aq sa u shpall sot, gjërat janë shumë të qarta. Berisha do mbështetet formalisht në anën organizative tek grupi parlamentar i mbushur me shokët e fëmijëve të tij, dhe njerëzit të cilëve Berisha u ka bërë nder duke i futur në lista. Kjo skemë mbyll garën dhe procedurën e zgjedhjes duke çuar në krye të Partisë Demokratike Lulëzim Bashën.
Nuk jam shumë i shqetësuar për fatin e keq që pret opozitën duke pasur në krye të saj një njeri peng, i cili shkon aty të mbrohet politikisht nga burgu për vjedhje dhe vrasje, por për vendosmërinë e Sali Berishës për të injoruar votën e shqiptarëve më 23 qershor dhe për të mbajtur peng Partinë Demokratike në shërbim të Familjes së tij.
Duke dirigjuar pa garë dhe pa reflektim serioz garën fallco për kreun e opozitës shqiptare, Sali Berisha dhe njerëzit e inkriminuar rrotull tij, po duan ta përdorin opozitën shqiptare jo si një institucion kombëtar që të mbrojë të drejtën e shqiptarëve për mirëqeverisje dhe luftë kundër korrupsionit, por si një mburojë për të ruajtur politikisht pasuritë e tyre dhe begraundin kriminal që Familja në pushtet prodhoi në këto tetë vite qeverisje. Sali Berisha nuk do t’ia dijë fare që populli opozitar ka nevojë për një lider të ri opozite, të lirë dhe dinjitoz për të mos u kapur peng nga pushteti, dhe po vrapon të emërojë në krye të saj një dordolec që e komandon shumica e re me një të shkelur të syrit. Për ta bërë më ironike gjithë filozofinë e tij mbi këtë proces, ai kërkon që procedura formale të mbështetet mbi grupin parlamentar, i cili është tabela e qitjes mbi të cilën populli shqiptar qëlloi politikisht për të zbuar politikanin Sali Berisha. Pikërisht ai grup parlamentar, i cili ishte simboli i votës popullore anit-Berishë, tani do të jetë simbol i dështimit të ri të opozitës dhe kthimit të saj në një bunker për të mbrojtur Familjen Berisha nga e shkuara e saj.
Sali Berisha është i qartë se ministrat që ka pasur tetë vjet në pushtet, nuk i bëjnë dot rezistencë në këtë proces, pasi i ka lënë të vjedhin dhe ua ka blerë me kohë heshtjen dhe dinjitetin. Ata, edhe pse shajnë nga mëngjesi në darkë Berishën që ua ndërpreu ëndrrën e pushtetit, nuk kanë ndërmend të bëjnë betejë, pasi Berisha do t’u lëshonte çakejtë e tij në shpinë për t’i damkosur si hajdutë. Me këtë rast Pollo, Ruli, Imami, Olldashi, Bode dhe çdokush tjetër që ka ndonjë peshë në parti, janë të kënaqur të mos u përmendin aferat korruptive dhe të ikin të shijojnë të ardhurat nga pushteti.
Të tjerët, që janë shokë të djalit dhe vajzës së tij, një tufë njerëzish pa kontribute politike, pa personalitet dhe aftësi për të qenë njerëz politikë, janë skalioni mbi të cilën do mbështetet në procedurën formale.
Të tjerët që ka larguar nga PD-ja gjatë këtyre viteve, ose që janë mënjanuar në listën e fundit pikërisht për shkak të këtij projekti të Familjes Berisha, as që do të thirren as në mbledhje të Këshillit Kombëtar. E gjitha çfarë do të ndodhë është që Lulëzim Basha do të shpallet kryetar i kësaj partie, para se në këtë parti të reflektohet për shkaqet reale të humbjes dhe të rithemelohet mbi bazën e rregullave të qarta të lojës, garës së hapur dhe rimbledhjes të gjithë vlerave të së djathtës brenda saj. Kjo do të jetë fitorja e dytë e madhe shumicës së re në pushtet, por një fitore e hidhur. Ata do të qeverisin pa opozitë, me një kukull të marrë peng nga e kaluara e tij, nga dosje të pagjykuara të mbyllura me procedurë, që mund të rihapen duke shtuar një fletë të re në to, dhe mbi të gjitha nga një njeri, i cili nuk zgjidhet aty se përfaqëson Partinë Demokratike dhe interesat e saj, por si një garant i vënies në dispozicion të PD-së për Familjen.
Siç shihet qartë, kjo nuk është as garë dhe as debat, por një ceremoni e hapjes së zarfit të trashëgimisë, ku Sali Berisha i dhuron karrigen e kryetarit të PD-së një njeriu, i cili nuk ka fuqi të jetë njeri i lirë. Me këtë akt, ai poshtëron të ardhmen e tij politike dhe inkriminon gjithë opozitën si një institucion politik, e cila në vend që të përballojë pushtetin e ri, duhet të përballojë problemet e kryetarit të saj, që ka vjedhur dhe nuk është dënuar që ka vrarë dhe nuk është hetuar, dhe që po zgjidhet pa u votuar. Kjo është mosnjohja reale e zgjedhjeve të 23 qershorit nga Familja, që po ikën nga pushteti duke mos pranuar të njohë arsyen përse shqiptarët ndëshkuan Sali Berishën, pasi më shumë se për të ardhmen e opozitës, tani ata po mendojnë se si të përdorin opozitën për të garantuar të ardhmen e saj. Ata nuk janë të shqetësuar se me këtë akt opozita nuk vjen kurrë në pushtet. Atyre nuk u duhet më pushteti, por garancia që pushteti nuk do t’i prekë. Nëse ka ndonjë demokrat skeptik, le të kujtojë ç’ka bërë Fatos Nano pas 2005 deri më sot, për të mbajtur Berishën dhe për të lënë partinë e tij rrugëve që të amnistohej. Këtë po bën dhe Familja.