Shënime për disertacionin e doktoraturës së Lasgush Poradecit në Universitetin e Gracit në gjuhësi e letërsi

0
32

Monografia e Lasgushti për Emineskun ndriçon edhe pas 80 vjetësh

1.
E mbuluar nga pluhuri i zvërdhemtë i moteve që ikin e s’kthehen më, e mospërfillur dhe e harruar nga dhaskenjtë e katedrave të lodhur nga vitet mbi shpatulla e nga barra e punëve rutinore të përditshme, më së fundi monografia, punë për titullin e doktoraturës në Universitetin e Gracit, kuturisi të dalë si një gjallesë e çuditshme gjysmë ëngjëll e gjysmë demon, kish lënguar nga ngujimi në skutat e një sënduku, ku u detyrua të rrinte gojëkyçur për më se 80 vjet.

Vajzat e poetit, ia besuan përkthimin një përkthenjësi pothuaj të panjohur, që mundi të përballonte pothuaj të gjitha vështirësitë me sukses. Monografia e Lasgushit duhej kuptuar dhe zbërthyer, duhej në shqip gjithçka të dilte e qartë, me tingull muzikal, plot vrull e zhdërvjelltësi, siç tingëllon në origjinalin gjermanisht. Dhe nuk mund të gjesh veç dy vepra të tjera në llojin e saj; “Parimet estetike” të De Radës dhe “Bethoveni e revolucioni frëng” i imzot Fan Nolit.

Këto tri vepra, të një frymëzimi hyjnor, përbëjnë kurorën më të ndritshme në rrafshin e studimeve tona estetike që nga koha e Buzukut dhe e Bogdanit. Vepra të tjera monografike e studimore që u shkruan, nga veprat e mbrujtura me vërtetësi e frymëzim apo të shkruara çaprazazi e përciptas qëndrojnë larg këtij trinomi të madhërishëm.

2.
Ku bashkohen e ku ndahen këto vepra nga njëra-tjetra, këto vepra që janë perlat e këngëve popullore, eposi i kreshnikëve të Jutbinës, përrallat, legjendat e gojëdhanat popullore, gjeneza e një populli të lashtë, të cilin poeti ynë i madh Naim Frashëri do ta quante fis me perënditë.
“Parimet estetike” u shkrua nga De Rada, u botua në Napoli në mesin e shekullit të XIX-të, në një kohë kur estetika nuk ishte ndarë dhe nuk ishte diferencuar nga filozofia.

Problemet e estetikës në këtë vepër të De Radës janë parashtruar me thellësi e vështrim shkencor, njësohen me dukuri të shpirtit, të intelektit e të emocioneve. Autori na rrëfen me argumente e me qartësi ndryshimin në mes dukurive shpirtërore e metafizike. Në vepër trajtohen problemet estetike dhe të ndjenjave që lartësojnë figurën e njeriut. Më e shenjta nga ndjenjat është patriotizmi e dashuria për botën e për njeriun.

“Bethoveni dhe revolucioni freng” u shkrua, kur Noli kishte kapërcyer kapërcyellin e gjysmës së shekullit të XX-të. Kishte përjetuar tronditje të fuqishme e zhgënjimet më të mëdha.
Profesor Nasho Jorgaqi në veprën “Jeta e Fan S. Nolit”, merr në shqyrtim edhe këtë vepër të Nolit. Kjo vepër madhore e historisë sonë të letërsisë është dëshmi e një pune të gjatë hulumtonjëse e kërkimore. Ajo është shkruar me dashuri e pasion, me këmbëngulje dhe përkushtim e nderim të thellë ndaj problemeve e shqetësimeve të lëvizjeve tona patriotike e revolucionare.

Ajo mbetet gjer më sot monografia më e realizuar e më e saktë për Fan Nolin dhe veprën e tij… Por në to vërshon e nxjerrin kryet si gjëmbaçë edhe mangësi e të meta, të cilat nuk mund të shmangeshin me përgatitjen jo universale e të kufizuar vetëm në fushën e hapësirën letrare e të kritikës letrare të autorit të saj. Ndihet njohja e cekët e letërsisë botërore, e kritikës muzikore, e muzikës dhe e veçantive të zhanreve muzikale.

Këto mangësi e bëjnë të pamundur analizën me thellësi shkencore e me objektivitet e plotësi të veprës “Bethoveni e revolucioni freng”, megjithëse profesori ynë i zellshëm dha mjaft ndihmesë të lavdëruar në fushën e studimeve tona letrare dhe publiçistike. Këto mangësi nuk vihen re vetëm tek Nashoja, por pothuaj në të gjithë aradhën e studionjësve e diturakëve shqiptarë, duke përjashtuar me vepra të veçanta ndonjë Ismail Kadare, akademikun Rexhep Qosja e Ali Aliun, ndonjë nga studimet monografike për letërsinë botërore, për folklorin e estetikën të profesor Alfred Uçit apo monografinë “Këngë të moçme shqiptare” të Fatos Arapit.

3.
Gjithsesi trinomi De Rada, Fan Noli, Poradeci mbetet ende i paarritshëm dhe një grishje për një pranverë më të begatë në letërsinë e studimet tona letrare dhe estetike. Gjurma të një tejkalimi të një stadi standart e skematik e të qëndrimeve sipas kanuneve ideologjike-partiake, në kapërcyellin e një shekulli dhe epoke më me frymëmarrje e më të lirë, janë të dukshme e shpresëdhënëse. Koha për ndryshime cilësore ka trokitur dhe në portën e harruar të shqiptarëve.
Këto tre monografi patën miratimin më maksimal në kohën, kur u hartuan nga kritika e katedrat akademike universitare. “Parimet estetike” të De Radës u shkrua në italisht dhe u botua në një shtypshkronjë të Napolit.

Shumë vite më vonë u përkthye në shqip fillimisht nga profesor Jup Kastrati e më pas nga profesor Alfred Uçi. Monografia e Nolit “Bethoveni dhe revolucioni freng” u shkrua në anglisht dhe u botua në shqip fillimisht në revistën “Nëntori” të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë nga Alqi Kristo, e më pas si libër më vete në disa gjuhë. Monografia e Lasgushit për Emineskun u shkrua nga liriku ynë i madh në gjermanisht e mjaft më vonë u përkthye në shqip nga Koço Bendo.

Këto vepra dallohen nga njëra-tjetra nga veçantitë, tematika, synimet e arkitektura e ndërtimit kompozicional, por në to ndeshim edhe shumë pika afrimi e dukuri estetike e filozofike të përbashkëta. Problemet e dukuritë që shtjellohen nuk mund të ngujohen në caqet e ngushta të subjektit qendror, ato fitojnë shtrirje dhe thellësi. Në shtjellimin e lëndës ndërfuten përqasjet, simbolet, alegoria, ironia therrëse, galeria e personazheve dhe drama e jetës njerëzore.

4.
Çuditërisht këto monografi janë shkruar në gjuhë të huaj nga autorët e tyre e janë përkthyer në gjuhën tonë mjaft më vonë nga koha e krijimit të tyre. Kështu “Parimet estetike” të De Radës është përkthyer në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të nga profesor Jup Kastrati e më vonë nga profesor Alfred Uçi.

Monografia “Bethoveni dhe revolucioni freng”, me të cilën Noli në moshën 55 vjeç mbrojti doktoraturën në Universitetin e Harvardit në Amerikë, pasi kishte krijuar kantata, sinfoni, apo kishte muzikuar vjersha të autorëve të mëdhenj të poezisë botërore si; të Vërlenit, pjesë liturgjike për kishën ortodokse të Bostonit, dhe kish kompozuar një rapsodi për Gjergj Kastriotin.

“Parimet estetike” të poetit më të madh të Arbërit, paraqesin bazën shkencore të mendimit estetik shqiptar. Ai ve në dyshim mendimin e profesor Nasho Jorgaqit e parashtruar në veprën “Mendimi estetik shqiptar”, e hartuar si një antologji me fragmente nga shkrimtarët tanë që nga Marin Barleti, Buzuku, Budi, Bogdani gjer tek shkrimtarët e shekullit të XX-të, se mendimi estetik në letërsinë tonë fillon që në periudhën e Mesjetës.

Siç vërehet dhe nga shpalosja e përmbajtjes dhe e tematikës që ngërthejnë këto vepra themeltare në rrafshin e studimeve estetike albanologjike, pavarësisht nga vërejtjet që mund të kemi e nga pasaktësitë, përgatitjen jo aq të mjaftueshme e të gjithanshme, për të përballuar gjithë atë ngarkesë e hapësire të pafund që na shpalos vështrimi i De Radës, i Nolit dhe i Lasgushit, rëndësia e pesha e tyre është tepër e madhe në kulturën tonë e në atë europiane.

Këto vepra treguan se shpirti dhe mendja e njerëzve më të talentuar e më të thellë në mendime të inteligjencës sonë krijonjëse merrte guximin të rrokej dhe në fushën e estetikës e të filozofisë, me arritjet më të spikatura të këtyre diturive. Nga gjaku arbëror kishin dalë njerëz të një fisi viganësh e mendimi universal si Bogdani, Sami Frashëri e Faik Konica – krijonjësit të revistës famëmadhe “Albania”, eruditit e mendimtarit gjenial e të pashoq, që vuri bazat e një estetike e gazetarie moderne bashkëkohore.

5.
Prof. Nasho që ka zhgarravitur dhe libra si Mërgata e qyqeve, në formimin e tij estetik e filozofik është i mangët. Në të zotëron i ngulitur thellë një vështrim analitik i tipit enverist, si në pjesën më të madhe të skotës së nëmur të shterpinjve të letërsisë, kritikës e artit skematik të realizmit socialist. Mjaftojnë të citojmë pa koment trashomanira e absurditete prej dogmatikësh të verbuar nga opiumi ideologjik partiak monist, për të nënkuptuar se ç’dëme të lemerishme do të sillnin shkrimtarë e diturakë mendjengushtë e të ngujuar brenda lëkurës hermetike e të bunkerizuar përjetësisht në tharmin e dogmës e të shkretanisë mendore e filozofike:
Dihet se në kohën, kur Noli shkroi veprën për Bethovenin, në letërsinë biografike ekzistonin shkolla formaliste dhe metoda idealiste, koncepte të praktikave antishkencore që nuk arrinin të zbulonin figurën në dritën e së vërtetës objektive.

Noli fatbardhësisht nuk do të joshej prej tyre; për të do të mbeten të huaja përvojat e biografive që nuk arrinin të zbulonin figurën në dritën e së vërtetës, përvojat e biografive të ngritura mbi idetë e Niçes ose të Frojdit, biografitë psikoanaliste, po dhe biografitë romantike e panagjerike….(Noli, vepra nr.5, hyrje në mendimin estetik të F.Nolit, të shkruar vetë nga profesori i trallisur nga doktrina moniste).

Në këto fraza plot fryrje dhe eufori, sipas kallëpit të estetikës e kritikës së zyrtarizuar e të kanonizuar nga direktivat e partisë në pushtet që bënte ligjin e të groposte të gjallë 7 pash nën dhe a të mbyllte me soj e sorollop në burgje e në kampe përqëndrimi një jetë të tërë, nuk ka asnjë lloj vështrimi prej shkencëtari dhe esteti. Ka shtrembërime e përbaltje vlerash universale.

Pa u zgjatur në shtjellime dhe gjykime, mjafton t’i kujtojmë lexonjësit tonë, përcaktimin e Tomas Manit në veprën në gjermanisht për Fredrih Niçen apo për Frojdin dhe Jungun, se me këta autorë e filozofë gjenialë e gjithë filozofia e letërsia mori një kthesë, kthesë që u bë shkak për vepra madhore në të gjitha fushat e letërsisë, të filozofisë e diturisë. Fraza të tilla boshe e me helm ideologjik gjen ngado po të shfletosh veprat shterpë të kritikës e estetikës moniste, që ishte e cekët, e verbër dhe e qorrollepsur keqas. Ajo si e gjithë letërsia e arti skematik e i thatë i social-realizmit, në vend që të fisnikëronte shpirtin e të ngjallte frymën e dashurisë e të respektit për njeriun e për punën e ndershme, rropatej të krijonte njeriun skllav, pa fytyrë e pa personalitet.

Njeriun që ia fuste shokut e vëllait, që s’e kish për gjë të përdhoste vlerat më të shenjta e fisnike të kombit e të njerëzimit. Për pasojë të kësaj çorbe të ndyrë që kemi gëlltitur më shumë se një gjysmë shekulli, që kur kemi hapur sytë, vërehen në rrjedhën e vrullshme të ditëve e në jetën tonë ende të varfër e plot mungesa, hije të llahtarshme e të frikshme të së shkuarës mesjetare. Duhet të çlirohemi nga pushteti i dhimbshëm i këtyre hijeve e shenjave kanceroze të vdekjes e të prishjes së moralit të kombit, për të marrë veten e për të ecur me guxim me ndjenjën e vëllazërisë e të mirësisë në udhën e përparimit, të drejtësisë e demokracisë së vërtetë.

6.
Qëndrimi i profesor Nashos është në unison me qëndrimin e babait të real-socializmit në letërsinë shqipe, me atë të Dhimitër S. Shuteriqit e të shkrimtarëve e shkronjëtarëve të tjerë, pa përmendur me qindra e mijëra pedagogë e mësonjës apo intelektualë të të gjitha llojeve, të molepsur nga mendimi zyrtar përçmonjës ndaj vlerave më të mëdha të kombit, që s’bënin kompromis me politikën zyrtare, e me kanunet e realizmit socialist.

Lista e këtyren profesorëve, shkronjëtoreve a turme të pagdhendur e të qorollepsur nga çorba që gatuhej në guzhinat e ideologjisë autokrate, duhej gëlltitur çdo ditë, dhe ajo patjetër la shijen e saj të hidhur e një mendësi gjysmake, të ngarkuar me eufori e idealizëm primitiv. Le të citojmë tani fjalë nga parathënia e librit të parë me vjersha të zgjedhura të Lasgush Poradecit që doli pas një heshtjeje të gjatë nga Shtëpia Botonjëse N.Frashëri:

Drejtimi idealist i poetit, me prirje nga misticizmi filozofik, do të lejë gjurmë, sado të vogla…. Duhet të shënojmë gjithashtu se pritjes për t’iu larguar realitetit të zymtë, tregon një farë pakënaqësie ndaj këtij realiteti, por kjo është vetëm një pakësi pasive, e pa organizuar, që sjell gjithnjë nota trishtimi dhe errësire në një pjesë të mirë të vjershave të Lasgushit, ku fryn një lloj sentimentalizmi lëngonjës.

Mjaft i errët është poeti atëhere, kur kërkon të filozofojë rreth jetës, lëndës dhe shpirtit, frymëzimit dhe dashurisë. Këtu nxjerrin kokën gjithnjë… Për Lasgushin Zoti është gjithçka, ndodhet kudo dhe është burimi i gjithçkaje, edhe i frymëzimit poetik:

Zbret një yll prej lartësie.
Një të ndritur shkrepëtimë,
Porsi flakë e porsi hije
Ajo hyn në zemër time.
(Rri mbështetur në tryezë)
(Nga vëllimi “Poezi e zgjedhur” e L.Poradecit, fjalë nga parathënia e Prof. Muzafer Xhaxhiut, fq. 6, Shtëpia Botonjësese N.Frashëri, 1965).

Përcaktimin më të saktë për Lasgushin dhe shkrimtarët e diturakët gdhë e trutharë të kohës së zymtë e të amullt na e përshkruan I.Kadare në esenë për Lasgushin, në librin e tij “Ftesë në studio”, botim i Shtëpisë Botonjëse N.Frashëri, Tiranë 1990:

Ishte nga të rrallët njerëz dhe ndoshta i vetmi shkrimtar i madh që arriti për një kohë aq të gjatë, duke qënë i gjallë, ta përjetojë vdekjen e tij. Pamja e tij e jepte shpeshherë në mënyrë të saktë këtë dyzim, sidomos kur vishte kostumin e zi dhe vinte borsalinë të zezë. Në një rast të tillë të dukej normale ta pyesje, nëse dilte apo shkonte drejt arkivolit.

Më e çuditshmja ishte se ky fat i tij nuk zgjonte keqardhje. Ndjenja e keqardhjes, e mëshirës së mundshme, e pikëllimit që ai qe harruar pa të drejtë, thërmohej si një enë kristali, sapo ndeshej me të. Kur ai hynte nëpër kafenetë e Pogradecit, shkrimtarët që vinin për verim kishin ndjesinë se po strukeshin nga një stuhi e padukshme.

7.
Në fjalën hyrëse të monografisë për Emineskun, ish-ambasadori rumun George Miku, vlerësoi arritjet e kësaj monografie të shkëlqyer, të shkruar nga një student shqiptar, që kishte shkuar të ndjekë studimet e larta për gjuhësi e letërsi rumune e gjermane, me bursë të dhënë nga ministri i arsimit i mbretit vizionar e perëndimor, Ahmet Zogu.

George Miku që e donte shumë Emineskun dhe mendonte si e gjithë elita e inteligjencës rumune dhe europiane se Eminesku ishte ylli më i ndritur në yllësinë e poetëve më të mirë të vendit të tij, një talent kaq i fuqishëm e reformator, sa mund të krahasohej pa asnjë lloj droje me poetët më të mirë e të fuqishëm të letërsisë botërore. Dhe pse mendonte pikërisht kështu, mendime që m’i ka shprehur sa herë takoheshim si miq me njëri-tjetrin, ai arrin të pohojë se kritikës letrare e studimeve estetike rumune e ballkanike i ka munguar gjer më sot, një monografi si kjo për Emineskun, megjithëse formatuar në llojin e një dispence të rëndomtë e mjerane nga Shtëpia Botuese “Argeta LMG”.

Por gjithsesi monografia e Lasgushit, atëhere student i Gracit dhe shpesh i sëmurë dhe i shtruar nëpër spitale, tani ndodhet në duart e lexonjësit tonë të etur për vepra të mirëfillta e arritje kulmore.

8.
Monografia e Lasgushit vjen e përkthyer nga Koço Bendo dhe e redaktuar nga përkthenjësi i mirënjohur e njohësi i gjermanishtes, Afrim Koçi. Monografia e Lasgushit ka një ndërtim solid e harmonik. Ajo na zbulon përmes argumenteve, përqasjeve dhe krahasimeve lidhjen e Emineskut me letërsinë gjermane dhe atë europiane. Njohja e ndikimi shtrihet gjer në thellësitë mitike të shekujve e të historisë njerëzore. Nga kritika botërore e rumune janë vënë re përkime e ndikime të Emineskut nga poetët dhe nga Vedat e lashta indiane, me letërsinë e lashtë persiane e greke. Natyrisht Eminesku kish arritur në sajë të studimit të pandërprerë e këmbëngulës të lexonte përmes gjermanishtes jo vetëm veprat e autorëve më të mëdhenj të letërsisë e filozofisë gjermane, por dhe mitologjinë e letërsinë e madhe të botës antike.

Me ndërkallje të tilla kulturash e dijesh, pa një temperament prej prometeu, nuk mund të bëhen kurrsesi vepra madhore. Krijuesit e mëdhenj e të mirëfilltë janë një ngjizje e mahnitshme e shkëndijimeve, e shpërthimeve hyjnore, me trazimet e tronditjet kozmike të një shpirti të shqetësuar e nën trysni, të cilat hiri i Perëndisë që na ndrin e udhëheq e fisnikëria e shpirtit tonë njerëzor i drejton nga e mira, drejt ngadhnjimit të njeriut e çlirimit nga çdo lloj prange e paragjykimi mesjetar.

Monografia për Emineskun, meqë bëhej fjalë për një vepër të vështirë e tepër nazike, duhej të kalohej në rishikimin e vëmendshëm të dy redaktorëve të specializuar, siç veprohet kudo në botë dhe tek ne, të paktën nga Shtëpia Botonjëse “Naim Frashëri” me botimin e plejadës të shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare e në veprat më të shquara të letërsisë botërore.

Një redaktim i domosdoshëm i dytë, nga një redaktor që njeh jo vetëm gjermanishten, por dhe veçantitë e artit poetik e gjuhën aq të pasur e të larmishme gjermane, punim i një studenti gjenial shqiptar nga brigjet e liqenit të Ohrit, që befasoi dhe akademikët, profesorët, shkrimtarët e kritikën austriake, sa s’u besohej që autori i saj të ishte një djalosh nga viset e mahnitshme dhe heroike të Arbërit të lashtë e njohës kaq i thellë i kulturës, letërsisë e filozofisë rumune e gjermane.