3 miliardë euro borxh!

0
55

Nga Genc Burimi, 20.07.2010

3 miliardë euro borxh! Kjo qeveri po i mbahet pa kompleks teoremës perverse se sa më i madh është skandali aq më pak shanse ka ai të na shokojë. Por, sado injorantë që të jenë një pjesë e bashkëkombësve tanë në ekonomi, shpresa tek e cila mbahet qeveria, një borxh e tillë nuk kapërdihet kaq kollaj. 28 faqe ishte fjalimi i Ministrit të Financave, Bode, dje para parlamentit për të paraqitur buxhetin e rishikuar të Shqipërisë. Por ai u mjaftua me vetëm 28 fjalë – të pakuptueshme edhe për ajkën e ekonomistëve – për të justifikuar borxhin më të madh të jashtëm në historinë e shqiptarëve.

Sipas Bodes: «qeveria ka programuar, dhe, tashmë, ka në fazë përfundimtare… që në periudhën 2011-2013, të financojë në investimet publike të buxhetit dhe të ndërmarrjeve publike të vendit rreth 3 miliardë euro… me borxh nga bankat e zhvillimit».

Nëse ka një informacion të vlefshëm në gjithë fjalimin e Bodes për shqiptarët dhe fëmijët e tyre është ky dhe vetëm ky. E pikërisht kjo shumë tre miliardshe në euro që ky udhëheqës e ka programuar tashmë ta marrë borxh në emër të shqiptarëve sikur të ishin tre miliard në qindarka leku, meritojnë për ministrin tonë më pak sqarime se ç’jep ai në fjalimin e tij mbi ekonominë e Kroacisë!

3 miliard euro është buxheti vjetor i shtetit shqiptar. Është njësoj sikur Italia të merrte borxh me tre fjali para parlamentit të ministrit të saj të Financave, shumën ekuivalente të buxhetit vjetor të Italisë, ose…800 miliard euro! Dhe kjo pa asnjë lloj debati publik! Por dhe sikur të duash të angazhosh një debat të hapur e demokratik me ministrin tonë, çfarë hapësire të lejon ai kur e mbyll debatin me një pëllëmbë të dorës: na duhen tre miliardë euro borxh për investime publike dhe për ndërmarrjet publike!

Ndodhemi përballë një skizofrenie të mirëfilltë makroekonomike: nga njëra anë kjo qeveri «nikoqire» po i fut sharrën shpenzimeve dhe investimeve në sektorin më vital të vendit që është bujqësia, nga ana tjetër zoti Bode projekton të marrë 3 miliardë euro borxh për një investim publik gjetiu, me sa duket top sekret që vetëm ai dhe kryeministri duhet ta dinë. Nga njëra ane kjo qeveri me ideologji liberale mburret se ka privatizuar thuajse gjithçka dhe se mbetet dhe një valë e fundit ndërmarrjesh publike që do t’i privatizojë së shpejti për 200 milionë euro, nga ana tjetër zoti Bode na informon me dorë në zemër se i duhen tre miliardë euro borxh për të shpëtuar ndërmarrjet publike të Shqipërisë!

Ka vetëm një shpjegim në këtë katrahurë, fjalimi që ka mbajtur ministri ynë i Financave në Parlament, me siguri ka qenë i shkruar në anglisht dhe ai është viktimë e një përkthimi të përçartë në shqip. Por për shqiptarët kjo përkthehet realisht me 3 miliardë euro më shumë në borxhin e tyre publik tashmë mjaft të rënduar. Është një ngarkesë gati 30% më tepër në borxhin e përgjithshëm që ka Shqipëria.

Një borxh që vetë përfaqëson tashmë 60% të prodhimit të brendshëm bruto të vendit. Me superkredinë e re 3 miliardëshe, Shqipëria do ta ketë kështu borxhin total të saj gati sa prodhimin vjetor total të saj, një katastrofe makroekonomike që e fut Shqipërinë në listën e zezë të rrezikut të falimentimit si shtet, si Argjentina, dje apo si Greqia sot. Sigurisht, Bode mburret apo ngushëllohet se një pjesë e mirë e këtij borxhi është në lekë. Çfarë do të thotë kjo, që i mjafton qeverisë ta zhvlerësojë një ditë mirë e mirë lekun që ta hanë ata shqiptarë që kanë besuar tek bonot e thesarit të vendit? Nuk e dimë nëse është për t’u mburrur apo për të qarë.

Atëherë, pesimiste dhe ogurzinj analistët? Faji jonë i vetëm është se nuk e nximë edhe më shume realitetin kur e paraqisnim atë tashmë mjaft të trishtë para disa muajsh. Asaj kohe, u binim kambanave të alarmit për “vetëm” 300 milionë euro borxh në eurobonde. Po sot që qeveria po na ngre para hundës një Everest prej 3 miliard eurosh borxh për projekte donkishoteske si ai i investimit në ndërmarrjet publike, ç’duhet të bëjmë?

Që gjerat të jenë të qarta: analistët duhet të vazhdojnë të denoncojnë dhe të sensibilizojnë opinionin e gjerë për gjënë e mirë të përbashkët që latinët e thërrisnin la Res Publica.

Por nuk i takon më pak opozitës që të propozojë rrugëdalje. Për të bërë tellallin se gjërat po shkojnë keq e më rëndë, shqiptarëve u mjafton shtypi i lirë. Ata e dinë fare mire hallin në të cilin ndodhen: borxhi të merr frymën. Atyre u duhet treguar tani shpresa sesi mund të dilet nga ky qorrsokak ekonomik. Nuk është e ndaluar që shtypi ta veshë këtë rol nëse nevojitet, por atij i mungon legjitimiteti që të jep vota, një monopol që vetëm partitë politike e kanë. Ka ardhur ora që ato të justifikojnë besimin që u kanë dhënë shqiptarët.

Një kambane e tmerrshme ka rënë. Shqiptarëve u nevojiten 3 miliardë euro borxh, me siguri për të arnuar buxhetin sesa për investime strategjike që qeveria refuzon t’i sqarojë. Por Qeveria e ka dhënë opsionin e saj, një kombinim borxhi me ndërhyrje kirurgjikale në shpenzimet publike. Jemi kështu të sigurt që kjo nuk është një përrallë, pasi qeveria do të ishte e para për të na e fshehur këtë mynxyrë. A ia vlen më të vazhdohet të fundoset kjo qeveri nën një ortek kritikash, siç nuk do të vonojë ta bëjë opozita?

Nuk qëllohet mbi një ambulancë thotë një proverbë frënge. Atëherë konkretisht, çfarë alternative sugjeron krahu tjetër politik? Çfarë sugjerojnë deputetët? Janë ata që paguhen për të reflektuar, propozuar e debatuar për plane shpëtimi për hir të interesave të larta të kombit dhe jo shtypit e aq me pak sehirxhinjve në kafenera apo eksperteve të huaj që paguhen në përqindje të huave që na propozojnë.

Një shkrim i djeshem në Shekulli i deputetes socialiste R. Seseri të le në këtë këndvështrim të frustruar apo të pangopur për ta thënë në një shqipe të shkoqur. Ai shkrim i ngjan më shumë një raporti staticieni te Instati sesa një busulle për e ardhmen që duhet të karakterizojë fjalën e opozitës.

«Keqmenaxhimi dhe mungesa e theksuar e profesionalizmit karakterizuan sërish procesin e shkurtimit të shpenzimeve», denoncon Seseri masat e fundit të qeverisë. Por, shton ajo, «për modele bashkëkohore llogaritjeje, të bazuara në metoda ekonometrike e kritere efecientë, as që mund të mendohet». Nëse roli i një opozite të përgjegjshme kufizohet në denoncimin e shterpësisë mendore dhe profesionale të rivalit politik spiralja e zhvillimit të vendit do të marrë dekada për t’u kristalizuar.

A s’mund të mendohet si në të gjitha parlamentet e botës demokratike që edhe në Shqipëri, opozita të propozojë ngritjen e një komisioni parlamentar për rrokjen e fenomenit ekonomik që na ka trokitur në derë dhe për të hartuar propozime që qeveria më pas i adopton apo jo, por që përbejnë bërthamën e programit të daljes nga kriza nëse opozita fiton zgjedhjet e ardhshme?

Janë me dhjetëra komisionet e tilla të ngritura anekënd Europës që nga fillimi i krizës ekonomike para dy vjetësh. Për vetëm 30 miliardë euro borxh, Franca me një ekonomi që prodhon mbi 2000 miliardë euro në vit nuk nguroi të krijojë një komision dypartiak të kryesuar nga dy ish-kryeministra, Zhype i djathte e Rokard i majtë, që të orientonin qeverinë pse duhen marrë borxh dhe ku duhen investuar.

Fjalimi 3 miliardash i Bodes ende nuk duket se po provokon një valë shoku tek radhët e deputetëve të opozitës. Por, mbase është ende herët.

Një gjë po bëhet e qartë, sa më shumë po zhytemi në krizë, në Shqipëri kutitë e votimit nuk duhet të monopolizojnë gjithë aktivitetin parlamentar të opozitës demokratike. Kur fshati digjet, vjen një moment që ajo duhet t’i adaptohet më mirë situatës. Një opozitë alternative është antidota më e mirë ndaj një Bode tepër afirmativ.