Prof. As. Dr. Artan DUKA, 21.07.2010
Te “Liza në botën e çudirave”, Liza ndoshta nuk do ta besonte se mund të ketë një vend po aq të çuditshëm sa ai që ishte në anën tjetër të tunelit të lepurit.
Vendi ynë do të ishte për të vendi i kontrasteve të thella mes formës dhe përmbajtjes dhe ajo ç’ka do ta hutonte më shumë të pafajshmen Lizë do të ishte fakti se ndonëse vend i NATO-s, ajo do të haste një realitet të largët nga realiteti perëndimor, jo thjesht në materie, por në koncepte dhe filozofinë e bashkëjetesës.
Në Shqipëri, tranzicioni po afirmohet gati-gati si sistem më vete ekonomiko-shoqëror. Jo thjesht nga shtrirja në kohë, sepse natyrshëm ai është institucional dhe konceptual, por dhe nga fakti se dinamika e emancipimit është shkurajuese teksa shoqëria si e tërë dhe klasa politike në veçanti nuk po konsolidojnë një bashkësi vlerash ku në thelb të jenë meritokracia dhe respekti ndaj ligjit dhe së drejtës për një vend të NATO-s dhe aspirant për në BE.
Në këtë “sistem” origjinal, “Made in Albania”, tërësisht i pajustifikueshëm pas 20-vjetësh, sepse nuk bëhet fjalë për “shtigje” të pashkelura në sajë të përvojës të partnerëve tanë perëndimorë në dekada dhe angazhimit konstant të tyre në monitorim dhe asistim, gjithçka mbijeton në analogji me anarkinë.
Ndërsa kosto e rokadës së sistemeve nuk mund të absorbohet shpejt, kjo nuk mund të justifikojë papërgjegjshmërinë e klasës politike dhe më tej pasivitetin e mbarë shoqërisë që e toleron atë në zhgënjimin e madh për të bërë dhe zbatuar reformat e duhura për një shoqëri të drejtë perëndimore ku dështimet tonat monumentale të deritanishme, për të cilat po paguajmë dhe çmimin e madh, janë transparenca dhe drejtësia me votën dhe pronën dhe jeta dhe dinjiteti i individit.
ZJARRI DHE HERETIZMI VOTËS
Vota personale është e fshehtë për individin dhe duhet të mbetet e tillë dhe pas hedhjes së saj, por kur bëhet fjalë për dyshime rreth leximit së saj, transparenca mbizotëron apriori dhe ajo presupozon integralitet pa lënë mënjanë asnjë fakt.
Qeveria përpiqet të fitojë kohë, duke mohuar në mënyrë absurde të drejtën për të ditur se ku ka vajtuar vota dhe për aq kohë sa kjo gjë nuk ndodh, ajo është nën dyshim dhe mosbesim të thellë duke ndikuar dhe në proceset e ardhshme zgjedhore.
Alibitë juridike veçse e rëndojnë më shumë perceptimin e elektoratit ndaj sinqeritetit qeverisës rreth votës së 28 qershorit 2009. Transparenca në funksion të respektimit të së drejtës nuk mund të kufizohet në atributin e saj. Transparenca përkon me nevojën për dituri dhe askush nuk mund të privohet prej saj, përveçse sekret shtetëror.
E padisponueshme për të davaritur çdo dyshim përmes “provës” së zjarrit – hapjes së kutive, qeveria preferon të mbajë mbi shpinë etiketën e të dyshuarit si “zullumqar” në tentativë për t’u mos u provuar kurrë si e tillë duke e purifikuar mëkatin e dyshuar me zjarrin e fletëve të votimit.
Çdo gjë mund të pretendojë t’i njohë meritë vetes qeveria, por vetëm për transparencën dhe lirinë e votës jo. Nëse gjykon se duhet të hapen po duart e saj janë të lidhura nga ligje absurde, në pamundësi amendimit të tyre, asgjë nuk e pengon të thërrasë zgjedhjet e reja për të rikonfirmuar përsëri shumicën që ajo pretendon se e ka gjithsesi.
Kjo është krizë e pashembullt që meriton të adresohet teksa bëhet fjala për thelbin e demokracisë dhe një sfidë e re zgjedhore në pamundësi auditimi të zgjedhjeve do të ishte demokratikisht e pranueshme.
Çmimi që kemi paguar deri tani dhe që mund të rritet më tej me sezonin e ri politik nuk ia vlen kokëfortësinë dhe absurdin për të mohuar transparencë me çdo kusht përveçse është qëllim në vetvete.
ISH-PRONARË APO PRONARË NATYRALË!
Por, ndërsa dështimi me votën mund të tejkalohet disi me një klasë politike të përgjegjshme, prona është shndërruar në “mallkim” me pasoja vërtet afatgjata.
Pas gjysmë shekulli arkivim të tyre, demokracia, që frymëzimin e pati edhe në të drejtën e pronës, i nakatosi deri në zhbërje të drejtat e pronarëve natyral duke vazhduar t’i etiketojë ende padrejtësisht “ish-pronarë” njësoj sikur të përjetonim ende sistemin e centralizuar.
Ndërsa mund të quhen teorikisht disa shtresa si “ish” – p.sh., të persekutuarit, sepse presupozohet se sot janë të lirë (gjë që ha diskutim, sepse shumë syresh prej tyre ende përjetojnë vështirësi ekonomike dhe për më tepër indiferencën e politikës), pronarët nuk mund të quhen “ish” sepse nuk përjetojmë një sistem të centralizuar ku prona private të mos lejohet.
Në të kundërtën, pronarët janë jo vetëm një shtresë me të drejta të plota (të mohuara prej afro 70 vjetësh) por janë dhe modeli i pronës së vënë legalisht përkundrejt modeleve të sotme shpesh tepër të diskutueshme.
Pronarët natyralë ende besojnë tek vullneti politik për adresimin e plagës së tyre përkundrejt faktit se politika deri më sot ka dëshmuar shpesh vetëm një kriter të vlefshmërisë së propagandimit të një problemi social – sa vota sjell ajo!
Përballë masës së pronarëve natyral të cenuar në të drejtën e tyre, qëndrojnë një masë akoma më e madhe përfituesish deri në abuzim në kurriz të pronës së tyre me bekimin apo përkrahjen formale apo jo të vetë politikës.
Në këtë disbalancë votuesish, instinkti politik çon në privilegjimin e të “ardhurve” duke përjetuar sot realitete të krijimit deri të bashkive-qytet tërësisht me banesa ish-informale.
Politika e ditës “harron” se vërtet një politikë parimore mund t’i “humbë” vota momentalisht prej elektoratit që përfitoi nga prona e të tjerëve, por duke dëshmuar principialitet, ajo përsëri mbledh vota jo thjesht prej pronarëve natyral, por prej shoqërisë në tërësi që më në fund mund të deduktojë se po vendoset rregulli dhe ligji, duke krijuar perceptimin dhe qëndrimin pozitiv ndaj një partie që nuk neglizhon interesat legjitime të asnjë grupimi apo individi pavarësisht kostos politike, duke qenë në krah të së drejtës.
Elektorati në shumicë në Shqipëri kërkon drejtësi dhe ky segment i tregut të votuesve pas 20-vjetësh pritjeje dhe iluzionesh është më i madh se kurrë duke e bërë fitimtarin jo thjesht numerik por dhe moral. Nëse politika do të priret të kërkojë votën e “moralshme” përkundrejt votës së “përfituesit”, atëherë ajo do t’i paraprijë dhe vendosjes së standardeve demokratike në një shoqëri që vuan shumë për drejtësi.
Për më tepër, qëndrimi parimor është dhe pragmatist teksa shumë syresh që kanë ndërtuar jetën mbi shenjtërinë e pronës së tjetrit, për shkak të “besnikërisë” ekuivalente me një pasion futbolli do të votojnë vazhdimisht dhe në breza për të njëjtën parti ndaj partia kundërshtare nuk ka përse të mos ekonomizojë burimet e saj për të adresuar parimin në emër të së drejtës.
Në këtë kuptim, pronarët mund të besojnë se vullneti politik, për hir të interesit të vetë politikës, mund të konvergojë me interesin e tyre dhe të mbarë shoqërisë për të parë legalitetin të materializuar.
Në të kundërtën, duke i dhënë gjithsesi fillimisht shansin sistemit gjyqësor shqiptar që shpesh gjendet nën kontrollin e politikës për çështje të tilla madhore, përveçse, së fundi, Gjykatës Kushtetuese, e vetmja shpresë mbetet Gjykata e Strasburgut, aty ku ndjeshmëria dhe respekti ndaj pronës është themel dhe garanci për gjykim të drejtë.
Prona duhet të kthehet tek i zoti. Në rast se është tepër vonë, kompensimi duhet të jetë i drejtë dhe i shpejtë.
Në rast se prona e tij tashmë është pjesë e një qyteti ish-informal tashmë të pagëzuar në bashki nga ana e politikës, atëherë urgjentisht ai duhet të kompensohet me atë vlerë që i mundëson të blejë një pronë të ngjashme në kushte të ngjashme me pronën e tij.
Pronarët e “rinj” duhet të përgjigjen ndaj vlerës që i detyrohen pronarit natyral dhe në rast se nuk i kanë fondet, duhet që sistemi bankar të mundësojë dhënien e kredive për këtë qëllim me afate kohore të përshtatshme mbi bazën e pronës së re si garanci.
Vetëm kështu pronari ri do të fitojë edhe “certifikatën morale” krahas asaj formale të pronësisë, sikurse shmanget precedenti i padrejtë kur detyrohet taksapaguesi për të “kompensuar” për veprime absurde të politikës me pronën, duke filluar me ligjin 7501 që nuk ruajti balancat mes grupeve të interesit.
E DREJTA E JETËS I JEP JETË ÇDO TË DREJTE
Të drejtat e kujtdo natyre qofshin, nuk kanë kuptim pa të drejtën e jetës. Demokracia presupozon dinjitet dhe siguri për jetën por fatkeqësisht lajmet tona të kronikës janë të mbushura me episode rrëqethëse që dëshmojnë se jeta është zhvlerësuar së tepërmi.
Të vrarë për gjakmarrje, motive të dobëta, motive pronësie, mossigurim teknik në vendin e punës, varfëria e tejskajshme, shpejtësia në rrugë etj dëshmojnë braktisjen e individit në fatin e tij në një shoqëri gjithnjë e më egoiste.
Pushteti nuk mund të marrë vetëm kurorën e lavdisë për episode pozitive dhe lajë duart nga përgjegjësia për kushtet që provokojnë cenimin e jetës dhe dinjitetit njerëzor. Ndërsa vërtet vetë individi anonim “ecën në fijen e perit” duke neglizhuar rrezikun e përditshëm, shteti duhet të jetë proaktiv dhe të demonstrojë vullnet për të garantuar kushtet e domosdoshme për një jetë normale dhe të sigurt.
Nuk ka përse Liza të shohë rrugëve të Tiranës makina X5 ku shoferi mban në gji fëmijën e vogël ndonjëherë duke i dorëzuar dhe timonin, fëmijë që rrinë në këmbë përbri sediljes së shoferit, puseta pafund të hapura në shtegun e këmbësorëve, skela ndërtimit të pasiguruara, tela elektrike të ekspozuar, shpejtësi skëterre në autostradë, ashensorë që nuk mirëmbahen, ndërtesa pa certifikim sizmik apo pa dalje në rast zjarri, trotuare “njëshkolone” një hap larg rrotave të makinave, ujë të pijshëm që përdoret për gjithçka veçse për t’u pirë etj.
Liza do të shtangej të shihte rrugëve të një vendi të NATO-s skuadronet e lypësve që ekspozojnë deri fëmijët e vegjël, ndërkohë që ka me dhjetëra programe sociale, OJQ, struktura shtetërore etj që kanë bërë shumë pak për të ndryshuar këtë perceptim.
Dallimi patetik mes të majtës dhe të djathtës që pretendojnë partitë në Shqipëri, thjesht demagogjik dhe aspak realist, mund të konvergonte gjithsesi në një politikë sociale për të garantuar dinjitet përmes politikës së duhur të pensioneve, asistencës në qendrat sociale – ushqim, strehim dhe arsimim për të margjinalizuarit etj.
Ne nuk mund të mundim kohën e duhur për të arritur nivelin e perëndimit, por kjo nuk mund të shërbejë si alibi për të justifikuar kohën e humbur, shpesh me dashje, në emancipimin dhe zhvillimin e shoqërisë ndaj ne nuk duhet t’ia lejojmë vetes të çudisim më tej Lizën që besonte se e kishte mbyllur me aq aventurën e saj.







